Pse remitancat janë ende të larta në vendet e Ballkanit Perëndimor?
Flukset e remitancave për vitin 2023 në Shqipëri arritën në shumën e 929 milionë Euro, të cilat kanë rritje nga viti i kaluar me 95 milionë Euro më tepër dhe janë drejtuar direkt drejt familjeve për konsum të përditshëm, shpenzimet për edukim, shëndet, mirëmbajtje dhe udhëtime, si dhe për kursime dhe investime në pasuri të paluajtshme.
Ashtu si u deklarua edhe në emisionin Breaking në Top Channel duket se remitancat janë pjesa formale e parave që hyjnë në vend krahas parave informale dhe që qarkullojnë jashtë bankave.
Flukset e remitancave[1] priren të jenë më të qëndrueshme se flukset e kapitalit dhe ato priren të jenë kundërciklike duke u rritur gjatë periudhës së rënies ekonomike ose pas një fatkeqësie natyrore kur rrjedha e kapitalit privat priren të ulet. Në vendet me nivel të ulët prodhimi të brendshëm remitancat janë shpesh një mjet shpëtimi ekonomik kryesisht për të varfërit.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6), sipas të dhënave të Bankës Botërore për fluksin e remitancave në % të Prodhimit të Brendshëm të secilit vend ballkanik, rezulton se Kosova ka nivelin më të lartë të dërgesave dhe pas saj vijnë Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Shqipëria mban vendin e katërt në peshën që remitancat mbajnë në raport me PBB-në dhe pas saj vjen në nivele të afërta Serbia. Maqedonia e Veriut është vendi ballkanik që ka një nivel të hyrjeve të remitancave më shumë se 3 herë nga mesatarja e vendeve ballkanike (shih tabelën). Një nga arsyet pse kemi këtë nivel të ulët të remitancave në M. e Veriut është edhe si rrjedhojë e të dhënave të paplota[2] dhe të ndikuara edhe nga informaliteti.
| Remitancat në Ballkanin Perëndimor | % të PBB | |||||
| Nr. | Shtetet | Vitet | ||||
| 2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | ||
| 1 | Shqipëria | 9.6 | 9.6 | 9.7 | 9.6 | 9.2 |
| 2 | Bosnjë-Hercegovina | 11 | 11.4 | 9.7 | 10 | 10.1 |
| 3 | Kosova | 15.7 | 15.8 | 18.6 | 18 | 17.1 |
| 4 | Mali i Zi | 10.7 | 10.5 | 12.6 | 13.5 | 13.3 |
| 5 | M. Veriut | 3 | 2.8 | 3.8 | 3.5 | 3.4 |
| 6 | Serbia | 8.8 | 8.2 | 7.3 | 7.3 | 8.8 |
| 7 | Italia | 0.5 | ||||
| 8 | Greqi | 0.2 | 0.3 | |||
Ndërsa, vende fqinje me BP6 duket se kanë dërgesa në nivele të papërfillshme për ekonomitë e tyre nga emigrantët duke u spjeguar ky fakt edhe me pakësimin e tyre në varësi të viteve të emigracionit.
Duket se çdo vend ka specifikat e veta të emigrimit dhe valëve migratore, që janë të lidhura kryesisht me dinamikat politike dhe ekonomike.
Megjithatë, vendet që marrin remitanca nga emigrantët kanë ndikime në dinamizimin ekonomik, pasi emigruesit në natyrën e tyre janë shumë të aftë dhe largimi i tyre krijon mungesë të fuqisë punëtore.
Por, për vendet që kanë hyrje në nivele të larta të remitancave nga emigrantët ndikohen si duke patur një një mbiçmim të kursit real të këmbimit që mund ta bëjë ekonominë më pak konkurruese, por po ashtu edhe krijimi i një varësie financiare, e cila ndikon negativisht në nxitjen për të punuar dhe në këtë mënyrë ka një ndikim jo të vogël në rritjen ekonomike nga ulja e prodhimit.
Ndikimet më të forta afatgjata qe vijne nga migrimi janë pakësimi i popullsisë. Shumica dërrmuese e emigrantëve janë mosha të reja dhe kjo tendencë ndikon edhe në rënien e lindjeve në vend, por me një pasojë edhe në moshimin e popullsisë.
Edhe pse politikat e munguara dhe reformat ekonomike joproduktive janë ndikuese në shtimin e ofertës për të rritur flukset e remitancave dhe për t’i kanalizuar ato në përdorime produktive, kjo është pikërisht pjesa më problematike e tyre, pasi ndikojnë në shtimin e parasë cash në qarkullim, por edhe mbajnë të rritura çmimet e produkteve dhe shërbimeve për arsye të një oferte monetare në treg më shumë se sa krijohet nga ekonomia e vendit.
Stimujt tatimorë mund të tërheqin remitancat, por gjithashtu mund të nxisin evazionin fiskal.
Në thelb, remitancat janë fonde private që duhet të trajtohen si burime të tjera të të ardhurave familjare. Përpjekjet për të rritur kursimet dhe për të përmirësuar shpërndarjen e shpenzimeve duhet të realizohen nëpërmjet përmirësimeve në klimën e përgjithshme të investimeve dhe jo duke synuar remitancat.
Megjithatë, deri më sot duket se në vendet e BP6 flukset hyrëse të remitancave po përdoren si kolateral për të ulur kostot e huamarrjes ndërkombëtare. Për shkak të madhësisë së tyre, natyrës kundërciklike dhe kontributit indirekt në financat publike, remitancat me vlerat e tyre rritëse në disa nga vendet e BP6 po ndikojnë në kapacitetin e ripagimit të borxhit publik, pasi janë një mjet financiar që disa qeveri po e përdorin si burim huamarrje të brendshme ndër të tjera edhe nga qytetarët.
Gjithsesi, dërgesat e emigrantëve në vendet e BP6 do të jenë në nivele të njëjta edhe për shumë vite, pasi kanë ende ndikim në plotësimin e të ardhurave të munguara të familjarëve të tyre dhe do të kenë trend ulës vetëm nëse rritet efektiviteti i reformave ekonomike dhe politike dhe nëse ka një avancim të dukshëm të demokracisë së tyre.
[1] Dërgesa të parave në vendin ku emigrant ka familjen, ku një pjesë të të ardhurave të tyre në para të gatshme ose në mallra jepen për të mbështetur familjet e tyre dhe këto transferta njihen si remitancat e emigrantëve.
[2] https://www.seeu.edu.mk/files/research/magchah-report-final.pdf, faqe 16
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.