Politika fiskale x Kapaciteti = Produktiviteti fiskal + Rezultatet tatimore
Kur kapaciteti fiskal është i dobët, ne taksapaguesit e kuptojmë këtë nga fakti se qeveria nuk është në gjendje të regjistrojë dhe taksojë të gjithë popullsinë që e ka detyrimin ligjor për të paguar taksën që i takon për të paguar shërbimet që përfiton.
Një logjikë që mund të justifikohej deri në njëfarë niveli do të ishte nëse taksat dhe tatimet do të ishin të larta në krahasim me fitimet dhe të ardhurat. Në këtë model, logjika e taksapaguesve shqiptarë do të vepronte në drejtimin për të mos i paguar taksat e rritura. Për vendet që kanë sistem të zhvilluar të mbledhjes së taksave, kjo mënyrë reagimi jo normale e tatimpaguesve do të ishte frenuar nga harmonizimi i masave parandaluese të politikës me përdorimin e kapaciteteve fiskale të qeverive në mënyrë që të mbyllnin shtegun logjik të krijuar nga sistemi i taksave të larta.
Por, në Shqipëri ku taksapaguesit vijojnë edhe pas 30 vitesh të paguajnë më pak se 1/3 e prodhimit të brendshëm vijojnë të jenë të pamësuar kulturalisht me idenë e peshës së taksave, çka është rrjedhojë e një morali të ulët tatimor. Me këtë perceptim të tyre për sistemin tatimor, ata arrijnë ti anashkalojnë politikat e qeverisë, pasi është ende mjedisi social dhe politik i shtetit dhe opozitës që i mban në amullinë fiskale. Ndërkohë, që administrata fiskale është në vijimësi një zgjatim i modlit politik të qeverisë që investon politikisht dhe nuk interesohet për aftësimin e administratës për të zbatuar një politikë të drejtë tatimore.
Kjo mënyrë reagimi konsiderohet si normale në Shqipëri, pasi kapaciteti i ulët i politikëbërjes (produktiviteti i saj) dhe administratës fiskale e pranon konkurencën e padrejtë të ekonomisë së madhe informale. Çdo politikë për të kufizuar këtë ekonomi është e pavlerë përsa kohë politika fiskale dhe kapaciteti fiskal i qeverisë do të vazhdojë të mbetet në nivelet e ulta dhe me ndryshime të pandjeshme.
Si një zgjidhje për evazionin fiskal, qeveria në fakt ka gjetur mënyrat më të thjeshta për të adresuar problematikat duke qenë e ndërgjegjshme për aftësitë e ulëta administrative dhe përdorimin joefikas të teknologjisë e ka nxitur këtë sistem tatimor me taksa dhe tatime më pak efikase, por më lehtë të mbledhshme.
Nisur nga kjo politikë për qeveritë shqiptare ishte dhe është shumë më e lehtë të ndërtonin një sistem taksash dhe tarifash ndaj mallrave të importit. Po kështu u zbatua një model taksimi bazuar në tarifat fiskale, të cilat janë më të lehta për t’u mbledhur sepse kërkojnë më pak burime administrative dhe nuk ndikohen në masë të madhe nga një kulturë e fortë e pajtueshmërisë tatimore.
Për më tepër, Emran dhe Stiglitz (2005) argumentojnë se shtimi i “tarifave mund të sigurojë një burim më pak shtrembërues të të ardhurave tatimore” sepse mund të nxisë më pak evazionin fiskal sesa për shembull, duke rritur taksat mbi të ardhurat.
Por, edhe pse duhet të ishte eleminuar një model i ngjashëm tatimor për vitet e ardhme që vijuan, në fakt qeveritë dhe partitë politike vijuan të stimulojnë modelin e taksimit të konsumit (importi) dhe duke u fokusuar shumë pak te tatimet dhe taksat direkte me një vizion dhe vullnet të dobët për të ardhmen për të kaluar në një ekonomi formale brenda perimetrit të kontrollit të qeverisë.
Kjo politikë fiskale e zbatuar nga qeveri të djathta e të majta në dy dekadat e fundit nuk kanë patur synim të punojnë për interesin më të mirë të qeverisjes së taksave të drejta, ku qasja e duhur do të ishte përcaktimi i modelit tatimor dhe të llojeve të tatimeve dhe taksave që do të dekurajonin evazionin fiskal.
Kapaciteti i ulët fiskal dhe politika dritëshkurtër për të përfituar nga momenti dhe jo me vizionin nga e ardhmja ndërtuan sistemin tatimor të bazuar te qokat (përjashtimet tatimore) dhe gjobave fiskale (të përdorura sipas vullnetit politik të momentit). Si rrjedhojë, sot kemi trashëguar një model taksimi joefikas (jo produktiv), i cili nuk është në gjendje të mbledhë detyrimet e duhura (borxhi tatimor sa 2/3 e tatimeve që mblidhen sot) dhe të zvogëlojë ekonominë e madhe informale. Kjo situatë nuk vjen vetëm pse nuk janë kapacitetet administrative për të mbështetur mbledhjen e taksave efikase, por nuk ka edhe një politikë të qëndrueshme dhe të drejtë për të modeluar sistemin tatimor të drejtë, të ndershëm, të barabartë dhe të thjeshtë për tatimpaguesit shqiptarë.
Ekuilibri i ekuacionit fiskal është shumë i ndikuar nga adresimi i dilemës së barazisë tatimore duke rritur efikasitetin bazuar te produktiviteti fiskal. Vendosja e ekuilibrit të duhur midis taksimit progresiv (barazisë) dhe stimujve ekonomikë (efikasiteti) është një sfidë e përhershme. Normat aktuale të taksave dhe tatimeve nuk janë të larta dhe ky element politike tatimore nuk ndikon në dekurajimin e prodhimit dhe investimeve. Ndërkohë, normat e ulëta dje dhe sot duket se e kanë përkeqësuar pabarazinë në të ardhura dhe nga to kanë fituar vetëm politikanët duke u rizgjedhur në pozicionet e tyre.
Është e vërtetë që politika nuk zhvishet dot nga modelimi i sistemit fiskal, pasi vendimet fiskale janë në thelb politike. Mirëpo, përjashtimi në vendimarrje i opinionit publik, përfaqësimi i interesave të grupeve të vogla të interesit dhe ciklet zgjedhore kanë qenë ndikuesit dhe deformuesit në politikat tatimore dhe shpërndarjen e burimeve.
Nisur nga nga krahu i majtë i ekuacionit fiskal, ku politika fiskale duhet të prodhojë komponentët e Kapacitetit Fiskal për të arritur në një barazim me krahun e djathtë të ekuacionit (produktivitetin fiskal dhe rezultatet e duhura të të hyrave fiskale, më poshtë kemi marrë në një analizë pikërisht elementët që duhet ta mundësojnë zgjidhjen e ekuacionit fiskal.
Së pari, regjistri i tatimpaguesve duhet të shërbejë si Baza tatimore për të llogaritur dhe shpërndarë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme barrën tatimore.
Bazamenti i kapacitetit fiskal ka nevojë për (a) një bazë tatimore të gjerë (numër i madh tatimpaguesish), (b) të qëndrueshme në kohë (një bazë në rritje dhe që reflekton tendencën e ekonomisë dhe mirëqenies) dhe (c) të fortë në strukturë (tatimpaguesë që janë në gjendje të pranojnë dhe paguajnë vullnetarisht detyrimet e tyre).
Kjo bazë tatimore që duhet të përfshijë gjithë aktivitetet ekonomike që ti nënshtrohen tatimit, në fakt është dëmtuar dhe zvogëluar ndër vite pikërisht nga politika tatimore e miratuar nga qeveritë.
Baza tatimore e tatimit mbi të ardhurat është zvogëluar shpesh herë duke përjashtuar nga tatimi kategori dhe shtresa tatimpaguesish me arsyetime thellësisht politike dhe elektorale, por duke anashkaluar interesin publik dhe ekonomik të vendit.
Vendimi më i fundit i qeverisë për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për shumë vite i bizneseve me xhiro deri në 14 milion lekë e ka cenuar bazën tatimore.
Po kështu, politika fiskale e qeverive për rritjen e pragut të TVSH-së duke përjashtuar mijëra biznese dhe individë nga detyrimi që u takon e ka cenuar bazën e TVSH-së. Këto dy baza tatimore janë pjesët më të rëndësishme dhe më të mëdha të regjistrit të tatimpaguesve dhe përjashtimi i tyre ka krijuar nxitje për t’ju shmangur edhe pagimit të pagave reale dhe kontributeve të sigurimeve. Në kushtet kur bizneset nuk detyroheshin të mbanin dokumentet për të paguar tatimin mbi fitimin apo TVSH-në, kjo qokë politike ka ndikuar shumë keq në edukimin dhe moralin tatimor, por per buxhetin ka ndikuar ne fshehjen edhe të pagës dhe shpenzimeve reale. Kete barre te munguar tatimore e kane korigjuar nder vite duke e dendesuar barren tatimore mbi nivelet e pages se mesme, nje mekat politik pas nje nxitimi elektoral.
Ky është efekti mjaft i dëmshëm i vendimit të politikës pa u konsultuar me mendimin ekonomik dhe financiar.
Qeveritë janë përpjekur të hartojnë politika tatimore për të balancuar nevojat për të ardhura tatimore, për të ndikuar rritjen ekonomike dhe një ambjent i lirë ekonomik bazuar mbi barazinë. Në këtë drejtim, tatimet progresive mbi të ardhurat, taksa e sheshtë apo taksat regresive të konsumit dhe përjashtimet e synuara kanë luajtur të gjitha një rol. Ky rol ka qenë që të mbanin në këmbë një ekonomi që për disa mud të quhet rezistente, por në fakt kemi një ekonomi që gjeneron të ardhura tatimore më pak se gjithë ekonomitë rajonale të krahasueshme me Shqipërinë.
Si rrjedhim, të ardhurat nga aktivitetit, konsumi, prona dhe fitimet e bizneseve, të cilat kontribuojnë në bazën tatimore vetëm nga interesi dritëshkurtër politik e kanë zvogëluar bazën dhe ndihmuan të rritej informaliteti.
Së dyti, administrata Tatimore është e vlefshme vetëm nëse shërben si një mekanizëm elastik dhe efikas për llogaritjen dhe mbledhjen e drejtë të taksave, si një veprim thelbësor në forcimin e kapacitetit fiskal të buxhetit të shtetit. Një administratë tatimore që funksionon mirë minimizon evazionin, siguron pajtueshmërinë dhe maksimizon të ardhurat. Por, në fakt administrata tatimore nuk ka funksionuar sipas këtyre drejtimeve, pasi e ndikuar nga politika fiskale e cënueshme ka qenë gjithnjë e brishtë, jo e fortë dhe e organizuar keq për të përballuar sfidën kryesore të forcimit të kapaciteteve administrative për të kryer funksionin e saj, por edhe për të korigjuar difektet e politikës në betejën me evazionin fiskal. Në fakt, administrata tatimore është gjendur në pozita komode nga vendimet politike për ta toleruar evazionin në këmbim të shpërblimit të korrupsionit.
E gjithë kjo mënyrë e funksionimit të saj në dy dekadat e fundit e ka bërë të dobët kapacitetin e administratës dhe të paaftë për të funksionuar dhe për të kryer detyrat për të cilat paguhet dhe që ndikon në paqëndrueshmërinë fiskale.
Për ne, kjo do të thotë që në një periudhë afatgjatë buxheti shqiptar të jetë në gjendje të mbulojë detyrimet e tij të kostos dhe të ofrojë cilësi të lartë shërbimi për banorët e tij pa rritje të mëdha në normat e taksave dhe tatimeve, me nivele të ulta borxhi. Për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale është e rëndësishme që qeveria dhe politika të vlerësojë sfidat e reja të zhvillimit në lidhje me produktivitetin fiskal të projektit të Shqipërisë europiane.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.