Fatkeqësitë natyrore dhe korrupsioni i monitoruar edhe nga shoqëria civile
Korrupsioni në rastet e fatkeqësive natyrore[1] është një problem shqetësues që po ndihet në drejtim të rëndimit të buxhetit të shtetit nga një barrë e madhe dhe me ndikim në drejtime të tjera, por me mënyrën dhe format pjesërisht transparente të prokurimit të fondeve duket se po ndikon në dëmtimin e legjitimitetit të qeverisë dhe duke përkeqësuar kostot sociale dhe ekonomike.
Korrupsioni gjendet në forma dhe shkallë të ndryshme në çdo vend. Ndikimet e tij shkatërruese në rritjen e varfërisë, rritjen ekonomike dhe stabilitetin politik dhe social janë pranuar gjithnjë e më shumë gjatë dy dekadave të fundit nga gjithë studiuesit dhe shoqëria civile gjithandej në botë.
Sipas shumë analizave të kryera mbi efektet e korrupsionit në rastin e tërmetit në 2019 dhe më pas pandemisë globale në momentet pasi kanë ndodhur, ne kemi vërejtur se pasojat nga përhapja e tij janë të ngjashme me ato të Shqipërisë edhe në disa vende që përafrohen për nga cilësia e demokracisë dhe institucioneve publike dhe lufta ndaj korrupsionit. Shtrirja e efektit të korrupsionit në të gjitha rastet pas fatkeqësive natyrore ka ndikuar negativisht mbi zhvillimin ekonomik, pabarazinë, varfërinë, abuzimin me pushtetin, integritetin e qeverisjes dhe buxhetin e shtetit.
Arsyet që ka prezantuar çdonjeri nga studiuesit pasi ka parë me vëmendje shfaqjet e korrupsionit i ka bazuar te modeli i qeverisjes lidhur me rolin mbikëqyrës, mungesa e aftësisë për të kontrolluar vetveten, kapacitetet e dobëta institucionale, transparenca e pakët dhe llogaridhënia jofunksionale, buxheti i pamjaftueshëm, koordinimi joefektiv i ndihmave nga komuniteti ndërkombëtar, planifikimi i kufizuar dhe me probleme i programeve, si dhe tejkalimi i kompetencave politike në programet e rimëkëmbjes ekonomike, infrastrukturore dhe sociale.
Të gjitha sa më lart konsiderohen se janë ndikuar direkt nga mosarritja e uljes së korrupsionit, mungesa e burimeve financiare, si dhe përdorimi i buxhetit pa fokus të qartë drejt interesit publike për pjesën më të madhe të shoqërisë.
Në kontekstin e rindërtimit, mundësitë për korrupsion lidhen me interesa të ngushta elektorale, standarde të ulëta etike, kapacitete problematike të zhvilluesve ndërtimorë, modele të dobëta bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe shoqërinë civile, si dhe sanksione të papërshtatshme për kundravajtësit.
Në një adresim fillestar të problematikave që tashmë ne i kemi përmendur në analiza të mëparshme[2], ku u konstatuan të njëjtat siptoma si përmendur më lart ne kemi diskutuar së pari lidhur me procedurat jotransparente dhe mekanizmi i llogaridhënies të përdorur jo sipas formateve ligjore dhe etikës së komunikimit me publikun duke mos lejuar të gjitha palët e interesuara të vlerësojnë synimet dhe veprimet e ndërmarra në proceset e ndihmës dhe rindërtimit. Në gjithë procesin e vendimarrjes për shpërndarjen e fondeve të rindërtimit janë anashkaluar konsultimet dhe debati publik duke cënuar kështu ndjenjën e përkatësisë dhe uljen e besimit të ndërsjellë.
Ndikimi i vendimeve të qeverisë[3] ndaj përballimit të fatkeqësive natyrore ka lënë pikëpyetje të pasqaruara për formën dhe mënyrën, kohën dhe devijimet e vendimarrjes ku duket se një pjesë e tyre duke shfrytëzuar artificat e emergjencës nga fatkeqësitë natyrore është orientuar nga preferenca politike, që përcaktojnë orientimet e buxhetit për infrastrukturën, efektivitetin e reagimeve emergjente dhe të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, ku qeverisja tjetërsohet si praktikë biznesi dhe tolerohet respektimi i standarteve të ndërtimit .
Analizat tona tregojnë se mosarritja e adresimit të gjithë arsyeve për ti çfryrë problemet e qeverisjes ka dhënë ndikimin e vet në status quo-në e pandryshuar të marrëdhënieve kritike ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve të institucionale, me pak efekte në forcimin e qeverisjes së mirë dhe luftimin efektiv të korrupsionit.
Në këto analiza nuk kemi llogaritur akuzat e SPAK ndaj drejtuesve të niveleve të larta dhe vartës të tyre, pasi ato kryesisht nuk janë të ndikuara nga denoncimet e qeverisë.
Korrupsioni si një fenomen kompleks që prek të gjithë sektorët tashmë nuk është kufizuar vetëm në aspektin ekonomik dhe institucional.
Mjafton të kthehemi në kohë në rastin e shkaqeve të pasojave nga tërmeti, por edhe më pas në rastet e problemeve me infrastrukturën mjekësore në periudhën pandemike, që të kuptojmë disa pasoja me jetë njerëzore, dëme ekonomike dhe sociale, ku përfshihet detyrimisht ndikimi i dëmshëm i korrupsionit.
Sipas mendimit tonë, korrupsioni ndikoi direkt me cilësinë e ulët të ndërtesave dhe infrastrukturës sociale, dobësisë së sistemit të menaxhimit të shëndetit. Rreziku për rritje të përkeqësimit të efekteve shihet qartë, në rast se nuk do të ishin investuar fonde shtesë nga buxheti në vend që të merreshin direkt nga korrupsioni i përhapur.
Prandaj edhe ne theksojmë rëndësinë e promovimit të anti-masave efektive kundër arsyeve të korrupsionit për të forcuar jo vetëm institucionet, por dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për më shumë transparencë të qeverisjes dhe përdorimin e duhur të burimeve publike, ashtu si theksohet edhe nga një studim i FMN-së[4].
Janë pikërisht mangësitë në përmbushjen e gjithë objektivave të institucioneve përgjegjëse që me favorizimet, devijimet, mospërmbushjet e programeve në kohën e përcaktuar, si dhe veprimet joefektive kanë ndikuar potencialisht në stimulimin e mundësive për korrupsion dhe menaxhimin jo efektiv në operacionet e ndihmës dhe rindërtimit[5] dhe situatës pandemike[6], si më poshtë:
- Ndikim në alokimin e fondeve masive të buxhetit duke krijuar premisa dhe mundësi për keqmenaxhim, diversion dhe korrupsion. Burimet e mëdha financiare, si dhe ndihmat e huaja kryesisht në natyrë, në kushtet e një kulture të dobët bashkëpunimi mes institucioneve në disa raste kanë qenë një joshje e rrezikshme për ata që kanë akses në to[7].
- Kërkesat urgjente për ndihmë të shpejtë edhe pse nuk u ndikuan vetëm nga fatkeqësitë mundet të kenë nxitur një vlerësim jo të duhur të nevojave[8]. Në raste të ndryshme janë prezantuar veprime që kanë rezultuar në shënjestrim të dobët, furnizim të tepërt ose mungesë ndihme, si dhe nisje të papërshtatshme të projekteve duke krijuar mundësi për shfrytëzim nga palët e korruptuara
- Në mënyrë të ngjashme, presioni për të ofruar ndihmë shpejt për zonat e dëmtuara nga tërmeti i fundvitit 2019 dhe vendimi politik për të siguruar rindërtim të shpejtë lë hapësira për të anashkaluar procedurat standarde, në veçanti rregullat e prokurimit si momenti i vërtetë për transparencën në ndarjen e kontratave. Edhe pse nevoja për procedura të përshpejtuara është e kuptueshme, potenciali për abuzim duket se është rritur në ato raste ku ka patur denoncime për devijim nga standardi mbi procedurat e prokurimit.
Në reagim analitik duhet ti lexonim gjetje si më lart nga Departamenti i Antikorrupsionit. Por, ne konstatuam se institucioni antikorrupsion dhe degët e tij në qeveri nuk kanë prezantuar analiza apo raporte, që të qartësonin llojet e korrupsionit[9] . Raporti i antikorrupsionit duhet të tregonte ato që kanë ndodhur me fondet e brendshme dhe ndihmat e huaja, si dhe procedurat për operacionet e rindërtimit, ku të shprehej qartë për rastet e investiguara dhe masat parandaluese dhe goditëse. Në fakt kjo është bërë vetëm nga media duke filluar me ilustrime dhe denoncime të shumta që përmbanin si raste nga mashtrimi, përvetësimi, keqpërdorimi i aseteve deri te devijimi i burimeve të ndihmës dhe ryshfeti i drejtpërdrejtë.
