Raporti i vjeshtës 2023 i Bankës Botërore dhe nevoja për angazhime gjithpërfshirëse

Raporti i vjeshtës 2023 i Bankës Botërore dhe nevoja për angazhime gjithpërfshirëse

Rritja në Ballkanin Perëndimor ka të ngjarë të ngadalësohet në 2.5 përqind në 2023 nga 3.2 për qind në vitin 2022. Konsumi mbeti elastik në Shqipëri, Kosovë dhe Mali i Zi, i nxitur nga rimëkëmbja e fortë e turizmit. Ndërkohë aktiviteti ekonomik u dobësua në Bosnjë – Hercegovinë, Maqedonia e Veriut dhe në Serbi, pasi kërkesa nga jashtë u përkeqësua, për shkak të një ngadalësimi të mprehtë në BE.

Rritja parashikohet të rritet paksa mbi horizontin e parashikimit dhe mesataren 3.3 për qind në vit në 2024–2025, duke reflektuar moderimin e presioneve inflacioniste, një rimëkëmbje graduale të eksporteve dhe rritje të shpenzimeve publike për infrastrukturën të mbështetura nga projektet BE-ja. Rrisqet ndaj perspektivës do të jenë në rënie, duke përfshirë një ngadalësim më të thellë në BE, një periudhë të zgjatur të shtrëngimit financiar dhe një inflacion këmbëngulës, veçanërisht inflacioni i ushqimeve. Tensionet politike dhe pasiguria në rajon, edhe pse mund të vijnë në lehtësim, mund të përshkallëzohen, duke ngadalësuar progresin e reformave.

Ndërsa, për Shqipërinë në raport (faqe 43)[1] përmendet, se “Konsumi dhe investimi mbetën nxitësit kryesorë të rritjes në kahun e kërkesës. Shërbimet, duke përfshirë tregtinë dhe pasuritë e paluajtshme, udhëhoqën rritjen nga kahu i ofertës, të ndjekura nga ndërtimi dhe prodhimi. Eksportet neto ulën rritjen, për shkak të kërkesës së huaj më të vogël. Treguesit ekonomikë kryesorë sugjerojnë përshpejtim të rritjes gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë me ardhjet e turistëve duke shënuar një rekord të lartë deri në korrik 2023, dhe një aktivitet ndërtimi i përshpejtuar. Rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kredisë, treguesit e e gjendjes së biznesi dhe të ndjenjës së konsumatorëve, si dhe të ardhurat e forta tatimore sugjerojnë të gjitha një shtim të kontributit në rritjen ekonomike nga konsumi, investimet dhe eksportet neto në tremujorin e dytë dhe të tretë.”

 Më tej në parashikimin për periudhën Tetor – Dhjetor 2023, raporti i BB sqaron, se “Rritja ekonomike pritet të arrijë në nivelin e moderuar prej 3.6 përqind në vitin 2023, në kontekstin e shtrëngimit global të kushteve financiare, kufizimeve të rritjes ekonomike në Europë dhe përfundimit të programeve për rindërtimin pas tërmetit. Megjithatë, rritja e turizmit dhe ndërtimi pritet të nxisin eksportet, konsumin dhe investimet në një rritje me ritme të ngjashme me ato të periudhës së para-pandemisë… Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, kursi i këmbimit, normat e interesit dhe rreziqet e lidhura me rifinancimin mbeten prezente. Rritje të mëtejshme në çmimet e ushqimeve dhe energjisë janë një rrezik kryesor për rritjen, pasi ato mund të ndikojnë në të ardhurat reale të disponueshme, të ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht të kufizojnë hapësirën fiskale të buxhetit. Duke qenë një ekonomi e hapur, por e vogël Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, të tilla si një recesion në Evropë apo një shtrëngim i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit përtej vitit 2023.

Rreziqet e brendshme burojnë nga fatkeqësitë natyrore, partneritetet publiko-private dhe ndërmarrjet shtetërore, përveç rreziqeve fiskale që rrjedhin kushtet hidrologjike të sektorit të energjisë”.

Në një vëzhgim midis rrjeshtave të parashikimit analitik të prezantuar nga grupi i ekspertëve të Bankës Botërore, nisur nga monitorimet e vazhdueshme të kryera nga ekspertët tanë gjatë vitit 2023, si dhe nga raportet periodike nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe nga statistikat e INSTAT duhet të përmendim se:

  • Në raportin e Bankës Botërore mungon pikërisht gjithpërfshirja dhe angazhimi në mënyrë transparente i ekspertizës dhe zërit kritik të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesuara për një qasje me transparence më të plotë dhe më të pranueshme për të gjithë.
  • Në shumicën e analizave dhe raporteve të ekspertëve dhe organizatave kërkimore dhe përfaqësuese të interesave të bizneseve, të cilat konsiderohen jashtë ndikimit të qeverisë dhe institucioneve qendrore të pavarura është theksuar me forcë se faktorë ndikuesë në frenimin e rritjes ekonomike janë informaliteti ende i lartë (në tregun e punës dhe ekonomi), si dhe forcimi i Lekut dhe zhvlerësimi i menjëhershëm dhe në trend të lartë rënës i Euros dhe valutave të tjera në nivele përtej shpjegimit nga kanalet zyrtare të komunikimit. Megjithëse, raporti bazohet në informacione zyrtare dhe përpunime sipas metodologjive të brendshme të BB, nevojitet që në rrisqet që duhen adresuar përtej citimit më lart të përfshihen prania dhe ndikimi në rritje i dy faktorëve që përbëjnë shqetësim permanent për qëndrueshmërinë e financave publike dhe një kanal në rritje për të mundësuar pastrimin e parave të pista dhe rritjen e informalitetit.
Rritja ekonomike, 2020 – 2024në %
Vendi2020202120222023 (Mars)2023 (Tetor)Ndryshimi2024
Shqipëria-3.38.94.82.83.60.83.2
Kosova-5.310.73.53.73.2-0.53.9
Mali i Zi-15.3136.43.44.81.43.2
Maqedonia e Veriut-4.73.92.12.41.8-0.62.8
Bosnjë-Hercegovina-3.37.142.52.2-0.32.8
Serbia-0.97.52.32.32-0.33
Burimi: Banka Botërore, Mars, Tetor 2023

Ndërsa Shqipëria vlerësohet me rritje në tendencën e zhvillimit të ekonomisë për 2023 me 0.8% më shumë nga parashikimi sipas raportit të fillimivitit[2], duket se një vlerësim në rritje prezantohet edhe për Malin e Zi me 1.4% më shumë nga parashikimi fillestar.

Gjithë vendet e tjera parashikohen me një ulje të ritmit të rritjes së ekonomive të tyre, ku më e dukshme rënia parashikohet në Maqedoninë e Veriut me 0.6% më pak, për Kosovën me 0.5% më pak dhe për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën me 0.3% më pak secila.

Përtej analizës së përmendur më lart për Shqipërinë për faktorët ndikuesë për rritjen e parashikimit për ekonominë e ndikuar nga rritja e turizmit dhe ndërtimi do të nxisin eksportet, konsumin dhe investimet në një rritje me ritme të ngjashme me ato të periudhës së para-pandemisë

duhet të përmendim në një parashtrim paralel edhe faktorët ndikuesë për rritje më të lartë nga parashikimi për rastin e Malit të Zi, ku mbështetja më e madhe vjen nga konsumi privat dhe eksportet e shërbimeve, ndërkohë që investimet mbeten të ulëta.

Në analizën e faktorëve ndikuesë për ulje të parashikimit të rritjes ekonomike në rastin e Kosovës përmendet, se pavarësisht presioneve të vazhdueshme inflacioniste, rritja e PBB-së në vitin 2023, mbështetet nga ecuria pozitive e eksporteve dhe konsumi privat, eksportet e shërbimeve të drejtuara nga diaspora, si dhe rritja pozitive e kredisë dhe hyrjet e remitancave në nivele të qëndrueshme, paga më e lartë e sektorit publik dhe nivele e rritura të transfertave publike, që do të mbështesin rritjen e konsumit.

Në analizën e faktorëve ndikuesë për ulje të parashikimit të rritjes ekonomike në rastin e Maqedonisë së Veriut, përmendet se ekonomia do të ndikohet nga ngadalësimi i kërkesës nga jashtë dhe kriza e vazhdueshme e inflacionit, si dhe pjesërisht edhe ndikim nga kostot e infrastrukturës.

Ndërsa, në rastin e Serbisë përmenden ndikimi prej luftës në Ukrainë, si dhe prej ngadalësimit ekonomik global bashkë me shtrëngimin e kushteve financiare, megjithëse rritja ekonomike mbështetet fuqishëm nga konsumi familjar dhe investimet e brendshme dhe të huaja.

Ndërkohë, për Bosnjë-Hercegovinën analiza e faktorëve që do të ndikojnë në uljen e ritmeve të rritjes së ekonomisë në 2023 gjenden te dobësimi i konsumit të familjeve për shkak të rënies së të ardhurave reale të disponueshme, si dhe rritje modeste të eksporteve në BE.

Në ballafaqimin me treguesin e konsumit gjithsej (konsumi privat dhe i qeverisë) shihet se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë ndryshimin më të madh në treguesit e raportit të BB, ndërkohë që në fakt për Malin e Zi faktor kryesor janë eksportet dhe jo konsumi. Po kështu, në rastin e Bosnjë – Hercegovinës parashikimi në rritje të lartë për konsumin nuk vjen nga konsumi privat, por nga konsumi i qeverisë duke patur nevojë të qartësohet për një transparencë më të plotë. Por edhe në rastin e parashikimit të rritjes të mbështetur te konsumi privat për Kosovën, ashtu si edhe për Serbinë, duket se niveli tregues për vitin 2023 nuk e mbështet këtë argument, si një faktor me peshën që përmendet në raport.

