Po ekonomia dhe financat pas bllokimit nga Covid-19?

stimuli fiskal e monetar

Po ekonomia dhe financat pas bllokimit nga Covid-19?

Masat e mbylljes që janë në zbatim në Evropë dhe në botë kanë vendosur në karantinë tregtinë ku përfshihet edhe eksporti që rezulton si tronditja e parë në ekonomi. Pllakat tektonike të krizave (një krizë shëndetësore, një krizë financiare dhe një krizë tregtare) po lëvizin mes njëra-tjetrës në mënyra komplekse. COVID-19 është ndikuesi kryesor i krizave, duke nënkuptuar sakrifica të konsiderueshme për sa i përket mbajtjes së ekonomisë në nivele pranë zeros. Aktualisht mbi 50% e PBB-së globale (dhe popullsia) është në një bllokim të një lloji mjaft të çuditshëm duke krijuar kështu efekte të rënda edhe për marëdhëniet tregtare të Shqipërisë me vendet partnere të rëndësishme, si: Greqia, Italia dhe Gjermania.

Muaji i parë i krizës tashmë tronditi masivisht të gjithë sektorët që kanë lidhje me klientët direkt. Me kalimin e javëve është duke u zgjeruar me shpejtësi edhe në ato aktivitete, që kanë lidhje me biznese dhe jo vetëm me klientët direkt. Këto sektorë përfshijnë transportin, energjinë dhe shërbimin e ushqimeve në bare dhe restorante, si dhe shërbimet akomoduese, shëndetësore, shërbime të tjera, si dhe tregtinë e pakicës.
Muaji i dytë i krizës po trondit bizneset më të brishta në aspektin financiar, për shkak të ekspozimit të tyre ndaj rrisqeve të likuiditetit. Kjo tronditje e dytë dobëson veçanërisht sektorin e energjisë dhe eksportin në tërësi.
Periudha aktuale e krizës po shton rriskun e mungesës dhe tharjes së burimeve financiare në të gjithë sektorët. Sektorët më pak të ekspozuar dhe më elastik ndaj kësaj krize janë shërbimet e telekomunikacionit, farmaceutikës dhe IT duke përfshirë në të edhe ato shërbime që kanë mundësi operimin në kishte shtëpie apo duke operuar me dërgimin me porosi te klienti.

Duke pasur parasysh se kriza shëndetësore është shumë e mprehtë, por me natyrë të përkohshme, situata e ekonomisë pritet të përkeqësohet para se të përmirësohet.

Oferta monetare sinjalizon kushte shumë të forta financiare për bizneset. Ndalja e papritur në qarkullimin fizik të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe parave janë sfidat që ky bllokim paraqet për efektivitetin e politikës monetare kanë çoroditur çdo aktor të tregut. Stabiliteti financiar tashmë është duke u rifutur në terrene që po lëkunden. Pas një stopimi të rrjedhës së likuiditetit, të gjitha grupet e shoqërisë janë të ndikuar në mënyrë të vazhdueshme dhe me një ritëm në rritje të pasigurisë.

Qeveria shqiptare është përqendruar në zbutjen e ashpërsisë së krizës së rrjedhës së parave (likuiditetit). Politikat fiskale që u deklaruan dhe janë miratuar janë adresuar për të: (i) zbutur presionet e fluksit të parave të bizneseve përmes linjave të kreditit me garanci sovrane, si dhe shtyrjen e shpenzimeve të taksapaguesve ndaj buxhetit dhe shoqërive publike (taksat, kamatat për energjinë e papaguar në kohë, shërbime të ndryshme, etj.) , si dhe (ii) mbështetjen e të ardhurave të familjeve duke forcuar sigurinë shoqërore dhe zbatimin e subvencioneve të të ardhurave. Institucionet publike po vijojnë mbështetjen për familjet, firmat dhe tregun e punës.
Politika monetare ka filluar të lëvizi nga normaliteti rutinor i saj duke tentuar masa të jashtëzakonshme dhe ulje të normës bazë të interesit. Masat fiskale dhe ato monetare duan të lehtësojnë valën goditëse të recesionit.

Ndërsa kjo është thelbësore për një rikuperim të fortë, ekziston një pasiguri e konsiderueshme në lidhje me atë se si do të duket panorama ekonomike kur të dalim nga ky bllokim. Humbja e punës do të ndikojë në veçanti punëtorët me kontrata të përkohshme, si dhe të vetë punësuarit. Vendet me hapësirë të kufizuar fiskale, ashtu si edhe Shqipëria do të kërkojnë ndihmë nga FMN dhe Banka Botërore, të cilat nga ana e tyre kanë njoftuar se do të qëndrojnë të gatshme me mbështetje për vendet e goditura nga COVID-19.
Vetëm pak ditë më parë Fondi Monetar deklaroi gadishmërinë për një ndihmë me afër 174 milion Euro për mbështetje për emergjencat dhe për financat publike. Po kështu Këshilli i Evropës ka ofruar kredi të butë prej 180 milion euro për kufizimin e pasojave ekonomike nga COVID-19.

Në Evropë, në parim ka më pak vend për një politikë monetare agresive, pasi normat e interesit janë tashmë të ulta, madje normat reale të interesit janë negative në shumë vende. Sidoqoftë, bankat qendrore kanë filluar të ulin normat dhe disa nga to gjithashtu kanë shpallur masa të lehtësimit sasior.

Kjo do të jetë mbështetje për ekonominë në terma afat-shkurtër.

Megjithatë, në vend që të synohet ndihma në para për bizneset që kanë shpallur krizë likujditeti këtë herë politikë bërësit mund të injektojnë stimulim drejtpërdrejt në zinxhirin e ekonomisë reale që punon për eksport, si dhe ajo që mban peshën madhore të punësimit. Nëse po, mund të ketë më pak inflacion të çmimeve të lëndëve të para për prodhimet e eksportit, por mund të ketë më shumë inflacion në tregjet e mallrave dhe shërbimeve. Kjo arkitekturë e re mund të shpjegojë pse tregu financiar nuk ka ndonjë pasiguri të shfaqur në këto kohë, të paktën duke u nisur nga lëvizjet e fundit të bankës qendrore.

Vështirësia për të rindezur ekonominë, nëse nuk do të ketë ndarje dhe bllokime prej politikanëve mund të jetë qasja e re, që bazohet te bashkëpunimi, transparenca dhe precizioni në vënien në punë në ato pjesë të zinxhirit të qarkullimit që kanë nevojë të zhbllokohen për të vënë në lëvizje eksportin. Duke mos qenë një ekonomi e industrializuar, por më shumë një ekonomi e bazuar te tregtia dhe shërbimet natyrisht që bllokimi aktual i ekonomisë nuk do të japë ato efekte që diskutojnë ekspertët e ekonomisë dhe financave për vendet e zhvilluara.

Por, si kanë ndikuar deri para krizës masat fiskale dhe zbatimi i konsolidimit buxhetor?

Efektet negative të kërkesës konsumatore e kanë filluar ndikimin e tyre në ekonomi të paktën deri 2 vite më parë se viti 2020. Aktiviteti më i ngadaltë ekonomik ka çuar në buxhete më të dobëta dhe të pasigurta në fazën e zbatimit nga sa parashikohej dhe si rrjedhim qeverisja qendrore dhe ajo lokale kanë shkurtuar shpenzimet. Nga njëra anë normat bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë kanë ndjekur kurbën zbritëse në 6 vitet e fundit. Nga ana tjetër, shpenzimet kapitale të buxhetit kanë ruajtur pothuajse të njëjtin nivel ndaj PBB-së. Rrudhja e shpenzimeve të buxhetit ndaj PBB-së kanë dhënë një ndikim në ulje të nivelit të deficitit buxhetor me të paktën 2.2 pikë përqind. Rritja ekonomike ka patur një kurbë ngjitëse të moderuar dhe në vitin e fundit, ulja e kërkesës konsumatorë dhe ndikimi i mungesës së investimeve të brendshme kanë dhënë një ndikim në ulje me të paktën 1.5 pikë përqind.

Në këto kushte, ku qeverisja fiskale është me probleme edhe pa krizën aktuale shëndetësore mbetet nevojë të studiohet dhe komunikohet me ekspertët për rrugëdalje të tjera për rimëkëmbjen, krahas planeve ekonomike të deklaruara, apo edhe ndihmës nga BE dhe FMN, e cila është bërë e njohur nga mediat.

Kur bëhet fjalë për rimëkëmbjen e ekonomisë, qeveria ka në dispozicion dy mjete kryesore: stimulin monetar dhe stimulin fiskal. Edhe pse këto qasje nuk janë opsionet e vetme, që mund të zbatojë një qeveri e përkushtuar, në realitet shumica e paketave të ndihmës ekonomike në vende të ndryshme janë duke u orientuar në këto dy kategori.

Nëse një zgjidhje e duhur do të konsiderohet stimuli fiskal në radhë të parë nevojitet që politikë bërësit të bien dakord, por në radhë të dytë duhet të kërkohet që ai të marrë formën e krijimit të stabilizuesve të rinj.

Nga informacioni që qarkullon në publik, tani për tani, qeveria Rama nuk po e kërkon vërtet stimulin fiskal, si një adresim ndaj situatës së pritshme. Por nëse e bën, nga njëra anë kjo është një ide e mirë dhe nga ana tjetër, në fakt ai ka hapësirë të kufizuar fiskale, veçanërisht për shkak të përvojave të mëparshme që nuk ndihmuan në stimulimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë ashtu si pritej.

Stimuli fiskal historikisht ka rezultuar i suksesshëm në parandalimin ose rikuperimin e rënies ekonomike. Konsumatorët kanë (ose pritet të kenë) pak para nëpër duar në këto kohë, kështu që ata nuk mund të blejnë produkte ose shërbime.

Qeveria mund ta zëvendësojë këtë shpenzim të munguar duke kredituar direkt me subvencione bizneset që kanë lidhje direkt me punësimin dhe mbajtjen e produktivitetit në eksport, apo edhe duke kërkuar bashkëveprim me Bankën e Shqipërisë për fillimin e një politike të pandodhur më parë, atë të lehtësimit sasior. Edhe pse ky duket mjaft i vështirë në zbatim për Shqipërinë, kjo nuk mund të jetë arsye për të mos u angazhuar të paktën në nivelin e një analize dhe politike të detajuar.

Stimuli fiskal në njëfarë mënyre ishte i mirëpritur të ndodhte në rastin kur qeveria u angazhua direkt në fillimin e projekteve të infrastrukturës. Mirëpo, një situatë fiskale negative dhe jashtë parashikimeve e të hyrave buxhetore dhe borxheve ndaj bizneseve ndër të tjera nuk mundësoi, që të paktën të ndodhte gjatë këtyre viteve njëri kah i stimulimit fiskal, nëpërmjet rritjes së shpenzimeve publike. Buxheti nëpërmjet politikës së konsolidimit fiskal filloi të mëkëmbej vetëm para 3-4 vitesh. Kahu tjetër, ai i uljes së normave tatimore (ulja e taksave) u zbatua me pështjellime në ambjentin e biznesit, si dhe me mos uljen e nivelit të korrupsionit.

Ndërkaq, stimuli monetar deri më sot nuk ka informacion zyrtar të ketë ndodhur. Pra nuk ka informacion që të jenë hedhur para të reja në ekonomi apo një rritje të mundësisë së kreditimit të lehtë të biznesit. Edhe pse normat bazë të interesit janë ulur vit pas viti, kjo politikë e paharmonizuar me atë fiskale nuk ka ulur apo nuk ka bërë më të lirë kreditimin nga periudha më përpara, të paktën sipas anketimeve dhe deklarimeve nga vetë biznesi.

Nëse paratë nuk do të printohen, duhet të vijnë nga diku, që do të thotë që (a) ose do të merret hua e brendshme ose e jashtme, (b) do të rriten taksa të caktuara dhe do të tentohet të shpenzohet më pak. Nëse qeveria merr hua nga qytetari, kjo është një para që nuk shpenzohet nga qytetari apo nga sektori privat. Çdo hua që merret nga qeveria është në po atë sasi një shumë parash më e vogël për shpenzimet e sektorit privat.

Ndërkohë gjatë 5 viteve të fundit është arritur injektimi i parave shtesë në ekonomi, nëpërmjet eurobondit dhe marrjes së disa huave me leverdi nga ndërmarrje publike kryesisht të sektorit elektroenergjetik. Nga njëra anë kjo politikë ka operuar në nivelin kufi të tavanit të borxhit publik duke krijuar gjithnjë stres në tregun financiar. Por edhe kjo nuk i ka bërë paratë më të lira për të ulur koston e të bërit biznes. Dhe në këtë mes rol luan edhe paqëndrueshmëria dhe mungesa e kapaciteteve të duhura për të luftuar evazionin dhe kufizuar informalitetin.

Aktualisht, në kushtet kur një pjesë e punëtorëve tani nuk kanë asnjë të ardhur dhe gjithë të tjerët kanë frikë se mos pushohen nga puna, së pari i bën gjithë njerëzit ti kursejnë paratë e tyre në vend që t’i shpenzojnë ato. Ndër problemet e shumta që krijon kjo situatë është fakti se një pjesë e madhe e aftësive prodhuese të ekonomisë shkon drejt degradimit. Prodhuesit ndalojnë prodhimin e mallrave sepse askush nuk mund t’i blejë ato. Shërbimet që mund të ofrojnë shërbime të nevojshme nuk mund të gjejnë asnjë klient. Nëse dikush do të punojë duke rezistuar kësaj situate nuk ka para mjaftueshëm për të punësuar punëtorë dhe nga frika e zgjatjes përtej hamendësimit më pozitiv edhe produktiviteti i tyre mund të ndalojë së funksionuari. Kjo nga ana tjetër, bën që ekonomia të ngadalësohet dhe bizneset të humbasin gjithnjë e më shumë klientë.

Në këtë rast, politika monetare duhet të bëhet e gjallë dhe të vendosë sasi parash në duart e njerëzve që kanë nevojë nëpërmjet uljes në nivele minimale të kostos së kreditimit, por sidomos duke aplikuar për herë të parë politikat e lehtësimit sasior. Duke i bërë kreditë më të lira ose nëse injektohet nëpërmjet lehtësimit sasior kapital shtesë, qeveria do të përpiqet ta bëjë më të lehtë për bizneset dhe konsumatorët të shpenzojnë para.

Me pak fjalë, stimulimi fiskal nëse ndiqet në praktikë sipas një koordinimi të politikave monetare dhe fiskale mund të zëvendësojë aktivitetin e biznesit të humbur gjatë kësaj krize shëndetësore komplekse. Nëse funksionon, qeveria vazhdon këto shpenzime derisa konsumatorët të rimarrin besimin e mjaftueshëm dhe fuqia e shpenzimit të mbështesë kërkesën pa ndërhyrje.

Politikanët nuk duken të shqetësuar aktualisht për efektet afat-shkurtra të këtij bllokimi të ekonomisë. Por, kur kriza të ketë kaluar dhe borxhi i akumuluar të jetë rritur ai do të jetë një problem, pasi do të fillojmë përsëri të shpenzojmë lekë shtesë për të paguar për shërbimin e këtij borxhi. Me fjalë të tjera do të na bëhet përsëri thirrje për të shtërnguar rripin për shpenzime publike në nevojat e mëdha që ka gjithë jeta e vendit.

Pra, zgjidhja nuk është vetëm me një program, politikë apo një plan rimëkëmbje dhe ca struktura qeveritare dhe parlamentare për ti mbikëqyrur gjithë këto.

Natyrisht, që programi i rimëkëmbjes mund të jetë i vlefshëm. Politikat mundet të ndihmojnë krahun e kërkesës konsumatorë duke ndihmuar direkt bizneset dhe punësimin e njerëzve. Por nga ana tjetër duhet të ndërhyhet direkt (qoftë kjo edhe me rastin e amnistisë së shpallur) në bilancet e sektorit privat, për ti sistemuar dhe riparuar ato nga borxhet e ndërsjellta midis bizneseve, por edhe nga problematikat e ndryshme juridike dhe financiare të mbartura në vite.

Por për zbatimin e këtyre qasjeve duhet një konsensus politik për të patur një moratorium për pagimin e borxheve midis bizneseve dhe sistemin e bilanceve të tyre.

Për gjithë këtë program nga më madhorët deri më sot, nevojitet të thirren ekspertët më në zë, që njësoj si mjekët që u thirrën në rast nevoje të thirren edhe ata për të mundësuar rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Bashkëpunimet shumëpalëshe efektive midis qeverisë-shoqërisë civile-sektorit privat është vital për shëndetin ekonomik dhe rimëkëmbjen e vendit.

Ku mund të drejtohemi?

Te rritja e borxheve por me hapësirë fiskale të kufizuar, te Lehtësimi sasior me probleme në zbatim apo te mbështetja e FMN?

Përgjigja fiskale dhe monetare së bashku, jo vetëm që adresojnë dobësitë në sektorin financiar dhe ekonomi, por gjithashtu munden të stimulojnë kërkesën e brendshme për të ndaluar dobësimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: