Pse nuk tatohet fluksi i parasë?
Përgjigja e menjëhershme e pyetjes së titullit është se fluksi (rrjedha) e parasë nuk është pjesë e të ardhurës, por një tregues që pasqyron faktin se sa fitimprurës është një biznes gjatë një periudhe. Rrjedha e parasë mat vlerat që një biznes gjeneron nga operacionet e tij. Ai nuk merr parasysh qëllimet personale ose specifike të biznesit, sepse fluksi i parasë mat vetëm paratë që kalojnë përmes një biznesi për të përcaktuar se çfarë parash duhet të lihen në dorë në fund të vitit fiskal.
Edhe pse është një debat i gjerë e i gjatë nëpër botë, le ta diskutojmë pak më specifikisht për Shqipërinë tatimin e fluksit të parasë duke e parë sipas këndvështrimit të tatimit të të ardhurës, ashtu si përcaktohet në ligjin e tatimit mbi të ardhurat.
Nga analizat tona që kemi bërë mbi modelimin e tatimeve sipas kontekstit ekonomik, politik dhe administrativ, mënyra më e lehtë për të tatuar konsumin është kombinimi i një tatimi mbi pagën dhe një tatimi mbi fluksin e parasë së biznesit[1].
Baza e tatimit mbi fluksin e parasë do të ishte e ardhura e një biznesi minus të gjitha shpenzimet e tij, duke përfshirë inputet materiale, pagat dhe çdo investim gjatë vitit. Si e tillë, baza e tatimit mbi fluksin e parasë është në fakt fitimi ekonomik, pra kthimi ndaj investimeve[2].
Alan Auerbach dhe Michael Devereux e kanë mbështetur një sistem të tillë tatimor me një ndryshim. Ata favorizojnë një tatim të fluksit monetar mbi biznesin i bazuar te destinacioni (ang. DBCFT[3]), sepse funksionon veçanërisht mirë në një mjedis ekonomik kompleks.
Dallimi midis DBCFT dhe një tatimi standard të fluksit të parave të biznesit është se DBCFT taton importet e një shoqërie, por nuk taton eksportet e saj. Si i tillë, tatimi vendoset mbi shitjet e brendshme minus shpenzimet e brendshme.
Barra tatimore përballohet nga banorët e vendit në të cilin ndodhin shitjet.
Kjo është e rëndësishme sepse DBCFT shmang tatimin e faktorëve ndërkombëtarë të lëvizshëm, ndryshe nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave dhe vlen në rastin kur shumëkombëshet sapo kanë filluar të interesohen për investime në Shqipëri.
Tre transaksionet më të zakonshme ndërkombëtare që shumëkombëshet përdorin për të reduktuar detyrimet e tyre tatimore kur normat tatimore ndryshojnë në vendet në të cilat ndodhen filialet e tyre janë:
- Çmimi i transferimit,
- Huamarrja dhe
- Huadhënia ndërmjet filialeve dhe vendosja e pronësisë së aktiveve jo-materiale[4].
Nga ana tjetër, DBCFT eliminon motivin pas transaksioneve të ndryshme ndërkombëtare të ndërmarra për të reduktuar detyrimet totale tatimore që i shtyjnë shumëkombëshet të kërkojnë parajsat tatimore dhe të përfshihen në praktika shmangieje tatimore/ndryshimi i taksave, të tilla si vendosja e çmimeve të transfertave të brendshme me çmime jo të tregut.
DBCFT gjithashtu eliminon garën e mundshme deri në fund të normave tatimore të shkaktuara nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave.
Sipas spjegimit të hershëm të FMN-së[5] për diskutimin në fjalë, “tatimi mbi fluksin monetar është propozuar si një alternativë ndaj tatimit mbi të ardhurat e korporatave për arsye të qartësisë dhe thjeshtësisë në përcaktimin e bazës tatimore përballë largimeve të përhapura nga tatimi gjithëpërfshirës mbi të ardhurat në praktikën aktuale.
Variantet e taksës, me avantazhet dhe disavantazhet e tyre, tregojnë se do të kërkonte një dizajn të kujdesshëm. Thjeshtësia nuk është një pronë e dukshme për shkak të problemeve të pritshme të administrimit që lidhen me shmangien e taksave dhe evazionin nëpërmjet transferimit të çmimeve, për rregullimet e inflacionit dhe papajtueshmërisë me regjimet ekzistuese ndërkombëtare të taksave. Kështu, taksa mbetet teorikisht tërheqëse, por e vështirë për t’u zbatuar.”
Për të kuptuar edhe më mirë thelbin e diskutimit, po sqarojmë shkurtimisht më poshtë se cilat janë llojet e të ardhurave që tatohen sot, por edhe kush janë llojet e fluksit të parasë që diskutojmë se pse nuk janë në skemën e taksimit.
Së pari le të shikojmë se cilat janë llojet e të ardhurave që tatohen sot
Mënyrat e krijimit të të ardhurave apo format për të gjeneruar të ardhura të njohura ndërkombëtarisht janë:
- Të ardhura të fituara nga puna
- Të ardhura nga fitimi
- Të ardhurat nga interesi
- Të ardhurat nga dividenti
- Të ardhurat e qirasë
- Të ardhura nga fitimet kapitale
- Të ardhurat nga honoraret
Këto të ardhura si më lart janë pjesë përbërëse sipas grupimeve më poshtyë, që përmbledhin tre llojet kryesore të të ardhurave:
- Të ardhura nga puna dhe biznesi
Të ardhurat nga puna janë të lidhura me përfitimin e një rroge, e cila kuptohet me faktin se paratë fitohen nëpërmjet të ardhurave aktive ose të fituara nga shkëmbimi i kohës, energjisë ose pjesëmarrjes materiale në këmbim të parave.
Të ardhurat aktive nga puna përfshijnë pagesa të tilla, si: paga, honorare, bonuse dhe komisione.
Të ardhurat nga biznesi janë paratë apo mallra dhe shërbime në natyrë që merren në shkëmbim të shitjes së mallrave dhe shërbimeve për klientët. Për shembull, një shitës në një dyqan ushqimor, paratë që fiton çdo orë konsiderohen si të ardhura aktive sepse nga kryerja e shërbimit ndaj klientit duke ndërvepruar me ta gjatë çdo shkëmbimi të mallit tuaj me paratë që paguhen nga ai janë para të fituara në mënyrë aktive pjesëmarrje.
Shembuj të tjerë të të ardhurave aktive përfshijnë gjithë profesionet apo edhe aktivitetet që vijnë nëpërmjet pjesëmarrjes aktive direkt ose online në këmbim të parave për mallin apo shërbimin që shkëmbehet me paratë e klientit apo përfitimit në kundërvleftën e mallit dhe shërbimit të shitur nga klienti.
- Të ardhurat nga kapitali
Të ardhurat e biznesit vijnë nga pjesëmarrja direkte në marëdhënie biznesi të tilla, si: dividentët, interesat, pronësia intelektuale dhe industriale, si dhe fitimet kapitale. Për shembull, nga blerja e aksioneve në një shoqëri me një çmim të lirë dhe shitja e tyre me fitim kur ato rriten në vlerë është një e ardhur nga kapitali.
Ky është një fitim kapital dhe hyn në kategorinë e të ardhurave të investuara. Shumë njerëz përdorin të ardhurat e fituara në këtë mënyrë për të gjeneruar para shtesë për blerje të mëdha.
Në këtë kategori janë edhe të ardhurat nga pjesëmarrje pasive. Këto të ardhura konsiderohen edhe si të ardhura pasive dhe janë para të fituara nga një pronë me qira, nga një partneritet i kufizuar ose biznes tjetër në të cilin ju nuk jeni aktivisht i përfshirë. Për shembull, nëse investoni në një biznes pa marrë pjesë në zhvillimin e tij, ju jeni një investitor i heshtur që merr të ardhura pasive.
Rrjedhat pasive të të ardhurave zakonisht kërkojnë një investim paraprak dhe kohë për të rritur dhe ruajtur fitimin. Investimet si këto mund të ofrojnë një rrjedhë të rregullt të ardhurash në të ardhmen me pak ose aspak përpjekje nga ana juaj.
- Disa shembuj të tjerë të të ardhurave pasive janë:
- Marrja e komisionit nga shitja e sendeve online
- Marrja me qira ose dhënia me qira e pajisjeve
- Marrja me qira e pronave
- Pjesëmarrja në marketingun e filialeve
- Shitja e mallrave të pavarur nga një blog ose faqe interneti
- Blerja e aksioneve pjesërisht të një biznesi
Së dyti, le të shikojmë se cilat janë llojet e flukseve monetare.
Flukset/ Rrjedha e parasë sipas shumicës së burimeve klasifikohen në tre lloje:
- Fluksi operativ i parasë: Ky lloj i fluksit monetar përfaqëson paratë e gjeneruara ose të përdorura nga operacionet e përditshme të një biznesi, të tilla si të ardhurat nga shitjet dhe pagesat për shpenzime për paga, qira dhe mallra e shërbime. Fluksi operacional tregon nëse një biznes mund të gjenerojë para të mjaftueshme për të financuar operacionet e tij dhe tregon aftësinë për të gjeneruar para nga aktivitetet kryesore të biznesit.
- Fluksi i investimit të parasë: Ky lloj fluksi monetar i referohet parasë së përdorur ose të krijuar nga aktivitetet investuese, të tilla si blerja ose shitja e aktiveve, pronave ose pajisjeve afatgjata. Shembuj të flukseve monetare të investimit përfshijnë blerjen ose shitjen e pronës, marrjen e pajisjeve ose investimin në biznese ose letra me vlerë të tjera. Kjo kategori e fluksit monetar tregon nëse një biznes po investon në aktive produktive që do të gjenerojnë flukse monetare në të ardhmen.
- Fluksi i financimit të parasë: Ky lloj i fluksit monetar tregon paratë e përdorura ose të gjeneruara nga aktivitetet financuese, të tilla si emetimi ose riblerja e aksioneve, pagesa e dividentëve ose huamarrja e parave. Shembuj të flukseve monetare të financimit përfshijnë të ardhurat nga emetimi i aksioneve ose huamarrja e parave dhe pagesat e bëra për blerjen e aksioneve ose shlyerjet e borxhit. Kjo kategori e fluksit të parasë tregon se si një biznes financon operacionet dhe zgjerimin e tij dhe nëse përdor borxhin ose kapitalin për të financuar rritjen e saj.
Cili është ndryshimi midis fluksit (rrjedhës) së parasë dhe të ardhurave të një biznesi?
Për ta thënë thjesht, të ardhurat janë shumat e hyra në llogarinë e biznesit nga shitja e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa fluksi i parasë është një masë e lëvizjes aktuale të parasë. Ndryshe mund të thuhet se të ardhurat përfaqësojnë shumën e parave të fituara nga burime të ndryshme (paga, interesa, fitime, qera, etj.) gjatë një periudhe të caktuar, ndërsa fluksi i parave përfaqëson hyrjen dhe daljen e mjeteve monetare gjatë së njëjtës periudhë.
Për shembull, një biznes mund të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme, por ende përjeton probleme të rrjedhës së parasë për shkak të vonesave të pagesave, kostove të larta operative ose faktorëve të tjerë. Nga ana tjetër, një biznes mund të ketë të ardhura modeste, por të menaxhojë me efektivitet fluksin e parasë, duke siguruar që ai të ketë fondet e nevojshme për të mbuluar shpenzimet dhe për të investuar në mundësi rritjeje.
Kuptimi i fluksit të parasë është thelbësor për pronarët e bizneseve, pasi ndikon në aftësinë e një biznesi për të paguar faturat, për të investuar në rritje dhe përfundimisht për të pasur sukses. Për shembull, një fluks monetar pozitiv tregon se një biznes ka më shumë hyrje monetare sesa dalje, ndërsa një fluks monetar negativ nënkupton të kundërtën. Një fluks negativ parash mund të tregojë se një biznes po shpenzon më shumë para sesa fiton, gjë që mund të çojë në vështirësi financiare.
Pse tatohen të ardhurat e biznesit?
Sistemet tatimore në gjithë vendet e botës kanë zgjedhur të tatojnë jo flukset e parasë, por të ardhurat nga biznesi apo individi pasi bazohet nga mënyra se si realizohen të ardhurat dhe jo si qarkullojnë ato duke supozuar se është një mënyrë më pak komplekse për tatimet. Tatimi mbi të ardhurat zbatohet mbi të ardhurat neto dhe si i tillë konsiderohet si një tatim direkt mbi të ardhurën e fituar duke mos ndikuar në vendimet e të bërit biznes.
Si llogariten të ardhurat për qëllime të tatimit të tyre?
Të ardhurat e tatueshme janë pjesa e të ardhurave që i nënshtrohet tatimit. Ato përfshijnë pagat, honoraret, bonuset, interesat, dividentët dhe të ardhura të tjera të marra gjatë gjithë vitit. Megjithatë, disa lloje të ardhurash, të tilla si dhuratat, trashëgimitë dhe pagesat e sigurimit të jetës, në përgjithësi nuk janë subjekt i tatimit.
Siç raportohet në një deklaratë të tatimit mbi të ardhurat individuale, të ardhurat e tatueshme mund të mos pasqyrojnë gjithmonë paratë aktuale që tatimpaguesi merr, veçanërisht në rastet që përfshijnë interesat e pronësisë në entitete të përçuara si partneritetet dhe shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar.
Këto subjekte përgjithësisht nuk i nënshtrohen tatimeve mbi të ardhurat në nivel njësie ekonomike, që do të thotë se përcaktimi i fluksit aktual të parasë bruto të tatimpaguesit kërkon rregullimin e vlerave të deklaratave tatimore.
Për të llogaritur të ardhurat e tatueshme, zbritet çdo zbritje e njohur si shpenzim i lejuar për llogaritjen e tatimit. Shuma që rezulton është e tatueshme sipas normës tatimore progresive (sa më të larta të ardhurat e tatueshme, aq më e lartë është norma tatimore).
Pse nuk tatohet fluksi i parasë?
Rrjedha e parasë nuk tatohet sepse nuk konsiderohet të jetë një formë e të ardhurave për qëllime tatimore. Lëvizja e parave brenda dhe jashtë llogarive të një individi/biznesi mund të përdoret për të paguar shpenzimet ose borxhet. Megjithatë, në përgjithësi është një tregues më i mirë i likuiditetit të një biznesi apo individi dhe jo një rritje e pasurisë apo akumulimit të aktiveve.
Ndërsa fluksi i parasë nuk tatohet, ai mund të ndikojë në të ardhurat e tatueshme. Për shembull, një biznes me një fluks monetar pozitiv mund të investojë në aktive ose të paguajë borxhet, duke ulur të ardhurat e tatueshme.
Në mënyrë të ngjashme, nëse një individ ka një fluks monetar negativ, ai mund të jetë në gjendje të zbresë disa shpenzime ose humbje, të cilat gjithashtu mund të zvogëlojnë të ardhurat e tatueshme.
A është një pasqyrë e fluksit të parasë më e mirë se një pasqyrë e të ardhurave?
Si pasqyra e fluksit monetar ashtu edhe pasqyra e të ardhurave të tatueshme shërbejnë për qëllime të ndryshme dhe ofrojnë informacion specifik të lidhur ngushtë me përkufizimet e fluksit monetar kundrejt të ardhurave të shpjeguara më sipër.
Një pasqyrë e të ardhurave tregon të ardhurat dhe shpenzimet e një biznesi apo individi për një periudhë të caktuar, zakonisht një vit. Ajo ofron një pamje të përfitueshmërisë dhe ndihmon investitorët dhe tatimorët të përcaktojnë aftësinë për të gjeneruar të ardhura dhe për të menaxhuar shpenzimet. Pasqyra e të ardhurave mat performancën operative të një biznesi apo individi, përcakton koston e mallrave/shërbimeve të shitura dhe llogarit të ardhurat neto.
Në të kundërt, një pasqyrë e fluksit monetar ofron një analizë të detajuar të hyrjeve dhe daljeve të parasë gjatë një periudhe të caktuar. Ajo tregon se sa para është në dispozicion të biznesit pas llogaritjes së shpenzimeve, tatimeve dhe investimeve. Pasqyra e fluksit të parasë ndihmon investitorët dhe tatimorët të përcaktojnë aftësinë e një biznesi për të gjeneruar para dhe likuiditet, gjë që është kritike për të siguruar që ai mund të paguajë borxhet e veta dhe të investojë në rritjen e ardhshme.
Në fund të fundit, pasqyrat e të ardhurave dhe fluksit të parasë janë thelbësore për vlerësimin e shëndetit financiar të një biznesi. Pasqyra e të ardhurave siguron një masë të përfitimit, ndërsa pasqyra e fluksit të parasë jep një masë të disponueshmërisë së parasë.
Tatimi ynë i fluksit të parasë, nëpërmjet shpenzimit të menjëhershëm të shpenzimeve kapitale, do të ofronte stimuj të fuqishëm për rritjen e produktivitetit për investime të reja shumë më të fuqishme sesa thjesht ulja e normës së tatimit ekzistues mbi të ardhurat e korporatave.
Gjithë sa më lart e meriton një debat fiskal lidhur me nevojën për të përshtatur mirë dhe qartë kuadrin vizionar të sistemit të tatimit të ndershëm.
[1] https://www.sciencedirect.com/topics/economics-econometrics-and-finance/cash-flow-tax
[2] aftësia e aktiveve të një biznesi për të gjeneruar fitime
[3] Destination-based cash flow tax
[4] p.sh. një patentë (pronësi industriale) në një vend me taksa të ulëta (d.m.th., parajsë fiskale) dhe licencimi e përdorimi i patentës për filialet në vendet me taksa më të larta
[5] https://www.imf.org/en/Publications/WP/Issues/2016/12/30/Cash-Flow-Tax-1086
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.