CENS 2023: Rëndësia e tij e madhe është sfida që duhet menaxhuar me përgjegjësi të posaçme
Regjistrimi i popullsisë dhe banesave është burimi më i madh i vetëm i një shumëllojshmërie informacioni statistikor mbi karakteristika të ndryshme të cilat kanë evoluar në mënyrat specifike që përmbledhin jetën shqiptare në këto 12 vite të fundit, që prej Censusit 2011.
Një risi e madhe në Cens 2023 është përdorimi i teknologjisë në plotësimin dhe mbledhjen e të dhënave në formatin dixhital.
Është hera e parë që të dhënat mblidhen në mënyrë dixhitale përmes tabletave që përdorin anketuesit në terren edhe pse mundësitë teknologjike në vende të ndryshme kanë përdorur risi edhe më të avancuara, si p.sh. aplikacion celular i instaluar në telefonin e regjistruesit me një mundësi për të punuar edhe me kosto më të ulëta në raport me shpenzimet që tashmë janë prokuruar.
Megjithatë përdorimi i teknologjisë në formatin shqiptar parashikohet se do të ndihmojë në uljen e vonesës dhe arritjen e rezultateve pothuajse menjëherë, ndryshe nga Censusi 2011, kur u desh shumë muaj për të analizuar të dhënat dhe më tej për të publikuar raportet.
Në këtë Census në fakt është pak e tepërt kërkesa e dokumentit të kartës së identitetit si provë e vetëdeklarimit, duke supozuar se deklarimi duhet të mjaftonte duke konfirmuar saktësinë e të dhënave.
Megjithatë, tashmë nevojitet që të jetë bërë gati një portal i Monitorimit dhe Menaxhimit të Regjistrimit të informacionit për të shërbyer si burimi i vetëm për të gjithë zyrtarët që janë angazhuar në këtë anketim kombëtar. Kjo ka vlerë aq më tepër edhe për të shërbyer si një mbështetje për grupe të popullsisë që i përkasin minoriteteve dhe konsiderohen si popullsi shumëgjuhëshe.
I gjithë procesi i Cens 2023 në çdo këndvështrim që të analizohet duhet të konsiderohet si shumë i rëndësishëm, në disa aspekte:
Së pari jemi në një moment, ku burimi i të dhënave do të jetë gjithëpërfshirës. Regjistrimi nga Cens 2023 është një ushtrim statistikor kombëtar për mbledhjen e të dhënave. Në gjithë këtë proces do të mblidhen njohuri për dividendin demografik të vendit[1] që është jetike për shumë qëllime.
Anketa të ndryshme si anketa shëndetësore, anketa arsimore, anketa bujqësore, anketa për pronat, etj. bazohen në këto të dhëna gjithëpërfshirëse.
Rëndësia e dytë lidhet me ndikimin direkt që kanë të dhënat e Cens 2023 te Vendimmarrja, pasi regjistrimi është i rëndësishëm për vendimet e politikë bërësve dhe qeverisë të bazuara në provat dhe faktet statistikore.
Të dhënat e mbledhura përmes Censusit përdoren për administrim, qeverisje, planifikimin dhe politike bërjen, si dhe për menaxhimin dhe vlerësimin e programeve të ndryshme të drejtuara ose që do të prezantohen nga qeveria, shoqëria civile, studiuesit, bizneset etj.
Në këtë kuptim, regjistrimi i saktë i të dhënave është përgjegjësi e madhe për marrjen e informacionit që do të merret nga njerëzit dhe do të përdoret për njerëzit. Ai do të nxisë koherencën e politikë bërjes dhe planifikimin e përshtatur, që rezulton nga optimizimi i burimeve.
Për studiuesit dhe analistët në demografi, ekonomi, sociologji dhe shumë drejtime të tjera, regjistrimi përbën një burim shumëdimensional të dhënash. Aq më tepër, që të dhënat e mbledhura janë në dispozicion të administratës qendrore dhe vendore në mënyrë që të marrin forcë për zhvillimin e duhur
Në këtë kuptim, regjistrimi ndihmon në shënjestrimin efektiv dhe ofrimin më të mirë të programeve të përditësuara me të dhëna të qeverisë për shtresat më të ndikuara të shoqërisë nga pabarazitë dhe politikat e gabuara.
Rëndësia tjetër e madhe është se regjistrimet e bazuara te sa më pak gabime do të shërbejnë edhe si një vijë demarkacioni. Të dhënat e regjistrimit do të përdoren edhe për përcaktimin e zonave zgjedhore dhe ndarjen e përfaqësimit në Parlament, për përcaktimin e saktë të besimeve fetare dhe komuniteteve të tjera minoritare dhe grupe sociale, si dhe do të japë një tjetër zhvillim politikave të miratuara për secilin nga komunitetet në zona të ndryshme dhe rajonet e vendit. Në të njëjtën kohë do të ndryshojë edhe politikën e dhënies së transfertave dhe granteve në bazë të shifrave të përditësuara të popullsisë rezidente dhe asaj emigratore.
Por, që të dhënat e regjistrimit të jenë të vlefshme dhe të përdorshme pa asnjë shqetësim dhe dyshim që është prezent në këto procese është shumë e rëndësishme transparenca lidhur me gabimet që mbart procesi i mbledhjes së të dhënave dhe më tej përpunimit dhe analizës së tyre deri te publikimi. Është me shumë përgjegjsëi që të ketë një transparencë bazuar në llogaridhënie lidhur me gabimet e paevitueshme gjatë ushtrimit statistikor, si gabimet në përmbajtje dhe
Gabimet apo përgjegjshmëria në mbulimin e gjithë popullsisë dhe territorit, të cilat duhet të minimizohen.
Njerëzit nuk duhet të konsiderohen si një numër i thjeshtë i njerëzve, por si qytetarë që kanë
disa të drejta themelore. Prandaj, mbledhja e saktë e të dhënave me gabime që janë të pashmangshme duhet të jetë fokusi kryesor gjatë gjashtë javëve të procesit të mbledhjes së të dhënave.
Në këtë kuptim, problemi më kryesor dhe direkt mund të jetë dhënia e informacionit të rremë, i cili është parashikuar nga zyrtarët si një rrisk potencial duke vendosur edhe penalizimet përkatëse. Kështu, p.sh. për shkak të frikës së humbjes së përfitimeve të synuara të ndryshme nga skemat e mbështetjes dhe mbrojtjes sociale, apo frika e humbjes së të drejtave nga politika lehtësuese dhe fshehja përmes informalitetit të lartë, nisur edhe nga mungesa e edukimit, njerëzit do të sajojnë dhe do të tentojnë të japin informacion të rremë.
Në këtë drejtim, përfaqësuesit e lartë të qeverisë, por edhe vetë zyrtarët që punojnë në terren duhet tu bëjnë thirrje njerëzve që ta pranojnë vetëm të vërtetën dhe ta marrin seriozisht ushtrimin e Censusit.
Mungesa e pjesëmarrjes së komunitetit (edhe pse janë parashikuar gjoba për këto raste), i pleksur me regjistrues të ndryshëm që mund të mos kenë kryer trajnimin e duhur për të mbledhur të dhënat e sakta dhe për një komunikim etik do të ketë efektin negativ dhe frenues, si një sfidë e madhe në kryerjen e ushtrimit të Censusit.
Lëvizja drejt mënyrës dixhitale të mbledhjes së të dhënave është një hap përpara, pasi përshpejton procesin e analizës. Megjithatë, siguria e të dhënave që mblidhen (nisur nga hakerimet e sistemeve dhe bazave të të dhënave së fundmi) me gjasa do të bazohet në një mekanizëm adekuat rezervë për të dhëna të tilla që kërkojnë gjithsesi kohë edhe pas procesit të analizës për t’u shqyrtuar.
Nga ana tjetër, mosbesimi dhe frika nga keqpërdorimi i të dhënave duhet të minimizohet dhe të zbutet.
Disponueshmëria e të dhënave nga qeveria përbën potencial për keqpërdorimi i të dhënave të tilla, pasi autoriteti përkatës ka akses në gjithçka rreth individit dhe familjeve të mbledhura në një skedar (pronësia, pasuria, aspektet financiare, profesioni, mënyra e jetesës, etj.).
Problem që ende nuk njihet nga publiku se sa është adresuar nga drejtuesit e procesit të CENS 2023 është edhe forcimi i cilësisë së të dhënave. Ajo që presim të bëhet për të minimizuar gabimet gjatë procesit është një monitorim dhe kontroll sipas zinxhirit të raportimit dhe zbatimi i programit të punës në formën më korrekte dhe të paprecedentë të ndodhur ndonjëherë.
Vijimi i fushatave masive publicitare për të nxitur dhe rritur ndjeshmërinë e njerëzve duhet të organizohen edhe pse raportet nga terreni mund të jenë pa përcjellje problematikash të rënda.
Udhëheqësit politikë, personazhet e njohur publikë dhe pse jo edhe komunitetet e ndryshme që përfaqësojnë të anketuar në ushtrimin e Cens2023,si dhe domosdoshmërisht qeverisja vendore duhet të përfshihen për të përhapur ndërgjegjësimin dhe informimin për paqartësi që kanë shprehur njerëzit.
Gjithashtu, qeveria duhet të krijojë një fushatë mediatike përmes shtypit dhe mediave elektronike për gjithë periudhën vijuese për të zbutur frikën dhe dyshimet që përndjekin mendjet e njerëzve.
Nisur nga përcaktimi i saktë i etapave të Censusit nga Eurostat në 2007 citojmë se: “Pa një vlerësim sistematik të cilësisë së të dhënave, zyra e statistikave do të rrezikojë të humbë kontrollin e proceseve të ndryshme statistikore, si mbledhja e të dhënave, redaktimi ose analiza e tyre. Veprimet në këtë proces pa vlerësimin e cilësisë së të dhënave do të rezultonte në supozimin se proceset nuk mund të përmirësohen më tej dhe problemet do të mbeten zbuluar pa analiza sistematike. Në të njëjtën kohë, vlerësimi i cilësisë së të dhënave është një parakusht për informimin e përdoruesve për përdorimet e mundshme të të dhënave, ose cilat rezultate mund të publikohen me ose pa paralajmërim. Prandaj, vlerësimi i cilësisë së të dhënave është një nga aspektet më thelbësore të punës së një instituti statistikor”
[1] Dividenti demografik është potenciali i rritjes ekonomike që mund të rezultojë nga zhvendosjet në strukturën moshore të një popullsie, kryesisht kur pjesa e popullsisë në moshë pune (15 deri në 64 vjeç) është më e madhe se pjesa e popullsisë jo në moshë pune.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.