Çmimi gazit mund të rritet në 2025, çka kërkon skenar rezervë

Çmimi gazit mund të rritet në 2025, çka kërkon skenar rezervë

A mund të ndikojë te importet, ekonomia dhe familjet shqiptare kjo?

Mendojmë se po dhe ja pse!

Këto ditë të fillim të vitit 2025 po lajmërohet rritja e çmimit të gazit për konsum për ekonominë dhe familjet në vendet kryesisht europiane që varen nga furnizimet e gazit nga vendet e tjera eksportuese. Edhe pse ky shtrenjtim i pritshëm nuk ka potencial për të ndikuar ndjeshëm në importet dhe ekonominë shqiptare ne jemi përpjekur të analizojmë efektet në disa aspekte kryesore.

Shqipëria ka përdorim të ulët të gazit si burim energjie dhe në konsum të përgjithshëm. Ndikimi i drejtpërdrejtë nga rritja e çmimit të gazit në ekonominë e brendshme mund të jetë i kufizuar. Megjithatë, ka disa kanale indirekte që mund të prekin ekonominë shqiptare, sidomos përmes marrëdhënieve tregtare dhe inflacionit nga vendet partnere tregtare.

Shqipëria është e varur pjesërisht nga importet për energjinë. Rritja e çmimit të gazit do të përkthehej në kosto më të lartë për prodhimin e energjisë elektrike në disa nga vendet që listohen në bursën e energjisë ku blihet energjia elektrike nga kompanitë publike dhe private shqiptare.

Me çmimet më të larta të gazit në tregjet ndërkombëtare, Shqipëria mund të përballet me një barrë më të lartë financiare për importin e energjisë. Duke qenë se importet do të bëhen më të shtrenjta, kjo mund të rëndojë bilancin tregtar të vendit.

Rritja e çmimit të gazit në këtë drejtim mundet të ndikojë çmimet e produkteve dhe shërbimeve në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar edhe në koston e importeve shqiptare, veçanërisht për mallra të lidhura me prodhimin industrial dhe transportin.

Edhe pse përdorimi i gazit brenda Shqipërisë është minimal, disa sektorë industrialë që importojnë lëndë të parë ose produkte të gatshme nga vendet që varen nga gazi (si Turqia, Italia apo vendet e tjera të BE-së) mund të përballen me çmime më të larta të importeve.

Shpesh, rritja e çmimit të gazit ndikon edhe në çmimin e naftës. Duke qenë se Shqipëria mbështetet ndjeshëm në naftë për energji dhe transport, kjo do të kishte një ndikim më të madh në inflacionin vendas dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Rritja e çmimit të gazit mund të ndikojë kështu sektorin e transportit, sidomos për ato kompani që përdorin gaz si karburant. Kjo mund të rrisë kostot logjistike për bizneset dhe konsumatorët. Pavarësisht se përdorimi i gazit në transport është i kufizuar në Shqipëri, kostot globale të logjistikës mund të rriten për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve. Kjo mund të ndikojë në çmimet e mallrave të importuara.

Industria e rëndë dhe sektorët që mbështeten te gazi për prodhimet (p.sh., përpunimi i metaleve, materialet e ndërtimit, tregtia dhe shërbimet) mund të përballen me rritje të kostove, duke ndikuar në konkurrueshmërinë e tyre.

Rritja e çmimeve të energjisë në rajon mund të ndikojë fuqinë blerëse të turistëve nga vendet fqinje. Nëse kostot e tyre për transport dhe energji rriten, mund të ndikojë negativisht në numrin dhe buxhetet e vizitorëve që frekuentojnë Shqipërinë.

Pra, skenari negativ që mund të ndodhë është se rritja e çmimit të gazit do të reflektohet në kostot e prodhimit dhe transportit, duke ndikuar rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët.

Konsumatorët mund të ndihen të presuar nga rritja e çmimeve të ngrohjes, të gazit për automjete dhe rritje të çmimeve të produkteve bazë, duke ndikuar negativisht kërkesën e brendshme.
Nëse qeveria vendos të subvencionojë çmimin e gazit për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët, kjo mund të ndikojë në rritjen e borxhit publik.

Edhe pse rritja e çmimit të gazit në 2025 ka një ndikim të pjesshëm në ekonomi, ky ndikim krijon presione të shtuara për sektorët kryesorë dhe konsumatorët.

Për të përballuar ndikimet e mundshme nga rritja e çmimit të gazit dhe pasojat indirekte në ekonominë shqiptar duhen analizuar si të nevojshme masa afatshkurtra (krahas atyre afatgjata) që të adresojnë sfidat në treg duke konsideruar edhe ndikime të tjera nisur nga varësia te importet.

Në një analizë të një skenari (plani) rezervë që duhet të mendojnë institucionet dhe bizneset private që mund të preken më shumë, ne do të shprehim disa momente ku mund të ketë hapësirë për të planifikuar në avancë.

E para është të mendohet një plan lidhur me subvencionet për mallrat bazë, nëse rritja e çmimeve të importeve ndikon në çmimet e ushqimeve apo produkteve bazë do të fillojnë të rriten. Qeveria mund të ofrojë subvencione për të mbrojtur familjet me të ardhura të ulëta.

E dyta është programi për kontrollet mbi marzhin e fitimit në bizneset që mendohet se nga prania e informalitetit më të lartë mund të spekulojnë. Monitorimi dhe kufizimi i marzhit të fitimit për produktet bazë për të shmangur abuzimet me çmimet është një detyrë e përditshme e institucioneve dhe bashkëpunimit me biznesin dhe jo kërkesë e momentit.

Së treti duhen riparë edhe njëherë performanca dhe problematikat për tu adresuar lidhur si me investimet në energji të rinovueshme, përmirësimin e rrjetit energjetik me ritme më të shpejta, por po ashtu edhe për efiçencën e energjisë në banesa. Nxitja e projekteve të energjisë diellore dhe eolike për të zvogëluar varësinë nga importet e energjisë dhe ndikimet nga krizat globale, si dhe nxitja e kursimit të përdorimit të burimeve energjetike nëpërmjet projketit të efiçencës janë nevoja të lidhura me përditshmërinë, jo vetëm kërkesë e momentit e lidhur me një presion në treg nga rritja e çmimit të gazit.

Së katërti, duhen riparë edhe njëherë se sa janë zbatuar detyrimet ligjore për rezervat strategjike energjetike. Krijimi ose zgjerimi i rezervave të energjisë për të përballuar situata të paparashikuara është nevojë e ditës dhe jo e momentit.

Së pesti, në këto raste duhet filluar edhe me planifikimin brenda fondit të kontigjeencës së buxhetit të shtetit skenari për mbështetje për bizneset e prekura dhe subvencione për sektorët strategjikë. Mbështetje për sektorët industrialë që varen nga importet e lëndëve të para, për të ulur ndikimin e rritjes së kostove është diçka që lidhet me qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Së gjashti, ne mendojmë se në kuadër të analizës së regjimeve të lehtësive fiskale nevojitet që çmimi i energjisë të rishikohet jo vetëm për energjinë elektrike për popullatën, por si një nevojë për të gjithë kategoritë e konsumatorëve që mund të preken. Ofrimi i uljes së përkohshme të taksave për bizneset më të prekura nga rritja e çmimeve është një opsion që nevojitet nëse momenti i inflacionit paraqitet [ërësëri i ndikuar nga rritja e çmimit të gazit.

Pra, nëse mund të flasim në këtë rast për parandalim të thellimit të efekteve të mundshme mendojmë se nuk ka asgjë për tu stepur, nëse fillohet me parashikimin dhe përgatitjen për skenare afatshkurtra dhe afatgjata.

Hartimi i një plani kombëtar për të adresuar ndikimet nga rritjet e papritura të çmimeve në tregjet ndërkombëtare në këtë rast do të ishte nisma më e pranueshme nga bizneset dhe qytetarët.

Për të përballuar sfidat e mundshme nga rritja e çmimit të gazit dhe pasojat indirekte, është e rëndësishme të kombinohen politika afatshkurtra që ofrojnë lehtësime të menjëhershme me strategji afatgjata për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe të pavarur. Planifikimi i hershëm dhe menaxhimi i integruar janë kyç për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Megjithëse përdorimi i gazit në Shqipëri është minimal, efektet indirekte përmes inflacionit global, kostove të importeve dhe ndikimeve në transport mund të ndikojnë ekonominë tonë dhe buxhetet e institucioneve publike dhe ato familjare.

Situata e ardhshme mund të jetë një mundësi për të shqyrtuar zhvillimin e sektorëve të rinj energjetikë ose për të përfituar nga pozicioni gjeostrategjik i vendit.

Përballimi i kësaj situate kërkon efektivitet në përshpejtimin e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe menaxhimin e inflacionit nga energjia.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: