Motorri i ekonomisë së Ballkanit Perëndimor po fiket dhe hendeku me Europën po zgjerohet
Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë një rajon i lidhur ngushtë me fatin e Evropës dhe zhvillimet globale.
Pas dekadash të përpjekjeve për të kapërcyer trashëgiminë e konflikteve dhe për t’u integruar në strukturat evropiane, motorri i konvergjencës ekonomike që ka nxitur komunitetet, vendet dhe standardet e jetesës në rajon po tregon shenja të qarta ngecjeje.
Kjo ngecje nuk është thjesht pasojë e sfidave të brendshme, por pasqyron ndërveprimin kompleks midis integrimit rajonal të papërfunduar, tregjeve fragmentare dhe sfidave të konkurrencës globale, ku ndikimi i superfuqive, investimet strategjike dhe ndryshimet e tregut global luajnë një rol vendimtar.
Ballkani Perëndimor nuk po vepron në një ambjent të imunizuar nga ndikimet jashtë BE-së.
Nga Lindja dhe Veri, ndikimi i Rusisë përmes informacionit, varësive energjetike dhe kërcënimeve hibride vazhdon të minojë stabilitetin politik dhe besueshmërinë e institucioneve.
Në të njëjtën kohë, investimet strategjike kineze dhe të tjera nga grupi BRICS në infrastrukturë, energji dhe industri ofrojnë mundësi zhvillimi, por po rrisin varësinë nga faktorë jashtë BE-së dhe mund të shkaktojnë presione të papritura tregtare.
SHBA vazhdon të luajë një rol kyç, duke ofruar stabilitet politik dhe mbështetje në investime dhe teknologji, duke ndihmuar rajonin të zvogëlojë varësinë nga aktorët e tjerë dhe të përshpejtojë përafrimin me standardet evropiane.
Ndërkohë, krizat globale, ndërprerjet në tregjet e energjisë, lëvizjet e kapitalit dhe ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e rajonit.
Ngadalësimi i remitancave dhe rrjedhave të investimeve të huaja direkte mund të kushtojë p.sh. Shqipërisë dhe Kosovës rreth 0.5 për qind të PBB-së vetëm këtë vit, duke i shtuar mbi humbjet e shkaktuara nga emigracioni i lartë dhe vulnerabilitetet klimatike.
Nga këndvështrimi social dhe demografik, emigracioni i të rinjve dhe mungesa e vendeve të punës me vlerë të shtuar po krijojnë presion të madh mbi sistemet sociale dhe ekonomike.
Me politika që shihet se kanë një fokus të cunguar në arsim, inovacion dhe punësim, rajoni po rrezikon të humbasë “dividendin demografik” dhe të vazhdojë ciklin e emigracionit masiv, duke dobësuar më tej bazën fiskale dhe sociale.
Këto sfida po prekin jetën e përditshme, nga çmimet e energjisë te mundësitë e punësimit. Bashkëpunimi rajonal, transparenca dhe angazhimi i qytetarëve janë instrumente kyçe për ndërtimin e kapaciteteve rezistente ndaj goditjeve të jashtme dhe për konsolidimin e një mjedisi ekonomik funksional. Megjithatë, zbatimi i tyre ka qenë i fragmentuar dhe i ngadaltë, i penguar nga mospërputhjet institucionale dhe mungesa e vullnetit politik, çka i ka lënë këto objektiva më shumë në nivel strategjik sesa operacional.
Të dhënat ofrojnë një tablo të qartë për dinamikën aktuale të konvergjencës në Ballkanin Perëndimor.
Në terma relativë, pesha ekonomike e rajonit në raport me Bashkimin Europian mbetet modeste dhe në disa dimensione po shfaq shenja erozioni strukturor.
Në fillim të viteve 2010, në kulmin e valës së parë të zgjerimit drejt Europës Juglindore, Prodhimi i Brendshëm Bruto i kombinuar i Ballkanit Perëndimor përfaqësonte rreth 0.5 për qind të PBB-së së BE-së, duke reflektuar një bazë të ngushtë ekonomike, por me potencial real konvergjence.
Sot, megjithëse rajoni ka përjetuar rritje absolute të të ardhurave, konvergjenca mbetet e pjesshme dhe e pabarabartë.
Shqipëria ka arritur rreth 43 për qind të mesatares së BE-së në PBB për frymë në terma të fuqisë blerëse, ndërsa Kosova mbetet në intervalin 25–27 për qind. Ky progres përfaqëson një përmirësim të rëndësishëm në standardin e jetesës, por nuk shoqërohet me një ngushtim të qëndrueshëm të hendekut të zhvillimit, pasi diferencat në produktivitet, kapital njerëzor dhe kapacitet teknologjik mbeten thelbësisht strukturore.
Problemi qendror nuk është më niveli i të ardhurave, por natyra e vetë rritjes ekonomike.
Modeli aktual i zhvillimit në Ballkanin Perëndimor mbështetet në konsum, ndërtim, turizëm dhe remitanca dhe flukse valutore nga burime të ndryshme. Ndërsa, sektorët që gjenerojnë vlerë të shtuar të lartë, eksport konkurrues dhe inovacion teknologjik mbeten ende të dobët.
Ky konfigurim prodhon rritje ciklike dhe të ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme, por jo transformim ekonomik.
Si rezultat, rajoni afrohet me Europën në nivel jetese, por jo në strukturë produktive dhe kapacitet zhvillimor.
Në terma afatmesëm, kjo dinamikë krijon rrezikun e një ngecjeje relative.
Edhe nëse ritmet nominale të rritjes mbeten më të larta se ato të BE-së, diferencat strukturore në produktivitet dhe cilësi institucionale priren të ruajnë hendekun ekzistues. Kjo përkthehet në presion të vazhdueshëm mbi financat publike, vështirësi në financimin e shtetit social dhe pamundësi për të tërhequr investime strategjike afatgjata në sektorë me intensitet kapitali dhe dijeje.
Në këtë kuptim, Ballkani Perëndimor po i afrohet profilit klasik të “kurthit të të ardhurave të mesme”, ku konvergjenca formale nuk shoqërohet me transformim real institucional dhe produktiv.
Kjo situatë e kërkon një ndryshim të qartë në modelin e rritjes drejt produktivitetit, inovacionit dhe integrimit funksional të tregut afrimi me Bashkimin Europian, pasi rrezikon të mbetet më shumë një model statistikor sesa ekonomik.
Produktiviteti mbetet kufizimi themelor.
Mesatarisht, produktiviteti i punës në rajon vlerësohet rreth 27 dollarë për orë pune, kundrejt afro 68 dollarëve në BE. Hendeku bëhet edhe më i thellë në sektorët me intensitet teknologjik, ku mungesa e investimeve sistematike në arsim cilësor, kërkim-shkencë dhe inovacion kufizon aftësinë për të ndërtuar industri konkurruese.
Edhe dinamika e firmave e konfirmon këtë prapambetje. Ekosistemi i startup-eve është relativisht aktiv, por shumica e ndërmarrjeve mbeten të vogla, të pafinancuara dhe të kufizuara në tregje lokale. Kapitalizimi i tregut për firmat e reja është shumë herë më i ulët se në BE, veçanërisht në teknologji dhe industri të dijes.
Rajoni po eksporton më shumë talente sesa po ndërton kapacitete prodhuese, duke funksionuar si furnizues i kapitalit njerëzor për ekonomitë e zhvilluara.
Në rrënjë të kësaj situate qëndron mjedisi institucional.
Fragmentimi i tregjeve dhe mbiregullimi burokratik rrisin kostot e transaksionit dhe e bëjnë të pamundur krijimin e një hapësire ekonomike funksionale. Barrierat rregullatore për tregtinë ndërkufitare janë disa herë më të larta se brenda BE-së, lëvizja e punës mbetet e ngadaltë dhe e kushtueshme, ndërsa tregjet e energjisë dhe financës janë të copëzuara dhe joefikase.
Në këtë konfigurim, ekonomitë e rajonit rriten, por nuk grumbullojnë shkallë, nuk ndërtojnë zinxhirë vlerash dhe nuk krijojnë avantazhe konkurruese afatgjata.
Zgjidhja nuk qëndron në masa të izoluara, por në një ndryshim sistemik të arkitekturës ekonomike të rajonit.
Konvergjenca reale kërkon kalimin nga logjika e tregjeve kombëtare drejt ndërtimit të një hapësire të vetme funksionale rajonale, ku kapitali, puna, teknologjia dhe ndërmarrjet të mund të qarkullojnë pa barriera strukturore.
Vetëm një treg rajonal i integruar mund të krijojë shkallën minimale ekonomike për industri konkurruese, për investime serioze teknologjike dhe për transformim produktiv.
Në këtë kuadër, reformat strukturore nuk janë thjesht teknike, por strategjike.
Ato duhet të synojnë krijimin e institucioneve që prodhojnë parashikueshmëri, uljen radikale të kostove administrative, harmonizimin real të rregullave dhe ndërtimin e mekanizmave të përbashkët për financim, energji, punë dhe inovacion.
Integrimi rajonal nuk duhet parë më si proces diplomatik, por si projekt ekonomik zhvillimor.
Nëse këto reforma realizohen me konsistencë, rajoni mund të kalojë nga një ekonomi e fragmentuar e konsumit në një ekonomi prodhuese të integruar në zinxhirët europianë të vlerës.
Nëse jo, Ballkani Perëndimor rrezikon të mbetet edhe për dekadat e ardhme në një zonë gri zhvillimi, as i varfër, as realisht i zhvilluar, as periferik, as i integruar, pra një hapësirë tranzicioni e përhershëm.
Në thelb, pyetja nuk është nëse rajoni mund të rritet, por nëse mund të transformohet.
Pra, konvergjenca me BE-në nuk është më çështje ritmi, por e natyrës së zhvillimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.