Tendencat tatimore në Ballkanin Perëndimor, 2026
Si po ndryshojnë sistemet tatimore të Ballkanit Perëndimor dhe çfarë nënkuptojnë këto ndryshime për konkurrueshmërinë, punësimin, investimet dhe konvergjencën europiane?
Raporti i ri i ALTAX analizon zhvillimet tatimore në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi – duke kombinuar të dhëna fiskale për periudhën 2020–2025 me zhvillimet ligjore dhe institucionale të vitit 2026.
Raporti tregon se rajoni vijon të ketë një barrë tatimore më të ulët se Bashkimi Europian, por struktura e saj mbështetet ndjeshëm te konsumi dhe puna. Në vitin 2025, barra mesatare tatimore e BP6 arriti 32.3% të PBB-së, kundrejt 41% në BE, ndërsa TVSH-ja përbën rreth 36.6% të të ardhurave tatimore rajonale.
Qasja kryesore e raportit nuk është më vetëm sa taksohet rajoni, por edhe si po ndryshon struktura e taksimit dhe nëse ajo po bëhet më efikase, më konkurruese dhe më e drejtë.
Raporti identifikon pesë transformime kryesore:
▪️ nga rritja e normave drejt zgjerimit të bazës tatimore;
▪️ dominimi i vazhdueshëm i TVSH-së;
▪️ taksimi i punës si faktor i konkurrueshmërisë;
▪️ konkurrenca rajonale për investime përmes normave dhe stimujve tatimorë;
▪️ digjitalizimi i administrimit tatimor.
Në këtë kontekst, faza e ardhshme e reformave fiskale në Ballkanin Perëndimor nuk lidhet vetëm me madhësinë e barrës tatimore, por me cilësinë e tax mix-it.
Zgjerimi i bazës, formalizimi, rishikimi i përbërjes së taksimit, matja e kostos dhe efektivitetit të stimujve, forcimi i taksimit të kapitalit dhe pronës, si dhe digjitalizimi dhe shkëmbimi i të dhënave po bëhen pjesë qendrore e agjendës fiskale të rajonit.
“Tendencat tatimore në Ballkanin Perëndimor 2026” është edicioni i katërt i serisë së ALTAX mbi tendencat tatimore në Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar dilemën e rëndësishme, se në ç’drejtim po transformohen sistemet tatimore të Ballkanit Perëndimor?
Raporti sjell një kornizë të përbashkët krahasimi për BP6 dhe një bazë analitike për të kuptuar më mirë lidhjen midis tatimeve, konkurrueshmërisë, punësimit, investimeve, informalitetit dhe integrimit europian.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.