… drejt luftës së përbashkët për ngushtimin e informalitetit!

… drejt luftës së përbashkët për ngushtimin e informalitetit!

Ekonomia informale është e rëndësishme për ekonominë formale, sepse nëse madhësia e saj zyrtarizohet vit pas viti, kjo do të ndikonte potencialisht rritjen ekonomike, por do të rriste gjithashtu të ardhurat e buxhetit të qeverisë dhe si rezultat do të përmirësonte mirëqenien sociale.

Në një treg të vogël të hapur në zhvillim si Shqipëria, sektori informal përbën rreth 1/3 e produktit të brendshëm bruto (PBB), krahasuar me rreth 18 për qind të PBB-së në ekonomitë e zhvilluara[1]. Madhësia e madhe e bën informalitetin një firo potenciale të politikave të qeverisë për biznesin dhe jetesën e qytetarëve, pasi ka të njëjtin efekt si firot në prodhim.

Natyra komplekse e informalitetit reflektohet në lidhjen e tij me çdo aspekt që ne e jetojmë përditë duke filluar nga punësimi informal, tregu informal, sektori informal, bizneset informale dhe transaksionet informale.

Nisur nga diferenca  informalitetit deri 8% më shumë edhe me vendet përreth duket se e mban Shqipërinë hapa mbrapa në garën ekonomike edhe pse mund të kenë kuadër ligjor të ngjashëm.

Në këtë kontekst, nëse përfshijmë si pengesa edhe politikat ekonomike dhe fiskale dy dekadat e fundit, më së paku të nxituara dhe më së shumti të kapura dhe që kanë krijuar pabarazi në konkurimin midis bizneseve, atëherë sektorit formal i janë shtuar barrat e politikave dhe administrimit të dobët. Kjo e ka mbajtur edhe disa hapa mbrapa ekonominë shqiptare në krahasim me vendet që nuk i vendosin vetes barra të tilla si politika shqiptare.

Ndërkohë, kur llogaritim edhe ndikimet e tregut të jashtëm, nga i cili varet një pjesë e furnizimeve për bizneset dhe konsumin e popullsisë, atëherë Shqipëria e varur nga to dëmtohet më shumë se vendet e ngjashme duke qenë se nuk e ka ekonominë të fortë dhe të pregatitur për të përballuar goditje të jashtme, apo goditje nga konfliktet dhe krizat e ndryshme gjeopolitike dhe ekonomike.

Të gjitha këto së bashku, më së paku kanë vepruar më fort se sa vetë kundërveprimi i politikave dhe organizimi i bizneseve duke e mbajtur ekonominë shqiptare dhe mirëqenien sociale hapa larg vendeve rajonale, por edhe duke mos i lënë hapësirë të zhvillohet me të gjitha potencialet e saj.

Pavarësisht se në Shqipëri gjenden burime natyrore me shumicë, paçka se një pjesë e mirë tashmë janë shteruar nga keqpërdorimi dhe shpërdorimi duket se nuk kanë avantazhuar një rritje cilësore, të qëndrueshme dhe në funksion të rritjes së konkurencës, për të rritur vlerën e punës, të familjeve dhe të jetesës në tërësi.

Dixhitalizimi i shpejtë po i shtyn gjithashtu kufijtë e ekonomisë informale edhe më tej se para disa viteve. Transformimi i ekonomisë informale nëpërmjet teknologjisë digjitale konstatohet se është pothuajse jashtë monitorimit dhe formalizimit.

Tani nëse kthehemi te ndikimi i ekonomisë informale është e qartë se ajo, herë zgjerohet duke tkurrur ekonominë formale dhe herë e kundërta kur ndërmerren aksione anti informalitet. Por, ajo që shihet më qartë është se kjo ndikon në politikbërje jashtë kontekstit real dhe të paqëndrueshme apo frenimin e nismave me karakter social.

Në gjithë këto vite, që janë shndërruar në dekada është vërejtur se ekonomia formale nuk ka mundur të mbështeti dot të ardhurat e familjeve dhe kërkesën e konsumatorëve gjatë krizave apo rënieve ekonomike dhe nuk ka shërbyer dot si një rrjet sigurie për buxhetin e shtetit. Ekonomia informale në mënyrën ciklike që vijon të bashkëjetojë me ekonominë formale ka arritur të përshtatet dhe të funksionojë si një “ndihmës” gjatë rrugëtimit të ekonomisë.

Nga njera anë, rritja ekonomike deri 4% është e vogël për të përthithur edhe bashkëjetesën me ekonominë informale. Nga ana tjetër, kjo ka vlejtur më shumë për qeverinë për të patur një “ndihmëse” për politikat sociale që ajo furnizon në ndihmë kryesisht të familjeve me të ardhura të pakta.

Gjithsesi, marrëdhënia ciklike ndërmjet sektorit informal dhe formal është e paqartë, pasi pjesa informale është jashtë kontrollit të qeverisë, por edhe në tërësi të ekonomisë, pasi ka rregullat e veta që hera herës sfidojnë dukshëm politikat publike. Në ekonominë informale bëjnë pjesë jo vetëm familje dhe individë për pak të ardhura më shumë, por edhe individët dhe grupet kriminale që fuqizohen më shumë se gjithë grupet e tjera nga  ekonomia informale.

Edhe pse ekonomia informale mund të thithë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore për shkak të lehtësive më të mëdha për të punësuar njerëz pa shumë burokraci dhe kosto shtesë, realisht ajo mban një treg pune me njohuri për mbijetesë. Gjithashtu ajo jetëson një kulturë pune jashtë çdo standarti të pranueshëm për punë të denjë dhe politika të barazisë gjinore dhe edukim të më të rinjve.

Nisur nga realiteti ekonomik prej shumë vitesh ku bizneset informale ofrojnë shërbime, si dhe mallra përfundimtare dhe të ndërmjetme, për bizneset formale (bashkëjetesa e paligjeruar mes tyre), kjo marëdhënie përforcon luhatjet makroekonomike.

Kjo do të thotë se kur sektori informal fillon të ketë luhatje dhe paqëndrueshmëri, atëherë ai e shkarkon këtë pasiguri dhe luhatshmëri në furnizimet për sektorin formal duke krijuar probleme me ofertën e fuqisë punëtore, ndikimin në rritjen e çmimeve, shlyerjen e detyrimeve në bankat tregtare. Në tërësi ndodh një rritje e frenuesve të ecurisë ekonomike, pasi ndikimi ndihet në gjithë zinxhirin e qarkullimit të operimit të përbashkët të sektorit informal dhe atij formal.

Në rastet kur qeveria kujtohet se duhet goditur informaliteti, kjo shkakton rritje të kostove të tij, pasi hyn në funksionim “taksa” e korrupsionit” dhe ndikon në rritjet e çmimeve mbrojtëse nga politika e paqartë dhe jo konseguente.

Por ndikimi tjetër vjen prej stopimit të aktiviteteve informale që janë të fuqizuar nga paraja e pistë e individëve kriminalë. Këto biznese që bllokohen apo nuk arrijnë të funksionojnë më tej, për arsye të veprimeve jo koseguente apo edhe selektive të institucioneve publike krijojnë boshllëqe në zinxhirin e ofertës dhe kërkesës në ekonomi duke shkaktuar rënie të efektivitetit ashtu si mund të ketë funksionuar.

Një problem më i madh është se informalët, të mësuar të mos paguajnë detyrime për buxhetin nuk arrijnë dot të krijojnë sjellje formale, por përpiqen të shmangin në vijimësi ligjin. Kjo ndodh kur punët e qeverisë bëhen me aksione apo me task force. Bizneset me burime kriminale të financimeve janë pjesa e hapjes se vazhdueshme të bizneseve të vogla te reja duke e mbajtur ekonominë shqiptare të mbetet në vijimësi ekonomi e bizneseve të vogla. Ndërkohë ekonomia shqiptare mbetet e dobët dhe nuk ka potencialet që rritet dhe të bëhet dinamike për të hyrë në një ciklikë zhvillimi, zmadhimi dhe konkurimi me vendet përreth.

Në nivelet e rritjes së dobët ekonomike apo në vitet e rënieve /stopimit të ekonomisë duket se sektori informal dhe pjesa e prodhimit informal ka prirje të rritet. Ky argument bazohet te rritja e parasë cash në qarkullim vitet e fundit, si dhe te rritja e fuqisë blerëse të Lekut, pa ndodhur rritja e madhe ekonomike, që mund ta kryente këtë fuqizim. Në fakt këtë e ka bërë pikërisht ekonomia informale, e cila duke qenë se është toleruar nga paaftësia  dhe korrupsioni i institucioneve (patronazhimi dhe kronizmi[2]) ka filluar e del gjithnjë e më shumë jashtë monitorimit dhe reagimit të institucioneve.

Për këto situata nuk rekomandohet politikë fiskale, si ajo që ka zbatuar qeveria këto vite duke ulur apo përjashtuar bizneset nga taksat dhe tatimet, por duhet bërë e kundërta. Për të realizuar konsolidimin fiskal (real), duhet një administrim i plotë dhe me integritet profesional, nevojitet një moratorium për mosndryshim të politikave fiskale çdo vit, si dhe duhet të studiohet një politikë e harmonizuar për të taksuar të gjithë kudos dhe sido që janë, duke zgjeruar bazat e tatimeve. Politika dhe administrimi fiskal duhet të jenë objektivi kryesor tatimor që lidhet me ngushtimin e informalitetit në vend të objektivit për maksimizimin e mbledhjes së të ardhurave. Pra duhet ndryshuar misioni dhe objektivat në qasje drejt kufizimit të evazionit tatimor. Ndërkohë, politika me taksa të ulura dhe lehtësi fiskale është më shumë politikë elektorale fiskale dhe ka ndikuar për keq deri më sot në luftën ndaj informalitetit duke prodhuar realisht më shumë korrupsion, më pak punësim të qëndrueshëm dhe më shumë ekonomi informale.

Situata e ekonomisë dhe tregut të punës në vitet e fundit ka ekspozuar cenueshmërinë me të cilën përballen kaq shumë bizneset formale të reja dhe egzistuese pasi informaliteti vepron si pengesë për një tranzicion të drejtë dhe progres të përshpejtuar në zhvillimin e qëndrueshëm.

Krijimi i frontit ndaj ekonomisë informale është i domosdoshëm. Politikanët dhe qeveria e kanë tashmë të detyrueshme të shprehen me veprime të përbashkëta dhe në një front me gjithë grupet sociale dhe ekonomike të interesuara për ta luftuar informalitetin.

Nga ana tjetër, institucionet fiskale duhet të bëjnë detyrat e tyre dhe të ndryshojnë objektivat në funksion të luftës ndaj informalitetit duke u bashkërenduar dhe duke synuar një model administrimi pa problemet e përmendura më lart.

Bashkëjetesa e ekonomisë formale dhe joformale krijon një dinamikë ku ekonomia formale po konkurohet dhe konfliktohet për arsye të cënueshmërisë, si rezultat i ndërvarësisë për dominimin e tregut mes aktorëve formalë dhe informalë.

Divergjenca e interesave ndërmjet politikanëve dhe ndërmjet aktorëve ekonomikë duhet të orientohet drejt luftës së përbashkët për ngushtimin e informalitetit, pasi vijimësia do të përkeqësojë sfidat që lidhen me ekonominë dhe mirëqenien sociale.

[1] https://thedocs.worldbank.org/en/doc/37511318c092e6fd4ca3c60f0af0bea3-0350012021/related/Informal-economy-Chapter-3.pdf

[2] emërimi i miqve dhe bashkëpunëtorëve në postet drejtuese, pa marrë parasysh kualifikimet e tyre. Nepotizmi është favorizimi vetëm i të afërmve, shokëve dhe miqve në të gjitha pozitat drejtuese, por kronizmi është shumë më i avancuar pasi  është patronazhimi nga partia politike qeverisëse në emërimin e miqve dhe të afërmve të tyre (përfshirë edhe opozitarë) në poste të larta dhe jo vetëm në poste më të ulëta.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: