Qeverisja e taksave nga retrospektiva te perspektiva

Qeverisja e taksave nga retrospektiva te perspektiva

Gatishmëria e qytetarëve për të paguar taksa në mënyrë vullnetare mund të jetë e ulët për arsye historike, politike dhe kulturore. Në vendin tonë, të tre këto arsye kanë gjetur hapësirë duke u ndërthurur me njëri-tjetrin, por me mbizotërim të aspektit historik e politik, ndaj atij kulturor.

Perceptimi, që qytetarët që prej një shekulli kanë për përdorimin e taksave nga pushteti për shërbime në favor të tyre ka ndikuar që historia dhe politika të kenë krijuar një pengesë të pakalueshme ende për të ndikuar në rritjen e pagesës të tatimeve që ju përkasin. Ndërsa, historia ka lidhje të ngushta me sistemet ekonomike të orientuara nga qeverisjet, cilat kanë krijuar të ardhura për shumicën e individëve me burime përgjithësisht nga sektori agrar, politika ka ndikuar në ngurtësimin e kësaj historie.

Ekonomia agrare që ka mbizotëruar në shumë dekada ekonominë shqiptare përbën ende sot pengesa kulturore dhe infrastrukturore të pakalueshme për të mbledhur taksat nga secili individ apo njësi agrare të vogla.

Ndërkaq, në këto dy dekada të fundit rritja ekonomike nuk ka ndryshuar ende peshën e forte ndikuese te sektorit agro-industrial në prodhimin e brendshëm duke mos ndikuar edhe në shtimin e të ardhurave të individëve për të kontribuar në mënyrë proporcionale të barabartë në të ardhurat që mbledh shteti për ti kthyer në shërbime dhe produkte publike.

Mbledhja e taksave varet ende nga ballafaqimi sy më sy midis shtetit dhe individit, ku vlerësimi dhe mbledhja bëhet nga të njëjtit njerëz. Fermerët e varfër, bizneset e vogla nuk kanë mundësi të shumta për t’ju fshehur taksambledhësit duke u kthyer në prenë e taksambledhësit lokal. Ndërkohë, historikisht në këto dy dekada të fundit vazhdon të jetë mjaft e vështirë dhe e kushtueshme taksimi i zonave urbane informale, aktiviteteve ekonomike informale.

Pse struktura ekonomike dhe historia ndikon te taksimi?

Nëse rritet Prodhimi i brendshëm Bruto, atëherë një tendencë rritje duhet të kenë edhe të ardhurat fiskale. Natyrisht, që krahasimi midis vendeve lidhur me raportin e të ardhurave fiskale ndaj PBB-së bëhet sipas klasifikimit në renditjen e të ardhurave për frymë. Ky raport për vendet me të ardhura të ulta është 18%-22%, për vendet me të ardhura të mesme (këtu përfshihet edhe Shqipëria) raporti është te 22.5%-29% dhe për vendet me të ardhura të larta ky raport është 29% e më tepër.

Ndikimet më të mëdha në të ardhurat fiskale të vendeve me të ardhura të larta i ka në tatimet direkte, dhe më pak peshë kanë ato indirekte. E gjitha kjo zbatohet sipas një parimi të harmonizimit të tatimeve direkte me indirekte, në funksion të ruajtjes së parimit të rishpërndarjes së të ardhurave dhe barazisë së individëve ndaj ligjit, që duhet të shpërndaj barrë fiskale në mënyrë proporcionale për të gjithë shtresat.

Tatimi mbi të ardhurat, (tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale) ka luajtur dhe vijon të luajë një rol të vogël në të ardhurat fiskale (15.6% në Shqipëri në krahasim me 38.6% që është në vendet e zhvilluara). Ndërkaq, peshën kryesore ende e zënë tatimet dhe taksa indirekte, që kanë lidhje me konsumin e mallrave ushqimore dhe industriale, si dhe lëndëve të para për prodhim dhe ndërtim.

Diskutimi i politikës i shërben individëve (votuesve) nëse mban këmbët në tokë dhe kokën të ulur nga individët. Nuk ka nevojë për diskutime politikash, përsa kohë nuk bazohen mbi nivelin e administrimit tatimor dhe fiskal. Me një administratë, që ka një produktivitet nën mesataren e administrimit të vendeve të zhvilluara nuk mund të hartosh politika që do të kenë sukses të garantuar. Nxitja e administrimit nëpërmjet zbatimit de facto sistemit të karrierës dhe integritet për mosndërhyrje nga politika për nivelet më të mira të administrimit të derisotshme do të ishin pikënisja e politikave revizionuese mbi baza të qëndrueshme.

Natyrisht, që përsa lidhet me taksimin ndaj punës (sigurime dhe tatim mbi pagën) ka nevojë një reformim i sistemit të përfitimeve (modeli amerikan është mjaft i përshtatshëm), që të realizojë funksionimin e skemës së shërbimeve sociale të lidhura me gjithë shtresat dhe kategoritë përfituese.

Për të kapërcyer këto vështirësi te reformës se taksave, duhet të:

–  shpërndahet barra e taksave në mënyrë të drejtë, sidomos duke balancuar tatimet direkte dhe indirekte;

– të merret parasysh natyra specifike të ekonomisë informale (d.m.th. Veprimtaritë ekonomike te paregjistruara) dhe të mbështeten të vetë punësuarit dhe bizneset e vogla;

– stabilizimi i kuadrit ligjor dhe të përmirësohet transparenca e sistemeve të taksave;

– rritja e aftësive dhe kapaciteteve të administratave ne mbledhjen e taksave dhe të raportimit të shpenzimeve.

Sfida e sistemit tatimor në Shqipëri për të ardhmen mbetet zgjerimi i bazës për taksimin e një numri sa më të madh qytetarësh dhe aktivitetesh ekonomike në një mënyrë më konsensuale.  Kjo nuk është detyrë që realizohet me lehtësi, pasi pengohet nga një kompleks arsyesh, ndër të cilat mund të përmenden struktura ekonomike dhe historia e vendit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *