FMN, Qeveria dhe kontributi i munguar i ekspertëve vendas

FMN, Qeveria dhe kontributi i munguar i ekspertëve vendas

Në misionin e radhës, anëtarët e ekipit të Fondit Monetar bënë një deklaratë, e cila në vetvete ka konstatime me qasje positive për veprimet fiskale dhe buxhetore të ndërmarra nga Qeveria, ku në këtë qëndrim të tyre ka konfirmime të qëndrimeve të mbajtura nga ekspertët shqiptarë, si dhe ka konstatime që nuk konsiderohen si efektive.

Inflacioni

1.Inflacioni është rritur ndjeshëm duke u kthyer në inflacion me bazë të gjerë. Inflacioni do të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim nxitur nga çmimet e importit, përpara se të kthehet sërish brenda objektivit në fillim të vitit 2024.
Konfirmim: Të gjitha palët (FMN, Qeveria, Ekspertët vendas) kanë të njëjtin konstatim dhe qëndrim.

Reagimi qeverisë ndaj krizës inflacioniste

2. Autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj goditjes së fundit dhe disa prej masave mbështetëse të marra janë të mirëorientuara dhe të kufizuara në kohë.
Konfirmim: Pjesa më masive e ekspertëve shqiptarë kanë konfirmuar këtë qëndrim[1].

3. Autoritetet kanë marrë një vendim të drejtë që kanë shmangur uljet e përkohshme të taksave, të cilat i sjellin përfitime në mënyrë të zhdrejtë atyre që janë më mirë ekonomikisht, mund të shtrembërojnë sinjalet e çmimeve.
Konfirmim: Pjesa më masive e ekspertëve shqiptarë kanë konfirmuar këtë qëndrim.

Funksioni i Bordeve

4. Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirëorientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve.
Konfirmim: Gjithë ekspertët shqiptarë e deklaruar publikisht kanë konfirmuar këtë qëndrim, për kotësinë e vendimeve për ngritje të tyre si “kapak” për protestat.

Hapësirat fiskale të Buxhetit 2022

5. Buxheti i vitit 2022 (siҫ u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë. Prandaj, çdo e ardhur shtesë përtej ҫfarë parashikohet në buxhet, duhet kursyer për të rikrijuar hapësirat e nevojshme për ushtrimin e politikës fiskale. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi kostot e financimit të jashtëm janë rritur ndjeshëm dhe mund të jenë për gjatë të larta.
Konfirmim: Pjesë jo e vogël e ekspertëve shqiptarë nuk e kanë konfirmuar këtë qëndrim. Duhet pritur minimalisht edhe fundi 6-mujorit të parë 2022.

Strategjia Afatmesme e të Ardhurave

6. Puna për përgatitjen dhe zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (SAA) duhet të vazhdojë.
Konfirmim: Pjesa më e madhe e skeprtëve shqiptarë do të mbeten spektatorë deri në fund të procesit, megjithëse kjo strategji do tu drejtohet pikërisht atyre për zbatim, si palë “kontraktore”.

Ndryshimi ligjit të tatimit mbi të ardhurat

7. Ne përgëzojmë nismën e ndërmarrë nga qeveria me mbështetjen e FMN-së, për forcimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që synon thjeshtimin, rritjen e efikasitetit dhe barazi më të madhe mes tatimpaguesve të cilët fitojnë lloje të ndryshme të ardhurash.
Konfirmim: Pjesa më masive e ekspertëve shqiptarë nuk kanë konfirmuar këtë qëndrim, të ndodhur në kushtet e mungesës së informacionit, të cilin Fondi Monetar, me sa duket e zotëron dhe mund të ketë edhe autorësi të propozimeve.

Amnistia fiskale

8. Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor.
Konfirmim: Pjesa më masive e ekspertëve shqiptarë kanë konfirmuar këtë qëndrim.

Politika Monetare

9. Për të frenuar trysnitë e brendshme inflacioniste dhe për të kthyer pritshmëritë për inflacionin sërish drejt objektivit, nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit. Kërkohet vigjilencë, pasi vonesa e tepruar në shtrëngimin e politikës monetare mund të kërkojë më vonë rritje më të larta të normës bazë për të kthyer inflacionin në objektiv.
Konfirmim: Pjesa më masive e ekspertëve shqiptarë kanë konfirmuar këtë qëndrim, I cili nënkupton një “kritikë” për periudhat e stepjes së Bankës përpara realiteteve që ndodhën në fillim viti 2022.

Në përmbledhje të deklaratës së Fondit Monetar duket se qëndrimet e mbajtura janë kryesisht në sinkron me veprimet e qeverisë duke kuptuar se koordinimi dhe komunikimi për gjithë temat e prekura është dakordësuar.

Çfarë duket se mungon është përfshirja në këtë komunikim e grupeve të interesit, ku ekspertiza e tyre vlen si një opinion i vlefshëm. Aktualisht ekspertët, i marri njoftimet vetëm nga deklarata nga të dy palët duke mbetur në pozita pritëse dhe pa patur asnjë rol aktiv dhe efektiv edhe pse në mjaft raste janë ata dhe klientët e tyre (taksapaguesit) që paguajnë koston e takimeve mes qeverisë dhe Fondit Monetar. Mjaft herë kjo kosto ka rezultuar e dëmshme, pasi politikat e rekomanduara nuk kanë funskionuar ashtu si janë dakortësuar.

Ky qëndrim mes palëve duhet të jetë ndryshe, për sa kohë këto diskutime kanë nevojë edhe për kontributin dhe komentet profesionale të zërit të ekspertëve shqiptarë dhe organizatave të biznesit dhe më gjerë.

Edhe pse rregullat e komunikimit dhe ftesat për bashkëpunim nuk i bën ekipi i FMN-së, duket se nëse mbetet në dorë të qeverisë kjo qasje nuk ka për të ndodhur dhe për disa kohë.

[1] pa përfshirë pjesën e individëve që nuk janë Brenda termave të referencës për ekspertizë

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: