Çrregullimi politik e ushqen korrupsionin
Një sistem demokratik nuk e garanton një shoqëri të lirë nga korrupsioni. Por është fakt se korrupsioni ka tendencë të jetë shumë më pak i përhapur në sistemet e forta demokratike me sistem qeverisje të hapur.
Korrupsioni është i keq. Por, korrupsioni që nuk pranohet tek vetja dhe aq më tepër në një sistem demokracie të dobët bëhet edhe më i keq.
Ky mospranim është një qasje e maskuar e korrupsionit politik me pamje popullore në dukje. Nisur nga fakti që korrupsioni nuk është kufizuar, atëherë përpunohet perceptimi se në gjithë politikanët e korruptuar do të ishte më mirë nëse drejtimi i vendit të mbetet për disa mandate te të njëjtët politikanë, që janë më të mirë se kundërshtarët edhe pse nuk zgjidhin sfidat që kërkon vendi. Gjithë kundër logjika është se të tjerët, që do votohen të hyjnë në zyra janë të uritur, pasi e kanë treguar veten dhe me këtë rast edhe punët e mira nuk i bëjnë dot, por do të kërkojnë më shumë ryshfete.
Në fakt, ky zhvillim i korrupsionit nuk është veçanti për Shqipërinë. Studime të ndryshme kanë evidentuar, se vendet që gëzojnë një bollëk të burimeve natyrore sipas historikut në këto 30 vite të fundit karakterizohen me më pak rritje ekonomike afatgjatë, krahasuar me vendet me më pak burime natyrore.
Pse?
Argumentet e mundshme janë të tipit makroekonomike, strukturës ekonomike dhe tregut politik.
Në nivel makro, eksportet e një vendi që dominohen nga produktet që vijnë nga shfrytëzimi i burimeve natyrore ndikojnë në mosnxitjen për të kryer investime dhe reforma të thella për të gjeneruar ekonominë drejt sfidave të zhvillimit bashkëkohor. Arsyeja është e thjeshtë, pasi reformat kanë kosto buxhetore, por edhe politike. Ndërkohë, është konstatuar se në shumë vende me burime natyrore, liderët populistë të detyruar nga presione të jashtme dhe të brendshme nisin të kryejnë reforma, por që i lënë në mes për arsye të mospatjes realisht si prioritete në axhendën e tyre. Megjithatë, duke pasur parasysh dinamikat ekonomike dhe gjeostrategjike reformat mund të kenë arritje në fazat fillestare. Por kur vjen momenti për të hyrë në fazën thelbësore të zhvillimit të tyre ndikimet që lidhen me korruptimin e vullnetit bëjnë që këto reforma të kthehen në armikun e vetvetes dhe të njerëzve që kanë pritshmërinë se të mirat paskëtaj vijnë.
Në këtë kontekst, në Shqipëri nisur nga paqëndrueshmëria afatgjatë ekonomike e vendit ndodh pikërisht që kontratat me peshë për të kryer reformimet e ekonomisë tu jepen njerëzve të besuar të lidhur me qeverinë. Në mjaft raste kontrata qeveritare të dhëna bizneseve u shërbejnë disa bizneseve që bëhen të mëdha nga këto lidhje në këmbim të një çmimi të paguar për korrupsionin, apo si zgjatime të korrupsionit nga vetë qeveritarët dhe grupimet e tyre të biznesit.
Por, nganjëherë përfshihet edhe garantimi nga zyrtarët me peshë i mbushjes së fondit për partinë të argumentuar prej idesë se korrupsioni nuk buron nga dhe për individin, por është pjesë e sistemit ekonomik dhe politik. Ky model i financimit të politikës është më i ndeshur kur partitë janë në qeverisje.
Megjithatë, korrupsioni arrin të korruptojë këdo që gjen hapësirë për ta pranuar atë. Me fjalë të tjera, korrupsioni nuk ka ngjyrë politike.
Kjo vërtetohet nga të dhënat e Transparency International për nivelin e korrupsionit si renditje dhe për indeksin e korrupsionit po ashtu.
Viti | 2019 | 2018 | 2017 | 2016 | 2015 | 2014 | 2013 | 2012 | 2011 | 2010 | 2009 | 2008 | 2007 | 2006 | 2005 | 2004 | 2003 | 2002 | 1999 |
Renditja për nivel korrupsioni | 106 | 99 | 91 | 83 | 88 | 110 | 116 | 113 | 95 | 87 | 95 | 85 | 105 | 111 | 126 | 108 | 92 | 81 | 84 |
Indeksi korrupsionit | 35 | 36 | 38 | 39 | 36 | 33 | 31 | 33 | 31 | 33 | 32 | 30 | 29 | 26 | 24 | 20 | 25 | 25 | 27 |
Burimi: TI |
Por, në fakt niveli i “taksës së ryshfetit” është rritur me të paktën 8 pikë nga 1999 deri në 2019 duke reflektuar edhe një rritje në renditjen e vendeve me korrupsion me 22 nivele më lart.
Nëse krahasojmë nivelin e korrupsionit në vitin 2019 me mesataren e 10 viteve të fundit 2009-2019, vërehet dukshëm se indeksi është me 0.5 pikë më lart se mesatarja dhe renditja e pozicionit të korrupsionit është 7 nivele më lart.
Në këtë krahasim analitik të nivele të korrupsionit dhe renditjes së vendit në nivel global vërehet, se korrupsioni ka një rritje më të dukshme në vitet e fundit të qeverisjeve të dy partive të mëdha. Në vitet 2003-2005 rritja e indeksit të korrupsionit është reflektuar edhe te renditja e vendit në botë me 34 nivele rënie. Po kështu, në vitet 2011-2013 indeksi i korrupsionit është me një rënie prej 21 pozicione. Ndërkohë, kur jemi ende në mes të përfundimit të mandatit (2021) vërehet e njëjta sëmundje e korrupsionit. Niveli i korrupsionit është në krahasim dy vite më parë me një rënie prej 15 pozicionesh.
Megjithatë, korrupsioni është bërë i standardizuar dhe më racional. Në këtë strukturim të korrupsionit edhe mjaft biznese shqiptare janë organizuar prej kohësh për ta kanalizuar sipas niveleve të ndryshme administrative të shtetit me të cilin duhet të merren.
Zyrtarëve të nivelit të ulët u kërkohet të japin një pjesë të caktuar të të mirave materiale prej “fondit të korrupsionit” për zyrtarët e lartë, duke e bërë korrupsionin më të përhapur, më të organizuar, por edhe më fitimprurës.
Të quajturit oligarkë (bizneset më të mëdha) merren direkt me drejtuesit kryesorë të institucioneve. Bizneset me peshë dhe shtrirje rajonale bëjnë biznesin e tyre me drejtuesit rajonalë. Megjithatë, jo gjithmonë ruhet kjo lidhje horizontale, pasi në disa raste ata janë vartës të biznesmenëve të mëdhenj apo botës së krimit dhe kjo lidhje kanalizohet në kategorinë më lart.
Sipërmarrësit individualë pa të punësuar janë të lirë nga zgjedha administrative, por ata kryesisht janë në lidhje korruptive me punonjësit rajonalë dhe vendorë.
Biznesmenët më të “kënaqur” me këtë strukturim të korrupsionit duket se janë biznesmenë të mesëm e deri diku disa të mëdhenj (ata që nuk janë më të nxitur për t’u bërë të mëdhenj nga fonde publike), por duan të ruajnë atë status quo të aktivitetit të tyre në atë nivel si e kanë dhe me forcat e tyre.
Ndërkohë, vitet e fundit ka ndodhur me të vërtetë një zhvillim i ri në strukturimin e botës së korrupsionit. Një pjesë e mirë e biznesmenëve të mëdhenj (sidomos ata që fusin duart në fondet publike) mendojnë se nuk zotërojnë asgjë, por thjesht kanë paratë në dispozicion për një kohë të kufizuar sa zgjasin qeveritë që i mbajnë ata.
Pse?
Oligarkët (bizneset e mëdhaja) detyrohen të paguajnë miliarda lekë për arsye të ndryshme të padeklaruara nga ta pasi ata gjithnjë e më shumë kanë frikë ta thonë arsyen e pagesës së taksës së korrupsionit. Me centralizimin e pushtetit real në pak duar në një nivel të lartë duket se është përqendruar edhe korrupsioni.
Parimet e “qeverisjes së mirë” mund ta bëjnë më të vështirë që korrupsioni të shfaqet, pasi nëse këto parime arrijnë të bëhen të zbatueshme atëherë shumë kërkesa të qeverisjes së mirë, të tilla si: pjesëmarrja e publikut në vendim marrje, llogaridhënia, transparenca dhe sundimi i ligjit do ta kishin bërë “taksën e korrupsionit” të ishte së paku më e lirë, por edhe më e kufizuar.
Por a ka ndodhur kjo?
Në fakt, është kombinimi i parimeve më lart me zbatimin praktik të tyre, që mund të ndihmojnë në frenimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe me shpresa për të patur një jetë më të mirë dhe të pandotur nga korrupsioni.
Pjesëmarrja e publikut ndihmon shumë në zbutjen e konfliktit social dhe në rritjen e besimit për qeverisjen, sepse nëse forumet legjitime publike dhe mekanizmat për debat paqësor janë të tilla që ndikojnë de facto në vendim marrjen për qeverisjen e ekonomisë dhe aseteve të vendit atëherë shumë nga vendimet e qeverive do të kishin një kosto më të ulët për ne dhe brezin e ri, por edhe do të ishin në shërbim të njerëzve dhe ardhmërisë së vendit.
Ajo që kërkohet vazhdimisht nga shoqëria civile është: sisteme qeverisëse më të hapura dhe përfaqësuese që lejojnë një nivel të lartë pjesëmarrje qytetare. Aktualisht në fakt ndodh në ndryshim nga disa vite më parë që qytetari arrin të diskutojë dhe debatojë për mendimet e veta, por ka të njëjtin efekt si mendimet e pensionistëve në forumet e lagjeve në fundin e viteve ‘80.
Llogaridhënia e qeverisë përfaqësohet zakonisht nga dialogu me disa organizata më të gjalla të shoqërisë civile, individë si dhe gazetarë të medias kritike, që mund të publikojnë zbulime flagrante të abuzimeve të zyrtarëve të niveleve të ulta drejtuese, por kjo është shumë pak.
Informimi për punët e qeverisë dhe prezantimi i volumeve të kryera nuk është transparencë, por informim për publikun. Transparenca duhet të jetë e lehtë dhe në kohë reale. Në fakt nuk ndodh. Përgjegjësia publike e qeverisë atëherë mbetet një nga mekanizmat më të rëndësishëm për të kontrolluar korrupsionin.
Mirëpo, fakti që në vend ende nuk është krijuar një shoqëri e fortë civile, e aftë që të mund të mbrojë individët dhe grupet kundër ndërhyrjes së qeverisë në tejkalim të detyrës së tyre, si dhe të fortë për të ndikuar në sjelljen e qeverisë, duke mbrojtur të prekurit nga padrejtësitë dhe mungesa e kontrollit dhe balancimit të pushteteve është në disfavor të një decentralizimi të pushtetit real dhe në dëm të forcimit të saj. Aq më tepër kur shoqëria civile nuk ka asnjëherë burime të mjaftueshme për të bërë punën e saj duke qenë edhe ajo vetë viktimë e korrupsionit politik.
Megjithë problemet e shumta të shkaktuara nga korrupsioni, ndoshta mund të thuhet edhe se mbajtja e një niveli korrupsioni mund të jetë i nevojshëm për të garantuar stabilitetin afat shkurtër të qeverisjes. Të gjitha palët do të mbeten të ngopura dhe nuk do të ndihen për ti hapur probleme njeri-tjetrit.
Korrupsioni mund të jetë një mënyrë jetese në shumë shoqëri, ose mund të jetë i nevojshëm për të mbijetuar qeveri të ndryshme, por dëmi i madh që nuk shihet me sy janë goditja e institucioneve dhe proceseve reformuese, që duhet të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Faktet në gjithë këto vite na tregojnë se pikërisht treguesi për korrupsionin politik duket te dobësia e institucioneve dhe mbajtja e vendeve të fundit për nivelin e jetesës në Ballkan e lëre pastaj në Europë.
Nga ana tjetër mund të gjenden mjaft shembuj të korrupsionit politik tek nivele të larta politike ose ekonomike, që ndikojnë në politikë. Këto përfshijnë skandale që përfshijnë financimin e dyshimtë të partive, shitjen e ndikimit politik për donatorë të mëdhenj deri në përdorimin e lidhjeve me botën e krimit për të mbushur xhepat e tyre.
Reforma e financimit të fushatës vazhdon të jetë një subjekt i shumë debatuar në Shqipëri, ku elektorati mbetet i tradhtuar për interesa të veçanta të lidershipit politik për pushtetin dhe të mirat materiale, por që kanë një ndikim të padrejtë mbi ligjvënësit.
Korrupsioni ka tendencë të jetë më i përhapur në sistemet autokratike (ku sundon një person me autoritet të pakufizuar), ose në autokracitë me oligarki (rregulla nga një grup i vogël elitash politike dhe ekonomike). Korrupsioni në këto sisteme hibride politike dhe sociale është i atyre nivele të përhapjes sa është kthyer në pandemi dhe mungon vaksina për ta nënshtruar atë. Ky korrupsion, që është më i përhapur në autokraci nuk është rastësi. Ndërsa demokracitë që ruajnë standartet e tyre liberale dhe demokratike e fitojnë legjitimitetin dhe mbështetjen popullore përmes zgjedhjeve konkurruese dhe sundimit të ligjit, autokracitë varen nga mbështetja e një grupi të vogël të elitave politike dhe shoqërore, burokracia dhe nga mbështetje të të huajve me interesa specifike në interes të ekonomisë së tyre.
Në shtetet me demokraci të pafiltruar dhe me sisteme të turbullta, në kohën që kalojnë nga një dorë e qeverisjes në një tjetër, korrupsioni në të vërtetë fillon të shkatërrojë lidhjet e vjetra për të krijuar ato të rejat. Në këto 3 dekada kjo rokadë është bërë në 2 vitet e fundit të mandatit të qeverisjes, me gjasa për të vijuar vjelja e të mirave edhe pas kësaj për shkak të kontratave publike, që zgjaten përtej mandatit qeverisës.
Në një mjedis politik me çrregullime është thuajse e pamundur të vihet në praktikë lufta ndaj korrupsionit, pasi edhe veprimet më të thjeshta ndaj tij janë të destinuara të dështojnë. Shumë nga recetat e politikave për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krijimin e modelit të qeverisjes së mirë janë thjesht slogane pasi mungesa e stabilitetit të politikës dhe përhapja e korrupsionit në këto nivele i kthen gjithë politikat dhe veprimet në fiasko.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.