Në lidhje me edukimin profesional, sipas programit qeverisës 2021 -2025 arsimi profesional, një formë arsimi e neglizhuar për shumë kohë, ka qenë një ndër përparësitë absolute të qeverisë në vitet 2013-2021. Si rrjedhojë e 3-fishimit të buxhetit është ngritur një rrjet i mirëfilltë shkollash moderne profesionale në të gjithë Shqipërinë, ku në total formohen në përputhje me nevojat e tregut 19 mijë të rinj.
Plani për zhvillimin e sistemit arsimor do të pajisë studentët shqiptarë me dije dhe aftësi të konkurrueshme me bashkëmoshatarët e tyre në BE. Shkollat profesionale dhe universitetet do të përgatisin qytetarin e mirë dhe punonjësin e suksesshëm të vitit 2030-të .
Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 (SKZHI II) , ende e paazhornuar për vitet në vijim, një nga pikat për arsimin e lartë përmend “Sigurimin e një arsimi profesional që i korrespondon nevojave të fushave specifike dhe zhvillimeve të rajoneve specifike”.
Në vitin 2021, Bashkia Berat nga rrjeti prej 4 shkolla profesionale në nivel qarku ka 2 shkolla profesionale në territorin e administruar prej saj:
– shkolla profesionale “Stiljano Bandilli” dhe
– shkolla profesionale “Kristo Isak”.
Buxheti i vitit 2020 ka shpenzuar një fond prej 12.1 milion lekë duke shpenzuar vetëm 26% të fondit të çelur për këtë zë. Ky shpenzim është sa 1% e gjithë buxhetit të bashkisë të shpenzuar në vitin 2020.
Në vitin 2021 buxheti i shpenzuar për arsimin profesional është 64.7 milion lekë, apo sa 5% e shpenzimeve gjithsej të kryera nga Bashkia për këtë vit fiskal. Duket se në vitin 2021 shpenzimet për arsimin profesional janë pothuajse të njëjta me ato të vitit 2019, duke patur në konsideratë se në vitin 2020 aktiviteti u ndërpre në gjithë vendin për arsye të pandemisë Covid-19.
Në lidhje me treguesit e punësimit dhe papunësisë, në leximin e treguesve në Anketën e Forcave të Punës (AFP), Trem.IV 2021 , paraqitet një tendencë pozitive në shkallën e punësimit në nivel vendi me 62.1% e popullsisë 15-64 vjeç. Në mungesë të të dhënave të azhornuar, në bazë të të dhënave të AFP 2019 , Berati në nivel qarku ka një nivel punësimi me 65.7% për popullsinë 15-64 vjeç, apo 3.6% më të lartë se mesatarja e vendit në 2019.
Në tremujorin e katërt 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri,për popullsinë 15 vjeç e lart është 11,4%, apo 1.4% më e ulët se papunësia e regjistruar në Berat në fund të vitit 2017.
Në monitorimin e investimeve të kryera për arsimin profesional përtej shpenzimeve të kryera nga vetë fondet e bashkisë (sa 2.5% e shpenzimeve gjithsej në vitin 2021), direkt nga buxheti i shtetit është investuar një vlerë 105 milionë lekë për rikonstruksionin te shkolla e mesme publike profesionale “Stiliano Bandilli” në Berat deri në fund të 2021, duke ndikuar edhe në rritjen e portofoleve të edukimit nëpërmjet investimit përveç godinës së shkollës dhe në repartet e praktikave profesionale.
Për vitin mësimor 2020-2021 në të studiuan 310 nxënës në drejtimet mësimore: Shërbime mjetesh transporti, elektronikë, mekanikë dhe termo-hidraulikë. Gjithashtu, kjo shkollë ka rreth 36 marrëveshje me bizneset, të cilët iu mundësojnë nxënësve praktikat profesionale në kompani .
Integrimi i të rinjve dhe të rejave në tregun e punës, sipas programeve sektoriale janë ende të papërmbushura përtej politikave institucionale në mbështetje të punësimit të të rinjve.
Në mungesë të të dhënave të disponueshme për beratin, sipas publikimit për tregun e punës në Shqipëri në 2020, “në grupin e të rinjve dhe të rejave (15-29 vjeç), që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 35.1 % e tyre klasifikohen si të papunë” , ku të rinjtë janë të papunë në nivelin 44.3% dhe të rejat në nivelin 27%.
Në nivelin e pjesëmarrjes, Berati në arsimin e mesëm bazohet kryesisht në arsimin publik me 95% dhe vetëm 5% e nxënësve ndjekin shkollat private. Shpenzimet e buxhetit të Bashkisë Berat për Arsimin parashkollor përfshirë arsimin bazë, Arsimin e mesëm të përgjithshëm, si dhe Arsimin profesional arrijnë në vitin 2021 në vlerën 288.7 milion lekë (23.1% të shpenzimeve gjithsej). Në aspektin e realizimit të programit për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave është punuar në përmbushje të programit politik, por edhe programit buxhetor.
Ky nivel investimi spjegon edhe faktin e përqindjes së lartë të pjesëmarrjes së nxënësve në arsimin publik duke konsideruar edhe argumentin e nivelit të ardhurave nën mesataren kombëtare (59 mijë lekë /muaj) që nuk arrijnë dot për pjesën më të madhe të familjeve të përballojnë kostot private. Në këtë rast përgjegjësia e bashkisë është edhe më e madhe, në aspektin sasior dhe cilësor.
Të regjistruarit e arsimit të mesëm profesional për vitin 2020 – 2021 përbëjnë 17,6% të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në arsimin e mesëm në nivel vendi.
Ndërsa në vitin 2017 – 2018 përbënin 17,2%. Berati është nga qendrat ku pjesëmarrja në arsimin e mesëm profesional është rritur në vitin shkollor 2020-2021, krahasuar me vitin 2017- 2018 me 1.3 pikë përqindje.
Nëse llogaritim shpenzimet e buxhetit të bashkisë për nxënës (parashkollor, arsim bazë, arsim i mesëm dhe profesional) rezulton një vlerë shpenzimi mesatare prej 32.2 mijë lekë për nxënës.
Raporti nxënës për mësues është në nivel qarku është 9.8 nxënës për mësues, ndërsa për Bashkinë Berat është 11.2 nxënës për mësues, ku të gjitha bashkitë e tjera vërehen për nivele më të ulta, ku Skrapari ka raportin 5.5 nxënës për mësues.
Këto raporte me diferenca të mëdha shpjegohen me faktin e migrimit dhe lëvizjes së popullsisë në zonat jo urbane drejt qendrave më të mëdha.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.