Emigracioni forcon ekonomitë e zhvilluara dhe dobëson ekonomitë në zhvillim

Emigracioni forcon ekonomitë e zhvilluara dhe dobëson ekonomitë në zhvillim

Sipas një studimit të Dhjetorit 2023, të ekspertëve të FMN-së[1], Spanja përjetoi një valë emigrimi[2] duke filluar në fillim të viteve 2000, e cila rriti pjesën e popullsisë së lindur jo në Spanjë nga rreth 2 për qind në vitin 2000 në 12 për qind në vitin 2011. Kjo ndodhi në kohën e një bumi ekonomik (veçanërisht i pasurive të paluajtshme) dhe nivelit rekord të uljes së papunësisë.

Sipas “The Economict”, vitin e kaluar 1.2 milion njerëz u shpërngulën në Britani – pothuajse me siguri më i madhi ndonjëherë. Migrimi neto (d.m.th., emigrantët minus migrantët) në Australi është dyfishi i normës para Covid-19. Shifra ekuivalente e Spanjës së fundmi ka arritur një nivel më të lartë të të gjitha kohërave. Gati 1.4 milionë njerëz pritet të shpërngulen në Amerikë këtë vit. Në vitin 2022, migrimi neto në Kanada ishte më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm dhe në Gjermani ishte edhe më i lartë se gjatë “krizës së migracionit” të vitit 2015.

Pra shihet dukshëm se vendet në zhvillim dhe ato të varfra janë piknisja e emigrantëve në mbarë botën duke ndikuar në ekonomitë e vendeve të zhvilluara me ofertën e shtuar të punës dhe dijeve që zotërojnë.

A ka ndikuar emigracioni në rritjen ekonomike, apo emigracioni nxitet thjesht nga përmirësimi perspektivat ekonomike në periudha afatshkurtra pa vijuar më tej me efektin e tij?

Meqenëse emigrimi është shpesh në kërkim të mundësive më të mira ekonomike (Grogger dhe Hanson, 2011), perspektivat për rritjen ekonomike të një vendi janë nxitje të forta për të tërhequr migrantë, në vend që të jetë pasojë e emigrimit. Sipas konkluzioneve të studimit të ekspertëve të FMN-së për rastin e Spanjës, konstatohet se rezultatet për ndikimin e imigracionit në vendet e OECD janë plotësisht në përputhje me pikëpamje “optimiste” sipas Ortega dhe Peri (2009), se emigrimi nuk ka pasoja negative në punësimin e brendshëm, falë reagimit të shpejtë dhe të vrullshëm pozitiv të investimeve. Në fakt, gjetjet janë edhe më optimiste, pasi gjejnë efekte pozitive dhe të konsiderueshme të valëve të mëdha të emigrimit në vendet e OECD. Këto efekte materializohen shumë shpejt dhe janë në përputhje me ato të gjetura në studimet afatgjata të efekteve nga emigrimi. “Fitime dinamike” nga emigracioni, në formën e rritjes së produktivitetit dhe investimeve, mund të interpretohen si dëshmi e harmonizimit dhe plotësimit të boshllëqeve midis aftësive të emigrantëve dhe popullsisë së lindur në vend.

Megjithatë, emigrantët refugjatë apo ata që kalojnë kufijtë e vendeve të zhvilluara në mënyrë joligjore janë në disavantazh krahasuar me llojet e tjera të emigrantëve. Kushtet sipas cilët refugjatë emigrojnë dhe mundësitë e kufizuara që ata kanë për të marrë pjesë në tregun e punës në vendet pritëse reduktojnë ndjeshëm mundësitë e tyre për të kontribuar në ekonominë ku punojnë.

Por, ndërsa përfitimi ekonomik për vendet pritëse të emigrantëve është bërë i njohur dhe ajo që duam të vijojmë të analizojmë është ndikimi në ekonomitë e vendeve të tyre të origjinës dhe detyrat që duhet të bëjnë qeveritë në këto vende.

Duke u ndalur në ndikimin ekonomik në Shqipëri, shumica e analizave dhe të dhënave përqendrohet në efektin e largimit të fuqisë punëtore nga tregu i brendshëm, ku po ashtu ndikon me mungesën e vet edhe te financat publike. Nga njëra anë, të rinjtë që janë pjesa dinamike nuk arrijnë të shtojnë fuqinë punëtore dhe të ndihmojnë në mbështetjen me kontribute dhe taksa financat publike. Nga ana tjetër, e gjithë kjo moshë është edhe ndikuesja kryesore në plakjen e popullsisë në ekonominë shqiptare, që është përballë një fenomeni që nuk ka përvojë në trajtim dhe nuk e ka vënë ende në fokusin e duhur për ta menaxhuar për të ardhmen.

Një arsye kryesore nëse shikon nivelin e papunësisë te të rinjtë në Shqipëri është integrimi dy herë më pak në tregun e punës[3] se sa mesatarja e fuqisë punëtore mund duke u zhvendosur nga tregu si për arsye të mungesës së duhur të aftësive që kërkon tregu, por po ashtu edhe për arsye se tregu ofron vende pune që nuk përkojnë me kërkesat dhe ambiciet e tyre për të ardhmen.

Kjo situatë mund të shtojë presion mbi buxhetet e familjeve dhe tregun e punës, si dhe sistemet e sigurisë dhe mund të krijojë madje edhe tensione sociale.

Por, pak dihet për ndikimin afatgjatë të emigracionit mbi PBB-në për frymë (ose standardin e jetesës) të ekonomisë. Emigracioni mund të ndikojë në GDP për frymë në dy mënyra.

Së pari, mund të ulë pjesën e njerëzve në moshë pune në totalin e popullsisë, sepse emigrantët që priren të largohen janë kryesisht në moshë pune. Ky efekt është më i madhi[4], pasi largimi i kësaj fuqie punëtore krijon të çarë në tregun e punës. Në dy vitet e fundit migracioni neto[5] është – 32.5 mijë individë. Ky boshllëk në rritje në treg nuk është plotësuar dot nga marrja e punonjësve nga vende të tjera[6] (kryesisht nga vendet fqinje, Turqia dhe Lindja e mesme dhe Azia)[7].

Së dyti, ky boshllëk në rritje i sasisë së fuqisë punëtore përmban problemin të fortë për tani, por më shumë për të ardhmen, atë të ndikimit në produktivitetin për punëtor. Pra, efekti i fortë dhe direkt është ulja e vlerës së shtuar të ekonomisë shqiptare dhe bashkë me të edhe të konkurueshmërisë për të dalë në tregje dhe për të mbajtur dhe forcuar eksportin. Më i fortë migracioni i brendshëm në Shqipëri është në Dibër, Berat, Elbasan, Fier dhe Korçë[8]. Në këto rajone të vendit,  sektori bujqësor mban vendin kryesor me mbi 43% në Korçë deri në afër 49% në Berat. Largimi i fuqisë punëtore nga këto rajone shihet se lidhet direkt me mungesën e vendeve të punës të përshtatshme për një vlerë të lartë, por edhe për një perspektivë që nuk është optimiste, përsa kohë bujqësia dominon deri gjysmën e ekonomisë dhe sektorët e tjerë janë ende larg pritshmërive për të krijuar vlerë të lartë të punës. Kjo situatë ekonomike ka ndikuar për të nxitur emigrantë me arsim të lartë për shkak të përfitimeve të lidhura me produktivitetin e tyre të lartë që munden ta gjejnë vetëm në tregjet e huaja të punës duke filluar nga Europa dhe duke vijuar me vendet e tjera të OECD-së. Por edhe emigrantët me aftësi të ulëta dhe të mesme munden potencialisht gjithashtu kontribuojnë në produktivitetin agregat të vendeve kufitare me Shqipërinë, duke justifikuar që aftësitë e tyre të jenë plotësuese me ato të vendasve në vendet ku emigrojnë.

Nisur nga këto fakte statistikore që prezantojmë këtu ne ngrejmë shqetësimin lidhur me përfitimet nga puna dhe konsumi i emigrantëve që largohen nga vendi, ku përtej efekteve si më lart duket se kontributi i tyre atje rrit peshën e ekonomisë nëpërmjet konsumit dhe punës dhe e ul në përmasë më të vogël në Shqipëri (për arsye të angazhimit të tyre të pjesshëm në tregun e punës, dhe kontributit vetëm si konsumatorë të produkteve dhe shërbimeve). Ndërkohë, kontributi nga remitancat kryesisht prej emigrantëve, që mesatarisht janë në një nivel vjetor sa 5.5% e PBB-së është efekti i dytë që shkon në rritjen e konsumit të ekonomisë shqiptare, por pa ndikim të dukshëm në sektorët e prodhimit dhe në rritjen e produktivitetit.

Por, ndikimi më kryesor që japin për të ardhmen është ndikimi me ritme të shpejta në plakjen e popullsisë dhe krijimin e një presioni social në rritje për buxhetin e shtetit, si dhe për nivelin e jetesës së moshës së tretë.

Vlerësimet tona për një ndikim të konsiderueshëm të emigracionit në PBB-në për frymë sugjerojnë se erozioni (humbja) e të ardhurave fiskale nga emigracioni mund të jetë të i madh se mund të jetë vlerësuar, duke marrë për bazë vlerësimet statike të fitimeve neto fiskale (diferenca midis taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore të banorëve që kanë ikur emigrantë me marrjen e përfitimeve prej tyre të sigurimeve shoqërore dhe shërbimeve shtetërore (arsim, shëndet, etj.) për vitet kur kanë qenë rezidentë në Shqipëri.

Ndërkohë, ri integrimi i emigrantëve në tregun e punës është kritik, si kur nxiten nga ftesat e qeverisë për të ardhur si investitorë apo si fuqi punëtore, po ashtu ehe në rastin kur këto vendime vijnë nga motivet e brendshme të emigrantëve.  Realiteti të cilin e ndjejnë në momentin e  kthimit është më i fortë se pjesa tjetër që ka ndikuar në vendimin e tyre dhe përsëri janë në pikën e fillimit, por me energji më të vogla për të siguruar jetesën dhe për të përfituar nga rishpërndarja e PBB-së për frymë për qytetarët. Është fakt që të ardhurat për frymë janë rritur pak[9], por në vendet e fundit në Europë, njësoj si dekada përpara[10]. Ky nivel të ardhurash, që tregon të ardhura të pakta nga puna dhe kapitali është një arsye e fortë, që ndikon pareshtur në vendimin afatgjatë për të ri emigruar apo për emigrime të reja.

Një sërë politikash që u ndërmorën në dekadën e fundit për ndihmuar një pjesë të tregut të punës nëpërmjet edukimit profesional shihet se ka patur ndikime të pakta dhe me një peshë të pandjeshme për të parandaluar të rinjtë në vendimin e tyre për emigrim[11]. Mungesa e aftësive të duhura për tregun dhe mospërputhja e kërkesave të të rinjve me ofertën e tregut të punës krijon premisa për ulje të vlerës së shtuar ekonomike në vend, si dhe është e krahasueshme me ndikimin në frenimin e rritjes ekonomike, për sektorë vitalë me vlerë të lartë, si: prodhimi bazuar në teknologji, prodhime me standarte për tregjet me vlerë të lartë dhe krijimin e traditës së punës produktive për zinxhirin e qarkullimit të ekonomisë dhe vendeve të punës.

Nëse arsimi bashkë me krijimin e një qasje agresive për rritjen e investimeve në kërkim dhe zhvillim, si dhe duke harmonizuar më mirë pjesët pozitive të zinxhirëve të ekonomisë me qasjet e reja të teknologjisë për të kaluar në një tranzicion të ri ekonomik me pak rrisqe do të kishte të gjitha shanset të ishte e pranueshme për gjithë grupin e kandidatëve me kualifikim të lartë për të emigruar, si dhe do të fillonte të mbyllte të çarat e arsyeve për emigrim duke rikthyer balancat në treg dhe shoqëri.

Pra, politikat zbutëse mund të ndihmojnë rregullimin e një ekuilibri të ri me kah pozitiv. Përveç masave për nxitjen e integrimit të të rinjve në tregun e punës, masa të lidhura me të rinjtë janë edhe politikat e integruara për familjet e reja dhe në tërësi stimulimin e forcimit të tyre.

Nëse vijohet me qasjen ende shumë të dëmshme të hartimit të strategjive për të treguar një realitet virtual dhe aspak në ndihmë të adresimit për zgjidhje të problemeve, atëherë gjithë këtë dëm të madh duhet ta llogaritim për ta faturuar si dëmi ekonomik në vend të dëmit moral si deri më sot.

[1] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2023/English/wpiea2023259-print-pdf.ashx

[2] procesi i njerëzve që shkojnë në një vend për të jetuar dhe punuar atje

[3] https://www.instat.gov.al/al/temat/tregu-i-pun%C3%ABs-dhe-arsimi/pun%C3%ABsimi-dhe-papun%C3%ABsia/publikimet/2022/anketa-tremujore-e-forcave-t%C3%AB-pun%C3%ABs-t4-2022/

https://www.instat.gov.al/media/12843/atfp-tr3-2023_press-release.pdf

[4] popullsia mesatare në 2023 ishte 38.8 vjeç, nga 38.2 vjeç që ishte në 2022

[5] diferenca midis imigrantëve (atyre që hyjnë) dhe emigrantëve (atyre që largohen)

[6] https://www.instat.gov.al/media/11653/popullsia-e-shqiperise-1-janar-2023.pdf

[7] https://www.instat.gov.al/media/12600/draft-publikimi-i-te-huajve-2022-2023.pdf

[8] https://www.instat.gov.al/media/12879/vjetari-statistikor-rajonal-2023.pdf

[9] https://altax.al/te-ardhurat-per-fryme-ne-shqiperi-dhe-kursi-kembimit-2002-2022/

[10] https://www.monitor.al/shqiperia-e-parafundit-ne-europe-per-te-ardhurat-per-fryme-pa-rritje-ne-2012/

https://www.monitor.al/shifrat-e-eurostat-shqiperia-mbetet-me-e-varfra-dhe-e-fundit-ne-europe-per-te-ardhurat-per-fryme-dhe-konsumin/

[11] https://www.balkanweb.com/arsimi-profesional-kryeministri-rama-tregu-i-punes-i-etur-per-profesioniste-pagat-po-vazhdojne-te-rriten-ndjeshem/#gsc.tab=0

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: