Pas një leximi të sistemit tatimor në 2022
Në një lexim të modelimit mbi të ardhurat personale (TAP) në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, ato na tregojnë se politika më e mirë e TAP-it mund të sjellë përfitime të konsiderueshme në kursime dhe kapitale. Në fakt, nëse shikojmë me vëmendje modelimin e TAP në respekt të llogaritjes së detyrimeve të gjithë familjes vihet re se ndryshimet në parametrat kryesorë të TAP lënë kryesisht të paprekura të ardhurat pas taksave të individëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, pasi nga analizat e kryera nga ekspertë të këtyre vendeve rezulton se thjeshtimi i sistemit duke eliminuar zbritjet nuk përfitohen kryesisht nga një kategori tatimpaguesish në kurriz të kategorisë tjetër. Të gjithë kategoritë (të ardhurat e ulëta, të mesme dhe të larta) përfitojnë në mënyrë jo të barabartë, ku pjesa më e rëndë është mbi familjet më të pasura.
Ndikimet potencialisht negative në rritje nga zhvillimet e paparashikuara të ekonomisë dhe bizneseve që përshtaten me këto zhvillime mund të zbuten duke ofruar stimuj të synuar mirë për rritjen e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore për kategortë me paga të ulëta dhe ato të mesme përmes një kreditimi të tatimit mbi të ardhurat, i cili nëse projektohet siç duhet mund të ndihmojë gjithashtu edhe në uljen e hendekut gjinor. Një kreditim i tillë, i financuar nga të ardhurat e TAP-it, mund të ofrojë gjithashtu stimuj për formalizimin e punës duke kompensuar kontributet e sigurimeve shoqërore.
Nga ana tjetër, në këtë projektim të modelit të taksimit është përfshirë edhe rritja e barrës tatimore për burimin e të ardhurave jo nga puna (fitimet kapitale). Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë rrit të ardhurat nga TAP dhe përmirëson barazinë tatimore, pa ndikuar në vendimet e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore.
Miratimi i normave efektive për tatimin mbi kapitalet dhe pasurinë, si dhe zgjerimi i bazës është çelësi për përmirësimin e të ardhurave nga TAP, por opsionet e reformës duhet të marrin parasysh efektet e tyre në barazinë dhe formalitetin e tregut të punës. Kapaciteti për të mbledhur të ardhurat nga TAP duket se ndikohet nga normat e larta të informalitetit të punës, pasi të ardhurat nga aktivitetet informale duket se e shmangin tatimin direkt.
Ndërsa flasim për një model që vlen për këto vende është kohë e përshtatshme që konsultimet në kuadër të ligjeve të reja të tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin të marrin parasysh pikërisht taksimin e të ardhurave personale si një tatim edhe të të ardhurave familjare, për ti shërbyer më mirë hartimit të një skeme më gjithpërfshirëse dhe më të drejtë në krahasim me skemën aktuale, që ka boshllëqe, pabarazi dhe nxitje për korrupsion dhe evazion, përfshirë edhe mosparandalimin e pastrimit të parasë (mostaksimi si dhe sa duhet i tatimit mbi kapitalet).
Tatimi mbi fitimin (korporativ) gjithashtu duhet të vlerësohet me kujdes në një qasje që merr në konsideratë si politikat e këtij tatimi në vendet ku Shqipëria kërkon të konkurojë me politikën fiskale, por edhe si një mbështetje të konsiderueshme për tatimin mbi fitimin, që kështu si zbatohet ka të ngjarë të pengojë investimet dhe rritjen e kapitaleve. Reforma do të duhet të fokusohet përveç se në zgjerimin e bazës duke përmirësuar përfitimet tatimore dhe zbritjet për kapitalin e investimeve strategjike, por dhe për të ndihmuar në parandalimin e erozionit të mëtejshëm të bazës.
Një shikim i ligjit që në fillim të vitit 2022 duhet të shikojë stimujt që reduktojnë drejtpërdrejt koston e investimit, si p.sh. amortizimi i përshpejtuar dhe shpenzimet e investimeve, në masën që ato shpërndahen në mënyrë uniforme dhe të bazuar në rregulla për të gjithë investitorët. Njëkohësisht, normat tatimore të bizneseve do të duhet të përputhen me ato të vëzhguara në rajon përsa i përket lehtësive dhe përjashtimeve, për të qenë konkuruesë dhe më nxitës në këtë drejtim.
Taksimi i rentës minerare të lidhur me burimet natyrore mund të trajtohet duke mbajtur regjime të veçanta fiskale si të përshtatshme, por që duhen azhornuar në raport me analizën e kostos dhe përfitimit të dyanshëm, buxhetit dhe biznesit.
TVSH-ja, si burimi kryesor i të ardhurave mund të përmirësohet duke trajtuar normat e reduktuara dhe përjashtimet për ta bërë atë një burim më të thjeshtë dhe më efikas të të ardhurave tatimore, veçanërisht për ato përjashtime që nuk kanë rezultuar me objektivat buxhetore dhe ekonomike për të cilat u miratuan. Ndërsa informaliteti dhe pabarazia mbeten pengesa kryesore për zgjerimin e bazës tatimore është me vend që Ministria e Financave të fillojë të ndërtojë kalendarin e dialogut me të gjithë faktorët që lidhen me biznesin dhe politikën, për të mos nxituar në momentet e fundit për të shpallur politika të njëanshme. Kjo qasje mund të ndihmojë në lehtësimin e k sfidave duke nxitur formalizimin. Ndërsa vlerësimet e të ardhurave shtesë nga zbatimi i TVSH-së sipas sfidës dixhitale të shitjeve dhe blerjeve online duken modeste (në mungesë të një analize specifike nga MF), taksimi i vetë sektorit të shitjeve online edhe pse trajtohet si të tjerët në ekonomi është kritik për të shmangur erozionin e bazës tatimore, për përmasat që mund të marrë pas pandemisë.
Sipas analizave dhe raporteve nga shtete të ndryshme, taksat e konsumit janë neutrale ndaj rritjes së investimeve, meqenëse ato përjashtohen nga baza e tatimit. Kjo do të thotë se tatimet e konsumit kanë nevojë të administrohen nëpërmjet normave standarte, me sa më pak norma të reduktuara dhe përjashtime pasi vlen që të ndikohet rritja e të ardhurave përmes një norme uniforme dhe një baze të gjerë tatimpaguesish. Politika aktuale me përjashtime të shumta dhe lehtësira që nuk kanë kuptim rentabiliteti ekonomik nuk është në sinkron me çfarë përmendet në politikat e suksesshme ndërkombëtare.
Gjithashtu, bazat e ngushta të tatimeve të tjera për shkak të problemeve të zbatimit dhe korrupsionit, përjashtimeve, stimujve tatimorë dhe normave të reduktuara janë mangësi kritike të sistemit që vijojnë të mbajnë të pasigurt ambjentin e të bërit biznes dhe ndikojnë me efektin e tyre në rritjen ekonomike.
Të gjitha këto elementë përfundimisht e bëjnë sistemin më kompleks dhe reduktojnë efikasitetin e taksimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.