Raporti 2025 i FIA dhe realiteti fiskal i parave
Raporti vjetor 2025 i Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF) ka rikthyer në qendër të debatit një nga problemet më të vazhdueshme të ekonomisë shqiptare: hendekun midis rritjes ekonomike të raportuar dhe nivelit real të formalizimit fiskal.
Të dhënat e raportit evidentojnë mungesë të ardhurash të deklaruara në sistemin tatimor, rritje të rasteve të evazionit fiskal dhe një qarkullim të lartë të cash-it në ekonomi, elementë që sipas analizës ALTAX tregojnë se ekonomia informale mbetet ende një “motor paralel” i aktivitetit ekonomik në vend.
Edhe pse ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë ritme pozitive të konsumit, investimeve dhe aktivitetit në sektorë si ndërtimi, shërbimet dhe tregtia, nga raporti i AIF vërehet kontradikta kryesore midis zgjerimit ekonomik, i cili nuk po reflektohet proporcionalisht në të ardhurat tatimore dhe në deklarimet financiare. Kjo nënkupton se një pjesë e konsiderueshme e qarkullimit ekonomik po mbetet jashtë filtrit fiskal dhe monitorimit institucional.
Sipas qasjes analitike të ALTAX, fenomeni nuk duhet parë vetëm si problem i shmangies së taksave nga individë apo biznese të veçanta, por si rezultat i një modeli ekonomik ku informaliteti është integruar gradualisht në funksionimin e tregut.
Në shumë sektorë, sidomos aty ku dominojnë pagesat cash, ekziston një diferencë e dukshme mes volumit real të aktivitetit dhe nivelit të deklarimeve. Kjo situatë krijon një ekonomi me dy shpejtësi, ku një pjesë që paguan detyrimet dhe përballet me kosto të larta formaliteti dhe një pjesë tjetër që operon me kosto më të ulët për shkak të evazionit dhe mungesës së gjurmueshmërisë.
Raporti i AIF-së evidenton gjithashtu rritjen e përdorimit të cash-it, një tregues që zakonisht lidhet me nivel të lartë informaliteti dhe vështirësi në gjurmimin e flukseve financiare. Në ekonominë tonë dominojnë pagesat në para fizike dhe administrata tatimore, por dhe institucionet financiare e kanë më të vështirë të identifikojnë burimin e të ardhurave, qarkullimin real dhe përfituesit finalë të transaksioneve. Kjo qasje e parasë në treg ka rritur jo vetëm riskun e evazionit fiskal, por edhe ekspozimin ndaj pastrimit të parave dhe deformimit të konkurrencës në treg.
ALTAX vlerëson se problematika është e lidhur ngushtë me strukturën aktuale të ekonomisë shqiptare.
Një ekonomi si kjo e jona, e mbështetur fort tek konsumi, ndërtimi dhe sektorët me qarkullim të lartë cash-i prodhon rritje ekonomike afatshkurtër, por nuk arrin dot domosdoshmërisht një zgjerim të qëndrueshëm të bazës tatimore. Për këtë arsye, rritja e PBB-së nuk po shoqërohet me të njëjtin ritëm të rritjes së të ardhurave fiskale apo të formalizimit të tregut të punës.
Një tjetër element që del nga analiza është dobësia e besimit midis biznesit dhe administratës.
Në kushtet kur bizneset perceptojnë barrë të lartë fiskale, konkurrencë të pandershme dhe standarde të pabarabarta kontrolli, incentiva për formalizim mbetet e kufizuar. Nga ana tjetër, administrata vijon të mbështetet më shumë te kontrollet dhe penalitetet sesa te ndërtimi i një sistemi me analizë risku, transparencë dhe gjurmueshmëri digjitale.
Sipas ALTAX, adresimi i situatës kërkon një qasje më të gjerë sesa aksionet sporadike kundër informalitetit. Nevojitet zgjerim i pagesave elektronike, ulje e kostove të formalitetit për bizneset, forcim i analizës financiare ndërinstitucionale dhe orientim i kontrollit fiskal drejt sektorëve me risk më të lartë. Po aq e rëndësishme mbetet edhe krijimi i një klime më të besueshme për biznesin formal, ku konkurrenca të mos deformohet nga ekonomia informale.
Në tërësi, raporti i vitit 2025 është një sinjal se ekonomia shqiptare po përballet me paradoksin e vazhdueshëm, ku qarkullimi ekonomik dhe konsumi rriten, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e këtij aktiviteti mbetet jashtë sistemit fiskal. Për pasojë, shteti po humbet të ardhura, tregu po deformohet dhe modeli i rritjes po bëhet më i ekspozuar ndaj risqeve financiare dhe institucionale në afatmesëm.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.