Investimet strategjike dhe lehtësitë fiskale në Shqipëri, 2024
Legjislacioni për investimet strategjike, përfshin ligjin për investimet strategjike, si dhe disa vendime të Këshillit të Ministrave të miratuara prej vitit 2015 e deri në 2023[1], dhe ky grup aktesh ligjore dhe nënligjore përbën kuadrin rregullator për tërheqjen e investimeve të huaja.
Legjislacioni përcakton sektorët dhe nënsektorët e ekonomisë, të konstatuar si strategjikë, duke përcaktuar edhe procedurat e dedikuara administrative nxitëse, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes ndaj investitorëve strategjikë.
Por, legjislacioni parashikon edhe procedurat dhe rregullat për t’u zbatuar nga institucionet dhe agjensitë publike për shqyrtimin, miratimin dhe mbështetjen e investimeve strategjike që realizohen në Shqipëri, si dhe shërbimet ndaj investitorit.
Konkretisht për investimet strategjike përcaktohen disa sektorë dhe nënsektorë brenda tyre, të identifikuar si strategjikë dhe që shkojnë në një linjë me programin politik të qeverisjes socialiste.
Sektorë strategjikë, sipas modelit politik konsiderohen:
- sektori industrisë nxjerrëse, si dhe nënsektorët përbërës, energjetik, hidrokarbur apo minerar;
- sektori i turizmit, duke përfshirë e strukturave turistike;
- sektori i bujqësisë dhe peshkimit, me nënsektorët e prodhimit bujqësor, blegtorisë, ekonomisë pyjore dhe peshkimit;
- sektori i transportit, infrastrukturës e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane, me nënsektorët e transportit detar, ajror, hekurudhor, komunikimeve elektronike, mbetjet urbane, ujësjellës-kanalizimet;
- sektori i teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, ku përfshihen parqet industriale/teknologjike.
Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët/nënsektorët e sipërpërmendur, si strategjik janë vetëm dy:
- Interesi publik që ka në thelb një investim, si dhe
- kriteri financiar, që tregon fuqinë dhe potencialin per realizimin e investimit.
I pari, interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal, hapjes së vendeve të reja të punës, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, futjes së teknologjisë dhe inovacionit për rritjen konkurrencën dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit.
I dyti, kriteri financiar, vlerësohet sipas sektorit strategjik ku do të investohet, statusit të tij, duke përfshirë edhe një vlerë investimi e barabartë ose më e madhe se 1 milion euro deri në 50 milionë euro.
Vini re! Për investitorët e interesuar të investojnë në sektorë të ndryshëm nga ata të përmendur më lart, kapitali investues i projektit përkatës duhet të jetë i barabartë me, ose më i madh se 100 milion euro në mënyrë që të konsiderohet investim/investitor strategjik.
Institucionet përgjegjëse për vlerësimin, miratimin dhe asistimin e investimeve strategjike janë:
- Komiteti i Investimeve Strategjike, dhe
- Agjencia e Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
Institucione publike të ndryshme, të tilla si: Ministria përgjegjëse për ekonominë, ministri sipas sektorit strategjik ku kërkohet te investohet, Autoriteti i Konkurrencës, bashkitë ku do të zbatohet investimi, si dhe institucione të tjera përfshihen në faza të ndryshme në vlerësimin apo monitorimin e projekt – propozimeve të investimeve strategjike.
Nga qasja procedurale, fillimisht procedura orienton investitorin të aplikojë për përfitimin e statusit Projekt me Potencial Strategjik. Ky aplikim është i vlefshëm deri në momentin e përfitimit të statusit Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Asistuar ose Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë.
Propozimi për miratimin e Projektit me Potencial Strategjik, duhet të kalojë në disa verifikime, që përfshijnë reagimin e institucioneve të treguara më lart si dhe institucionet që lidhen direkt me zbatimin e investimit.
Investitori aplikues duhet të depozitojë edhe (a) planin e biznesit të investimit, (b) planin e financimit të investimit, (c) programin e punës për realizimin e projektit/investimit strategjik (d) vlerësimin e ndikimit social dhe ekonomik e strategjik të projektit, si dhe dokumenta justifikuese dhe plotësuese të tyre.
Sipas kritereve ligjore mbi afatin e funksionimit të ligjit, gjatë tetë viteve të fundit (2016 – 2024) është shtyrë mbi katër herë afati për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, dhe afati përfundimtar më i fundit i miratuar me ligj është data 31 dhjetor 2024.
Pas hapave të mësipërm, investitorët që përfitojnë statusin Investitor Strategjik, Procedurë e Asistuar monitorohen dhe orientohen nga AIDA, e cila në rolin e “sportelit unik” është agjensia përgjegjëse për të gjitha shërbimet ndaj investitorëve strategjikë duke ndërvepruar me ta, si dhe me institucionet e tjera për përfitimet juridike dhe fiskale, por edhe për transparencën ndaj publikut.
AIDA ka ndikim direkt për këta investitorë që të përfitojnë shërbimet, fonde publike sipas kontratës, si dhe lehtësi në lidhje me veprimet përgatitore, përgatitjen e dokumenteve dhe aplikimin me procedurë të përshpejtuar, konsolidimin e kushteve të tokës, mbështetjen me infrastrukturë ndihmëse, por ne gjithe keto vite konstatohet se nuk ka patur një transparencë cilësore ne permbushje te nje prej kritereve kryesore, ate te verifikimit te interesit publik.
Investitorët strategjikë që kanë përfituar statusin Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë, krahas shërbimeve dhe lehtësive të sipërpërmendura, u është ofruar edhe shërbimi shtesë që ka të bëjë me shpronësimin e pasurive të paluajtshme dhe pronën private, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, si dhe miratimin nga ana e Kuvendit, të kontratave të investimit strategjik për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike midis investitorit dhe shtetit shqiptar.
Investitorët që kanë përfituar statusin “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë” përpara se të kërkojnë shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, janë të detyruar të kryejnë dhe dokumentojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje me këta pronarë.
Kjo është një marrëveshje të posaçme, që propozohet nga investitori, për t’u lidhur me pronarët privatë, e cila ofron instrumente të përshtatshme alternative dhe/ose kompensuese.
Nëse realizimi i projektit strategjik është i pamundur të realizohet nëpërmjet partneritetit me ta, atëherë investitori mund t’u ofrojë pronarëve marrëveshje për blerjen e pasurisë.
Nëse investitori strategjik nuk arrin dot marrëveshje me pronarët e pasurive të paluajtshme dhe pasi ka ndjekur hapat për kryerjen e të gjitha procedurave për arritjen e marrëveshjeve me pronarët, investitori mund të kërkojë shpronësimin, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga legjislacioni mbi shpronësimet.
Gjithashtu, me propozim të Komitetit të Investimeve Strategjike, Këshilli i Ministrave mund të miratojë lejimin e përdorimit të detit, liqeneve, lumenjve dhe shtretërve të tyre, si dhe zonave përkatëse, në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik.
Më tej, investitorëve strategjikë iu ofrohet mundësia që të kërkojnë pjesëmarrjen e shtetit ne realizimin investimit përkatës strategjik.
Qeveria mund të marrë pjesë në një investim strategjik si (a) bashkëzhvillues i tij, në cilësinë e ortakut të shoqërisë që do të realizojë investimin, duke kontribuar në para ose natyrë, (b) bashkëzhvillues i një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime strategjike. Ky partneritet ndikon për zhvillimin e zonës nëpërmjet:
- përmirësimit dhe zhvillimit të objekteve dhe infrastrukturave ekzistuese,
- ndërtimit të infrastrukturave të reja ose marrjes së masave të tjera mbështetëse;
- në forma të tjera bashkëpjesëmarrjeje, ku mund të përfshihen, por pa u kufizuar, vënia në dispozicion e aktiveve të luajtshme apo të paluajtshme, të drejtave apo lehtësive tregtare, dhënia e së drejtës për përdorimin e bregdetit dhe porteve, si dhe kombinime të tyre apo forma të tjera mbështetjeje.
Në Shqipëri ka disa stimuj ligjore për investime strategjike në sektorin e Industrisë dhe Logjistikës, në varësi të vlerës totale të investimit, e cila varion nga 5 milionë euro në 50 milionë euro në sektorin e zhvillimit të teknologjisë dhe nga 30 milionë euro në 50 milionë euro në sektorin e zhvillimit të teknologjisë.
Investimet me vlerë 100 milionë euro gëzojnë stimuj në çdo lloj sektori industrial.
Në përgjithësi, stimujt ekonomikë përfshijnë:
- konsolidimi i tokës;
- programe mbështetëse;
- mbështetje me infrastrukturë ndihmëse;
- akses në pronat e paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe ekzekutimin e projektit;
- shpronësimi i pasurive të paluajtshme në pronësi të individëve privatë për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e një projekti.
Aktualisht ekzistojnë dy zona të zhvillimit teknologjik dhe ekonomik (TEDA), të përcaktuara posaçërisht për zhvillimin e parqeve industriale dhe që i nënshtrohen stimujve në Shqipëri.
Stimujt fiskalë të dedikuar për këto fusha janë:
- 20% e shpenzimeve kapitale janë të zbritshme për dy vjet nga fillimi i aktivitetit ekonomik në zonë.
- lehtësim prej 50% të normës së aplikueshme të TAK për pesë vjet, normë zero TVSH për furnizimin e mallrave në TEDA,
- lehtësim nga taksa për ndikimin në infrastrukturë,
- Lirim nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme për ndërtesat e ndërtuara në TEDA për pesë vjet,
- lirimi nga tatimi për transferimin e të drejtës në pasuri të paluajtshme,
- 150% e shpenzimeve për paga,
- kontributet sociale dhe shëndetësore të paguara nga punëdhënësi për punëmarrësin do të jenë të zbritshme gjatë vitit të parë të veprimtarisë.
Aktualisht nuk ka përjashtime apo preferenca specifike tatimore për sektorin e Industrisë dhe Logjistikës. Megjithatë, çdo projekt/investim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë (duke përfshirë Industri & Logjistikë) do të përfitojë nga një përjashtim nga TVSH nëse kompania rezidente në Shqipëri importon:
- makineri ose pajisje për përmbushjen e një kontrate investimi, vlera e së cilës është e barabartë ose më e madhe se 50 milionë lekë (rreth 480.000 euro);
- makineri ose pajisje për përmbushjen e kontratave të investimit në sektorin aktiv të përpunimit, pavarësisht nga vlera e investimit.
Për kompanitë që operojnë në sektorin e kërkimit dhe zhvillimit, TAK është ulur në 50% për pesë vitet e para të aktivitetit kërkimor.
Kostot e trajnimit të punonjësve në sektorët e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, llogariten për qëllime tatimore si dyfishi i shumës së tyre për dhjetë vjet nga fillimi i aktivitetit ekonomik.
Për kompanitë që operojnë në sektorin e automobilave, TAK ulet në 5%, nga 15%, që zakonisht aplikohet në sektorë të tjerë.
Për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”. Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Për entitetet, të cilat zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi të ardhurat në normën 5% do të zbatohet deri më 31
dhjetor 2029.
Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e software-ve do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2025 tatimi mbi fitimin me normën 5%.
[1] https://punetejashtme.gov.al/lista-e-ligjeve-per-investimet-e-huaja/
https://investmentpolicy.unctad.org/investment-laws/laws/168/print/3
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.