Mosbalancimet fiskale të financave vendore në 2021
Sipas studimit mbi barrën tatimore në 2021, ku përfshihet edhe pjesa e analizës për financat vendore, të ardhurat vendore në vitin 2021 për 61 bashkitë mbulojnë mesatarisht vetëm 37% të shpenzimeve vendore24. Pjesa tjetër e shpenzimeve plotësohet nga transfertat e buxhetit të shtetit (41%), taksat e ndara (1%), si dhe të ardhura nga projekte të mbartura, nga hua nga sistemi financiar i brendshëm/jashtëm, apo nga grante të huaja.
Nëse shqyrtojmë shpërndarjen e parave nga buxheti i shtetit në 2021 rezulton një disbalancë e tillë, ku 63% e buxhetit vendor financohet nga buxheti i shtetit dhe vetëm 37% e buxhetit vendor financohet nga burimet e taksave dhe tarifave të veta. Nëse bëjmë një llogaritje në raport me produktin e brendshëma, atëherë mblidhen të ardhura nga burimet e qeverisjes vendore sa 1.5% e PBB-së (26.7 mld.Lekë) dhe shpenzohen nga to sa 4% e PBB-së (69.1 mld. Lekë), apo shpenzohen më shumë se sa mbledhin sa 2.5% e PBB-së (43.3 mld. Lekë).
Niveli i përmbushjes më pak se gjysma e shpenzimeve vendore është pjesë e analize kombëtare midis dy nivele të qeverisjes, por nevojat aktuale duhen diskutuar për një ndryshim të prioriteteve të reformës administrative, për të optimizuar parametrat e funskionimit të pavarësisë së financave vendore. Një varësi financiare e tillë, ku bashkitë e Kukësit, Dibrës, Lezhës, por edhe Durrësit varen financiarisht 50% – 60% nga buxheti i shtetit mund të thuhet se ka pak hapësirë për të zhvilluar politika vendore të pavaruara dhe të pandikuara nga pushteti qendror.
Mosbalancat fiskale në BE
Brenda BE-së, 8 vende janë më të decentralizuara se të tjerat, kur bëhet fjalë për shpenzimet e qeverisë. Sidomos vendet skandinave (Danimarka, Suedia dhe Finlanda) dhe vendet me shtete federale (Belgjika, Spanja, Gjermania dhe Austria) shpenzojnë relativisht më shumë në një nivel të decentralizuar. Vendet më të vogla, Malta dhe Qipro, janë më të centralizuarat. Në Greqi dhe Irlandë, gjithashtu, më pak se 10 për qind e parave publike shpenzohen nga pushteti vendor. Në Holandë, pushteti vendor përbën 30.4 për qind të totalit të shpenzimeve publike. Në nëntë vende, pjesa e qeverive lokale dhe shtetërore në shpenzimet publike është midis 20 dhe 30 përqind. Vetëm në Danimarkë dhe Suedi qeveritë lokale arrijnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve qeveritare ta përballojnë nga të ardhurat vendore[1].
Nëse mbahen parasysh edhe zhvillimet e vitit 2022, kur inflacioni është një barrë e shtuar për politikat sociale vendore, por edhe për politikat e tjera, duke patur parasysh se inflacioni nuk favorizon të ardhura të shtuara për taksat vendore, për arsye se ato janë të aplikuara kryesisht për njësi dhe jo për vlerë[2], atëherë ky diskutim politik duhet të programohet në kohë, për ti paraprirë periudhave fiskale më komplekse në të ardhmen.
Për të arritur një balancim më të drejtë midis këtyre disbalancimeve politika e decentralizimit të financave vendore kanë përcaktuar edhe ndarjen e disa tatimeve qendrore, që në varësi të formulës së përcaktuar marrin pjesën e tyre nga tatimet që mblidhen nga qeverisja qendrore.
Megjithatë, matja e mungesës së korrespondencës ndërmjet përgjegjësive të shpenzimeve dhe burimeve të disponueshme të të ardhurave vështirësohet nga paqartësia që rrethon masat e nevojave për shpenzime.
[1] https://unhabitat.org/the-challenge-of-local-government-financing-in-developing-countries-0
[2] vetëm taksa mbi ndërtesat është mbi vlerë, por ajo nuk ka ndikim në barrën tatimore vendore
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.