Krimi perceptiv po i kushton dhjetëra miliona euro ekonomisë
Në një Shqipëri ku numri i vrasjeve mbetet relativisht i ulët krahasuar me rajonin, diçka tjetër po ndodh nën sipërfaqe. Në vitin 2025, Policia regjistroi 38.345 vepra penale apo 17.4% më shumë se një vit më parë. Ky tregues statistikor është një sinjal që, sipas një studimi të ri të Observatorit ALTAX, mund të aktivizojë një mekanizëm të rrezikshëm afatgjatë, atë të efektit traumatik të pasigurisë, i cili ngadalë por i sigurt gërryen besimin, konsumatorët, investitorët dhe të ardhmen ekonomike të vendit.
Studimi “Kostoja e fshehur ekonomike e pasigurisë”, i mbështetur fort në punimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF Working Paper 2026/39), tregon se Shqipëria ndodhet në një pikë kthese.
Jo sepse krimi i rëndë ka shpërthyer, por sepse rritja e shpejtë e krimeve të raportuara, e kombinuar me një perceptim të lartë të pasigurisë, po krijon një hendek midis realitetit dhe asaj që njerëzit ndiejnë çdo ditë.
Çfarë ndodh kur frika zë vend në mendjet e njerëzve?
Imagjinoni një familje në Tiranë apo Durrës që mendon dy herë përpara se të blejë një telefon të ri ose të planifikojë pushime në bregdet. Marrim si rast, një investitor italian apo gjerman që lexon lajme dhe vendos të shtyjë projektin për një vit tjetër, ose një i ri i talentuar që fillon të shohë mundësi pune në Gjermani ose Itali. Këto vendime individuale, të shumta, krijojnë efekt zinxhir.
Sipas analizës së ALTAX, ky është pikërisht “efekti traumatik” i përshkruar nga ekonomistët e FMN-së, pra një plagë që mbetet edhe pasi incidentet ulen.
Në Shqipëri, Crime Index në Tiranë është 39.8 (Numbeo 2026), duke na vendosur në vendin e 4-t në Ballkanin Perëndimor. Normat e vrasjeve janë 1.387 për 100 mijë banorë, të dytët pas Kosovës, por ende në nivele mesatare rajonale. Megjithatë, perceptimi është ai që lë gjurmë të thella.
Studimi llogarit se kostot potenciale janë të mëdha duke filluar nga 83 milionë euro humbje në vitin e parë në skenarin më optimist, deri në 1.8 miliardë euro kumulativisht në pesë vjet nëse perceptimi ngulitet. Vlera e pritur reale është rreth 923 milionë euro humbje në pesë vjet. Mbi 60% e kësaj goditjeje përqendrohet në Tiranë e Durrës, ndërsa bregdeti vuan veçanërisht nga efektet në turizëm.
Si arrin frika te portofoli i shpenzimeve?
Efekti nuk është abstrakt. Ai kalon nëpër tri kanale kryesore:
- Familjet reduktojnë shpenzimet jo të domosdoshme kur ndihen të pasigurt.
- Bizneset shtyjnë investimet sepse rreziku duket më i lartë.
- Turizmi dhe investimet e huaja reagojnë me elasticitet të lartë, një lajm negativ ka fuqi tre herë më të madhe se një lajm pozitiv.
Zonat bregdetare si Vlora dhe Saranda janë veçanërisht të ekspozuara. Një sezon turistik i dobët për shkak të imazhit mund të zhvendosë mijëra vende pune dhe të reduktojë të ardhurat e shumë familjeve që jetojnë nga ky sektor.
Krahasuar me fqinjët, Shqipëria ka një profil interesant, pasi nuk është më keq në krim të organizuar apo vrasje, por ka hendekun më të theksuar midis realitetit objektiv dhe perceptimit publik.
Ky hendek është ai që kushton shtrenjtë, sepse investitorët, turistët dhe emigrantët e mundshëm vendosin bazuar në atë që ndiejnë, jo vetëm në shifra të thata.
Çfarë do të thotë kjo për jetën e përditshme të shqiptarëve?
Për prindërit, çështja është siguria e fëmijëve dhe grave, që përbëjnë kategoritë ku rritja e krimeve ka qenë më e dukshme. Për të rinjtë është frika se Shqipëria nuk ofron mjedis të sigurt për të ndërtuar karrierë. Për bizneset e vogla është pasiguria që i bën të mos zgjerohen. Ndërsa, për të gjithë është rreziku që integrimi europian të ngadalësohet, sepse Kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me BE-në lidhen drejtpërdrejt me sundimin e ligjit dhe sigurinë.
Studimi thekson se Shqipëria ka ende një avantazh, sepse krimi i rëndë nuk është në nivele katastrofike. Por ky avantazh është i brishtë. Nëse nuk menaxhohet me kujdes, rritja e 2025 mund të bëhet pika ku pritshmëritë negative nguliten për vite.
Çfarë mund të bëhet dhe pse duhet bërë shpejt?
ALTAX propozon një qasje praktike dhe të matshme:
- Krijimin e një Observatori të Integruar që lidh të dhënat e sigurisë me ato ekonomike.
- Një fushatë transparente komunikimi “Fakte mbi Frikën”, për të mbyllur hendekun midis realitetit dhe perceptimit.
- Forcim të zbulueshmërisë së krimeve, sidomos atyre që prekin familjet.
- Masa të veçanta mbrojtëse për turizmin dhe investimet.
- Bashkëpunim më të fortë rajonal dhe avancim të shpejtë në standardet europiane.
Mesazhi qendror i studimit është i qartë dhe konkludon që kostoja e mosveprimit është shumë herë më e lartë se kostoja e veprimit të vendosur tani. Një reagim i shpejtë dhe i koordinuar mund ta mbajë dëmin të kufizuar. Vonesa, nga ana tjetër, mund të na çojë drejt skenarit më të keq.
Shqipëria ka mundësinë të tregojë se mund të menaxhojë jo vetëm krimin real, por edhe perceptimin e tij. Në ekonominë moderne, siguria nuk është vetëm çështje policore, por edhe një nga investimet më të rëndësishme për rritje të qëndrueshme, vende pune dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Natyrshëm, që ky moment nuk është vetëm i institucioneve. Në fakt është moment për të kuptuar se besimi kolektiv është një pasuri kombëtare dhe humbja e tij ka çmim të lartë, që e paguajmë të gjithë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.