Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin rrezikun e inflacionit në Shqipëri
Tensionet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si dhe përgjigjet hakmarrëse të Teheranit, po shkaktojnë shqetësime të mëdha në tregjet globale të energjisë.
Këto zhvillime kanë çuar në një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës, duke nxitur një inflacion të tipit “cost-push”, ku rritja e kostove të inputeve si energjia dhe karburantet përhapet në të gjithë zinxhirin ekonomik.
Shqipëria, si një ekonomi e varur nga importet e energjisë, po ndjen efektet indirekte, me parashikime për një shtim të inflacionit në muajt e ardhshëm. Kjo situatë përputhet me paralajmërimet e analizave tona në 2025[1], të cilat theksojnë vulnerabilitetin e ekonomisë shqiptare ndaj krizave të jashtme.
Sipas të dhënave të fundit, çmimi i naftës Brent ka arritur në 78-80 dollarë për fuçi sot, duke shënuar një rritje prej 7-9% brenda ditës. Ekspertët parashikojnë se, nëse konflikti zgjatet dhe çon në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për 20% të furnizimit global me naftë, çmimet mund të kapërcejnë 100 dollarë.
Shqipëria, si importuese neto e naftës kryesisht nga tregjet evropiane dhe indirekt nga Lindja e Mesme, do të përballet me një shtim të menjëhershëm të çmimeve të karburanteve, potencialisht +10-15% në muajt e ardhshëm.
Si rregull ekonomik, një rritje 5% e çmimeve të naftës shton rreth 0.1 pikë përqindje në inflacionin global; në rastin e 100 dollarëve, kjo mund të shtojë 0.6-0.7 pikë, duke prekur edhe ekonominë tonë. Kjo do të rrisë kostot e transportit dhe logjistikës, duke ushtruar presion mbi çmimet e konsumit.
Ndikimet shtrihen në zinxhirin e furnizimit dhe sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Në transport dhe logjistikë, ku Shqipëria mbështetet te importet për mallra bazë si ushqimet dhe materialet ndërtimore, rritja e kostove (20-30% e shpenzimeve të bizneseve) do të transferohet te çmimet fundore. Kjo mund të shtojë 1-2% në inflacionin e ushqimeve dhe mallrave jo-ushqimore.
Në prodhim dhe industri, sektorë që kontribuojnë 20-25% të PBB-së, si ndërtimi, bujqësia dhe manifaktura, kostot më të larta të energjisë elektrike dhe karburanteve (një rritje 10% mund të shtojë 0.5-1% në inflacion) do të prekin familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë më shumë për energji dhe ushqime.
Turizmi, që zë 20-25% të PBB-së dhe kontribuoi në rritjen 3.4-3.6% të ekonomisë në 2025[2], rrezikon ulje të numrit të vizitorëve për shkak të frikës globale, duke ulur të ardhurat dhe duke shtuar presionin inflacionist nga rënia e kërkesës së brendshme.
Inflacioni aktual në Shqipëri qëndron në 2.3% për janarin 2026, i pandryshuar nga dhjetori 2025, me kontribute kryesore nga energjia (4.4%) dhe ushqimet (1.8%).
Nëse tensionet vazhdojnë, parashikimet tregojnë një rritje shtesë prej 1-1.5%, duke e çuar inflacionin në 3.3-3.8% deri në qershor 2026.
Sipas analizës sonë, e cila nënvizojnë ndjeshmërinë e ekonomisë ndaj goditjeve gjeopolitike për shkak të varësisë nga importet dhe mungesës së diversifikimit. ALTAX paralajmëron[3] se rritja e moderuar (3.4% në tremujorin e parë të 2025-s) është e brishtë ndaj luhatjeve globale, duke rekomanduar investime në energji të rinovueshme për të ulur varësinë.
Në aspektin social dhe ekonomik, familjet me të ardhura të ulëta do të vuajnë më shumë, pasi energjia dhe ushqimet zënë 40-50% të buxhetit të tyre. Bizneset e vogla në transport dhe bujqësi mund të përjetojnë ulje fitimesh, duke rritur papunësinë ose duke ngrirë pagat. Nëse konflikti zgjat, Banka e Shqipërisë mund të rrisë normat e interesit për të frenuar inflacionin, duke ngadalësuar rritjen ekonomike.
Në përputhje me analizat e ALTAX-it nga 2025[4], qeveria duhet të përqendrohet në rezervat strategjike të naftës, subvencionet për energjinë dhe politika fiskale për të mbrojtur grupet vulnerabël.
Masat konkrete të rekomanduara për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të naftës dhe energjisë në Shqipëri:
- Ndërtimi dhe mbushja e rezervave strategjike të naftës – krijimi ose zgjerimi i stokut kombëtar për të mbuluar nevojat emergjente 3-6 muaj, duke shmangur panikun dhe luhatjet e menjëhershme të çmimeve në treg.
- Subvencionet e synuara për energjinë – mbështetje e përkohshme për familjet me të ardhura të ulëta dhe biznese të vogla (p.sh. ulje taksash ose kompensim direkt për faturat e energjisë/ karburanteve), pa rënduar deficitin buxhetor.
- Politika fiskale të kujdesshme[5] – ruajtja e deficitit buxhetor nën 2-3% të PBB-së për 2026, duke shmangur shpenzime të pakontrolluara që do të shtonin presion inflacionist.
- Përshpejtimi i investimeve në energji të rinovueshme – rritje e kapaciteteve diellore, eolike dhe hidro për të ulur varësinë nga importet e naftës dhe gazit (siç theksohet në transformimin energjetik, ku diellorja arriti 10% të prodhimit deri në fund të 2025).
- Diversifikimi i burimeve dhe tregjeve të furnizimit – kërkimi i partnerëve të rinj jashtë BE-së apo forcimi më tej i raporteve tragtare (p.sh. /SHBA, Kanada, Afrikë) për importet e produketeve të energjisë, duke reduktuar rrezikun nga kriza të vetme rajonale.
Këto masa do të ndihmojnë në zbutjen e ndikimeve dhe mbajtjen e inflacionit nën kontroll, duke promovuar një ekonomi më rezistente ndaj krizave globale.
[1] analizën vjetore të ALTAX-it “Si u karakterizua ekonomia në 2025 dhe çfarë sjell 2026?”
[2] https://altax.al/product/turizmi-ne-shqiperi-2025-2030/
[3] Për detaje të mëtejshme, shihni raportin mbi krizat ushtarake aktuale dhe detyrat e ekonomisë shqiptare
[4] si në analizën për ekonominë shqiptare dhe politikën fiskale për vitin 2025
[5] https://altax.al/transformimi-energjetik-i-shqiperise-dhe-urgjenca-e-nje-paradigme-te-re-monetare-valutore/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.