Konsumi gjithsej në ekonomi, 2020 – 2024
në %
Vendi2020202120222023 (Mars)2023 (Tetor)Ndryshimi2024
Shqipëria-1.912.12.12.16.94.84.1
Kosova7.616.32.52.66.94.36.3
Mali i Zi-3.64.511.23.49.15.73.9
Maqedonia e Veriut6.37.40.51.14.53.41.7
Bosnjë-Hercegovina-410.15.71.76.34.68.4
Serbia110.25.51.93.81.92.7
Burimi: Banka Botërore, Mars, Tetor 2023

Në rastin e parashikimit të rritjes ekonomike për vitin 2023 prej mbështetjes prej eksporteve, shihet raporti shihet se ka argument të mjaftueshëm për Kosovën, Malin e Zi, por jo aq sa mund të vlejë për Shqipërinë. Edhe pse eksportet shqiptare prezantohen me një nivel në rënie prej 8.6% për periudhën Janar – Gusht 2023 të krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022[3], duket se në raportin e Vjeshtës së Bankës Botërore konstatohen si optimiste dhe përmenden si faktor mbështetës në rritjen ekonomike për periudhën Tetor-Dhjetor 2023.

Ndërkohë, që për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën shihet se treguesi i eksporteve është në një trend që konsiderohet si një faktor frenues dhe jo ndikues në rritjen ekonomike. Maqedonia e Veriut, e cila po ashtu ka një trend të eksporteve jo më shumë se 1.4% më të lartë se në parashikimin e fillimvitit mendojmë se duhet të ishte ndër faktorët penguesë të parashikimit të rritjes ekonomike për 2023.

Eksportet, 2020 – 2024
në %
Vendi2020202120222023 (Mars)2023 (Tetor)Ndryshimi2024
Shqipëria-27.9527.516.75.75.4
Kosova-29.176.717.21.29.88.65.5
Mali i Zi-47.681.922.72.911.18.24.9
Maqedonia e Veriut-10.911.713.44.661.45.5
Bosnjë-Hercegovina-8.559.92.641.45.5
Serbia-4.219.417.82.130.94.2
Burimi: Banka Botërore, Mars, Tetor 2023

Gjithë sa përmendëm në këtë parashtrim të treguesve dhe krahasimit mes periudhave dhe statistikave të posaçme për Shqipërinë, nisur nga prioriteti kryesor i Bankës Botërore për uljen e varfërisë ne besojmë se mjaft faktorë të tjerë përtej treguesit të përgjithshëm të rritjes ekonomike  duhet të përmenden se janë ndikuar nga problemet e trashëguara dhe stanjacioni në një ulje të qëndrueshme të treguesit të varfërisë.

Ulja e varfërisë nuk mundet dot të ketë qëndrueshmëri përderisa stimujt për rritjen ekonomike nuk përkojnë me politikat për të rritur të ardhurat e disponueshme nëpërmjet luftës ndaj informalitetit, korrupsionit dhe parandalimit të pastrimit të parasë.

Ndërkohë, problemet e demokracisë dhe rritjes së tendencave të arrogancës përzier me elementë të neopatrimonializmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë ndikuar në suksesin e reformave ekonomike dhe institucionale për të rritur efikasitetin dhe për të përmirësuar përdorimin e burimeve, si dhe diversifikimin e zhvillimit të ekonomisë sipas kërkesave të tregut europian dhe global.

Në këtë drejtim edhe prioritizimi i nevojave bazë të të varfërve nuk ka patur mbështetjen e përshtatshme nga zhvillimi i ekonomisë, parë kjo në rastin e Shqipërisë edhe nga rritja e kredive familjare, sipas Vrojtimit të Bankës se Shqipërisë per te përballuar koston e jetesës duke ndikuar direkt ne varfërimin e tyre. Arsyeja kryesore është ne rishpërndarjen e buxhetit duke u bazuar te politika klienteliste dhe elektorale e qeverive ballkanike qe kanë penguar avancimin e financimit të mbrojtjes sociale.

[1] https://openknowledge.worldbank.org/server/api/core/bitstreams/ec2a6e41-517a-4977-9ead-c1fc21529903/content

[2] https://documents1.worldbank.org/curated/en/099042023104012719/pdf/P179478085f70601a0aac3035c4560691ca.pdf

[3] https://www.instat.gov.al/media/12550/tregtia-e-jashtme-gusht-2023.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: