Përfaqësuesi Tatimor në Shqipëri

Përfaqësuesi Tatimor në Shqipëri

Ligji Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i Ndryshuar dhe Udhëzimi Nr.24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është baza ligjore që përcakton rregullat për të ushtruar aktivitet si Përfaqësues Tatimor në Republikën e Shqipërisë.

Përfaqësuesi tatimor rezident mund të jetë një individ, një person fizik tregtar ose një person juridik. Personi i emëruar si përfaqësues tatimor ka të drejtë të veprojë në emër të kryesorit të tij (personit jo rezident) për të gjitha qëllimet që lidhen me tatimet.

Ai është njëkohësisht përgjegjës për të përmbushur të gjitha detyrimet e tatimpaguesit jo-rezident që ai përfaqëson.

Përfaqësuesi tatimor duhet të kërkojë të regjistrohet pranë drejtorisë rajonale tatimore, në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve, Sektori i Regjistrimit.

Dokumentet që duhet të paraqiten për regjistrimin e përfaqësuesit tatimor janë:

  1. Vendimi ose prokura e emërimit të Përfaqësuesit Tatimor
  2. Një kopje të vërtetuar të marrëveshjes së përfaqësimit

iii. Një kopje të vërtetuar të çertifikatës së regjistrimit tatimor të personit jo rezident në vendin e tij të rezidencës ku të vërtetohet se personi jorezident është person aktiv, kjo e lëshuar jo më vonë se 3 muaj nga data e aplikimit për regjistrim.

Përfaqësuesi tatimor duhet të regjistrohet me emrin e tij dhe në emrin e përfaqësuesit të tij tatimor brenda 5 (pesë) ditëve pas emërimit si i tillë dhe para fillimit të detyrimit ligjor të këtij personi në Shqipëri. Për çdo ndryshim të kryer apo që do të kryhet, në lidhje me të dhënat fillestare të marra nga përfaqësuesi tatimor, brenda 5 ditëve duhet të njoftohet me shkrim drejtoria rajonale.

Kush janë modalitetet e përfaqësuesit tatimor?

Në marrëveshjen e përfaqësimit duhet të specifikohen qartë të gjitha aktivitetet, të cilat mund të ushtrohen nga përfaqësuesi tatimor. Ai të paktën, duhet të jetë i autorizuar:

– Të plotësojë faturat në emër të personit që përfaqëson, të pranojë faturat për transaksione për të cilat është i autorizuar;

– Të dorëzojë deklaratat e TVSH-së në Shqipëri në emër të personit që përfaqëson, si dhe deklarata të tjera tatimore kur ato i kërkohen nga legjislacioni tatimor në fuqi në Republikën e Shqipërisë;

– Të paguajë detyrimet tatimore dhe të marrë rimbursimet tatimore nëse ka të tilla në emër të personit jorezident që përfaqëson;

– Të mbajë regjistrimet e transaksioneve dhe t’i vendosë ato në dispozicion me kërkesë të administratës tatimore;

– Të veprojë në emër dhe për llogari të personit jorezident dhe ta përfaqësojë atë në kontrollet e mundshme të administratës tatimore;

– Të plotësojë të gjitha detyrimet që lidhen me TVSH-në në importe, eksporte dhe detyrime doganore, nëse ka të tilla.

Çregjistrimi i Përfaqësuesit Tatimor

Pasi ka përmbushur detyrimet tatimore, sikurse është parashikuar edhe në marrëveshjen e përfaqësimit, përfaqësuesi duhet të njoftojë me shkrim drejtorinë rajonale tatimore ku është regjistruar, se nuk do të

veprojë më si përfaqësues tatimor.

Njoftimi duhet të bëhet të paktën 15 ditë para se ai të pushojë së vepruari si i tillë.

Përfaqësuesi tatimor duhet që në të njëjtën kohë të njoftojë edhe personin, i cili e ka caktuar atë.

Ai nuk çlirohet nga përgjegjësia e tij personale për shkak të pushimit së vepruari si përfaqësues tatimor i personit jorezident dhe çregjistrimi kryhet pas kontrollit tatimor, i cili çertifikon gjithë periudhën e përfaqësimit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.