Efektet nga mbiçmimi i Lekut këtë vjeshtë të 2024

Efektet nga mbiçmimi i Lekut këtë vjeshtë të 2024

Është e rëndësishme të theksohet se mbiçmimi i monedhës është relativ, pasi matet kundrejt një monedhe tjetër. Për shembull, nëse Leku vlerësohet kundrejt euros, kjo do të thotë se Leku blen më shumë euro, por nuk do të thotë domosdoshmërisht se Leku është mbiçmuar kundrejt të gjitha monedhave të tjera.

Të paktën si rregull i tregut të këmbimit funksionon pikërisht kështu. Ndërkohë, në Shqipëri Leku është vlerësuar në të njëjtin trend për të tre monedhat e forta (Euro, Dollar amerikan dhe Paund Britanik). Ndërkohë, që nuk ka të njëjtën tendencë vlerësimi me frangën zvicerane apo monedha të tjera që janë partnerë jo kryesorë të bizneseve shqiptare, apo edhe me prani të pakët të emigrantëve shqiptarë në raport me vendet që përdorin monedhat si më lart.

Nga mbiçmimi i Lekut ka disa efekte të mundshme:

Efekti i parë i prekshëm është se importet duhet të bëhen më të lira. Arsyeja qëndron te lidhja shkak – pasojë, pasi kur një monedhë vlerësohet, ajo bëhet relativisht më e fortë në krahasim me monedhat e tjera. Si rrjedhojë, mallrat e importuara bëhen më të lira për sa i përket mbiçmimit të monedhës, duke përfituar konsumatorët.

Por, nëse shikojmë indeksin e çmimeve të konsumit në 8-mujorin 2024 për produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike (kryesisht rreth 70% e konsumit janë nga importi) ka një ndryshim vjetor me 2023 me 19.7%. Nga llogaritja e diferencës së kursit të këmbimit në të njëjtën periudhë shihet, se Leku u mbiçmua me 3%. Për pasojë të kësaj situate vlerësuese të lekut duhet të kishte edhe një rënie të çmimeve deri afër të njëjtit nivel, pasi për periudhën 8-mujore 2024 ka patur pak ndryshim në kostot e tjera operative dhe financiare. Në fakt, në këto çmime që konsumohen në tregun e brendshëm ka edhe ndikime të konjukturave të çmimeve ndërkombëtare, që për mallrat ushqimore reflektohen shumë pak.

Në mospërcjelljen e tendencës ulëse të kostos më të lirë të importeve në çmimet e mallrave ushqimore dhe pijeve joalkoolike është faktori i informalitetit, që mbartet sa nga prania po në të njëjtin nivel të korrupsionit të institucioneve që e kanë detyrë ta luftojnë, por edhe nga pasiguria e ndikuar nga politikat afatshkurtra dhe që kanë deformuar lirinë e tregut dhe mjedisin konkurues për bizneset formale. Përfitimi kryesor vjen nga bizneset importuese të shumicës, si dhe në këto periudha, kur institucionet nuk arrijnë dot të marrin detyrimet e drejta tatimore është e nevojshme rishikimi i programeve për të luftuar së pari evazionin, si dhe së dyti për të rillogaritur tatimet e drejta për ta.

Efekti i dytë i prekshëm është inflacioni më i ulët. Vlerësimi i Lekut ka arritur të ndihmojë në uljen e presioneve inflacioniste duke i bërë importet më të lira, ku ky efekt u sqarua më lart.

Në fakt, çmimet më të ulëta të importit duhet të jenë edhe për produktet dhe mallrat industriale, të cilat përkthehen në ulje të kostove për bizneset dhe ulje të çmimeve të përgjithshme të konsumit për mallrat dhe shërbimet e ndryshme të lidhura me to. Nga treguesit statistikorë shihet se kostot për prodhuesit janë rritur më tej gjatë 2024[1]

Edhe në këtë rast, inflacioni më i ulët nuk është përkthyer në një kosto më të ulët se 8-mujori i vitit 2023, kur inflacioni ishte më i lartë. Edhe pse ka një rënie me të paktën 3%, inflacioni vijon të mbetet i lartë krahasuar me zhvlerësimin e monedhave të huaja me të cilat paguhen importet.

Efekti i tretë, por me peshë për ekonominë shqiptare janë sfidat për eksportuesit. Vlerësimi i monedhës mund të përbëjë sfida për eksportuesit pasi mallrat e tyre bëhen relativisht më të shtrenjta për blerësit e huaj. Në tregun shqiptar, kjo goditje pozitive e kursit të këmbimit të monedhës vendase (një mbiçmim i shpejtë dhe i pandalshëm) po u kushton eksporteve dhe disa importet më pak të shtrenjta, pasi nga njera anë konkurrenca nga tregjet e huaja ka ulur kërkesën për produkte vendase, me pasojë në uljen e prodhimin dhe çmimeve të tregut të brendshëm[2].

Si rrjedhojë janë ulur edhe shitjet e tyre në tregun e brendshëm duke u shoqëruar edhe me rënie të numrit të punësuarve, edhe pse fondi i pagave për punonjësit egzistuesë ka një rritje të lehtë.

Kjo mund të ndikojë negativisht në konkurrencën e eksportit dhe potencialisht të çojë në një ulje të vëllimit të eksportit.

Efekt i katërt është ndikimi te llogaria korente dhe çekuilibrat tregtarë. Kështu, vlerësimi i konsiderueshëm dhe i zgjatur i Lekut shihet se ka ndikuar ekuilibrin midis importit dhe eksportit duke rritur diferencën midis tyre dhe varësinë e ekonomisë nga importi në dëm të prodhimit për eksport. Në fund të 8-mujorit 2024 deficiti midis importeve dhe eksporteve është 339.5 miliard lekë, nga 277.3 miliard lekë që ishte për 8 mujorin 2023. Arsyeja kryesore është se eksportet duket se janë bërë më pak konkurruese.

Efekti i pestë është ndikimi te turizmi dhe flukset e kapitalit (investimet e huaja hyrëse). Vlerësimi i Lekut mund të ndikojë në turizmin, pasi Leku më i fortë i bën më hezituesë në shpenzimet që kryejnë, pasi destinacionet e udhëtimit u bënë relativisht më të shtrenjta.

Gjatë 6-mujorit të parë 2024 hynë 33.9% më shumë vizitorë të huaj krahasuar me 6-mujorin e parë 2023[3]. Ndërkohë, shpenzimet e tyre për të njëjtën periudhë krahasuese u rritën me 25.3% (në 6m.I 2024 kanë hyrë 1.95 miliard Euro dhe në 6m.I 2023 kanë hyrë 1.55 miliard Euro). Ky tregues që nuk përkon me shtimin e vizitorëve është i ndikuar pikërisht nga efekti mbiçmimit të Lekut, pavarësisht se nevojiten matje dhe analiza të dedikuara për këtë qëllim.

Për më tepër, nga mbiçmimi i lekut mundet të jenë ndikuar edhe flukset e kapitalit, pasi investitorët po i shohin asetet e vendit më pak tërheqëse për shkak edhe të fuqisë së monedhës.

Leku shqiptar po vijon edhe gjatë 6-mujorit të dytë 2024 të mbiçmohet edhe pse si arsye zyrtare përmenden ekonomia e fortë dhe rezistente, si dhe hyrjet nga vizitorët e huaj dhe flukset e huaja të kapitalit bashkë me remitancat. Në realitetin e të dhënave për këto elementë ndikuesë, ne shikojmë se nuk e kanë forcën për të ndikuar një Lek edhe më të fortë se në vitin 2023.

Ekonomia nuk ka bum zhvillimi dhe rritje të prodhimit, por një rritje që pritet të shkojë deri në 3.4% në terma vjetorë, e bazuar kryesisht te ndërtimi dhe shërbimet e ndryshme përfshirë edhe tregtinë dhe shërbimet që hyjnë te turizmi.

Ndërkohë, flukset hyrëse janë në trende normale të përvitshme rritje bashkë me flukset hyrëse nga vizitorët e huaj. Remitancat kanë një trend rritës jonormal, që ndikon pak në mbiçmimin e lekut, pasi shumat në rritje shkojnë për blerje në pasuri të paluajtshme.

Efektet po i ndien më shumë ekonomia formale dhe ndikimi më i fortë shkon te prodhuesit që tashmë kanë humbur jo vetëm konkurueshmërinë e fituar në vitet e fundit, por edhe burimet për të investuar për të shndërruar bizneset e tyre sipas kushteve të reja të tregut, të ndikuara nga faktorë jashtë ekonomisë formale.

[1] https://www.instat.gov.al/media/13859/tr-2-2024-icp-shqip.pdf

[2] https://www.instat.gov.al/media/13926/prodhuesit-e-t%C3%AB-mirave-t2-2024.pdf

[3] https://www.instat.gov.al/media/13700/lëvizjet-e-shtetasve-në-shqipëri-qershor-2024.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: