Regjistrimi, dokumentet, deklarimi, tatimet dhe çregjistrimi i OJF

Regjistrimi, dokumentet, deklarimi, tatimet dhe çregjistrimi i OJF

Çfarë statusi ligjor mund të zgjedh për regjistrimin e OJF?

 Ekzistojnë tri forma të organizimit të një OJQ-je: Shoqata, Fondacioni dhe Qendra.

Dokumentacioni që pregatitin dhe depozitojnë OJF për regjistrimin e tyre?

Bazuar në ligjin nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, dokumentet kryesore të nevojshme për regjistrim janë akti i themelimit dhe statuti, në të cilin duhet të përcaktohen organet vendimmarrëse dhe ekzekutive, sipas forma e zgjedhur e organizimit.

Organizatat jofitimprurëse, pasi të krijohen, duhet të regjistrohen në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligj, për t’u regjistruar më pas pranë organeve tatimore. Regjistrimi në organet tatimore dhe pajisja me NIPT-in bëhet onlinduke u paraqitur në zyrat rajonale tatimore ku OJF-ja do të zhvillojë aktivitetin e saj.

Dokumentacioni i paraqitur për regjistrim në Administratën Tatimore është si më poshtë:

– Vendimi i Gjykatës, Statuti dhe Akt-Themelimi i noterizuar;

– Fotokopje e letërnjoftimit ose pasaportës së administratorit ose përfaqësuesit ligjor;

– Të dhënat për pronësinë e selisë (kontrata e qirasë ose akt pronësie);

– Formulari i plotësuar i regjistrimit.

Detyrimet tatimore të një OJF?

Detyrimet tatimore për një OJF janë:

– Kontributet e sigurimeve shoqërore janë detyrim për çdo punonjës dhe punëdhënës. Ato paguhen pjesërisht nga punëdhënësi dhe pjesërisht nga punëmarrësi, sipas dispozitave ligjore.

– Kontributet e sigurimit shëndetësor janë detyrim për çdo punëmarrës dhe punëdhënës. Ky lloj tatimi paguhet edhe pjesërisht nga punëdhënësi dhe pjesërisht nga punëmarrësi sipas dispozitave ligjore.

– Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi (pjesë e tatimit mbi të ardhurat personale) – mbahet për përfitimin e të ardhurave nga paga dhe shpërblimet, të cilat rrjedhin nga marrëdhëniet e punës.

– Tatimi në burim – Tatimi i mbajtur në burim lidhet me tatimin e të ardhurave personale të individëve. Kryesisht, kjo teknikë e pagesës së tatimit zbatohet për taksën e mbajtur në burim për pagesat që lidhen me lloje të ndryshme shërbimesh të kryera nga palë të treta, të pa regjistruar në organet tatimore, në cilësinë e tregtarit. Të tilla mund të jenë pagesa për ambiente me qira, pagesa për shërbime nga individë të paregjistruar në tatime etj.

– (Opsionale) Tatimi mbi Vlerën e Shtuar – OJF-ja është e detyruar të regjistrohet për TVSH nëse ushtron një veprimtari ekonomike të tatueshme, furnizon mallra ose ofron shërbime kundrejt pagesës, por sipas përcaktimeve të VKM Nr. 953, datë 29.12.2014 Për dispozitat zbatuese të Ligjit.

Vini re! Bazuar në nenin 3, të ligjit nr. 92/2014,”Për TVSH-në në RSH” i ndryshuar, nuk konsiderohet person i tatueshëm dhe nuk regjistrohet për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, çdo organizatë jofitimprurëse për pagesa të përfituara nga kuotizacionet, nëse kanë të tilla, ose fonde, grante, donacione të përfituara për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, në përputhje me ligjin për organizatat jofitimprurëse, përveç kur kjo organizatë përfiton pagesa si rezultat i veprimtarisë ekonomike.

Gjithashtu, nuk regjistrohen për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, OJF-të, të cilat parashikojnë të realizojnë nga veprimtaria dytësore ekonomike, një qarkullim më të vogël se 2.000.000 lekë, sipas parashikimeve të nenit 117, të ligjit nr. 92/2014,”Për TVSH-në në RSH” i ndryshuar.

Sipas Nenit 2, pikës II.3 të VKM 953/2014[1],shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike e organizatës si veprimtari dytësore e saj, e kryer prej këtyre organizatave për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse, për të cilën janë krijuar, të arkëtuara gjatë vitit kalendarik, nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave të përgjithshme vjetore të organizatës.

Mbart detyrimin ligjor për t’u regjistruar me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, çdo OJF e cila përveç aktivitetit të saj kryesor, ushtron veprimtari ekonomike si veprimtari dytësore dhe realizon një qarkullim mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik, edhe pse kryen veprimtari të përjashtuara sipas ligjit apo posedon një autorizim për përjashtimin nga pagesa e TVSH-së. 

– (Opsionale) Tatimi mbi Fitimin – Një OJF është e detyruar të regjistrohet për përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin, në rast se kryen veprimtari ekonomike dhe realizon të ardhura të tatueshme sipas përcaktimeve në ligj.

Për tatimin mbi fitimin nuk ka asnjë kufi përcaktues si në rastin e TVSH-së.

Çfarë duhet të raportojë OJF pas regjistrimit të saj në Gjykatë dhe zyrat e tatimeve?

Pas marrjes së certifikatës NIPT, subjekti pajiset me fjalëkalimin që do të shërbejë për deklarimin online.

Deklarimi për të gjitha deklaratat tatimore siç u përmend më lart bëhet VETËM në mënyrë elektronike.

Pavarësisht se kur është regjistruar gjatë një viti kalendarik, OJF-ja ka detyrimin të dorëzojë pasqyrat financiare që përbëjnë gjendjen brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.

Bazuar në ligjin nr.25/2018, datë 10.05.2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, pjesët përbërëse të pasqyrave financiare për OJF-të janë objekt i deklarimit vjetor të:

– pasqyra e gjendjes financiare;

– pasqyrë e aktiviteteve;

– pasqyra e rrjedhës së parasë;

– shënime shpjeguese

Njoftim! Nga 1 janari 2019, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të gjitha OJF-të që kalojnë vlerën e aktiveve apo të ardhurave në pasqyrat financiare mbi 30 milionë lekë, kanë detyrimin të publikojnë pasqyrat financiare në faqen e tyre zyrtare.

Sipas ligjit nr.10 091, datë 5.3.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabël të miratuar”, OJF-të nuk bëjnë pjesë në subjektet që janë të detyruara të kryejnë kontroll ligjor të pasqyrat financiare vjetore.

Deklarata vjetore e të ardhurave

Ky formular plotësohet nga individi që ka detyrimin të deklarojë jo më vonë se data 30 prill e vitit pasardhës. Individët janë të detyruar të plotësojnë dhe dorëzojnë Deklaratën e të Ardhurave Vjetore Individuale, nëse realizojnë të ardhura vjetore bruto nga të gjitha burimet (brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë), në shumën totale mbi 2 milionë lekë.

Deklarata plotësohet nga vetë individi, i cili ka detyrimin të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave personale, por ka të drejtë të caktojë, me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të plotësuar ose paraqitur deklaratën e tij.

Mosdeklarimi dhe mospagimi në kohë i detyrimit tatimor penalizohet sipas përcaktimeve të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Çfarë procedurash çregjistrimi zbatohen për një OJF?

Nëse OJF-ja nuk deklaron për një periudhë më të gjatë se 12 muaj rresht, ose ka vendosur të ndërpresë veprimtarinë për një periudhë më të gjatë se 12 muaj ose pafundësisht, ajo kalon në status pasiv.

Kalimi në statusin pasiv të OJF-ve bëhet me kërkesë të subjektit ose nga Administrata Tatimore kur plotësohen kushtet ligjore:

Me kërkesë të subjektit – kur ky i fundit vendos ndërprerjen e veprimtarisë për një periudhë më të gjatë se 12 muaj ose për një kohë të pacaktuar;

Nga Administrata Tatimore – në rast se subjekti paraqet deklarata pa aktivitet (me zero) ose kur nuk deklaron për një periudhë më të gjatë se 12 muaj rresht.

Për të gjithë periudhën që subjekti është në statusin “Pasiv” nuk ka detyrimin e paraqitjes së deklaratave tatimore (prodhimi i deklaratave ndërpritet automatikisht).

Për të çregjistruar një OJF, ndiqni hapat e mëposhtëm:

– OJF-ja aplikon në Gjykatë për fillimin e procedurës së çregjistrimit;

– Pas marrjes së njoftimit nga Gjykata, Administrata Tatimore verifikon gjendjen e tatimpaguesit në lidhje me përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e tij (deklarimet dhe pagesat);

– Administrata Tatimore njofton Gjykatën për sa më sipër (konfirmon ose refuzon çregjistrimin).

Cila është kostoja e përfshirë në regjistrimin dhe ruajtjen e pajtueshmërisë, dhe çregjistrimin e OJF?

Kostot e regjistrimit mund të variojnë nga 7,000 deri në 30,000 lekë (ku përfshihen kostot e printimit, noterizimeve, transportit, kostot e punës, etj.).

Kostot për regjistrimin e kontabilitetit dhe deklaratën tatimore dhe trajtimin e kontrollit tatimor dhe të punës variojnë nga 40 000 – 60 000 lekë në muaj

[1] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=13683

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: