STRATEGJIA E ZHVILLIMIT TË TERRITORIT NË GJIROKASTËR DHE PERFORMANCA SIPAS MUNDËSIVE DHE KAPACITETEVE PËR FINANCIM

STRATEGJIA E ZHVILLIMIT TË TERRITORIT NË GJIROKASTËR DHE PERFORMANCA SIPAS MUNDËSIVE DHE KAPACITETEVE PËR FINANCIM

Strategjia e Zhvillimit dhe mundësitë e buxhetit të Bashkisë dhe ato nga FSHZH dhe institucionet dhe donatorët nuk duket se do të përmbushin objektivat e përmbushjes në afate. Nga verifikimi i secilit nga 58   programet për arritjen e tyre na rezulton një situatë e tillë:

  • Janë realizuar 10 programe (13% e totalit të programeve), por pa përmbushur asnjë nga 5 objektivat  strategjikë të Planit plotësisht (te SHTOJCA);
  • Janë në proces për tu realizuar (në nivele të ndryshme të zbatimit) 35 programe zhvillimi infrastrukture rrugore, UK, arsimore, shëndetësore, bujqësore, urbane (44% e totalit të programeve), duke synuar përmbushjen e të paktën 3 objektivave strategjikë. Me përjashtim të 6 programeve që kanë të përcaktuar një kohëzgjatje afatgjatë (deri 15 vite nga fillimi programit), pjesa tjetër janë në tejkalim të afateve të përcaktuara, apo me gjasa nuk arrijnë dot të përfundojnë brenda afateve;
  • Nuk kanë filluar/nuk ka informacion apo nuk ka parashikim buxhetor për performancën e 35 programeve (44% e totalit të programeve), që janë mbi 1/3 e tyre në tejkalim të afateve të përcaktuara në PDV.

Strategjia e zhvillimit prej 5 vitesh është në zbatim, por nisur nga numri i madh dhe alokimet buxhetore të ulta ka ecur me ritme më të ngadalta performance nga objektivat e përcaktuara për vënien në funksion të zhvillimit të investimeve dhe programeve. Nga llogaritjet e kostos fillestare gjithsej[1] të gjithë objektivave të Planit llogaritja fillestare arrin në 140 miliard lekë. Kjo kosto që duhet të alokohet nga Buxheti i Shtetit, Buxheti i Bashkisë, Donatorët dhe Institucione financiare e investitorë strategjikë për përmbushjen e plotë të të PDV (pa projektin e hekurudhës) është e barazvlefshme sa 29 herë e buxhetit gjithsej vjetor të Bashkisë, sipas të dhënave për 5 vitet e fundit (2016-2021), dhe sa 120 fonde investimesh kapitale gjithsej, që programon mesatarisht çdo vit kjo Bashki.

Nëse bazohemi vetëm te buxheti faktik i Bashkisë  në 10 vitet e fundit (bashkë me transfertat e pakushtëzuara dhe të kushtëzuara), edhe sikur gjithë buxheti të shkonte për Strategjinë ne Zhvillimit Vendor (pa projektin e Hekurudhës), përsëri ky fond nuk do të mjaftonte të arrinte përmbushjen e objektivave afatgjatë. Ndërkohë, Buxheti i shtetit ka programuar për gjithë periudhën 2017-2021 fondin prej 2 miliard lekë (sa 7% e totalit të kostos gjithsej të PDV pa projektin e hekurudhës), ku mbi 85% kësaj shume është për rrugën e Arbrit tashmë ende jo në funksionim të plotë që ti shërbejë komunitetit.

Nisur nga ritmet e financimit, nevojitet që në funksion të përmbushjes në afate të investohet çdo vit sipas performancës së zbatuar bazuar te gjithë burimet e financimit së bashku, të përmendura më lart.

Kjo është pjesa më e rëndësishme për të matur edhe efektivitetin e investimeve infrastrukturore, të cilat shpenzohen mesatarisht deri në 0.6 miliard lekë në vit për Gjirokastrën (në historikun 2017-2021), ku mbi 94% vijnë si fonde nga FSHZH dhe fonde të huaja të buxhetit dhe 6% janë financime me fonde nga buxheti i Bashkisë.

Struktura e shpërndarjes së programeve të investimeve dhe politikave sipas Planit është më e fokusuar te Urbanizimit, infrastruktura rrugore, UK dhe hartimi i politikave dhe planeve rregullatore. Sipas të dhënave, që autorët e Raportit disponojnë nga PDV Gjirokastër dhe të përpunuara sipas zbatimit nga PBA e Bashkisë Gjirokastër dhe buxhetet vjetore faktike prej 2018 deri në 2021, si dhe PBA e Buxhetit të Shtetit, dhe listat e Investimeve me fonde të huaja dhe të brendshme për të njëjtën periudhë si më lart, shikohet se shpërndarja e programeve sipas drejtimeve të zbatimit janë të fokusuara kryesisht te Urbanizimi dhe infrastruktura rrugore (16% të totalit të programeve), Bujqësia, blegtoria, prodhimet artizanale dhe pylltaria (12% të totalit të programeve), Artet, sporti, kultura (12% të totalit të programeve), Mjedisi, Energjia, Mbetjet (12% të totalit të programeve), UK (11% të totalit të programeve) dhe shëndeti (11% të totalit të programeve).

Më pak hapësirë kanë programet për Infrastrukturën e turizmit (9% të totalit të programeve), arsimi (10% e totalit të programeve).

Vini re! Rëndësia që kanë numri i programeve sipas PDV tregon edhe orientimin e mbështetjes që qeverisja qendrore ka synuar të përhapë si perspektivën vizionare të zhvillimit të zonës, e cila duke mos patur një ecuri të shpejtë ndikon në efektivitetin e zhvillimit dhe politikën për uljen e varfërisë duke mbajtur një ambjent informal dhe mikrptitës edhe për zhvillime të korrupsionit.

Plani i Zhvillimit të Territorit ka ndikime të vogla dhe të pjesëshme sipas objektivave strategjikë dhe duhet të analizohet azhornimi me realitetin e ekonomisë bazuar te deviancat. Në krahasimin midis strukturës së Prodhimit të brendshëm rajonal të Gjirokastrës në vitin 2017[2] dhe në vitin fillim të vitit 2021[3] vërehet nga ekspertët, se në fillim të vitit 2021:

 Ndryshime pozitive të tendencës së sektorëve të ekonomisë

  •  Bujqësia dhe Blegtoria, dhe prodhimet agro-bujqësore dhe industriale bashkë me prodhime energjie janë mbizotëruese me 39.7% të ekonomisë së Gjirokastrës (4 bashkitë), ku bujqësia ka shfaqur rritje të vlerës së shtuar në ekonomi me 0.7%, ndërsa prodhimi dhe industria me 2.6% duke regjistruar edhe rritjen më të madhe të sektorëve në ekonominë e Gjirokastrës.
  • Rritjen më të madhe pas bujqësisë e mbajnë aktivitetet e shëndetit, arsimit dhe administrata me një vlerë të shtuar prej 2.4 përqind më shumë në ekonominë e Gjirokastrës se në vitin 2017. Ndikimi kryesor nga situata e bllokimit të aktiviteteve të akomodimit nga pandemia e Covid-19 nuk ka patur ndikim në vitin 2020, për arsye të aktiviteteve private mjaft të vogla në ekonominë e Gjirokastrës.
  • Aktiviteti i shërbimit të pasurive të paluajtshme duket me një gjallërim të lehtë duke rritur pjesëmarrjen në 2020 me 0.2% më shumë se në 2017, por që realisht është me një tkurrje nga një vit më përpara me -0.3% më pak.
  • Po kështu, shërbimet teknike dhe profesionet e lira kanë një gjallërim në krahasim me 2017, por edhe 2019 me një vlerë të shtuar prej 1.7 përqind më shumë.

 Ndryshime negative të tendencës së sektorëve të ekonomisë

  •  Ndërtimi shfaqet me një tkurrje në kontributin e tij në ekonominë e vitit 2020 me – 4.1 përqind më pak nga 2017.
  • Një ndikim negativ ka patur edhe grupi i aktiviteteve të sportit, artit, kulturës, edhe pse kanë një peshë sa 1.3% e PBB-së së Gjirokastrës.
  • Ndikimin tjetër negativ e mban sektori i informacionit dhe komunikacionit, të cilat duket se nuk janë ndikuar në efektivitetin e tyre ekonomik nga investimet ende në proces të zhvillimit urban dhe infrastrukturës rrugore dhe ujore.

Duke konsideruar këtë konkluzion si më lart duket se përmbushja e objektivave strategjike me avancimin jo sipas afateve të parashikuara nuk kanë ndikuar në një efekt stimulues të dëshiruar në komponentët e vlerës së shtuar private të PBB-së dhe në tërësi ka një tkurrje të ekonomisë së Gjirokastrës me -0.1% të PBB-së, ku një ndikim më të madh në PBB vjen nga aktivizimi pjesor i ekonomisë së zonës që duket se operon nën kapacitetin e saj potencial.

Një shembull tipik është mungesa e efektit dhe mospjesëmarrjes të një pjese të fermerëve dhe bizneseve tregtare në skemat e propozuara të lehtësive fiskale dhe granteve ndihmëse për arsye të lidhura me statusin e tyre informal dhe barrierat administrative dhe pengesa që ushqejnë tendencën për korruptim dhe moszbatim të proceseve zhvilluese për sektorin.

Kujdes! Investimet e reja në pritje për tu ankoruar në ndihmë të mirëqenies dhe shëndetit mundet të krijojnë hapësira të reja për harmonizimin e tyre me zhvillimin e brendshëm të rikthimeve të emigrantëve, të cilët kërkojnë tashmë edhe një shërbim cilësor dhe kjo shtron nevojën e rritjes së fondeve për edukimin profesional.

[1] Kostoja fillestare e zbatimit (punimeve) mund të ndryshojë në rritje/ulje për arsye të ndryshimet të normave tatimore, interesave bankare, inflacionit, vonesave në zbatim duke kërkuar kosto shtesë, gabime në zbatim etj.

[2] http://www.instat.gov.al/media/5793/pbb-rajonale-2017.pdf

[3] http://www.instat.gov.al/media/10013/pbb-rajonale-2020.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: