Draft Strategjia Industriale 2026–2030 midis ambicies evropiane dhe realitetit të zbatimit
Drafti i Strategjisë Kombëtare të Industrisë 2026-2030 është publikuar për konsultim publik online. Në përmbajtjen dhe qëllimet që shpreh duket se ka një meritë që për herë të parë tenton të krijojë një kornizë të unifikuar për politikën industriale shqiptare dhe të lidhë zhvillimin industrial me procesin e integrimit europian.
Megjithatë, kur lexohet në dritën e realitetit ekonomik shqiptar të vitit 2026, dokumenti mbart shumë nga elementet tipike të strategjive që prodhojnë vizione ambicioze, por që shpesh hasin vështirësi të mëdha për t’u përkthyer në rezultate konkrete.
Dokumenti i identifikon saktë simptomat kryesore, që lidhen me fragmentimin institucional, produktivitetin e ulët, mungesën e inovacionit dhe integrimin e kufizuar në zinxhirët europianë të vlerës.
Por ai shmang trajtimin e thellë të shkaqeve reale që kanë penguar industrializimin gjatë dekadës së fundit.
Pasiguria juridike mbi pronën, kostot e larta të financimit, emigracioni masiv që po zbraz fuqinë punëtore të kualifikuar, informaliteti i lartë, dobësia e sistemit gjyqësor dhe dominimi i investimeve në ndërtim e pasuri të paluajtshme mbeten të nënvlerësuara.
Nëse këto pengesa strukturore nuk adresohen drejtpërdrejt, rreziku është që transformimi industrial të mbetet kryesisht deklarativ.
Vizioni i paraqitur për një industri inteligjente, të gjelbër, konkurruese dhe e integruar është modern dhe në përputhje me gjuhën europiane.
Por ai mbetet tepër i përgjithshëm.
Nuk përcakton qartë cilat do të jenë industritë motorike, sa duhet të rritet pesha e industrisë në PBB, cili është objektivi për eksportet industriale apo sa vende pune reale pritet të krijohen.
Një strategji serioze industriale ka nevojë për objektiva sasiorë makroekonomikë të qartë, si rritja e pjesës së industrisë përpunuese në PBB, nivele të synuara për eksporte me vlerë të shtuar, rritje produktiviteti dhe investime prodhuese. Pa këto, matja e suksesit bëhet subjektive.
Një tjetër dobësi është mungesa e përzgjedhjes reale të sektorëve fitues.
Dokumenti përmend një gamë të gjerë fushash, nga industria përpunuese te materialet, teknologjia digjitale, industria e lehtë dhe lëndët e para kritike, por nuk vendos prioritete të qarta.
Në praktikë, një vend i vogël si Shqipëria nuk mund të zhvillojë me sukses çdo sektor njëkohësisht.
Duhet të identifikohen 4-5 fusha ku vendi ka avantazhe reale, si përpunimi agro-industrial, minerale dhe metale kritike, materiale ndërtimi me vlerë të shtuar, farmaceutika dhe ICT industriale. Mungesa e fokusit, do ti shpërndajë burimet publike pa efekt transformues.
Për sa i përket digjitalizimit dhe Industrië 4.0, dokumenti përdor shumë koncepte të avancuara si Inteligjenca Artificiale, automatizimi dhe sisteme inteligjente.
Realiteti i industrisë shqiptare është ende larg kësaj, pasi shumica e ndërmarrjeve janë mikro dhe të vogla, me teknologji bazike dhe nivel të ulët automatizimi.
Sfida e parë nuk është kalimi drejt Industrië 4.0, por modernizimi gradual nga Industria 1.5 drejt nivelit 2 dhe 3 me rinovim makinerish, eficiencë energjetike, standardizim dhe ERP bazike. Vetëm pas kësaj mund të flitet për teknologji të avancuara.
Një nga dobësitë më serioze të strategjisë është trajtimi i pamjaftueshëm i krizës së fuqisë punëtore. Dokumenti flet për aftësi, trajnim dhe arsim profesional, por nuk përballet me faktin se Shqipëria po humbet çdo vit një pjesë të madhe të brezit të ri përmes emigracionit.
Industria ka nevojë jo vetëm për punonjës të kualifikuar, por edhe për punonjës fizikisht të pranishëm.
Mirëpo duhen politika konkrete për rikthimin e emigrantëve, migracion të kualifikuar, angazhim të diasporës dhe frenim të largimit, duke trajtuar qartë që çdo investim industrial do të ndeshet me mungesë kronike kapitali njerëzor.
Pjesa mbi potencialin minerar (krom, nikel, bakër, lëndë të para kritike) është ndoshta pika më e fortë e dokumentit. Megjithatë, ajo fokusohet kryesisht te nxjerrja e lëndëve të para.
Pyetja vendimtare mbetet, nëse do të vazhdojmë të eksportojmë mineral të papërpunuar apo do të ndërtojmë zinxhirë të plotë përpunimi?
Vlera e shtuar gjenerohet në rafinim, produkte gjysmë-finale dhe finale.
Kjo kërkon një qasje shumë më agresive industriale.
Financimi mbetet pika më e dobët.
Kostoja totale e parashikuar prej 35 milionë lekësh duket jorealiste për një strategji kombëtare. Nëse kjo është vetëm kosto administrative, duhet sqaruar qartë. Nëse është kosto zbatimi, atëherë është simbolike.
Një strategji e tillë ka nevojë për një arkitekturë financiare serioze që përfshin fond industrial kombëtar, garanci sovrane, fonde IPA, institucione financiare ndërkombëtare dhe mobilizim të investimeve private.
Edhe në aspektin e qeverisjes, megjithëse fragmentimi institucional njihet, zgjidhja e propozuar, një grup ndërinstitucional monitorimi është i pamjaftueshëm.
Përvoja shqiptare tregon se këto grupe rrallë prodhojnë ndryshim real. Duhet një njësi ekzekutive e dedikuar, me mandat të qartë, buxhet të veçantë dhe raportim publik periodik.
Së fundmi, treguesit e performancës (KPI-të) duken më shumë të orientuar drejt matjes së aktivitetit administrativ (numër ndërmarrjesh të mbështetura, certifikimesh, partneritetesh) sesa drejt transformimit real ekonomik. Suksesi duhet matur me produktivitet, investime prodhuese, eksporte me vlerë të shtuar, punësim industrial dhe intensitet teknologjik.
Edhe pse strategjia është konceptualisht më moderne se shumica e dokumenteve të mëparshme dhe reflekton mirë zhvillimet europiane, realisht mbetet kryesisht një dokument normativ dhe programatik.
Dobësitë kryesore që përfshijnë mungesa e objektivave makro të matshëm, mungesa e prioritizimit sektorial, trajtimi i dobët i krizës demografike, mekanizmat e dobët ekzekutivë, paqartësia financiare dhe fokusimi te proceset në vend të rezultateve e bëjnë atë më të prirur të plotësojë kërkesat formale të negociatave me BE-në sesa të bëhet një motor i vërtetë transformimi industrial. Për të shmangur fatin e strategjive të mëparshme, dokumenti duhet të kalojë nga logjika e harmonizimit formal me BE-në në logjikën e transformimit të matshëm të ekonomisë shqiptare, me objektiva të detyrueshëm, financim të garantuar dhe përgjegjësi institucionale të qarta.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.