Bashkohuni me ekipin tonë. A jeni gati të rrisni biznesin tuaj? Mëso më shumë

TENDENCAT TATIMORE NË BALLKANIN PERËNDIMOR PËR 2026
0 €
Ky raport analizon transformimin e sistemeve tatimore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) – Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi – duke u fokusuar në strukturën e barrës tatimore, ndryshimet e politikave fiskale, konkurrueshmërinë, administrimin tatimor dhe konvergjencën me Bashkimin Europian. Analiza kombinon të dhëna fiskale për periudhën 2020–2025 me zhvillimet ligjore dhe institucionale të vitit 2026, duke përdorur burime kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Eurostat, Komisionin Europian, OECD, FMN, Bankën Botërore dhe PwC, si dhe bazën e të dhënave ALTAX.
Gjetjet tregojnë se BP6 mbetet një rajon me barrë tatimore më të ulët se mesatarja e BE-së, por me një strukturë fiskale të mbështetur ndjeshëm te konsumi dhe puna. Në vitin 2025, barra mesatare tatimore rajonale arriti 32.3% të PBB-së, kundrejt 41% në BE, ndërsa TVSH-ja përbën rreth 36.6% të të ardhurave tatimore rajonale. Në të njëjtën kohë, taksimi i punës mbetet një faktor i rëndësishëm i kostos së punësimit formal, ndërsa kapitali, prona dhe pasuria vazhdojnë të kenë një peshë relativisht të kufizuar në strukturën tatimore.
Raporti identifikon pesë transformime kryesore: zhvendosjen nga rritja e normave drejt zgjerimit të bazës tatimore; dominimin e vazhdueshëm të TVSH-së; rritjen e rëndësisë së taksimit të punës për konkurrueshmërinë; konkurrencën rajonale për investime përmes normave dhe stimujve tatimorë; si dhe digjitalizimin e administrimit tatimor. Këto zhvillime ndërthuren me informalitetin e lartë, emigracionin, tkurrjen e popullsisë në moshë pune dhe nevojën për të ruajtur kapacitetin e të ardhurave publike pa dobësuar punësimin dhe investimet.
Në këtë kontekst, raporti argumenton se faza e ardhshme e reformave fiskale në BP6 nuk lidhet vetëm me madhësinë e barrës tatimore, por gjithnjë e më shumë me cilësinë e strukturës së saj. Zgjerimi i bazës tatimore, formalizimi, rishikimi i përbërjes së tax mix-it, matja e kostos dhe efektivitetit të stimujve, forcimi i taksimit të kapitalit dhe pronës, si dhe digjitalizimi dhe shkëmbimi i të dhënave shfaqen si dimensione qendrore të transformimit fiskal dhe të konvergjencës së rajonit me standardet europiane.
Fjalëkyçe: Ballkani Perëndimor, politika tatimore, barrë tatimore, TVSH, taksimi i punës, informaliteti, digjitalizimi tatimor, konvergjenca europiane
- Përshkrim
Përshkrim
Ky raport i katërt, si vijim i drejtpërdrejtë i serisë ALTAX mbi tendencat tatimore në Ballkanin perëndimor në 2016, 2020 dhe 2023 në këtë edicion shqyrton jo thjesht sa taksohet rajoni, por si po ndryshojnë sistemet tatimore të BP6, pse po ndryshojnë dhe në ç’drejtim po konvergojnë me Bashkimin Europian. Tema kryesore synon të sqarojë nëse po bëhen sistemet tatimore të Ballkanit Perëndimor më efiçente, më konkurruese dhe më të drejta, apo thjesht më të afta të mbledhin të ardhura?
1.1. Panorama tatimore rajonale në 2026
BP6 (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi) mbetet një rajon me barrë tatimore totale nën mesataren e BE-së (32.3% mesatarja rajonale në 2025, kundrejt 41% në BE), por me një strukturë tatimore që mbështetet dukshëm më shumë te konsumi dhe puna sesa te kapitali dhe prona. TVSH-ja e vetme përbën 34–37% të të ardhurave tatimore rajonale, kontributet shoqërore shtojnë presion të konsiderueshëm mbi koston e punës formale dhe asnjë vend i BP6 nuk aplikon ndonjë formë të përgjithshme takse mbi pasurinë neto. Kjo asimetri strukturore është jo thjesht niveli i barrës, por linja që përshkon gjithë raportin.
Normat statutore (§4) tregojnë një rajon relativisht konkurrues në letër me tatim mbi të ardhurat korporative (CIT) 9–15%, tatim mbi të ardhurat personale (PIT) kryesisht flat ose progresiv i kufizuar (0–23%), TVSH me norma standarte 17–21%. Por normat nominale fshehin realitete shumë të ndryshme kur shihen krahas kontributeve (nga 0.5% në Malin e Zi deri 31% në BiH/FBiH), shpenzimeve tatimore (5.4% e PBB-së vetëm në Shqipëri) dhe informalitetit (30–35% e PBB-së në shumicën e vendeve).
1.2. Dhjetë gjetjet kryesore — 2026
1. TVSH mbetet instrumenti fiskal dominant
TVSH-ja përbën 34–37% të të ardhurave tatimore totale në BP6, si instrumenti kryesor i të ardhurave në çdo vend të rajonit, me pasoja të drejtpërdrejta për regresivitetin e sistemit (§5).
2. Taksimi i punës po bëhet çështje konkurrueshmërie, jo vetëm buxheti
Tkurrja demografike (-2.1% popullsi, 2021–2023) dhe emigracioni e transformojnë ngarkesën tatimore nga një çështje thjesht fiskale në një faktor të drejtpërdrejtë të konkurrueshmërisë ekonomike (§6).
3. Zgjerimi i bazës po zëvendëson rritjen e normave si sfida qendrore
Me informalitet 30–35% të PBB-së në shumicën e vendeve, formalizimi dhe jo rritja e normave është rruga kryesore drejt të ardhurave shtesë (§6, §13).
4. Kapitali dhe prona mbeten strukturalisht të nën-taksuara
Asnjë vend i BP6 nuk aplikon takse të përgjithshme mbi pasurinë neto, ndërsa taksimi i pronës bazohet ende në vlerësime të vjetruara (§8).
5. Digjitalizimi po e ndryshon administrimin më shpejt se legjislacioni
Nga fiskalizimi i plotë i Shqipërisë (2021–22) e sistemi i avancuar i Serbisë, te reforma e-Faktura e Maqedonisë së Veriut, ende në zbatim e sipër, me afate të shtyra në shtator 2026 (§9).
6. Integrimi në BE po formëson reformat, por me ritme shumë të ndryshme
Nga Mali i Zi (18 nga 33 kapituj të mbyllur), Shqipëria (3 nga 33 kapituj të mbyllur) e deri te Kosova (ende pa status kandidati) paraqitet një spektër i gjerë gatishmërie ndaj acquis mbi taksimin (§10).
7. Stimujt fiskalë kërkojnë matje më të fortë të kthimit të tyre
Mbi 350 stimuj investimi dhe 40 zona ekonomike të lira identifikohen në gjithë rajonin, por vetëm Shqipëria publikon rregullisht koston reale të tyre, sa 5.4% e PBB-së (§7, §12).
8. Rënia demografike po bëhet çështje e drejtpërdrejtë e politikës tatimore
Rënia demografike mbetet jo vetëm sociale, pasi baza e ardhshme tatimore e punës ngushtohet me çdo vit tkurrjeje popullsie (§6.5).
9. Informaliteti mbetet kufizimi kryesor strukturor i të ardhurave
Me Kosovën në krye të rajonit (deri 83% e punësuarve me ndonjë formë informaliteti, sipas SELDI) (§13).
10. Faza e ardhshme e reformave ka të bëjë me cilësinë e tax mix-it, jo madhësinë e tij
Zhvendosja graduale nga puna dhe konsumi drejt kapitalit, pronës, dhe një administrimi më transparent — kjo është boshti i agjendës së reformave 2026 (§20–§22).
1.3. Pesë tendencat kryesore tatimore në 2026
Tendenca 1 — Nga mobilizimi i të ardhurave drejt zgjerimit të bazës tatimore
Sistemet nuk mund të mbështeten pafundësisht te rritja e normave ose te konsumi. Gjithnjë e më shumë vendet po kërkojnë të zgjerojnë bazën tatimore (formalizim, kufizim i shkëputjeve/exemptions, luftë kundër informalitetit) në vend që të rrisin normat.
Tendenca 2 — TVSH-ja mbetet shtylla fiskale
Të gjashtë vendet e BP6 kanë norma TVSH midis 17% (Bosnjë-Hercegovinë) dhe 21% (Mal i Zi), me tension mes eficiencës në mbledhjen e të ardhurave, karakterit regresiv të tatimeve indirekte dhe formalizimit.
Tendenca 3 — Taksimi i punës po bëhet çështje konkurrueshmërie
Mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni po e bëjnë koston fiskale të punës (tax wedge) një çështje konkurrueshmërie, jo thjesht të ardhurash buxhetore.
Tendenca 4 — Taksimi i kapitalit dhe pronës po merr vëmendje politike
Tatimi mbi fitimin korporativ, dividentët, pasuritë e paluajtshme dhe fitimet kapitale mbeten strukturalisht të nën-zhvilluara krahasuar me taksimin e punës dhe konsumit.
Tendenca 5 — Administrimi tatimor po bëhet infrastrukturë dixhitale
E-invoicing, fiskalizimi, kryqëzimi i të dhënave (data matching), auditimi i bazuar në risk dhe shkëmbimi ndërkufitar i informacionit po ndryshojnë administrimin tatimor më shpejt se legjislacioni tatimor vetë, në linjë me reformën e BE-së “VAT in the Digital Age” (ViDA)
Produkte të afërt
-
LIBRA TË ALTAX, PUBLIKIME
Dita e Lirisë Fiskale 2015 në Shqipëri dhe Kosovë
8 €Original price was: 8 €.5 €Current price is: 5 €. -
LIBRA TË ALTAX
Sistemi tatimor dhe stimujt për investimet në Shqipëri, 2016
7 €Original price was: 7 €.5 €Current price is: 5 €. -
LIBRA TË ALTAX
Punësimi dhe investimet kapitale në Shqipëri, 2012
8 €Original price was: 8 €.7 €Current price is: 7 €. -
LIBRA TË ALTAX
Punësimi dhe investimet kapitale në shqipëri, 2016
8 €Original price was: 8 €.7 €Current price is: 7 €.









