Pse bien çmimet e ndërtimeve?

Pse bien çmimet e ndërtimeve?

Tregu privat i apartamenteve në vend ka ngecur në muajt e fundit.

Të blesh një apartament të ri në Shqipëri, por veçanërisht në Tiranë dhe qytetet ku ka ndërtime të shumta është një detyrë e vështirë dhe është veçanërisht sfiduese. Vështirësia më e madhe është që pasi të kesh garantuar burimin e financimit (sfidë që po bëhet e pamundur për shumicën e familjeve të reja) duhet të dish se sa duhet të shpenzosh për apartamentin tënd të ri kur çmimet mund të ndryshojnë në mënyrë drastike.

Apartamenti i përballueshëm që mund të ketë pëlqyer dje mund të mos jetë aq i përballueshëm apo edhe i banueshëm sot.

Përveç ndërtimeve pa asnjë kriter që respekton rregullat urbane, ndodh që edhe vetë çmimet nuk respektojnë rregullat e tregut, ato të kërkesës dhe ofertës, pasi ndikohen nga shumë faktorë, ku një pjesë kryesore e tyre është edhe e lidhur me arsye të informalitetit dhe korrupsionit.

Faktori më i madh në rëniet e fundit të çmimit të banesave në Tiranë është një tepricë e njësive të reja në vitin 2023 dhe përpara tij, sipas një logjike që bazohet mbi intensitetin e lejeve të ndërtimit. Bumi i ndërtimit aktual në vend është ndoshta më i madhi në këto 20 vite të fundit.

Faktori i dytë që ka peshë në këtë ulje aktuale lidhet me skandalet e pastrimit të parave që është bërë madje edhe një term popullor kërkimi në Google. Për vite me radhë, zhvilluesit, agjentët, bankierët, vlerësuesit dhe avokatët kanë lehtësuar marrëveshjet nga “blerësit e pasur” për të blerë banesa luksoze dhe prona komerciale në Tiranë. Ndërtuesit duket se në këto vite të fundit shitën mirë projektet e tyre. Agjentët e pasurive të paluajtshme futën në xhep komisionet e tyre. Qeverisja qendrore dhe ajo vendore ngarkuan tarifat e tyre.  Pastaj të gjithë papritmas ndoshta po e kuptojnë se këto janë para të pista që rrjedhin në Shqipëri për arsye të pastrimit të parave nga një grup zhvilluesish të tregut të ndërtimit, me një historik të shkurtër aktiviteti.

Një faktor tjetër është edhe për shkak të një “krize përballueshmërie” të shkaktuar nga çmimet e larta të jetesës për shumicën e popullsisë, si dhe një rritje e papunësisë, por edhe lekëve të disponueshme më të ulta, për arsye të inflacionit.

Ndërkohë edhe kaosi aktual në regjistrimin e pronave në zyrat e regjistrimit të pronës ka ndikuar në ngadalësimin apo dhe bllokimin e shitblerjes së pasurive të paluajtshme, element që ndikon indirekt në çmim.

Kjo është një histori e ofertës dhe kërkesës ku kërkesa po lehtësohet pak dhe rritja e ofertës po forcohet, e cila edhe për Tiranën dhe kudo ku po ndërtohet me tepri vlen njësoj si në gjithë vendet e tjera.

Megjithatë, kërkesa për apartamente ka një ndikim, por një pjesë e mirë e tregut është tashmë peng i më shumë pasigurie ekonomike, ku njerëzit ndoshta po mendojnë dy herë për të lëvizur në një banesë më të mirë, por edhe nuk kërkojnë që të rritin shpenzimet në kushtet kur kredia është bërë më e shtrenjtë dhe kursimet e tyre në valuta të huaja janë zhvleftësuar me të paktën 12% nga viti i kaluar.

Besoni apo jo, periudha e vitit po ashtu mund të ndikojë padyshim në çmimet e apartamenteve. Në përgjithësi, nëse një apartament mund të ketë gjasa të shitet në dimër, çmimi ka të ngjarë të jetë më i ulët se në verë. Kjo për shkak se sezoni i lëvizjes më të madhe të blerjeve dhe shitjeve, ashtu si në gjithë vendet e tjera është zakonisht midis majit dhe shtatorit.

Ndërsa kërkesa për një apartament në dimër është më e ulët, gjithashtu dhe çmimi do të jetë pjesë e kësaj kërkese dhe do ti nënshtrohet uljes. Sidoqoftë, kjo ndodh sepse furnizimi (oferta) është gjithashtu më e ulët, kështu që mund të mos ketë aq shumë opsione.

Ndërkohë, një rritje ekonomike bazuar te kontributi i shumë sektorëve ndikon te tregu me po atë intensitet që janë ndikuar të ardhurat e klientëve. Një treg me rritje të fortë është i shkëlqyeshëm për ekonominë lokale.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: