Emigrimi i bizneseve, një sinjal për politika të zgjuara dhe përgjegjshmëri

Emigrimi i bizneseve, një sinjal për politika të zgjuara dhe përgjegjshmëri

Migrimi i bizneseve është pjesë e lëvizjes së kapitalit aty ku rikthimi dhe kushtet e të bërit biznes janë apo perceptohen si më të mira. Bizneset në rolin e investitorit kanë një rol qendror në menaxhimin e kësaj lëvizje kapitale duke orientuar në këtë rast edhe lëvizjen e tregut të punës, por edhe fuqizimin e aktiviteteve ekonomike të vendeve ku ata zhvendosen.

Sipas të dhënave statistikore të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave për 6-mujorin e parë 2023[1] ka një dalje të investimeve kapitale të bizneseve rezidente shqiptare në vlerën absolute prej 126 milionë euro[2]. Kjo vlerë është dukshëm më e lartë (36 milionë Euro) kur krahasohet me vlerën e investimeve kapitale dalëse prej 90 milionë Euro në 6-mujorin e parë 2022.

Megjithëse është e pamundur të gjesh një burim të dhënash për numrin e saktë të bizneseve që janë larguar nga Shqipëria, nga analiza e publikimeve online nga INSTAT për  “Regjistrat e Biznesit” për vitin 2022[3] dhe “ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta 2019-2021”[4] konstatohet se nuk gjenden të dhëna për këtë tregues. Madje nga statistikat mes këtyre regjistrave shihet se nuk kanë përputhshmëri për të paktën vitin 2021[5], ku ndërmarrjet shqiptare prezantohen në numra të ndryshëm, ndërsa ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë përputhshmëri të dhënash.

Megjithatë, nga një llogaritje indirekte nga gjithë të dhënat e prezantuara në regjistrat më lart duket se të paktën deri në 1.350 biznese shqiptare dhe të huaja janë mbyllur apo larguar në vendet pritëse të investimeve kapitale shqiptare. Mbi 75% e tyre kanë shkuar drejt Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacisë, Greqisë, Italisë dhe një pjesë e caktuar tashmë edhe drejt Gjermanisë, Kinës dhe vendeve të tjera të BE-së, por pa përjashtuar edhe largime të profesionistëve të TI dhe shërbimeve të tjera, pa përfshirë kompanitë offshore që vijnë si investime të huaja në harkun e pak viteve, pasi janë hapur në juridiksionet e parajsave fiskale.

Duke parë titujt e lajmeve, mund të mendohet se ka një rritje dramatike të largimeve jashtë vendit të bizneseve rezidente shqiptare. Nga ana tjetër, nëse i lexojmë treguesit e cunguar të publikimeve zyrtare mund të krijohet perceptim jo realist lidhur me arsyet që i shtyjnë një pjesë të kapitaleve me origjinë shqiptare që për 6 mujorin e parë 2023 tregon një rritje jo të pakët të daljes së tyre.

Por a janë të vërteta këto rrëfime dhe ky perceptim?

Në një përqasje të realitetit migrues të kapitaleve me origjinë shqiptare me largimin  e një pjese të qenësishme të popullatës së aftë për punë, si dhe të largimit të trurit shqiptar drejt tregut të punës ndërkombëtar duket se është një arsye direkte për të orientuar edhe vëmendjen e bizneseve rezidente shqiptare të emigrojnë.

Nga gjithë informacionet e mundshme lidhur me rolin dhe fuqinë e emigrantëve në vendet pritëse konstatohet se ata po mbushin vende të rëndësishme si në sektorët me rritje të shpejtë dhe në rënie të ekonomisë fqinje dhe atë europiane e më gjerë.

Ashtu si bizneset vendas, bizneset që largohen nga vendi apo edhe ata rezidentë shqiptarë që kanë krijuar të ardhura nga burime të ligjshme dhe të paligjshme, që nuk përzgjedhin Shqipërinë për të investuar kapitalet e tyre kanë arsye që të ndihen më të vlerësuar dhe me një siguri më të madhe për të përfituar rimarrjen e kapitaleve që investojnë. Kjo lidhet me atë faktor të rëndësishëm që quhet garancia e investimeve.

Ndërkohë, në vendin tonë kjo garanci është thyer mjaftueshëm për të mos patur më vëmendjen e bizneseve të huaja dhe vendase, pavarësisht lëshimeve fiskale të bëra nga qeveria, por të studiuara keq apo të pastudiuara si dhe sa duhet. Në këtë rast është e nevojshme të përmendim si arsye për tu shqetësuar thirrjet e unifikuara të organizatave të biznesit të huaj dhe vendas, thirrjet prej shumë kohësh të eksportuesve dhe të prodhuesve shqiptarë, si dhe thirrjet për vëmendje dhe dialog të sinqertë të gjithë ekonomistëve dhe këshilltarëve të biznesit, të cilët ndiejnë se ndërhyrjet e koordinuara që dalin mes dialogut mund të adresojnë një ndryshim për mirë të klimës për të bërë biznes.

Pavarësisht kostove financiare, njerëzore dhe sociale të kapitalit për familjet dhe vendin e origjinës, siç mund të jetë Shqipëria për investimet e huaja që dalin, të dhënat e emigracionit ekonomik me një vlerë prej vetëm 103 milionë Euro në 6 muaj duhet të kthejë me domosdo vëmendjen e politikave të zgjuara për të analizuar dhe fokusuar burimet për të trajtuar arsyet dhe zgjidhjet.

