Turizmi në Shqipëri 2025–2030

10 

Ky studim paraqet një analizë të plotë të ndikimit ekonomik të turizmit në Shqipëri gjatë periudhës 2021–2025 dhe vlerëson perspektivat për 2026–2030. Duke përdorur një metodologji të strukturuar në shtatë paketa treguese, nga kërkesa turistike dhe shpenzimet, te vlera e shtuar, punësimi, efektet multiplikuese, investimet dhe ndikimi në bilancin e pagesave studimi mat kontributin real të sektorit në Prodhimin e Brendshëm Bruto, punësim dhe stabilitetin fiskal e valutor. Gjetjet tregojnë se turizmi ka arritur një rol makroekonomik dominues në vitin 2025, duke kontribuar 26.4% të PBB-së, duke mbështetur 1 në 5 vende pune dhe duke gjeneruar mbi 2.6 miliardë euro valutë neto.
Analiza identifikon një transformim strukturor nga modeli i “turizmit masiv day-trip” drejt një modeli me më shumë netë qëndrimi, shpenzim mesatar më të lartë dhe ndikim më të fortë në zinxhirin e vlerës. Studimi paraqet tre skenarë zhvillimi për periudhën 2026–2030 dhe thekson se formalizimi i short-term rentals, zgjatja e sezonit, përmirësimi i infrastrukturës dhe orientimi drejt turizmit me vlerë të lartë janë faktorë kyç për realizimin e skenarit optimist. Nëse reformat thellohen, turizmi mund të konsolidohet si një model zhvillimi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Në të kundërt, rrezikohet mbingarkesë infrastrukturore dhe rënie e rentabilitetit.

Përshkrim

Ky studim synon të ofrojë një analizë të plotë, të integruar dhe të bazuar në të dhëna të azhurnuara të ndikimit të turizmit në ekonominë shqiptare gjatë periudhës 2021–2025, me fokus të veçantë në vitin 2025 si pikë kulmore të rritjes së fundit, si dhe me projektime të arsyetuara për vitin 2026.

Objektivat kryesore janë si vijon:

  1. Të vlerësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse kontributin e turizmit në rritjen ekonomike dhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Duke përdorur një qasje të strukturuar mbi 7 paketa treguesish, studimi synon të masë jo vetëm ndikimin direkt të sektorit (shpenzimet turistike, vlera e shtuar nga HORECA, transporti turistik etj.), por edhe efektet indirekte dhe të induktuara përmes multiplikatorit ekonomik. Ky objektiv mundëson një vlerësim më realist të peshës së turizmit në ekonomi (26.4% e PBB-së në 2025 sipas WTTC), duke kapërcyer kufizimet e statistikave zyrtare që shpesh nënvlerësojnë dimensionin informal të sektorit.
  2. Të analizojë në mënyrë të integruar dimensionet fizike dhe monetare të fluksit turistik. Përmes evidentimit të numrit të hyrjeve të vizitorëve jo-rezidentë (12.466 milionë në 2025), netëve të qëndrimit (9.672 milionë në total, prej të cilave 7.137 milionë nga jo-rezidentë), kohëzgjatjes mesatare dhe sezonalitetit, si dhe krahasimit të të dhënave zyrtare të INSTAT me burime alternative si AIRDNA, synohet të identifikohet realisht shkalla e informalitetit në akomodimin afatshkurtër dhe ndikimi i tij në ekonomi.
  3. Të vlerësojë ndikimin e turizmit në punësim, të ardhura dhe stabilitet social. Përmes kuantifikimit të vendeve të punës të krijuara nga sektori (274.000–280.000 vende pune, rreth 21% e punësimit total), analizës së nivelit të pagave mesatare dhe kontributit në sigurimet shoqërore e tatimin mbi të ardhurat nga paga, studimi synon të dallojë qartë midis punësimit sezonal dhe atij të përhershëm, si dhe të evidentojë rolin e turizmit në kohezionin social.
  4. Të masë efektet makroekonomike dhe ndikimin në bilancin e pagesave. Duke analizuar të ardhurat valutore bruto nga turizmi (5.4–5.6 miliardë € në 2025) dhe bilancin neto turistik pozitiv (+2.52–2.67 miliardë €), studimi vlerëson rolin stabilizues të sektorit në uljen e deficitit të llogarisë korrente në nivele historikisht të ulëta (2.5–3.0% e PBB-së), si dhe kontributin në qëndrueshmërinë makroekonomike.
  5. Të analizojë ndikimin fiskal në buxhetin qendror dhe në buxhetet vendore. Përmes llogaritjes së të ardhurave tatimore direkte dhe indirekte (TVSH 6% në akomodim dhe ushqim, tatim fitimi, tatim mbi pagat) dhe vlerësimit të humbjeve nga informaliteti (20–40 milionë € në vit vetëm nga evazioni në short-term rentals dhe shërbime të lidhura), studimi lidh ndikimin fiskal të turizmit me performancën e buxheteve vendore në prefekturat me intensitet të lartë turistik si Tirana, Vlora, Durrësi dhe Fieri.
  6. Të identifikojë dhe të analizojë sfidat strukturore të sektorit, me fokus informalitetin dhe evazionin fiskal. Përmes krahasimit të statistikave zyrtare me të dhënat alternative (p.sh. AIRDNA) dhe analizave të ALTAX, evidentohen nivelet e larta të informalitetit (rreth 70–80% në short-term rentals, 30–32% e PBB-së në ekonomi në tërësi), ndikimi i TVSH-së nën plan, si dhe pasojat në konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tregut.
  7. Të ofrojë një vlerësim realist të perspektivave për vitin 2026 dhe më tej. Duke analizuar potencialin për konsolidimin e turizmit si sektor me peshë edhe më të madhe në ekonomi (27–28% e PBB-së), mundësinë e rritjes së formalizimit (+15–20%) dhe zgjatjes së sezonit turistik, studimi merr në konsideratë trendet aktuale, projektbuxhetin 2026, zbatimin e ligjit të ri për licencimin e akomodimit, investimet infrastrukturore, si dhe rreziqet strukturore si sezonaliteti i lartë, ndryshimet klimatike dhe konkurrenca rajonale.

Nëpërmjet këtyre objektivave, studimi synon të shërbejë si një dokument referencë për vendimmarrësit politikë, administratën publike, bizneset e sektorit, investitorët dhe komunitetin akademik, duke ofruar jo vetëm një pasqyrë të gjendjes aktuale, por edhe mendime konkrete për maksimizimin e përfitimeve nga turizmi në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse.