Ndryshimet e mëdha në taksim vs. Ndryshimet e mëdha në politikë
Ndryshimet e mëdha në legjislacionin tatimor, në përgjithësi kërkojnë ndryshime të mëdha, si në realitetin politik të një vendi, po ashtu edhe në kushtet e tij ekonomike. NË kohë normale, një reformë e mirë tatimore, për shembull një e tillë që ka qëllim për të rritur më shumë të ardhurat në një mënyrë më efikase dhe të drejtë duhet të jetë si një rrip sigurie i mbështjellë mirë pas trupit. Në qoftë se çdo rrethanë tjetër mbetet e njëjtë përgjatë një udhëtimi, atëherë edhe jetët e pasagjerëve do të jenë të sigurta (barra tatimore do të rritet për të gjithë në proporcion të drejtë).
Kjo është ajo që kërkon një reformë e mirë. Megjithatë, asnjëherë rrethanat nuk qëndrojnë të njëjta. Nëse vijojmë me shembullin më lart, disa njerëz ecin më shpejt me makinë. Edhe pse ata janë të lidhur me rrip statistikat e aksidenteve tregojnë pak ndryshime (barra tatimore). Vendet mund të priren për të arritur një pozicion ekuilibri në lidhje me madhësinë dhe natyrën e sistemeve të tyre fiskale duke reflektuar balancën e forcave politike dhe institucioneve publike. Pas arritjes së këtij ekuilibri politik, social dhe ekonomik, ato qëndrojnë në këtë situate të balancuar deri në tronditjen e saj drejt vendosjes së një ekuilibri të ri. Dy shpjegime alternative mund të qëndrojnë prapa këtij procesi.
Megjithëse deri diku e pamundur një alternativë lidhet me faktorët (kapacitetet) që mund të ndryshojnë me kalimin e kohës në mënyrë të tillë që të kompensojnë të gjitha përpjekjet për të rritur barrën tatimore. Alternativa tjetër, që është më e mundur lidhet me nivelin e duhur midis vendosjes së një barre tatimore në balancë me kërkesën dhe kapacitetet, të cilat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Disa fakte që do të përmenden mbështesin më shumë qëndrimin e fundit.
Për shembull, dy synimet kryesore të qarta të politikës tatimore të periudhës pas luftës së dytë botërore në shumicën e vendeve në zhvillim ishin, së pari, për të rritur të ardhurat për të financuar shtetin si motor i zhvillimit dhe së dyti, për të rishpërndarë të ardhurat dhe pasurinë. Edhe atëherë, njësoj si tani të ardhurat dhe pasuria ishin të shpërndara dukshëm në mënyrë të pabarabartë. Kështu që, nevoja për kompensimin e bilancit nëpërmjet buxhetit dukej e qartë për shumicën e analistëve. Në të vërtetë, si të ardhurat dhe rishpërndarja ishin menduar në përgjithësi, të arriheshin më së miri duke imponuar norma efektive tatimore të larta mbi të ardhurat, kryesisht për shkak se efektet demoralizuese të taksave ndaj investimeve dhe kursimeve konsideroheshin të ishin të vogla.
Në të vërtetë, një shmangie nga normat tatimore të larta argumentohej ndonjëherë se e bënte më të lehtë vetëm për orientimin e investitorëve privatë me anë të stimujve fiskalë të mirë projektuar në ato kanale të ekonomisë, që ishin më shumë të nevojshëm për qëllimet e zhvillimit ekonomik. Opinioni më i pranuar në atë kohë ishte në thelb se të gjitha vendet në zhvillim duhet t’i zgjidhnin problemet e tyre fiskale duke mësuar si të taksonin. Kuptimi i kësaj filozofie taksimi përfshinte në qendër të saj pikërisht taksimin progresiv në mënyrën e duhur. Gjithsesi, pikëpamjet mbi rolin dhe strukturën e përshtatshme të taksimit filluan të ndryshonin në vitet 1970 – 1980.
Deri në 1990, shumica e ekonomistëve dhe politikë bërësve besonin se normat e larta tatimore (sidomos mbi të ardhurat) jo vetëm dekurajonin dhe shtrembëronin aktivitetin ekonomik, por ishin kryesisht të paefektshme në rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë. Duke reflektuar këtë orientim të ri fiskal, normat e tatimit mbi të ardhurat mbi individët dhe korporatat në këto dy dekada të fundit janë ulur ndjeshëm dhe tani janë pothuajse universalisht në shumë vende të botës dhe kryesisht në vendet e Ballkanit në nivelet midis 9% deri 20%.
Nga ana tjetër, duke reflektuar në të vërtetë në një farë mase tendencat e normave tatimore, TVSH-ja tani është shtyllë e sistemit të të ardhurave në rajon, si edhe në mbarë botën në përgjithësi. Por edhe faktorë të tjerë kanë qenë në lojë gjithashtu.
Për shembull, taksat mbi tregtinë ndërkombëtare kanë rënë me liberalizimin e tregtisë dhe anëtarësimit në OBT.
Së bashku me rritjen e konkurrencës për investimet e huaja, shqetësimi i politikës në nivel ndërkombëtar ka qenë për të lëvizur nga fundi në krye planet e përbashkëta të veprimit mbi koordinimin e politikave tatimore. Në të njëjtën kohë në shumë vende një çështje e re ka një rëndësi më të madhe në menynë fiskale. Decentralizimi i sistemit fiskal tashmë është bërë një çështje për tu adresuar sa me afër komunitetit duke u nisur nga nevoja e krijimit të nënsistemeve të duhura dhe të balancuara me sistemin qendror. Politika e taksave është pra shumë e ndryshme në shumë aspekte në dekadën e dytë të këtij shekulli, madje edhe më e ndryshme se sa ajo ishte në mes të shekullit të kaluar. Idetë për politikat e taksave kanë ndryshuar në mënyrë të qartë me kalimin e kohës.
Por, a kanë ndryshuar gjithashtu edhe institucionet dhe interesat?
Idetë marrin rëndësi në momentin dhe vendin, kur ato gjejnë hapësirën për tu prezantuar për zbatim.
Dyzet vjet më parë, M. Best analizoi politikën tatimore të Amerikës Qendrore. Ai argumentoi se në parim ndryshimet në strukturën e nivelit të taksave (p.sh., vënia e theksit të politikës te tatimi mbi të ardhurat) në thelb reflektonte balancën e ndryshimit politik të pushtetit ndërmjet pronarëve të tokave, kapitalistëve, punëtorëve dhe fshatarëve. Kështu, p.sh. Regjimet e majta apo autoritare me tipare të ngjashme ekonomike të një vendi në industrializim e sipër reflektojnë në mënyrë shumë të ngjashme këto tipare dhe parime në ndërtimin e politikave të tyre tatimore. Shembuj mund të gjenden si në vendet e Ballkanit, Evropës Lindore, po ashtu edhe në Amerikën Qendrore (Nikaragua) dhe Afrikë.
Çfarë ndodhi me taksat, p.sh. Në Nikaragua?
Tri gjëra.
Së pari, barra tatimore u rrit shumë shpejt nga 18% në 32% të PBB-së brenda pesë viteve të para të regjimit Sandinist.
Së dyti, pothuajse e gjithë rritja e të ardhurave tatimore u arrit nga tatimet indirekte dhe jo nga tatimi mbi të ardhurat progresive (të paktën formalisht).
Së treti, dhe ndoshta edhe mënyra më interesante është fakti se pasi barra tatimore e Nikaraguas u rrit, ajo qëndroi në nivele të njëjta edhe një dekadë më pas, megjithëse regjimi Sandinist ishte përmbysur. Siç tregon edhe ky shembull, idetë politike kanë rëndësi të padiskutueshme në modelimin e taksave, por ato jo domosdoshmërisht duhet të dominojnë. Realitetet ekonomike dhe administrative gjithashtu kanë rëndësinë e tyre në procesin e zbatimit të modeleve tatimore. Realiteti fiskal, i cili gjendet në çdo moment në çdo vend reflekton një përzierje të ideve, interesave dhe institucioneve. Vetëm disa struktura tatimore në botë janë modeluar me objektiva të veçantë që në fillimet e tyre.
Në më të shumtën e historive tatimore, ato shpesh janë përshtatur sipas formateve të ambienteve ekonomike vendase të kombinuara me kontekstin që ofronin modelet e vendeve përreth apo të vendeve që janë ofruar të ndërtojnë modelet që kanë funksionuar për ta. Deri tani, megjithatë realiteti në drejtim të politikave tatimore dhe shpërndarjes së barrës tatimore duket se ka ndryshuar më pak se idetë dhe politikat se si duhet të jetë modelimi tatimor.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.