Si ndahet çmimi i produktit?
Kur shikon çmimin e një produkti në raft, shpesh duket se ai reflekton vetëm çmimin e blerjes.

Por, grafiku më lart tregon qartë se çmimi final i konsumatorit është një strukturë komplekse, ku secili komponent ka rolin e vet. Në thelb, çmimi formohet nga katër elementë kryesorë.
Së pari, baza reale e produktit është kostoja e blerjes ose importit. Për mallrat e importuara, kjo përfshin çmimin e blerjes nga vendi i origjinës, transportin ndërkombëtar, sigurimin dhe tarifat doganore. Ky komponent përbën zakonisht rreth 50–60% të çmimit neto dhe është pika nga ku nis çdo analizë ekonomike.
Së dyti, marzhet e biznesit. Importuesi dhe shitësi shtojnë një fitim mbi koston reale, që në shembullin e analizuar përbën rreth 20–30% për importuesin dhe 25–35% për shitësin. Këtu shfaqet diferenca më e dukshme me çmimin e vendit të origjinës. Edhe kur kostoja bazë është e ulët, këto marzhe mund të rrisin ndjeshëm çmimin në tregun shqiptar, duke e bërë produktin më të shtrenjtë se në vendin origjinës.
Së treti, TVSH-ja. Kjo nuk është kosto reale për biznesin, pasi TVSH-ja e blerjes zbritet nga TVSH-ja e shitjes. Por për konsumatorin, ajo shton rreth 20% mbi çmimin neto dhe përfundon si të ardhura për buxhetin e shtetit. Pra, pjesa e TVSH-së nuk përfaqëson fitim të biznesit, por është ajo pjesë e çmimit që mbush arken e shtetit dhe financon shërbime publike.
Së katërti, mbi koston bazë dhe marzhet, shpesh shtohen rreziqe dhe kosto shtesë, si luhatjet e kursit të këmbimit, inflacioni, vonesat e pagesave dhe rreziqe politike. Ky “premium rreziku” nuk shihet menjëherë në faturë, por kalon direkt te konsumatori dhe ndikon në nivelin e çmimeve.
Nga interpretimi i këtij grafiku, rezulton qartë se çmimi i një produkti është shumë më tepër se kostoja reale: është kombinimi i kosto bazë + marzhe biznesi + TVSH + kosto e fshehur/rrezik. Në këtë kuadër, pjesa që përfundon tek shteti përmes TVSH-së dhe taksave është e dukshme dhe e matshme; pjesa tjetër shkon tek fitimi i importuesit dhe shitësit.
Kështu, çdo rritje e të ardhurave buxhetore për një produkt të importuar i dedikohet në masë të madhe TVSH-së dhe taksave të tjera, ndërsa rritja e çmimit mbi këtë nivel shpesh pasqyron fitimin e biznesit dhe koston e riskut. Për konsumatorin, kjo do të thotë se për të njëjtin produkt, diferenca kryesore midis çmimit të origjinës dhe çmimit në raft në Shqipëri buron nga kombinimi i taksave dhe marzheve të biznesit, ndërsa shteti përfiton vetëm nga pjesa e TVSH-së.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.