Publikohet studimi “Rritja ekonomike në 2023 e sfiduar nga informaliteti dhe paraja e zezë”

Publikohet studimi “Rritja ekonomike në 2023 e sfiduar nga informaliteti dhe paraja e zezë”

Në këtë fillim të 6-mujorit të dytë, pas një qëmtimi dhe monitorimi në vijimësi të situatës së ekonomisë, por edhe qëndrimeve që po mbajnë institucionet financiare dhe fiskale, si dhe bazuar edhe në komentet dhe rekomandimet nga FMN, ekspertët e ALTAX kanë përpunuar dhe prezantojnë si një risi për lexuesin një punim të dedikuar faktit se si duhet parë nga të gjithë rritja ekonomike në kushtet e informalitetit të ndërthurur me fenomenin e inflacionit dhe parasë së zezë.

Studimi “Rritja ekonomike në 2023 e sfiduar nga informaliteti dhe paraja e zezë” është një analizë e bazuar në të dhënat statistikore kryesisht të vitit 2018, vitit 2021 – 2022 dhe tremujorit të parë 2023.

Në analizën e realizuar me një kujdes vërehet se çfarë ndikimi kanë arritur faktorët që përbëjnë rritjen e ekonomisë shqiptare dhe si janë ndërthurur problematikat që kanë shoqëruar ekonominë dhe mjedisin shqiptar në ambjentin aktual me rrisqe nga inflacioni, paraja informale dhe nënvlerësimi i Euros.

Ky punim mbi analizën e konsumit dhe do të ndahet në tre elementë vlerësimi bazë, ku spikatin seksionet:

(1) një prezantim i nivelit krahasues midis periudhave tremujore të konsumit familjar, konsumit të qeverisë, formimit bruto të kapitalit dhe të dhënave të importit dhe eksportit;

(2) diferencat dhe ndryshimet që dalin në krahasimet mes periudhave tremujore për vitet 2018, 2021, 2022 dhe tremujorin e parë 2023;

(3) analiza e treguesve duke përdorur edhe të dhënat për volumin e vizitorëve dhe të ardhurave që kanë prurë në ekonominë shqiptare dhe

(4) një përshkrim të sektorit të ndërtimeve dhe rrisqeve bashkë me një vëmendje të shtuar edhe për sektorë të tjerë. Aspekti i informalitetit dhe parasë së zezë janë trajtuar së bashku me inflacionin.

Shumica e përpjekjeve në analizën e konsumit vitet e fundit është drejtuar në marrjen e formave funksionale, të cilat lejojnë koeficientë mjaft fleksibël të përgjigjes, si dhe për të vlerësuar parametrat e kërkesës specifike të shtresës së të ardhurave që janë përdorur për të vlerësuar ndikimet e shpërndarjes së politikave të ndryshme të ndërhyrjes.

Në këtë punim, autorët shqyrtuan strukturën e konsumit final të lidhur me mallrat familjet dhe ndikimi i faktorëve strukturorë në këtë tregues.

Pavarësisht rritjes së lartë ekonomike në raport me fqinjët, raporti i taksave dhe tatimeve ndaj PBB nuk ka treguar një rritje proporcionale. Në fakt, ky raport është bërë më regresiv për shkak të rritjes së përqindjes së taksave indirekte në kohën e inflacionit.

Kjo vepron si një goditje e dyfishtë për rritjen.

Paraja e zezë e ndërthurur me informalitetin dhe ndikimet nga inflacioni dhe kursi i këmbimit mbivlerësues për lekun nënkupton një humbje të konsiderueshme të të ardhurave për qeverinë, të cilat mund të përdoren për të nxitur rritjen ekonomike, por edhe humbje për shumicën e qytetarëve që janë lënë të lirë të zgjedhin euron si një monedhë e besueshme për kursimet dhe transaksionet e përditshme.

Nga gjithë sa vërehet në të paktën dy vitet e fundit, duket se ekonomia shqiptare është ende mjaft e vogël për të përthithur nivele të larta të prurjeve të parave. Në këtë mes nevojitet, që përpara se të ndërmerren politikat të jenë studiuar dhe përshtatur më së miri me kontekstin ku do të aplikohen. Në të gjitha rastet duhet që nismat dhe politikat të mos ndikojnë mbi strukturën dhe status quo-në egzistuese.

Paraja e zezë në rastin më të mirë mund të veprojë si një stimulant apo qetësues që i jep një shtysë të përkohshme rritjes ekonomike.

Varësia e zgjatur nga ajo mund të lërë efekte të dëmshme për vendin dhe popullin.

 

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: