Sistemi fiskal vs. Oferta për taksa të ulta

Sistemi fiskal vs. Oferta për taksa të ulta

Në sistemin aktual ka segmente dhe grupe të ndryshme tatimpaguesish të lodhur nga barra më e lartë që mbajnë në raport me grupe të tjera, për tatime të caktuara dhe sipas qarkullimit që realizojnë. Kjo pabarazi brenda të njëjtit segment dhe tatim është krijuar nga lehtësia me të cilën administrimi fiskal dhe politika kanë shfrytëzuar mundësinë për të plotësuar nevojat e ditës: planin e buxhetit. Pjesa e vështirë, ajo e luftës ndaj atyre qe nuk i janë përgjigjur ligjit, si dhe ato tatimpaguesë që janë pjesë e patronazheve të caktuara klienteliste të grupeve politike të sponsorizuar nga monopolistë, kanë merituar një administrim tatimor qendror dhe lokal, me deformime mbi dy dekada.

Të ardhurat buxhetore për këto 27 vite janë bazuar te tatimet mbi konsumin. Po kështu, barra më e lartë në tatimin mbi të ardhurat është mbajtur nga tatimi mbi fitimin, dhe vetëm vitet e fundit tatimi mbi të ardhurat personale ka arritur të bëhet dominant. Si rrjedhojë, përveç ngulmimit për diskutimin mbi tatimin e të ardhurave, në kuadër edhe të diskutimit mbi efektet nga ligji i ri i TVSH-së, debati duhet te orientohet te transparenca lidhur me bazën e TVSH-së, mënyrat e administrimit për lehtësimin e biznesit, si dhe përfshirja e përvojave të mira të administrimit. Për një ruajtje të barazisë mbetet sfidë përfshirja e pjesës së bizneseve që janë të përjashtuar nga TVSH-ja dhe konkretisht adresimi është për sektorin agrar dhe shërbimet financiare, por pa harruar përjashtimet e biznesit të vogël dhe shërbimeve, të sektorit të edukimit, të sektorit mediatik si dhe përjashtime të ndryshme duke u mundësuar nje shkallë tatimore më të ulët se shkalla standarte. Përfshirja e tyre i fut ne konkurencë dhe është optimalisht një zgjerim i bazës për buxhetin dhe ekonominë, për sa kohë mbi to llogaritet vlera e shtuar në ekonomi. Është njësoj si vendimi për heqjen e fashës së konsumit për energjinë elektrike.

Lodhja e bazës tatimore, që mban barrën kryesore të buxhetit (kompenson edhe barrën që u takon evazionistëve dhe të përjashtuarve) ka ardhur edhe nga shkalla standarte e aplikuar prej 20%. Kjo do të thotë, se nëse buxheti plotësohet në pjesën më të madhe nga grup i ngushte biznesesh prej 25 – 26% ndaj totalit (pjesa kryesore në doganë) ka një efekt mohues në krijimin e kushteve të barabarta në administrimin fiskal të TVSH lidhur me barrën fiskale që duhet të mbajnë tatimpaguesit importuesë, tregtarë, prodhuesë nëpër zinxhirin e qarkullimit të mallrave.

Sipas llogaritjeve, nëse analizojmë një tregtar pakice (biznesi i vogël aktual) me një normë fitimi para tatimit deri 20%, ai përfiton nga shmangia e TVSH-së afër 1% të fitimit. Natyrshëm, që ai është i interesuar të mos jetë pjesë e skemës së TVSH. Por, kjo është një arsye e fortë, pse ata që janë të përjashtuar nga skema e TVSH-së duhet të jenë pjesë integrale në skemën e saj dhe të përdorin kreditimin e TVSH-së së faturave të blerjes, si pjesë e një sistemi kompleks që ka nevojë për çdo pjesë të mekanizmit të tij, që të funksionojë në harmoni me tjetrën.

Nga ana tjetër, tatimi mbi të ardhurat individuale nuk është ende kontributor në buxhet. Kjo do të thotë se sistemit fiskal i mungon një instrument nga më të rëndësishmit. Sistemi nuk do të gjenerojë të ardhura të larta, nëse nuk do të luftohet shmangia dhe evazioni për individët me të ardhura të larta.

Shkallët tatimore të rritura në 2013 dhe 2014 për tatimin mbi fitimin mbi shoqëritë e mesme dhe të mëdha, si dhe tatimin mbi të ardhurat individuale mbeten ende të pashfrytëzuara në kapacitetin që ja kërkon legjislacioni duke u mundësuar individëve ti shpëtojnë detyrimit të tyre. Koha që kalon shpejt nuk i ndihmon të ardhurat buxhetore, pasi rrit koston për mbledhjen e tyre duke e bërë më të vështirë misionin qeverisës.

Nëse mbajmë parasysh të ardhurat e shpërndara sipas shkallëve të shoqërisë, politika për të zhvendosur barrën tatimore nga tatimi mbi konsumin drejt tatimit mbi të ardhurat do ta kalonte këtë barrë në fakt aty ku duhet. Barra tatimore do të zhvendoset nga konsumi individual te paga dhe kapitali. Duke qenë se individët e pasuruar rishtazi zotërojnë tashmë kapitale, barra do të tentojë të zhvendoset edhe mbi këta individë.

Atëherë…

TVSH dhe TAP kanë të nevojshme të vazhdojnë të administrohen fuqishëm, duke rritur përdorimin e kapaciteteve në dispozicion dhe luftuar sëmundjen qe ka avancuar së tepërmi për 1 dekadë: korrupsioni. E gjithë shoqëria, duhet që ti shikojë agjensitë e të ardhurave si një aset i vendit, që duhet të promovohet.

Çdo hap përpara i administrimit fiskal është një distancë e shkurtuar drejt të mirave publike.

Më mirë parandalimi, sesa kurimi që ka kosto dhe nuk garanton gjithmonë efektin pozitiv.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: