GJIROKASTËR: TURIZMI, TERRITORI DHE KULTURA E SHËRBIMIT BAZUAR TE SUNDIMI LIGJIT
Plani i Përgjithshëm Kombëtar (PPK) “Shqipëria 2030”[1] është instrumenti më i lartë i planifikimit territorial në Shqipëri, i cili përcakton orientimet kryesore të zhvillimit të turizmit bazuar në potencialet e territorit. Harta e potencialit turistik brenda këtij Plani ilustron zona të cilat klasifikohen si Zona me Rëndësi Kombëtare për vlerat që kanë në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
Një numër i konsiderueshëm i këtyre zonave rregullohet nga legjislacioni sektorial në fuqi, si p.sh: zonat e mbrojtura natyrore; burimet ujore dhe fashat e tyre mbrojtëse; zonat minerare; zonat industriale; zonat e trashëgimisë historike dhe kulturore; monumentet e kulturës; zonat dhe parqet arkeologjike; qendrat historike; brezi bregdetar, etj. PPK në analizën që bën për sektorin turistik natyrshëm orientoi hartimin e Planit të Integruar Ndërsektorial për Brezin e Bregdetit, i cili vlerëson se tendenca e zhvillimit të turizmit në Shqipëri duhet të përqëndrohet në këto lloje turizmi: (a) Turizmi bregdetar, (b) Turizmi kulturor, (c) Turizmi natyror/ekoturizmi, (d) Turizmi rural, (e) Agroturizëm, (f) Turizmi malor, (g) Turizmi i aventurës (sporte) dhe (h) Turizmi i shëndetit dhe mirëqenies.
Ndërkohë, nisur nga obligimet sipas Strategjisë së Zhvillimit të Territorit të Bashkisë mbetet një sfidë për monitorim të vazhdueshëm nga gjithë pjesëmarrësit e jetës ekonomike, sociale dhe politike në vend, pavarësisht pozicionit dhe statusit të tyre.
Politikat dhe programet për nxitje të turizmit nga bashkia dhe roli i monitorimit nga ekspertiza civile në parandalim të tendencave korruptive (për zonat e mbrojtura, pyjet, HEC). Turizmi për Gjirokastrën ka vlera të shumanshme jo vetëm të karakterit të turizmit natyror, por ka një përfshirje të disa modeleve të zhvillimit të turizmit arkitekturor, sipas gjeografisë dhe traditës popullore me një projeksion që bazohet tashmë edhe mbi ndryshimin e panoramës urbane.
Kujdes! Rasti i denoncuar në media për ndërtimin e HEC në një zonë si Zhulati[2], që është pjesë e programit të zhvillimit “100 fshatrat” është një moment për llogaridhënie dhe ekspertizë lidhur me të drejtat dhe detyrimet mes publikut dhe qeverisë. Zbatimi sipas raporteve për VSM[3] dhe objektivat sipas PPV për shpërndarje të programeve mbetet një sfidë e monitorimit të transparencës së proceseve nga OSHC dhe ekspertiza sektoriale e tyre në kuadër të qasjeve të denoncuara nga media dhe individë për vullnet të korruptuar politik. Kjo qasje vlen, nisur nga marëdhënie korrupsioni që ndodhin në rastin e shkeljes së statusit si zonë e mbrojtur për ndërtime dhe aktivitete të kundraligjshme.
Sipas parimit “ndotësi paguan” zhvillimi i turizmit duhet të bazohet në zgjerimin e bazës dhe harmonizimin e tarifave për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin publik. Tarifa vjetore për pastrimin urban, ndriçimin, gjelbërimin kanë një nivel arkëtimi në vitin 2021 prej 4.5% të të ardhurave vjetore nga taksat dhe tarifat vendore, të cilat duhet të paguhen nga 8.958 familje. Niveli i mbledhjes së tarifave në 2021 është 4% më i lartë se në 2020, çfarë do të thotë për rezervat e mëdha në programimin dhe administrimin e kësaj tarife mjaft domethënëse në kuadër të Programit Kombëtar për Pastrimin.
Nisur nga parashikimet e të ardhurave që duhet të marrin në konsideratë performancën e mbledhjes, por edhe gjithë ndryshimet demografike, zgjerimin e bazës së kontribuesve, si dhe analizimin e vlerës së tarifës nevojitet që ky zë të jetë ngushtësisht e lidhur me një kosto bazë të shërbimeve që kanë lidhje direkte me mbrojtjen e ambjentit nga ndotja si dhe kostot oportune.
Kujdes! Një nivel progresiv i këtyre tarifave duhet të identifikohet si nevojë për të balancuar më mirë kostot e shtuara në kryerjen e shërbimeve të pastrimit të territorit, por pa harruar anti informalitetin që është tregues i mungesës së vullnetit për të luftuar bashkë me të edhe korrupsionin.
Në mbrojtjen e interesit publik për fondet e mjedisit është i domosdoshëm roli imponues me fuqinë e ekspertizës dhe argumentit nga shoqëria civile në interes të politikës vendore (politikanë vendorë të gjithë partive dhe aktivistë të interesave qytetare) për të minimizuar transferimin e dëmit dhe fajit nga një krah politik te tjetri. Sipas analizës së kryer nga një grup studiuesesh mbrojtja e mjedisit është një nga detyrat e mëdha të gjithë bashkëjetuesve brenda territorit të Bashkisë, por edhe institucioneve qendrore të cilat duhet të koordinohen për zbatimin e ligjit sipas fushës së tyre të veprimit ndaj krimeve mjedisore, të cilat “në vitin 2018 zënë 0.78% të krimeve gjithsej në nivel vendi”.
Në tërësinë e qarkut Gjirokastër përfshin 4 zona të mbrojtura, të cilat si në mjaft zona të tjera në vend nuk kanë mbrojtjen e duhur, por edhe kulturën shkatërruese të banorëve, të cilët nxiten nga mundësia për të përfituar të ardhura shtesë në dëm të mjedisit dhe pasurisë publike.
Efekti i turizmit në rritjen ekonomike është monitoruar gjerësisht megjithatë ende nuk është kuptuar mirë se si ndikon turizmi në madhësinë e ekonomisë informale. Sipas të dhënave të hyrjeve dhe daljeve të numrit të vizitorëve në vitin 2021 në nivel vendi prezantohet e dhëna se kanë hyrë në Shqipëri 9.6 milionë vizitorë (shqiptarë dhe të huaj[4], ku 5.68 milionë vizitorë janë të huaj). Nëpërmjet këtij treguesi, perceptohet se turizmi ka ndikuar në rritjen e ekonomisë nëpërmjet konsumit të shërbimeve dhe produkteve të bizneseve shqiptare.
Nëse shikojmë bilancin e hyrjeve dhe daljeve, konstatohet se dalin më shumë shqiptarë se hyjnë në Shqipëri, si dhe e kundërta hyjnë më shumë të huaj se dalin nga Shqipëria.
Kjo e dhënë tregon se kemi të bëjmë në rastin më të mirë me një numër vizitorësh të huaj, të cilët janë me qëndrime më afatgjata se ditëqëndrimet për pushime dhe vizita turistike. Në mungesë të të dhënave të detajuara për bashkitë, si dhe nisur nga numri i ulët i strukturave akomoduese formale në Gjirokastër, mund të llogaritet se ky fluks është i përqëndruar në zonat e kryeqytetit dhe përreth tyre duke ndikuar edhe më shumë në konsumin e të paktën produkteve dhe mallrave rajonal të Tiranës.
Megjithatë, në përgjigje të efektit nga numri i rritur i vizitorëve, nisur nga përvoja e shteteve që kanë evazion të lartë (Greqia me 30% nivel evazioni fiskal), si dhe të dhënat p.sh. që tregojnë numrin e strukturave akomoduese në Gjirokastër (<50 struktura akomoduese, apo 0.03% të totalit të strukturave akomoduese në vend)[5] duke u bazuar në analizat e kryera për efektin e turizmit në ekonominë informale është vërejtur se:
- pjesa e sektorit informal fillimisht zvogëlohet në fazat e hershme të zhvillimit të turizmit dhe
- rritet më pas me vazhdimin e turizmit masiv për arsye që lidhen me faktorë ndikuesë që i vuan gjithë ekonomia dhe administrimi fiskal
E njëjta mënyrë qasje duhet të analizohet edhe nga qeveria qendrore dhe vendore në prezantimin e efekteve të pakësuara në ekonomi dhe në të ardhurat e individëve, për sa kohë informaliteti[6] i llogaritur rezulton të paktën në nivelin 31.9% dhe konkuron seriozisht ekonominë dhe tregun formal.
[1] https://planifikimi.gov.al/index.php?eID=dumpFile&t=f&f=5154&token=da636af1a1a4ffe0d0973a5cfc7eedbca62f49cc
[2] https://www.youtube.com/watch?v=jfOfGYSrUBM
[3] Vlerësim Strategjik Mjedisor
[4] http://www.instat.gov.al/media/9508/lëvizjet-e-shtetasve-në-shqipëri-dhjetor-2021.pdf , faqe 2
[5] http://www.instat.gov.al/media/9432/vjetari-statistikor-2021_final-29122021.pdf, faqe 192
[6 https://www.worldeconomics.com/National-Statistics/Informal-Economy/Albania.aspx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.