Një udhëtim brenda “lavanderisë” shqiptare: Çfarë na tregon studimi i ri?

Një udhëtim brenda “lavanderisë” shqiptare: Çfarë na tregon studimi i ri?

Kur lexuesi hap këtë studim, ai ftohet të hyjë në një botë që shpesh mbetet e fshehtë për syrin e zakonshëm: botën e pastrimit të parave në Shqipëri. Nuk është një fenomen i izoluar, thjesht krim financiar, por një industri që funksionon brenda ekonomisë dhe përmes saj, një ekonomi brenda ekonomisë po lulëzon.

Studimi Brenda lavanderisë së pastrimit të parave nis nga realiteti i zakonshë. Megjithëse Shqipëria u hoq nga lista gri e FATF në 2023, duke u paraqitur si një triumf politik dhe një dëshmi forcimi të standardeve financiare, realiteti i viteve 2024–2025 tregon se kjo “pastërti formale” nuk ka frenuar fenomenin.

Në të vërtetë, pastrimi i parave është zhvendosur drejt zonave ku kontrolli institucional është më i dobët, ku teknologjia hap rrugë të reja, ku tregu informal ofron mundësi, si dhe ku kapitali kriminal gjen strehë të sigurt.

Studimi ndjek këtë rrjedhë me një sy kritik dhe metodik.

Ai shpjegon se pasuritë e paluajtshme mbeten kanali kryesor absorbues, ndërsa kriptovalutat dhe fintech-u ofrojnë mjete anonimiteti të sofistikuara. Call center-at, mashtrimet transnacionale dhe rrjetet informale si Hawala krijojnë korridore financiare jashtë çdo mbikëqyrjeje. Njëkohësisht, investimet e shpejta urbane dhe ndërtimet masive shtojnë transaksione të mëdha pa pyetur shumë për burimin e kapitalit.

Por ajo që e bën këtë fenomen të veçantë është ndikimi i politikave publike.

Përmes amnistive fiskale, fshirjeve të detyrimeve dhe deklarimeve të pasurive pa burim të verifikuar, vendi ka krijuar një klimë tolerimi ku kapitalet e padeklaruara trajtohen si mundësi për rritjen e të ardhurave buxhetore, jo si rrezik për integritetin financiar.

Nisma e fundit e “paqes fiskale” është vetëm një hap më tej në këtë drejtim, duke hapur derë për fondet e padeklaruara të hyjnë në ekonomi të maskuara.

Në këtë kontekst, studimi argumenton se Shqipëria është futur në një fazë të re të pastrimit të parave.

Është një fenomen i ndikuar nga teknologjia që përshpejton lëvizjen e kapitalit, nga industria e ndërtimit që thith para pa pyetur për origjinën, nga emigracioni ekonomik që krijon një perde justifikimi, dhe nga dobësitë e institucioneve që lejojnë hapësira të mëdha veprimi. Për më tepër, interesi i shtetit për të maksimizuar të ardhurat, ndonjëherë duke mbyllur njërin sy, ushqen indirekt këtë cikël.

Lexuesi i këtij studimi nuk merr vetëm informacion për fenomene të fshehta, por edhe një kuptim të thellë të asaj që autorët e quajnë “lavanderi e gjeneratës së dytë”, një sistem ku kapitalet qarkullojnë më shpejt se kurrë, ku transaksionet maskohen lehtësisht, ku aktorët janë ndërkombëtarë dhe ku gjurmët zhduken para se hetimet të nisin.

Kjo nuk është më thjesht krim, por një strukturë që ka gjetur mënyrën të jetojë, të zgjerohet dhe të përshtatet me çdo reformë që synon ta godasë.

Në fund, mesazhi është i qartë!

Për të kuptuar pastrimin e parave sot në Shqipëri, duhet të shikojmë jo vetëm kanalet kriminale, por edhe institucionet, politikat, tregun dhe përfitimet që secili prej këtyre aktorëve nxjerr nga sistemi.

Ky studim ofron këtë pamje të plotë, duke u bërë një udhërrëfyes i domosdoshëm për çdo lexues që dëshiron të kuptojë jo vetëm fenomenin, por edhe kompleksitetin e tij shoqëror, ekonomik dhe politik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.