Paketa Fiskale 2020 në Shqipëri – Të rejat dhe ndryshimet
Në plotësimin e politikave për minimizimin e ekonomisë informale në vendin tonë, të përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave tatimore, por edhe në këndvështrimin e përshtatjes së legjislacionit tatimor në të njëjtin drejtim me zhvillimet teknologjike, në funksion të veçantë të zbatimit të mekanizmit që njihet sipas nismës ligjore me emrin e projekt-ligjit si “Përmirësimi i modulit të menaxhimit të kontrolllit të faturimit (fiskalizimi)” është prezantuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë edhe një grup ndryshimesh ligjore që prekin si ligjin e procedurave lidhur me faturën tatimore dhe shërbimet që lidhen me të, por edhe kapitullin e ligjit të TVSH, që përshkruan faturën tatimore me TVSH dhe dokumente të tjera të lidhura me të, si dhe në ligjin e tatimit mbi të ardhura.
Aktualisht, dispozitat që parashikojnë elementet e faturës tatimore, mënyrën e faturimit, si dhe kontrollin e transaksioneve me para në dorë, nëpërmjet sistemit të pajisjeve fiskale, janë të parashikuara në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Meqenëse ligji për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit do të ndryshojë sistemin e faturimit e të monitorimit të transaksioneve, atëherë lind nevoja për ndryshime në dispozitat përkatëse të ligjit nr.9920/2008.
Për herë të parë në Paketën Fiskale 2020 përfshihet krijimi i deklaratës së TVSH-së automatike, ku taksapaguesit i mbetet tashmë vetëm çertifikimi i saj apo korigjimi në rast se nuk ka deklaruar saktë në librat e shitjes dhe të blerjes.
Ndërkohë, një lehtësim në rutinën e përditshme të lidhur me situatën e mungesës së likujditetit, është dhënë në lidhje me kompensimin e detyrimit tatimor me gjendjen kreditore të TVSH-së, e cila shfryn si këtë të fundit, por nga ana tjetër lehtëson edhe cash flow të taksapaguesve në situatën kur ka mungesë apo pamjaftueshmëri likujditeti.
Gjithashtu, për herë të parë ndodh edhe nxitja dhe incentivimi si i industrisë automotive duke bërë një reduktim të normës së tatim fitimit me 3 herë dhe duke e zbritur në 5%, por nga ana tjetër përjashton nga TVSH edhe automjetet me motorr elektrik duke nxitur importin e makinave që nuk ndotin ambjentin, por edhe shtojnë një vlerë më shumë në ekonomi.
Nxitja e investimeve në sektorin e industrisë automotive do të kontribuojë edhe në rritjen e numrit të bizneseve që operojnë në këtë fushë, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Një nga efektet e pritshme të ndrysimeve në ligjin e tatimit mbi të ardhurat është dhe përmirësimi i situatës në fushën e sportit nëpërmjet lehtësirave të parashikuara. Incentiva që propozohet është për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, në lidhje me shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, të cilat për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar.
Por edhe për investitorët e mëdhenj është menduar një tjetër politikë e dedikuar ku ato biznese, të cilët investojnë në projekte biznesi mbi 1 miliard lekë, mbartjen e humbjeve do ta kenë për një periudhë 5-vjeçare. Kjo qasje propozohet pasi këto investime me vlera të konsiderueshme dhe që përgjithësisht kanë një shtrirje të konsiderueshme në kohë, të kenë mundësi që humbjet e rezultuara t’i mbulojnë me fitimet në pesë periudhat e ardhshme tatimore.
Ndërkohë, nisur nga një shqetësim për prishje të barazisë na taksim rezulton se numri i punëmarrësve që janë të punësuar në më shumë se një vend pune për vitin 2018 është 31,737 punonjës dhe për 9-mujorin e vitit 2019 është 35,558 punonjës. Nisur nga konstatimi dhe llogaritjet e administratës tatimore, ku cilësohet se kjo formë e punësimit në dy vende ka shërbyer për shmangie të taksës progresive mbi pagën është propozuar të hiqet përjashtimi për mosdeklarim të DIVA, për këta individë të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës edhe pse nuk e plotësojnë kriterin e të ardhurave vjetore mbi 2 milionë lekë në vit.
Me ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare është adresuar shqetësimi lidhur me saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushë një automjet për t’u konsideruar automjet luksi, duke e amortizuar vlerën e automjetit me 10% me vlerë të mbetur, si dhe shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për t’u përjashtuar nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura.
Më poshtë janë paraqitur ndryshimet ligjore, që do të hyjnë në fuqi nga Janari 2020, ku fillimisht janë procedurat tatimore, të pasuara nga TVSH, Tatimi mbi të ardhurat dhe në fund janë ndryshimet për Taksat kombëtare.
PAKETA FISKALE 2020 PROCEDURAT TATIMORE
Për herë të parë në 2020 | Ndryshime/Përmirësime në 2020 | Sqarimi | Hyrja në fuqi |
Ndryshim në nenet ku përmendet terminologji për faturën tatimore, si dhe shfuqizim të neneve që përshkruajnë faturën tatimore; lëshimin e faturës tatimore; prodhimin dhe shpërndarjen e faturës tatimore; faturën tatimore të përgatitur nga blerësi; kuponin tatimor; detyrimin për përdorimin e pajisjeve fiskale dhe për vendosjen e sistemeve të monitorimit të qarkullimit; kontrollin e sistemit automatik të mbledhjes së të dhënave të pajisjeve fiskale. | Nisur nga efekti që do të japë ligji për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit duke ndryshuar sistemin e faturimit e të monitorimit të transaksioneve, atëherë janë reflektuar ndryshime në ligj (neni 41, 46, pika 4 te neni 57, neni 58, 71, 80). Shfuqizimi i pikës 3, neni 48, si dhe të neneve 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55 dhe 56 | Janar 2020 | |
Kufizohet ndryshimi i deklaratës nga tatimpaguesi me vetëm 1 herë, si dhe janë unifikuar dispozitat e ligjit për tatimin me të ardhurat lidhur me ndryshimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave. Për deklaratën tatimore “Listëpagesë e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatim mbi të ardhurat personale nga punësimi”, tatimpaguesi ka të drejtë ta korrigjojë vetëm 1 (një) herë brenda muajit të parë pas deklarimit. Individi tatimpagues ka të drejtë të korrigjojë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave” për saktësim, deri në dy herë pa u penalizuar, brenda 3 (tre) muajve nga dorëzimi i deklaratës. | Ndryshimi i deklaratës brenda 36 muajve nuk ka patur kufizim për ndryshime të saj. Ky ndryshim është bërë të neni 67 i Ligjit. Përjashtimisht përcaktimit të paragrafit të parë, të kësaj pike, një deklaratë e kontrolluar mund të ndryshohet nga tatimpaguesi në çdo rast kur ai ka për të deklaruar një detyrim tatimor më të madh se detyrimi që ka rezultuar nga kontrolli | Janar 2020 | |
Shtohet edhe mundësia e kompensimit të detyrimeve tatimore me gjendjen kreditore që mund të ketë një tatimpagues | Ndryshim te neni 75 shtohet pika 4 duke e mundësuar ndryshimin vetëm pas miratimit të titullarëve të institucioneve përgjegjëse për mbledhjen e detyrimeve tatimore | Janar 2020 | |
Me kërkesë të administratës tatimore, marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet edhe për detyrime që administrata tatimore ka ndaj tatimpaguesve në raste të veçanta, të tilla si: kërkesa të miratuara për rimbursimin e TVSH-së, pasi më parë palët kanë rënë dakord për planin e pagesave me këste të këtij detyrimi. | Shtim pike ½ te neni 75/1, ku përcaktohet se detyrimi i administratës tatimore ndaj tatimpaguesit konsiderohet i shlyer dhe nuk aplikohen kamatë-vonesat. Procedurat dhe kriteret për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Parashikimet e kësaj pike zbatohen deri më 30.06.2021 | Janar 2020 | |
Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore si rezultat i një vlerësimi tatimor të kryer, sipas nenit 68, të këtij ligji, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi. Pavarësisht sa më sipër, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste, për detyrim tatimor mbi të ardhurat, të mbajtur në burim dhe të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, si dhe për detyrim nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, i cili është llogariturose mbledhur, ose mbajtur prej tatimpaguesit. Përjashtimisht, në rastet kur në cilësinë e tatimpaguesit janë institucione apo ente shtetërore apo publike, qendrore apo vendore, apo ente të tjera ku shteti është palë, për raste të një interesi të lartë publik ose të nevojës për moslejimin e cenimit të rendit e të sigurisë kombëtare, mund të lidhet një marrëveshje me këste edhe për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Marrëveshja me këste nuk lehtëson pozitën ligjore të personit përgjegjës në rastet e prezumimit apo të konsumimit të veprës penale të parashikuar ligjërisht lidhur me detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. | Ndryshim neni 77. Është shtuar tipi i detyrimeve për të cilat tatimpaguesi mund të hyjë në marrëveshje me këste, duke synuar uljen e borxhit tatimor | Janar 2020 | |
Njoftimi i kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën 10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor të shkruar në njoftim. Njoftimi i vizitës fiskale i dërgohet tatimpaguesit të paktën 5 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të vizitës fiskale. Njoftimi i kontrollit tatimor i lëshimit të faturave i dërgohet tatimpaguesit të njëjtën ditë kur fillon kontrolli tatimor në vendndodhjen e biznesit të tatimpaguesit. | Ndryshime te neni 80 dhe 83, ku afati i njoftimit për kontroll shkurtohet nga 30 ditë në 10 ditë, si dhe afati për njoftim për vizitë fiskale shkurtohet nga 10 ditë që ishte në 5 ditë. Shtohen pikat 7,8,9,10 te Neni 80 dhe 83 ku synohet forcimi kontrollit dhe raportimit me rastin e zbatimit të faturës elektronike dhe forcimin e kontrolleve pa njoftim paraprak ne raste flagrancash dhe informacionesh që vijnë nga burime të palëve të treta dhe ku vonesat cenojnë zbulimin në flagrancë të shkeljeve penale. | Janar 2020 | |
Deklarimi si i pambledhshëm, të detyrimit tatimor apo të një pjese të tij, për shuma nga 1 milion lekë deri në 5 milionë lekë | Ndryshim në nenin 103, me qëllim menaxhimin më efektiv të borxhit tatimor | Janar 2020 | |
Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me udhëzim të përbashkët, përcaktojnë procedurat që do të zbatohen për efekt të regjistrimit të fitimit të pronësisë mbi një pasuri të paluajtshme të konfiskuar nga administrata tatimore sipas aktit administrativ të konfiskimit dhe procedurat që do të zbatohen për shitjen e tyre në ankand. | Ndryshim në nenin 96, ku nisur nga fakti se deri më sot, ende nuk ka një procedurë të qartë e të zbatuar për fitimin e pronësisë të pronave të konfiskuara tatimpaguesve debitor synohet adresimi për zgjidhje | Janar 2020 | |
Parashikohen penalitete në rast të shkeljeve që lidhen me dokumentimin tatimor dhe transmetimin e shitjeve me para në dorë, dispozita që janë propozuar të ristrukturohen në përputhje me ndryshimet e propozuara në projektligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit | Ndryshime të masës së penaliteteve në nenet 122, 123, 124, 124/1, 125, 128/1, 129. Penalitetet janë rishikuar dhe rikonceptuar duke synuar harmonizimin dhe unifikimin e tyre lidhur me kundërvajtjet administrative me natyrë të njëjtë. | Janar 2020 |
PAKETA FISKALE 2020 TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR
Për herë të parë në 2020 | Ndryshime/Përmirësime në 2020 | Sqarimi | Hyrja në fuqi |
Krijimi automatik i Deklaratës së TVSH-së nga autoriteti tatimor, bazuar në informacionin e dhënë në librin e blerjeve dhe në librin e shitjeve | Ndryshim neni 106, si efekt i reformës së fiskalizimit | Janar 2020 | |
Ndryshimi i datës nga 14 në 10, për lëshimin e faturës nga ana e marrësit të furnizimit (reverse-charge) | Janar 2020 | ||
Dokumente tatimore të thjeshtuara hiqen | Shfuqizim neni 102 | Janar 2020 | |
Mospërdorimi i kuponit tatimor si dokument tatimor justifikues për rastet e eksportimit të mallrave prej udhëtarëve që dalin jashtë Shqipërisë | Ndryshim te neni 58, duke harmonizuar konceptin e faturës elektronike me atë të parashikuar në ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit | Janar 2020 | |
Përjashtohet nga TVSH furnizimi i automjeteve vetëm me motor elektrik, të reja, me zero km, që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër | Mbrojtja nga ndotja e ambjentit dhe nxitje e përdorimit të energjisë së rinovueshme (neni 51) | Janar 2020 | |
Riformulimi i termit të Faturës elektronike, faturimit sipas fjalorit të ligjit të fiskalizimit | Ndryshim te neni 95, 96, si përshtatje me reformën për fiskalizimin | Janar 2020 | |
Hiqet kufiri moslëshimit të faturës për furnizime të mallrave ose shërbimeve me vlerë maksimale deri 40 000 lekë duke e kërkuar lëshimin e faturës për çdo furnizim tjetër të mallrave ose shërbimeve, pavarësisht vlerës së furnizimit | Ndryshim te neni 98, si përshtatje me reformën për fiskalizimin | Janar 2020 | |
Shtohen të dhënat që duhet të përmbajë fatura tatimore, duke kërkuar të shënohet vendin dhe orën në momentin e lëshimit | Ndryshim te neni 101, si duke harmonizuar konceptin e faturës elektronike me atë të parashikuar në ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit | Janar 2020 | |
Fatura tatimore prej 2020 mund të lëshohet edhe në mënyrë elektronike, përveç formatit letër duke referuar edhe kriteret sipas ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit duke lënë edhe një kohë tranzitore që përcaktohet në këtë ligj të ri | Ndryshim te neni 104, 105 si përshtatje me reformën për fiskalizimin | Përgjatë vitit 2020 |
PAKETA FISKALE 2020 TATIMI MBI TË ARDHURAT
Për herë të parë në 2020 | Ndryshime/Përmirësime në 2020 | Sqarimi | Hyrja në fuqi |
HIQET përjashtimi për mosdeklarim të DIVA, për individët të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës edhe pse nuk e plotësojnë kriterin e të ardhurave vjetore mbi 2 milionë lekë në vit | Ndryshim te pika 4, neni 13. Individët e dy punësuar deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave (DIVA), në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit | Janar 2020 | |
Fjalët “Fatura tatimore me TVSH, fatura e thjeshtë tatimore” zëvendësohen me fjalën “fatura”, | Ndryshim fjalësh te neni 20, me qëllim harmonizimin e dispozitës me ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit | Janar 2020 | |
Për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, shumat e sponsorizuara, brenda kufijve të parashikuar në ligjin nr.7892, datë 21.12.1994, “Për sponsorizimet”, të ndryshuar, për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar. | Ndryshim i gërmës j., neni 21 i Ligjit. Ky stimulim për njohje shpenzimesh të zbritshme aplikohet pas lëshimit të “Autorizimit të sponsorizimit” nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat. Nuk lejohet mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme. | Janar 2020 | |
Për tatimpaguesit, të cilët investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë, në rast se fitimi i tatueshëm në një periudhë tatimore rezulton negativ, humbjet e rezultuara mund të mbulohen me fitimet në pesë periudhat e ardhshme tatimore, sipas parimit “humbja e parë më përpara se ajo e fundit” | Shtim pike te neni 27, duke harmonizuar konceptin e faturës elektronike me atë të parashikuar në ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit | Janar 2020 | |
Personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet në industrinë automotive, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5% | Shtim pike te neni 28 me synim të nxitjes së zhvillimit të një sektori pothuajse të ri për ekonominë shqiptare | Janar 2020 |
PAKETA FISKALE 2020 TAKSAT KOMBËTARE
Për herë të parë në 2020 | Ndryshime/Përmirësime në 2020 | Sqarimi | Hyrja në fuqi |
Propozohet që të shtohet në shkronjën “b” së vlera e automjetit do të amortizohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur dhe vlera e shitjes së automjeteve të klasifikuara si “Automjet luksoz” nuk mund të jetë më e vogël se vlera e mjetit të amortizuar sipas amortizimit të lartpërmendur Ndryshimet e propozuara synojnë, që në shkronjën “b” parashikohet që vlera e automjetit do të amortizohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur. Gjithashtu, është parashikuar se vlera e shitjes së automjeteve të klasifikuara si “Automjet luksoz” nuk mund të jetë më e vogël se vlera e mjetit të amortizuar sipas amortizimit të lartpërmendur | Ndryshime të nenit 2, pika 5, ku përcaktohet përkufizimi i “Automjet luksoz”. Ky ndryshim synon saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushë një automjet për t’u konsideruar automjet luksi. Aktualisht, në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, si dhe në pikën 2.11, të udhëzimit të ministrit të Financave nr.26, datë 4.9.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, përcaktohet se “Automjet luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme: a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë. | Janar 2020 | |
Ndryshime në penalitet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura me gjoba të vendosura për detyrime tatimore të së njëjtës natyrë, të parashikuara në ligjin për procedurat tatimore. | Ndryshime në pikën 3, të nenit 4, “Niveli i taksave kombëtare”, ku ndër të tjera unifikohet përqindja e të ardhurave vjetore nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura që i kalojnë pushtetit vendor me përcaktimet e ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. | Janar 2020 | |
Propozohet rritje të komisionit që përfiton DPSHTRR-ja, prej pesë për qind për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Në nenin 8, pika 2, shkronja “g”, aktualisht përcaktohet se për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze, zero për qind. | Ndryshime të nenin 8, ku përcaktohen “Komisionet që përfitojnë agjentët e taksave”. Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, taksa e regjistrimit fillestar dhe taksa e përvitshme për automjetet luksoze bëhet pesë për qind. | Janar 2020 | |
Propozohet shtimi i kategorisë së personave me aftësi të kufizuara për t’u përjashtuar nga taksat vjetore të mjeteve të përdorura dhe përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi. | Shtesa te neni 9 “Përjashtimi nga pagimet e taksave kombëtare”. Në ligjin në fuqi përcaktohet në pikën 1, shkronja “ç”, të nenit 9, “autoveturat tip deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse, dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale e jo për veprimtari private”. | Janar 2020 | |
Propozohet për përjashtimin e automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi. Kjo nismë ligjore vjen në përputhje dhe me programin politik të qeverisë, përkatësisht të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim 2014-2020 dhe mund të nxisë zhvillimin e sektorit të mekanikës, duke nxitur më shumë të rinjtë që t’i drejtohen shkollave profesionale duke u kualifikuar në rregullimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve rrugore të hershme. | Synohet një impakt kulturor dhe social për të apasionuarit e automobilizmit brenda dhe jashtë vendit. Në vështrim të turizmit, Shqipëria mund të ofrojë një flotë mjetesh nga vendet e Lindjes që nuk gjenden në regjistrat e shoqatave perëndimore të automobilizmit. | Janar 2020 |
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.