Por, kur institucioni i llogaridhënies, transparencës dhe antikorrupsionit ka një raportim jashtë objektit të veprimit të tij me konstatime dhe veprime reaguese të dobëta përpara një situate potenciale për akte korruptive, ai nuk ka gjasa të jetë më i fortë dhe i besueshëm në një situatë të ardhme.
Në të vërtetë, pozita qendrore e shtetit në pjesën më të madhe të pritjes, koordinimit dhe dhënies së ndihmës ka shqetësuar opinionin publik për potencial të madh për keqpërdorim.
Mashtrimi me prokurimet është një e keqe e zakonshme edhe në kushte krejtësisht normale, por në situata fatkeqësish rezulton se procesi i prokurimit dhe dhënia e kontratave të mëdha janë veçanërisht të prirura ndaj korrupsionit. Standardet e prokurimit duke anashkaluar parlamentin në miratimin e fondeve, si dhe duke mos e konsideruar fare publikun kanë patjetër një dyshim të fortë për këdo, se veprime të tilla kanë zbutur kriteret për të siguruar rindërtim të shpejtë, por kjo me gjasa është shfrytëzuar nga organizata apo kompani të korruptuara.
Duke qenë se u përfshinë shuma të mëdha, si për kontratat e rindërtimit, po ashtu edhe për infrastrukturën shëndetësore dhe mallra e pajisje të ndryshme, hapësirat për të realizuar akte korruptive nuk na prezantuan të paktën reagimet e auditeve të brendshme dhe organeve financiare dhe fiskale. Asnjë raport i qeverisë nuk garanton nëse kontraktorët kanë ndërtuar një infrastrukturë me standarte, me matëriale cilësore, brenda kostove të preventivuara, me siguri për raste të ardhme etj.
Një dyshim ende i pasqaruar është përfitimi politik nga situatat e fatkeqësive natyrore i lidhur direkt me vendimet e shpeshta për devijime të fondeve dhe prioriteteve të rindërtimit sipas zonave pak muaj para zgjedhjeve vendore. E gjitha kjo qasje, në një situatë demokracie hibride dhe në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies i shton dyshimet e tejkalimit të parimeve të mirëqeverisjes, pasi nuk ka krijuar garanci se me anë të vendimeve dhe efektit të propagandës të qeverisë të mos jenë siguruar kredite për ndikime elektorale në zonat ku nuk ka patur popullaritet dhe mbështetje partia qeverisëse. Në këto kushte, kur këto kritere janë plotësuar, atëherë gara elektorale ka një bonus të madh për qeverinë, me ndikim të fortë në prishjen e konkurimit politik. Natyrisht që ka ndikim edhe në korruptimin e vullnetit të elektoratit vendor. Elitat dhe individët e fuqishëm në komunitete janë zbatuesit potencialë për të manipuluar opinionin dhe rritur përfitimet duke marrë merita që i përkasin taksapaguesve.
Po çfarë mund të ndryshohet në këtë ambjent të padëshirueshëm nga shumica e qytetarëve në raste të ardhme, por edhe për jetën e përditshme?
Trajtimi i rasteve dhe diskutimit mbi efektet e korrupsionit, si një ndikues direkt në rriskun e lartë nga fatkeqësitë në mënyrë specifike mund të ofrojë një model për përmirësimin e besimit të publikut në institucionet e tjera shtetërore duke shërbyer si pjesë balancuese e pushtetit.
1. Siç u diskutua më lart, procesi i rimëkëmbjeve nga fatkeqësitë natyrore ka aktorë të shumtë të përfshirë. Prandaj është thelbësore që qeveria në bashkëpunim të detyruar me ekspertët, organizatat e shoqërisë civile, donatorët të punojnë së bashku, pasi lufta e përbashkët ndaj korrupsionit ka në thelb të saj besimin reciprok duke forcuar llogaridhënia në përdorimin e burimeve midis të gjitha palëve të interesuara.
Monitorimi, vlerësimi dhe raportimi duhet të jenë mjete kritike për llogaridhënien dhe minimizimin e rriskut prej korrupsionit. Megjithatë, ato janë më efektive vetëm nëse kryhen në mënyrë të pavarur nga organizata dhe individë aktivistë përgjegjës për zbatimin e programit.
Megjithëse kontrolli i brendshëm në institucione është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm, duket se mangësitë nga patronazhimi dhe varësia institucionale kanë ndikuar mbi to duke humbur besimin si kapacitete të pavarura monitoruese.
Përfshirja e të gjitha palëve të interesuara në procesin e ndihmës mund të garantohet vetëm nëse janë ngritur dhe funksionojnë mjaftueshëm sistemet e transparencës dhe llogaridhënies.
Për të kërkuar që llogaridhënia të jetë e plotë, vetë qeveria duhet të kërkojë mekanizma të rinj për gjurmim dhe monitorim jashtë institucioneve që ka miratuar dhe që kanë funksionim me efikasitet të dobët, madje edhe të ndikuar nga të korruptuarit.
Në këtë kuptim, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetet përfituese duhet të përfitojnë burime nga buxheti i shtetit që tu mundësohet monitorimi i flukseve të ndihmës dhe vlerësimi i ndërmjetëm dhe përfundimtar mbi përmbushjen e objektivave të projekteve të ndihmës dhe rindërtimit.
Mekanizmat efektivë të vlerësimit dhe raporteve të tyre do të mundësojnë aktivizimin e Ministrisë kundër korrupsionit si dhe median dhe publikun e gjerë për të komunikuar rastet e perceptuara të abuzimit dhe korrupsioni gjatë gjithë procesit të ndihmës apo zhvillimit të projekteve.
2. Mungesa e konsultimit me qytetarët, sidomos me shoqërinë civile bie pak monitorim në projektet dhe përfitimin prej ndihmave. Kjo sjellje e përkeqëson më tej situatën e njerëzve dhe ekonomisë më të prekur. Prandaj, i gjithë procesi duhet të jetë me një fokus të dedikuar te njerëzit si produkt i pjesëmarrjes gjithpërfshirëse. Të gjithë palët e interesuara duhet të përfshihen në vendimmarrje mbi proceset, nga vlerësimi fillestar i nevojave deri në hartimin e projekteve, prokurimin, zbatimin, vlerësimin dhe raportimin duke patur një vend të veçantë në gjithë këto procedura ku të jetë edhe komenti i tyre.
Marrëdhëniet më të mira me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe komunitetet e prekura mund të ndihmojnë në reduktimin e gabimeve në shënjestrimin dhe shpërndarjen e drejtë të burimeve për të parandaluar edhe ndikimin nga të korruptuarit, por për të siguruar në këtë mënyrë që edhe ndihma të jetë e saktë dhe efikase.
3. Mekanizmat e fortë të llogaridhënies janë një tjetër faktor kritik në frenimin e korrupsionit. Sipas Wiehen (2005), përgjegjshmëria e plotë i referohet “…aftësisë së qeverive dhe ofruesve të ndihmës për të dhënë llogari plotësisht për institucionet e tyre, për çdo organ kontrolli të jashtëm dhe për përfituesit përfundimtarë të ndihmës, për përdorimin e duhur të burimeve, cilësinë e produktit përfundimtar dhe ofrimin efektiv të tij”.
[1] Kategori të ndryshme të fatkeqësive natyrore përfshijnë rastet (a) gjeofizike (tërmete, lëvizja masive e tokës dhe aktiviteti vullkanik), (b) meteorologjike (temperaturë ekstreme, stuhi dhe përmbytje), (c) hidrologjike (përmbytja, rrëshqitja e dheut dhe veprimi i erozionit të ujit), (d) klimatologjike (thatësira, shpërthime, zjarri) dhe (e) biologjike (epidemia, infektimi prej insekteve dhe kafshëve).
[2] https://altax.al/ekonomia-duhet-te-kishte-te-njejtin-fokus-si-programi-i-rindertimit/
[3] https://planifikimi.gov.al/index.php?id=94
[4] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2023/English/wpiea2023220-print-pdf.ashx
[5] https://panel.klsh.org.al/storage/phpQ4rBYo.pdf
[6] https://panel.klsh.org.al/storage/phpeuTNYc.pdf
[7] https://www.zeriamerikes.com/a/7393294.html
[8] https://www.co-plan.org/wp-content/uploads/2020/06/Përgjigja_Nivel_Lokal_COVID19_062020.pdf
[9] https://sipermarrja.gov.al/wp-content/uploads/2022/06/Raport-Vjetor-Kombëtar-për-Antikorrupsionin.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.