Tatimi i profesioneve të lira dhe punonjësve në Shqipëri, Kosovë dhe vendet e Ballkanit, 2024
Në një shikim të trajtimit tatimor për gjithë Ballkanin Perëndimor të profesionistëve të lirë shikojmë se normat tatimore më të larta i gjejmë në Shqipëri dhe në Serbi, respektivisht me 15% dhe 10% e 20% të fitimit të tyre pas disa zbritjeve të përcaktuara si regjime të veçanta tatimore.
Në Shqipëri për profesionet e lira me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, shpenzimet e zbritshme fikse dhe të padeklaruara në kontabilitet njihen në masën prej 30%.
Kategoria tjetër e bizneseve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë është e detyruar të deklarojë shpenzimet vjetore në administratën tatimore dhe të aplikohet norma e tatimit 23% mbi diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve.
Tatimi mbi pagën e punonjësve në Shqipëri fillon nga 0% për pagat deri 50 mijë lekë në muaj dhe është 8% për pagat 50.000 – 60.000 lekë në muaj, 13% për pagat 60.000 deri 200.000 lekë në muaj dhe 23% mbi 200.000 lekë në muaj.
Që nga 1 janari 2023, profesionistët e lirë në Serbi kanë mundësinë të zgjedhin midis dy modeleve tatimore, duke u mundësuar atyre të optimizojnë detyrimin e tyre tatimor.
Modeli i parë është më i favorshëm për profesionistët e lirë fillestarë ose për ata për të cilët puna e pavarur përfaqëson thjesht një burim shtesë të ardhurash.
Modeli i dytë është një zgjedhje më e favorshme për individët për të cilët profesioni i lirë përbën burimin e tyre kryesor të të ardhurave.
Të dy modelet janë ndërtuar mbi njohjen e kostove specifike të standardizuara që zvogëlojnë bazën tatimore, me sasinë dhe metodën e përcaktimit të këtyre kostove që ndryshojnë ndjeshëm në varësi të modelit të zgjedhur.
Sipas modelit të parë të taksimit, baza tatimore përbëhet nga të ardhurat bruto të reduktuara me një shumë fikse të kostove të standardizuara, deri 800 euro, në baza tremujore, mbi të cilat aplikohet një normë tatimore është 20%.
Sipas modelit të dytë të taksimit, i cili mund të zgjidhet nga profesionistët e pavarur në Serbi, baza tatimore është mbi të ardhurat bruto të reduktuara me një shumë absolute të kostove të standardizuara deri në 490 euro, në baza tremujore, si dhe një sasi relative e kostove të standardizuara prej 34 % e të ardhurave bruto. Norma e taksës në këtë model është 10%.
Tatimi mbi pagat e punonjësve në Serbi është me një normë fikse prej 10%, pas zbritjes së kufirit të pagave të patatueshme prej 25,000 RSD. Baza e tatueshme është paga bruto, duke përfshirë përfitimet shtesë, të tilla si strehimi i ofruar nga kompania dhe përdorimi i makinës së kompanisë.
Në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Bosnjë-Hercegovinë norma tatimore është sa 10% e fitimit të profesionistëve të lirë.
Tatimi mbi pagat e punonjësve në Bosnjë-Hercegovinë është 10%, si një normë e sheshtë tatimore.
Tatimi mbi pagat e punonjësve në Maqedoninë e Veriut është 10%, si një normë e sheshtë tatimore.
Tatimi mbi pagat e punonjësve në Malin e Zi është 0% për pagat deri 700 Euro/muaj, 9% për pagat 701 – 1.000 Euro/muaj dhe 15% për pagat 1.001 Euro/muaj e lart.
Në Kosovë norma tatimore është sa 9% e fitimit të profesionistëve të lirë.
Tatimi mbi pagat e punonjësve në Kosovë është 0% për paga deri në 960 euro (EUR)/vit, 4% për pagat nga 960 deri në 3.000 euro/vit, 8% për pagat nga 3.000 euro deri në 5.400 euro/vit dhe 10% për pagat mbi 5.400 euro/vit.
Konsultimi me një këshilltar tatimor dhe profesionist sigurimesh mund t’i ndihmojë profesionistët e lirë të përcaktojnë opsionet më të përshtatshme për rrethanat e tyre specifike dhe nivelin e të ardhurave.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.