Modeli i parajsës tatimore për Shqipërinë

Modeli i parajsës tatimore për Shqipërinë

Zbatimi i legjislacionit tatimor të diferencuar për zona të ndryshme dhe favorizimet fiskale që përdoren në to është i njohur që nga lashtësia. Zonat me taksa të ulta ose pa taksa të caktuara (parajsat tatimore) kanë një zanafillë të organizuar të tyre në fund të shekullit të 19të në protektoratet e Britanisë së Madhe. Me qëllimin për të krijuar zona të favorshme, në të cilat njerëzit të mbronin paratë e tyre ju dha pavarësi ekonomike disa vendeve si Gjibraltari, Hong Kongu apo Ishujt e Kanalit.

Me zhvillimin që pati ekonomia e këtyre zonave filloi të përhapej në shekullin e 20të harta e tyre edhe në kontinente të tjera, ku kryesisht individët e pasur ktheheshin në rezidentë fiskalë duke përfituar lehtësirat që ishin të sanksionuara për transferime të pasurive dhe parave.

Në vitet ‘50 filluan të përdoren termat ndërkombëtarë offshore, tax havens. Ky sistem funksionon në mënyrë optimale për disa vende. NË ditë e sotme numërohen me qindra vende dhe zona që zbatojnë parimet e parajsave fiskale. Monako është një nga destinacionet e miliarderëve të botës. Edhe pse ka lehtësi në tatimin mbi të ardhurat për jo rezidentët në këtë vend aplikohet një TVSH në shkallën 30% në mallrat e luksit dhe restorantet duke parë se të pasurit i kanë objektin kryesor të tranasaksioneve të tyre. Parlamentet e këtyre vendeve miratojnë ligje për të ndihmuar industri të caktuara të ekonomisë që të jenë konkuruese me ekonominë rajonale e botërore.

Nga ana tjetër, ato ndihmojnë qeverisjen për të rritur nivelin e administrimit fiskal duke luftuar informalitetin, evazionin dhe korrupsionin. Në këto zona ka përjashtime nga tatime të caktuara direkte apo indirekte, por qëllimi kryesor i gjithë sistemit të krijuar është thithja e pasurive dhe likujditeteve të njerëzve më të pasur duke u garantuar sigurinë dhe komoditetin e bazuar te pasuria e tyre. Më të pasurit e botës kanë zbatuar avantazhin e rregullave të zonave të lira ekonomike apo parajsave tatimore për të transferuar mbi 229 triliard lekë nga vendet e tyre drejt këtyre zonave që stimulojnë këto transferime.

Kjo shumë është më shumë se 70% e ekonomisë europiane aktualisht. Në një plan global, duke parë statistikat, llogaritet se gjysma e tregtisë botërore kalon nëpërmjet vendeve të tilla. Ndërkaq, më shumë se gjysma e aseteve bankare dhe rreth 33% e investimeve direkte të shoqërive shumkombëshe janë në këto vende. Në vitet e fundit në mediat botërore është përhapur një përshtypje se këto vende janë duke u mbyllur apo kufizuar në numër, për shkak të problemeve që hapin për evazionin tatimor apo shmangien tatimore. Në fakt, statistikat ekonomike botërore flasin se po ndodh e kundërta.

Zona të tilla janë me një zhvillim të fortë ekonomik dhe po rriten shpejt. Konkluzioni paraprak na tregon se më pak se 1% e popullsisë botërore zotërojnë 16% të aseteve Këto fakte nuk tregojnë se zona të tilla janë në këtë nivel zhvillimi si rastësi e fatit. Fakti që Britania e Madhe është një qendër që ka krijuar dhe mban lidhje me këto zona provon faktin se ish-perandoria më e madhe e botës ka menduar për të ardhmen e zonave me distancë të largët nga ajo. E njëjta mënyrë të funksionuari është edhe për gjithë zonat e tjera, që kanë lidhje me ish-perandori apo shtete të fuqishme të kohës.

E përbashkëta e gjithë këtyre zonave dhe vendeve është se ato janë kthyer në magnetë të parasë dhe pasurive. Në ditët e sotme ajo që ndodh në një parajsë fiskale është zbatimi i një sistemi tatimor me taksa të ulta, apo pa disa taksa dhe në këmbim të këtij sistemi pritshmëria është e madhe për një zhvillim ekonomik me qeverisje të mirë dhe nivel të ulët korrupsioni. Kjo klimë bën të mundur tërheqjen e vëmendjes së individëve dhe shoqërive shumëkombëshe për të përfituar nga këto kushte konkuruese me vendet e tjera për tipe të ndryshme tatimi dhe për kategori të ndryshme individësh dhe kompanish.

Ka arsye të ndryshme se pse mund të kërkosh edhe për zona gjeografike dhe ekonomike në Shqipëri ti shtohen numrit të këtyre zonave në hartën rajonale dhe globale. Një arsye është vetë niveli aktual i informalitetit dhe pesha prej mëse një dekade që mbajnë në prodhimin e brendshëm dhe të ardhurat buxhetore. Arsyeja tjetër është pamundësia për administrim më të mirë fiskal, për arsye historike, kulturore, polarizimi politik dhe niveli aktual zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.

Nisur nga ky nivel, zbatimi i parimeve të zonës së lirë ekonomike (e ngjashme me parajsën fiskale) si përshkruhet në legjislacionin shqiptar do të rriste interesin e kompanive dhe individëve të huaja dhe vendase, duke nxitur transferimin e aftësive për përdorimin e teknologjisë në popullsinë lokale. TË konkurosh me vendet e industrializuara në disa sektorë është e kushtueshme dhe mund të rezultojë pa efektivitet për ekonominë. Një arsye e tretë është e mbështetur mbi faktin e mungesës së zonave me karakteristika të tilla në Evropën juglindore dhe Ballkan.

Zbatimi i parimeve të zonës së lirë ekonomike do ta kthente në efektiv prodhimin vendas dhe konkurues në rajon dhe me mundësi të mira marketingu edhe në tregun global. Zonat e lira ekonomike duhet të lidhen ngushtësisht me aktivitete dhe industri specifike (minierat, turizmi malor, shëndetësor) dhe jo me gjithë ekonominë zonale. Përjashtimet apo lehtësirat duhet të lidhen ngushtësisht me iniciativa të tjera të mëparshme apo që priten të merren, si pjesë e një mbështetje të gjerë për zhvillimin ekonomik. Shembujt e ditëve të sotme mund të kërkohen në të gjithë kontinentet dhe zonat e lira ekonomike apo parajsat tatimore.

Kjo temë është një debat i nxehtë në politikën botërore sot. Kujtoni debatin që ka filluar midis dy kandidatëve për presidentin e ardhshëm të SHBA-së. Nga ana tjetër, nëse mund të kthesh një zonë gjeografike në qendër të shërbimeve financiare, ajo që pritet të ndodhë për ekonominë dhe popullsinë do të jetë rritja e fondeve dhe përfitimeve që vijnë nga përdorimi i tyre. Ajo që i njollos këto zona është pretendimi i shumë vendeve të zhvilluara se transaksionet që ndodhin aty reduktojnë të ardhurat tatimore të buxheteve të tyre, në vend që të ishte ndryshe. Nga ana tjetër, pretendimi për cilësi të ulët të zbatimit të ligjit në këto zona mbështetet në faktet se në mjaft raste, ato përdoren si streha të parave të krimit të organizuar dhe individëve dhe grupeve qeveritare të korruptuara.

Efekti nga evazioni dhe shmangia tatimore që u vjen vendeve nga të cilat transferohen paratë dhe pasuritë llogaritet të jetë rreth 11 triliard lekë në vit. Por, e keqja e një vendi kthehet në të mirë për vendin tjetër. Ky parim, pavarësisht se nuk përkon me kodin e sjelljes dhe tradicionalizmin, zbatohet në pothuaj gjithë vendet evropiane dhe botërore me maturi dhe duke mos cënuar parimet universale të marëdhënieve midis vendeve. Tiranë, Korrik 2012

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: