Marrëveshja për emigrantët e paligjshëm mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë dhe disa shqetësime financiare

Marrëveshja për emigrantët e paligjshëm mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë dhe disa shqetësime financiare

Marrëveshja financiare që vjen në mënyrë të pashmangshme si pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare së qeverisë së Shqipërisë me qeverinë e Italisë për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër reflekton kostot që mund t’i imponohen Shqipërisë nëpërmjet ndryshimeve që ky partneritet do të krijojë në precedentin ligjor dhe në kostot lokale për institucionet e përfshira për zbatim.

Edhe pse nuk ka një tekst me përmbajtje të plotë të kësaj Marrëveshje, nga të dhënat e publikuara prej burimeve mediatike,[1] në pamje të parë të gjitha kostot për transferimin, strukturat që do të ndërtohen për akomodimin dhe mbarëvajtjen e përditshme të emigrantëve të paligjshëm që do të strehohen në Lezhë janë të qeverisë italiane.

Ballafaqimi me migracionin është i rëndësishëm dhe nuk është një opsion pa kosto. Në këtë kuptim, qeveria shqiptare nuk duhet të mjaftohet vetëm me konsiderimin e kësaj Marrëveshje si gjënë e duhur për të bërë, pa dhënë shumë sqarime të nevojshme.

Një prej temave për sqarim është dhe diskutimi për kostot financiare.

Kështu, sipas këtij këndvështrimi dhe në mungesë të një raporti analitik prej qeverisë, prej ekspertëve tanë shihet se në disa pika të kësaj Marrëveshje për rastet e emergjencave, si dhe për raste të lidhura me sigurinë (monitorimi dhe mbikëqyrja), shërbime të ndryshme për jetesën, shëndetin, si dhe kosto angazhimi të burimeve publike (financiare dhe njerëzore) në rast thyerje të elementëve të sigurisë kuptohet se janë kosto të buxhetit shqiptar.

Asnjë para nuk u kërkua nga qeveria shqiptare për këtë Marrëveshje dhe në këtë rast, marrëveshjet nëse nuk kanë të përfshirë elementin e përfitimit konsiderohen si marrëveshje që nuk kanë transparencën e duhur, pasi çdo syresh ka edhe detajet e kostos së secilës palë. Të humburit janë qytetarët, që nuk janë të informuar për të gjitha detajet e lidhura me taksat e tyre. Pra, me detyrimet dhe përfitimet bashkë me pasoja afatgjata që mund të vijnë si efekte dytësore nga mungesa e transparencës.

Ky moment lidhet me argumentin se për shumë momente të tilla bashkëveprimi në kuadër të kësaj Marrëveshje, qeveria shqiptare ka mungesë experience dhe nuk i ka të llogaritura në detajet që përshkruhen në pikat e Marrëveshjes, të gjitha elementët e kostove të shërbimeve. Përndryshe, nëse kostot e shërbimeve, për kohën, matërialet dhe burimet njerëzore që do të vihen në dispozicion janë të analizuara dhe përllogaritura në funksion të pikave të draft-marrëveshjes duhet të përfshihen si Shtojcë e saj dhe si një detyrim ligjor për transparencën për taksapaguesit.

Por, gjithsesi në pritje të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 29 Janar 2024 mendojmë se edhe këto shqetësime duhet të ngrihen si pjesë e çështjes në gjykim.

[1] https://www.oranews.tv/politike/dokumenti-i-plot-qeveria-zbardh-marreveshjen-rama-meloni-per-refugjatet-i1119655

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: