Të ardhurat në buxhet për periudhën 2022-2024 parashikohen në rreth 48% nga të ardhurat e veta dhe rreth 52% nga transfertat e buxhetit të shtetit. Gjatë vitit 2021, shpenzimet nga buxheti i shtetit janë rreth 707,061 (mijë) Lek, e kompozuar sipas Transfertës së pakushtëzuar në 298,960 (mijë) Lek; transferta e kushtëzuar në 266,283 (mijë) Lek; si dhe nga fondet e veçanta të FZHR në 141,818 (mijë) Lek.
Gjatë periudhës 2022-2024 bashkia parashikon rritje të të ardhurave të veta si dhe të transfertës së pakushtëzuar.
Të ardhurat e veta për vitin 2022 vihet re një rritje e konsiderueshme me rreth 19% krahasuar me vitin 2021, dhe më pas trendi i rritjes është më i balancuar në 1%-2%. Të dhënat për periudhën 2022-2024 paraqiten në Tabelën 3. Në këtë Tabelë nuk janë paraqitur të ardhurat nga transferta e kushtëzuar pasi ato përcaktohen nga Ministria e Financave në përfundim të PBA.
Viti 2021 nuk merret si një vit normal pasi të ardhurat buxhetore janë prekur nga nismat në përgjigje të goditjeve në ekonomi, por këto të dhëna mund të krahasohen me vitin 2020.
Të ardhurat e veta për bashkinë Berat përfaqësohen me 25% nga taksat lokale; 8% nga taksat e ndara; 47% nga tarifat vendore si dhe 20% nga të ardhura të tjera. Dy burimet më të mëdha janë: tarifa për menaxhimin e mbetjeve me 19% të totalit të ardhurave të veta si dhe taksa mbi pasurinë e paluajtshme me 16% të totalit.
Për vitin 2022 Bashkia Berat planifikoi të shpenzojë rreth 45.6% për shpenzime personeli nga 57.1% për vitin 2020, rreth 33.1% për shpenzime korrente nga 32% për vitin 2020, si dhe 21.3% për shpenzime kapitale nga 19.2% për vitin 2020. Në vitin 2022 bashkia ka rritur nivelin e subvencioneve por ato shkojnë vetëm tek klubi i futbollit lokal. Përsa i përket shpenzimeve për familjet, ato pritet të rriten në mënyrë të konsiderueshme si rezultat i transfertës specifike me 16,270 (mijë) Lek por edhe nga fondet e bashkisë, për të arritur në 28,700 (mijë) Lek.
Në vitin 2020 transferta për familjet ishte vetëm 5,156 (mijë) Lek.
Sipas raportit, MFE ka konstatuar se bashkia Berat ka plotësuar të gjitha standartet e kërkuara sipas kuadrit legjislativ dhe udhëzimeve përkatëse. MFE ka vlerësuar angazhimin e bashkisë në përmirësimin e procesit të hartimit dhe programimit të PBA në funksion të strategjisë së zhvillimit.
PBA ka ofruar tregues të matshëm të cilët bëjnë të mundur identifikimin e arritjeve dhe realizimeve në planin strategjik të zhvillimit. Buxheti total i Bashkisë Berat menaxhohet sipas 20 programeve të shpenzimeve të cilat paraqiten në Tabelën 5.
Kujdes!
Në tërësinë e tij përshkruese Relacioni i Buxhetit 2022 dhe PBA 2022 – 2024 përshkruan procedura sipas formatit standart që përdorin bashkitë për relatimin e buxhetit. Por, në tërësinë e relatimit të shpenzimeve nevojitet një lidhje e dukshme midis programeve për PPV, strategjive sektoriale, programit politik dhe politikave dhe strategjive vendore.
Transferta e pakushtëzuar sipas sektorëve për vitin 2022-2024 mbetet e pandryshuar në projeksionet e PBA në vlerën 275.230 (mjë Lek). Totali i transfertës së pakushtëzuar rezulton me një rritje vjetore në 6.6% për vitin 2022, shumë më e lartë krahasuar me rritjen 1.6% për vitin 2021.
Për vitin 2022, sektori me peshën më të lartë në buxhet është “Arsimi parashkollor” me 54.3 % të totalit të transfertës, e ndjekur nga “Mbrojtja dhe zjarri” me 11.9%
Ndërkohë që Rrugët përfaqësojnë dhe peshën më të ulët me 1.9% të totalit, por njëkohësisht është me rritje të lartë të fondeve për vitin 2022 në 8.4%. Ky sektor nuk ka pasur ndryshime në fondet e alokuara për vitin 2020 dhe 2021. Sektori me rritjen më të lartë të fondeve është “arsimi parashkollor” në 9.9%.
Mbrojtja sociale dhe Konviktet kanë dhe rritjen më të ulët të fondeve me vetëm 1.1%.
Në matjen e performancës së financave vendore të Bashkisë vërehet se ka një nivel të ulët performance në mbledhjen e të ardhurave vendore, shpenzime të pabalancuara për grupet e margjinalizuara, por edhe një rritje të detyrimeve afatgjata. Një nivel jo i mirë vërehet në efektivitetin e shpenzimeve të larta për personelin, të cilat kalojnë gjysmën e shpenzimeve gjithsej. Kjo qasje është në një mënyrë edhe tregues i një tregu të kufizuar të punës.
Mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe shtresave në nevojë në parashikimet buxhetore nevojitet që të ketë ndërhyrje nga transfertat e buxhetit të shtetit. Në mbrojtjen e pakicave , si pjesë për ndryshim dhe azhornim të strategjisë dhe plan veprimit duhet të ketë një pjesëmarrje direkte edhe të OSHC-ve që kanë fokus këtë grup komuniteti duke kërkuar edhe ekspertizën e rrjetit për të bërë të mundur një analizë të plotë.
Besueshmëria e buxhetit
Të ardhurat dhe shpenzimet e programuara kanë diferenca me buxhetin e miratuar të vitit 2021 krahasuar me rishikimin, të cilat nuk duket se përfshijnë të ardhurat e veta vendore , por vetëm pjesën e transfertave të pakushtëzuara dhe specifike. Ky ndryshim nuk duket se ka reflektuar kërkesat e qytetarëve gjatë konsultimit publik, por kryesisht janë vijimësi e kontratave të mirëmbajtjes dhe investimeve të mbartura nga vitet e kaluara.
Parashikueshmëria dhe kontrolli në zbatimin e buxhetit.
Megjithëse ka përmirësim në metodologjinë e parashikimit të të ardhurave ka ende sfida që lidhen me forcimin e kapaciteteve për analizimin e fenomeneve dhe përshtatjen e legjislacionit me situatën, si dhe modelimin e taksave dhe tarifave për një shpërndarje të drejtë të barrës fiskale vendore. Megjithëse sistemi i prokurimit publik është përmirësuar, ende një pjesë e konsiderueshme të kontratave jepen përmes procedurave pa konkurrim. Puna për modernizimin e sistemeve të teknologjisë informatike (digjitalizimi i shërbimeve publike dhe transaksioneve të institucioneve vendore) dhe të akteve të përshtatura zbatuese të menaxhimit financiar të buxhetit përbën zhvillim pozitiv për transparencën dhe antikorrupsionin, por kërkon kohë që të integrohet plotësisht në institucionet buxhetore, shumë prej të cilave ende përdorin sisteme të mbajtura me dorë dhe procedura të vjetëruara.
Transparenca fiskale
Bashkia Berat vlerësohet se ka një përfaqësim të mirë sa u takon disa treguesve të transparencës fiskale, përfshirë programimet e buxhetit, dokumentimin e buxhetit dhe të drejtën e publikut për të parë informacionin fiskal. Megjithatë, shqetësim janë boshllëqet në informacionin për të ardhurat dhe shpenzimet faktike, burimet që marrin njësitë e realizimit të shërbimeve, prezantimi i buxhetit faktik sipas njësive shpenzuese, si edhe mungesa e transparencës në një pjesë të konsiderueshme të transfertave të pushtetit qendror nga FSHZH.
Menaxhimi i borxhit
Për qëllime mire administrimi Bashkia ka miratuar edhe një strukturë direkte (sektor borxhi) për këtë qëllim. Borxhet që janë krijuar për Ujësjellës Kanalizime, për investimet kapitale dhe borxhet e brendshme janë një problem i mbartur përpara reformës administrative. Megjithëse menaxhimi i borxhit të bashkisë si për gjithë bashkitë e vendit ishte një objektiv që do të zgjidhej duket se nuk ka ende një përmbushje të këtij objektivi.
Menaxhimi i investimeve publike përbën sfidë madhore.
Dobësitë në përzgjedhjen e projekteve, së bashku me mungesën e të dhënave të plota dhe me sistemet e dobëta të monitorimit e kanë cënuar efektivitetin dhe efikasitetin e vendimeve të menaxhimit të financave publike vendore
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.