Edhe pse një pjesë e bizneseve vendase e kanë kuptuar se emigrimi nuk është kusht i domosdoshëm për zhvillim duhet të kuptojmë që evolucioni i emigracionit nga viti në vit sugjeron se migrimi është pjesë e ekuacionit të zhvillimit për sa kohë nuk ka garanci se mund të përfitohet në të ardhmen nga një bum rikthimesh të kapitalit dhe fuqisë së kualifikuar punëtore në vend. Ndërkohë, ambasadat dhe komuniteti i vjetër dhe i ri mundet të atashohen si pjesë promovuese integrale e produkteve shqiptare “Made in Albania”. Kjo politikë mund të ndikojë në uljen e tendencës emigruese duke përdorur me sukses kapitalet e diasporës në vendin e rezudencës së tyre.

Në shumë vende emigracioni po përdoret për zhvillimin e segmenteve të ekonomive të tyre, të cilat jo domosdoshmërisht mund ti përshtaten ambjentit ekonomik shqiptar edhe për shumë dekada të ardhme.

Për Shqipërinë, emigrimi i bizneseve duhet lidhur me arsyet se pse emigrojnë individët dhe familjet për të nënkuptuar se disa kosto që lidhen me emigrimin mund të kursehen dhe përdoren me efektivitet, nëse politikat dhe zbatimi i ligjit nuk do të ndikohet nga korrupsioni dhe dhunimi apo mohimi i të drejtave për të bërë biznes bazuar mbi një treg pune të denjë. Këto detyra të përgjegjshme i përkasin qeverisë dhe jo vetëm bizneseve.

Politikat publike kanë ndikim nëse bizneset emigrojnë dhe ky fakt është i njëjtë në arsyetimin që përdorin edhe individët kur emigrojnë. Për shembull, synimi për të emigruar është proporcionalisht më i ulët në vendet që shpenzojnë më shumë për mbrojtjen sociale. Po kështu vendet që kanë arritur të ndërtojnë një sistem arsimor konkurues me tregun e punës rajonal arrijnë të mbajnë më shumë fuqi punëtore për ta kualifikuar dhe integruar në një treg po aq të avancuar sa niveli edukimit. Por, kur fondet për kërkimin dhe zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë janë në nivelin më të ulët në rajon nuk ka arsye më të fortë që të tregojë efektin e politikave dhe vizionit strategjik për vendin.

Ndërkohë, një shembull tjetër për vendin tonë me një sektor bujqësor deri 21% të ekonomisë, subvencionet bujqësore mund të ulin emigracionin. Por nëse qeverisjet nuk do ta përdornin ekonominë bujqësore dhe individët që jetojnë në to si deri më sot, por nëpërmjet forcës së politikës së përgjegjshme do të kishin orientuar ekonominë bujqësore drejt diversifikimit dhe jo të bazuar në thelb vetëm në prodhimin bujqësor, por agropërpunimin, atëherë me gjasë nuk do të kishte më tej emigrim të individëve dhe bizneseve të kushtëzuara nga pasiguria e tregut dhe përballimit të jetesës.

Në të kundërt, ashtu si po përjetohet deri më sot, fakti i një sektori të madh bujqësor, me një rol të rëndësishëm, sikur edhe të rriteshin nga pak subvencionet bujqësore, prape se prapë ato nuk arrijnë të ndikojnë mbi emigracionin, pasi produktiviteti prodhimit bujqësor nuk konkuron dot me importin dhe ekonomitë e zhvilluara bujqësore rajonale dhe europiane.

Megjithatë, nga studimi i vendeve që kanë zbatuar transferta të parave të gatshme për popullsinë e pamundur për të përballuar standartin e jetesës, si dhe për bizneset e reja dhe ato tradicionale që varen shumë nga konsumi i brendshëm është vërejtur se në një trajektore rritëse të tyre mund të ulin emigracionin, veçanërisht nëse ato kushtëzohen nga investimet e përshtatshme sipas tregut në arsim dhe teknologji.

Në përmbyllje të këtij argumenti që ka pak gjasa të shterojë me kaq argumente, ne mendojmë se zbatimi i Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, dhe rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e politikave që synojnë uljen e varfërisë dhe përmirësimin kushteve sociale ndikojnë direkt në tregun e punës dhe rrjedhimisht edhe në orientimin e bizneseve për të zgjedhur ku të investojnë. Nëse politikat e zgjuara do të zëvendësojnë morinë e politikave të vjetëruara dhe me orientim drejt përfitimeve elektorale, mund të shkaktojnë një ndryshim në politikat publike të orientuara më shumë drejt objektivave dhe për të ndihmuar në reduktimin e flukseve të migrimit të detyruar ekonomik.

[1] https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,1,0,17830&uni=20230911145607162158210189185160&ln=1&mode=alone

[2] https://altax.al/bilanci-i-pagesave-na-tregon-se-ekonomia-performon-dobet-dhe-pse-turizmi-tregon-shenja-rritje/

[3] https://www.instat.gov.al/media/11652/regjistrat-e-biznesit-2022.pdf

[4] https://www.instat.gov.al/media/11436/ndermarrjet-e-huaja-dhe-te-perbashketa-shqip.pdf

[5] https://www.instat.gov.al/media/10065/regjistrat-e-biznesit-2021.pdf (shih faqe 29 e linkut me faqe 8 të linkut më lart)

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: