Reformimi tatimor dhe shpërndarja e të ardhurave për shtresat sociale

Reformimi tatimor dhe shpërndarja e të ardhurave për shtresat sociale

Reforma tatimore mundet të rrisë madhësinë e përgjithshme të ekonomisë. Nëse mendohet e mirëkonsultuar dhe e matur, ku e përbashkëta e reformimit është ndryshimi i pranuar nga shumica e palëve të interesit, reforma e vendos ekonominë në një rrugë të re rritjeje pa synuar më tej ndryshime vit pas viti duke bërë arnime dhe qepje fiskale për të sistemuar difektet e nxitimeve dhe administrimit të dobët.

Nga analiza studimore e ALTAX, shpesh ka një shkëmbim ndërmjet rritjes dhe progresivitetit në atë model. Megjithatë, puna më e fundit ka nxjerrë në pah rolin e pasigurisë në reformën tatimore, duke vënë në dukje se një sistem progresiv i tatimit mbi të ardhurat jep siguri kundër të ardhurave të luhatshme duke e bërë ndryshimin në përqindje të të ardhurave pas tatimit më pak se ndryshimin në përqindje në të ardhurat para tatimit.

Por, reformimet e pamenduara mirë dhe për interesa të momentit për të patur disa të ardhura buxhetore më shumë, të ndikuara në mjaft raste në fushatat politike në vendet e BP6 edhe nga qasjet populiste joserioze të uljes dhe lehtësive bien më pas probleme të mëdha duke deformuar moralin tatimor dhe edukimin fiscal të tatimpaguesve. Reformat e realizuara në këto rrethana kanë sjellë pasoja serioze për qindra mijëra kontraktorë, me punësuesit që do të përballen me kosto potencialisht më të larta dhe disa punëtorë që kërkojnë shkurtime të konsiderueshme të të ardhurave të tyre, si dhe një barrë shtesë administrative për të dyja.

Ndërsa firmat dhe kontraktorët fillojnë të përballen me skenarët e pakëndshëm të krijuar nga reformat tatimore, ne shikojmë pasojat e ndryshimeve të rregullave dhe mënyrën se si kategoritë e tatimpaguesve të prekur nga ndikimet reformuese mund të orientojnë tregun dhe sjelljen e tatimpaguesve në zbatimin vullnetar të ligjit në sfida të rrezikshme për pak kohë.

 Ndërhyrje të tilla, që në praktikë nuk reformojnë por deformojnë e shikojmë në rastet e tatimit mbi të ardhurat personale. Ligji më i ri i miratuar në Shqipëri, p.sh., për tatimin mbi të ardhurat pa filluar ende nga zbatimi ka krijuar pasiguri dhe frikë në strukturat e bizneseve. Kjo mungesë përgjegjshmërie për tatimpaguesit do përkthehet në humbje të mëtejshme të besimit te sistemi dhe ndjeshmëria e qeverisë në trajtimin e barabartë të tatimpaguesve, në zbatimin e taksave neutrale dhe të një sistemi që bazohet te drejtësia tatimore. E gjithë kjo politikë e re do të ndikojë direkt në uljen e pajtueshmërisë fiskale duke u konsideruar si një zhvlerësim i politikës për lehtësim të biznesit

 Nismat e reja reformuese lidhen shumë ngushtë me efektin që kanë ne besimin ndaj reformimeve të qeverisë për lehtësimin e biznesit nga taksat. Në periudhën kur nismat nuk konsiderojnë nivelin e informalitetit, të korrupsionit, të tendencës së diversifikimit dhe zhvillimeve ekonomike janë në perceptimin e tatimpaguesve si reforma me mungesa të seriozitetit dhe përgjegjshmërisë në hartimin e politikave fiskale duke ndikuar direkt kryesisht në forcimin e problemeve të pa adresuara nga qeverisja.

Por, viti 2022 dhe vitet mbas tij kanë rritur nivelin e presionit ndaj buxheteve  për rritjen e transfertave sociale, faktor që ndikon kryesisht edhe në reformimet e detyruara të politikave tatimore.

Shpërndarja e të ardhurave të buxhetit tregon më së paku nivelin e taksave për kryerjen e shpenzimeve për transfertat e parave drejt popullsisë në moshë pune dhe jo vetëm. Ajo gjithashtu synon edhe të arrijë që taksat mbi të ardhurat personale të arkëtohen në mënyrë progresive sipas niveleve të të ardhurave dhe orientimin në të cilën transferimet në para shkojnë aty ku nevojat e popullsisë janë më të domosdoshme në raport me përmirësimin e jetesës.

Niveli i lartë në rritje i pabarazisë në të ardhura në Ballkan vazhdon të marrë vëmendje në rritje nga qeveritë, pavarësisht krahut politik. Nga qeveritë tentohet të adresohet fenomeni i pabarazisë, si një sfidë që secili vend duhet të bëjë veprimet e duhura. Por tashmë është domosdoshmëri që rishpërndarja e të ardhurave të adresohet qartësisht nëpërmjet politikës dhe administrimit fiskal.

Përpara se të trajtohet si një difekt në zmadhim i sistemit kapitalist, nevojitet që së pari vendet të përditësojnë të dhënat dhe të ndërgjegjësojnë gjithë segmentet lidhur me mjetet për korrigjimin e polarizimit social. Matja e pabarazisë në të ardhurat individuale, sipas indeksit (koeficientit) GINI[1] duhet parë i lidhur me faktin se pabarazia ndikohet dukshëm edhe prej tatimeve dhe taksave. Një nga studimet e kryera i publikuar nga RCC[2], pabarazia e të ardhurave kryesisht pasqyrohet me ndikime që vijnë prej pabarazisë në tregun e punës, por jo vetëm. Pabarazia e të ardhurave prej punës është kontribuesi kryesor i shpërndarjes në të ardhurat e familjeve. Nëse shikojmë rastin e Shqipërisë, pjesa më e madhe e të ardhurave nga puna shkon në nivelet e pagave të larta për një pakicë më pak se 1% e punëmarrësve.

Gjithashtu, rënia e efektit të shpërndarjes sipas politikës fiskale aktuale është shoqëruar me rritje të pabarazisë në tregun e punës, por dhe në taksimin e të ardhurave që qarkullojnë në tregun informal. Në disa raste, ky i fundit qarkullon më shumë të ardhura, se sa vetë tregu formal i punës.

Transfertat e parave nga buxheti në grupet e ndryshme të popullsisë, siç janë pensionistët, të papunët, shtresat e paafta për punë dhe në nevojë etj. përbëjnë nga 10.6% te 24.1% të shpenzimeve buxhetore në vendet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht për vitet 2021 dhe 2022. Secili nga vendet e BP6 i kanë rritur modestisht në vitin 2022 transfertat sociale, përveç Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, të cilat tregojnë rënie të tyre.

Këto transferta, kryesisht kishin për qëllim në vitet post pandemike rishpërndarjen e të ardhurave gjatë gjithë jetës së individëve duke ndjekur modelin e një rritje të konsumit nëpërmjet rishpërndarjes, si një formulë funksionale për ekonomitë ballkanike, që varen në masë të madhe nga konsumi i popullatës. Edhe pse vlerat e këtyre transfertave për individ përfaqësojnë shuma parash të vogla në raport me konsumin individual, ato mbeten një instrument permanent i rishpërndarjes së të ardhurës për periudha afatgjata apo të përhershme.

Ndërkohë transfertat e qeverive në vendet e BE kanë një mesatare sa 20.1% e PBB-së[3] shihet se vendet e BP6 kanë ruajtur nivele që si mesatare 14.2% e PBB-së, Ku Maqedonia e Veriut bën dallim të madh me këtë mesatare pasi ka mbajtur një nivel rishpërndarje deri 24.1% të PBB-së drejt shtresave sociale dhe rigjallërimit të konsumit duke  kryer këtë veprim në kohën e duhur dhe për qëllimet e rëndësishme të politikave të mbajtjes në nivele të larta konsumin dhe prodhimin.

Në veçanti, sa më e lartë të jetë barra fiskale, aq më i ulët është Indeksi Gini. Sipas informacionit të përmbledhur për indeksin Gini në vendet e BP6[4] gjenden të dhëna për secilin vend, në mënyrë eksplicite del se sa më e lartë barra tatimore më e ulët është pabarazia.

Koeficienti Gini në BP6 dhe renditja globale
Vendi Renditja Koeficienti
Mali i Zi 80 36.8
Serbia 106 34.5
Maqedonia Veriut 125 33.3
Bosnjë-Hercegovina 115 33
Shqipëria 131 30.8
Kosova 145 29
Burimi: wisevoter.com, WB

Kjo mund të mbështetet edhe nga shpjegimi pse vende si Suedia, Norvegjia dhe Finlanda, të cilat kanë norma të larta tatimore për të individët e pasur, vuajnë më pak nga pabarazia në krahasim me vendet e BP6.

Pabarazia më e madhe gjithashtu mund të ndikojë negativisht në rritjen nëse, për shembull, inkurajon politika populiste dhe që arrin të mos rishpërndahet drejt barra fiskale. Megjithëse lidhja midis pabarazisë dhe rritjes ekonomike nuk mund të mos ketë ndërvarësi të njëjtë në çdo vend, një model relativisht i përgjithësuar mund të vërehet në varësi të shkallës së zhvillimit të një vendi. Kur një ekonomi është në një fazë të hershme të zhvillimit të saj, kthimi nga kapitali fizik tenton të jetë më i lartë se kthimi i siguruar nga kapitali njerëzor dhe pabarazia më e madhe mund të shkaktojë rritje më të lartë. Ndërsa një ekonomi arrin një fazë më të avancuar zhvillimi, kthimi nga kapitali fizik tenton të ulet ndërsa ai nga kapitali njerëzor tenton të rritet, kështu që rritja e pabarazisë mund të ndikojë negativisht në rritjen e ekonomisë[5].

Por studimet e kryera[6] tregojnë se një rritje prej 1% e pabarazisë ul PBB-në me 0.6% deri në 1.1%. Pra, të paktën në vendet e OECD-së, nivelet më të larta të pabarazisë mund të ulin PBB-në për frymë.

Ky konkluzion i studiuar për vendet e zhvilluara duket se provohet nga treguesi i të ardhurave mesatare për frymë si rrjedhojë e rritjes ekonomike përgjatë viteve 2020-2021. Në një renditje të njëjtë si në rastin e koeficientit Gini, shikohet se Mali i Zi është rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë dhe nga e njëjta renditje duket se lidhet edhe me koeficientin GINI, ku të ardhurat mesatare për frymë në raport me popullsinë janë rritur me 15.6% brenda dy vitesh. Edhe në Serbi ka një nivel të lartë të të ardhurave për frymë, megjithëse rritja e tyre në dy vitet e fundit është 11.8%. Në Maqedoninë e Veriut shikojmë rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë në një nivel të lartë prej 20.4%.

Ndërsa, Shqipëria ka një rritje të të ardhurave për frymë në nivelin afër mesatares me 14%%, por me diferencë prej të paktën 3-6 pikë përqind nga dy vendet fqinje, Serbia dhe Kosova, e cila kjo e fundit ka rritje mbi mesataren e BP6 për të ardhurat për frymë me 17%.

Tab. 9   BP6: Ndryshimi të ardhurave për frymë, 2020-2021  EUR në PPP
2020 2021 Ndryshimi
Mali i Zi 13,440 15,540 15.6%
Serbia 12,810 14,320 11.8%
Maqedonia e Veriut 11,350 13,670 20.4%
Bosnjë-Hercegovina 9,920 11,120 12.1%
Shqipëria 9,190 10,480 14.0%
Kosova 7,400 8,660 17.0%
BALLKANI PERËNDIMOR 10,685 12,298 15.2%
Burimi: https://wiiw.ac.at, BSH, FMN

Bosnjë-Hercegovina me një nivel mesatar në renditjen e koeficientit GINI ka një rritje të të ardhruave për frymë në vend të parafundit me 12.1%.

Kjo analizë krahasuese është në fakt treguesi më i dukshëm i produktivitetit të ekonomisë, politikave dhe strategjive për zhvillim, si dhe nivelin e duhur të adresimit të modeleve ekonomike drejt rritjes së mirëqenies së taksapaguesve të BP-së.

Kur shkalla e rritjes së PBB-së e shikojmë të zvogëluar, pabarazia e të ardhurave gjithashtu është zvogëluar.

Ndërsa flitet se Shqipëria në 2022 ka patur një rritje ekonomike 4.84% në 2022[7] ka përdorur burimet formale dhe informale për gjallërimin e ofertës në sektorin e ndërtimit, do të duhet të frenojë ndikimin e kesaj rritje brenda një sektori me pak ndikim në zhvillimin afatgjatë pasi ka pak ndikim në rritjen e kapaciteteve prodhuese të ekonomisë, dhe kjo duket te fakti se nuk ka arritur të rezultojë në një rritje të mirëqenies njësoj si fqinjët e saj më të afërt lindorë dhe veriorë që zhvillojnë një ekonomi bazuar te prodhimi dhe optimizimi i burimeve të brendshme.

Edhe pse të dy këto vende nuk kanë ato potenciale që zotëron Shqipëria duket se kanë shfrytëzuar më mirë burimet dhe kapacitetet e brendshme në dispozicion si dhe investimet e huaja dhe ato vendase duke krijuar një mirëqenie më të lartë se shqiptarët.

[1] Indeksi Gini ose Koeficienti Gini mat shpërndarjen e të ardhurave, apo shpërndarjen e pasurisë në popullsinë e një vendi e më gjerë. Koeficienti shkon nga 0 (ose 0%) në 1 (ose 100%), ku me 0 kuptohet barazia perfekte dhe me 1 kuptohet pabarazia në nivelet më të larta.

[2] https://www.rcc.int/download/docs/ESAP-Social-Rights-Pillar-Report-regional-overview.pdf/4c23f2c78e7c02a4bdfd7253ddb05a82.pdf

[3] https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Government_expenditure_on_social_protection

[4] https://wisevoter.com/country-rankings/gini-coefficient-by-country/#gini-coefficient-by-country

[5] https://www.caixabankresearch.com/en/economics-markets/activity-growth/how-does-inequality-affect-economic-growth

[6] https://ourworldindata.org/grapher/gdp-per-capita-vs-economic-inequality

[7] https://ata.gov.al/2023/03/30/rritja-ekonomike-4-84-ne-vitin-2022-u-udhehoq-nga-ndertimi/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: