Ballkani Perëndimor nis përfitimet nga Plani i Rritjes të BE-së, ku Shqipëria është një prej përfituesve të parë
Në vitin 2025, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur të marrin fonde nga Plani i Rritjes të Bashkimit Evropian, një paketë 6 miliardë eurosh që synon përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE përmes reformave ekonomike, infrastrukturore dhe institucionale.
Shqipëria
Shqipëria është një prej vendeve të para që ka përfituar nga Planit i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, një iniciativë strategjike e Bashkimit Europian me fond total prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027. Ky plan ka si qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar në avancimin e reformave dhe zhvillimin e infrastrukturës kritike.
Sipas shpërndarjes së fondeve të para, Shqipërisë i janë alokuar 64.5 milionë euro, të ndara në dy pjesë kryesore:
Investime për infrastrukturë, ku një shumë prej 34.5 milionë eurosh kalon përmes Fondit të Investimeve të Ballkanit për projektet infrastrukturore. Ky komponent është i fokusuar në përmirësimin e rrjeteve transportuese, energjetike dhe infrastruktura të tjera që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe sociale të vendit.
Mbështetje për reforma me 30 milionë euro, ofruar si hua për të mbështetur zbatimin e reformave të nevojshme në administratën publike, drejtësi, dhe klima e biznesit. Këto reforma janë thelbësore për harmonizimin e legjislacionit dhe praktikave shqiptare me standardet e Bashkimit Europian, dhe për përmirësimin e efikasitetit të institucioneve shtetërore.
Serbia
Serbia, si ekonomia më e madhe në rajon, ka përfituar që në fillim nga Plani i Rritjes, duke marrë pjesën më të madhe të fondeve në bazë të PBB-së dhe popullsisë.
Serbia ka përfituar një shumë prej 51.7 milionë eurosh në formë huaje me kushte favore për buxhetin shtetëror, si pjesë e parapagimit të parashikuar në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, i cili është një komponent kyç i Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Ky parapagim përfaqëson rreth 7% të mbështetjes totale financiare të dedikuar Serbisë nga plani i BE-së.
Përveç kësaj, një shumë shtesë prej 59 milionë eurosh do të kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për përmirësimin e infrastrukturës kombëtare, duke theksuar fokusin e planit në investime konkrete në sektorë strategjikë si transporti, energjetika dhe digjitalizimi. Ajo ka nisur investime në sektorë si energjia e rinovueshme, modernizimi i rrjetit hekurudhor dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore. Megjithatë, Serbia përballet me sfida politike dhe institucionale për përshpejtimin e reformave, të cilat do të ndikojnë në vazhdimësinë e financimit.
Maqedonia e Veriut
Në fillim të këtij viti, Maqedonia e Veriut ka përfituar një shumë prej 52.2 milionë euro, e cila ndahet në dy komponentë kyç, (a) investime infrastrukturore, 28 milionë euro janë alokuar për projekte infrastrukturore, duke synuar përmirësimin e kapaciteteve fizike dhe teknologjike të vendit. Këto investime mbështesin zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe lidhjen e Maqedonisë së Veriut me rrjetet rajonale dhe europiane dhe (b) mbështetje për reforma, Rreth 24.5 milionë euro janë të dedikuara për buxhetin shtetëror me qëllim mbështetjen e reformave të domosdoshme.
Ky segment synon të përforcojë proceset reformuese në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë administratën publike, sundimin e ligjit dhe klimën e biznesit, të cilat janë kritike për përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Mali i Zi
Mali i Zi ka përfituar 26.8 milionë euro në formë parapagimi, ku 12.5 milionë euro në hua me kushte favore janë transferuar direkt në buxhetin kombëtar, duke siguruar mbështetje të drejtpërdrejtë për financimin e reformave të planifikuara në kuadër të Agjendës së Reformave.
Një shumë shtesë prej 14.3 milionë eurosh në formë grantesh dhe huash do të kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), për të përmirësuar infrastrukturën në sektorë kyç si transporti, energjetika dhe digjitalizimi.
Ky parapagim përfaqëson rreth 7% të mbështetjes totale financiare që Mali i Zi ka marrë nën këtë plan strategjik.Mali i Zi ka përqendruar përpjekjet në investime të lidhura me turizmin dhe zhvillimin urban, si dhe në projekte për energjinë e gjelbër. Megjithatë, për shkak të një ekonomie më të vogël dhe sfidave politike, ritmi i përfitimeve nga Plani i Rritjes është më i ngadalshëm. Qeveria ka vënë në fokus përmirësimin e klimës së investimeve dhe forcimin e qeverisjes lokale.
Bosnja – Hercegovina
Bosnja dhe Hercegovina deri tani nuk ka përfituar asnjë fond nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, në kontrast me shumicën e vendeve të tjera të rajonit që kanë marrë parapagime për reforma dhe investime infrastrukturore. Mungesa e përparimit lidhet ngushtë me përçarjet politike të brendshme dhe mosmarrëveshjet institucionale që kanë penguar ratifikimin e marrëveshjeve kyçe dhe miratimin e reformave të nevojshme. Kjo ka ndikuar negativisht në funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe ka bllokuar avancimin e procesit të integrimit europian.
Si rezultat, Bosnja vazhdon të humbasë mundësi të rëndësishme financiare që do të ndihmonin për përmirësimin e infrastrukturës, administratës dhe klimës së biznesit. Situata politike e paqëndrueshme dhe mungesa e një vizioni të përbashkët kanë krijuar një impas që rrezikon edhe funksionimin e institucioneve dhe pagat e punonjësve shtetërorë, duke vënë në rrezik edhe perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit në Bashkimin Europian.
Kosova
Kosova, me një nga ekonomitë më të reja në rajon, ende nuk po përfiton kryesisht nga fondet për mbështetje të reformave dhe investimeve në infrastrukturë bazë si rrugët dhe energjia. Kushtet e nevojshme për përfitimin e fondeve, përfshirë ratifikimin e Marrëveshjes për Instrumentin e Reformave dhe Rritjes dhe Agjendës së Reformave, nuk janë plotësuar ende nga autoritetet kosovare.
Kjo ka bërë që Kosova të mbetet pas vendeve të tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat kanë marrë parapagime dhe fonde për reforma dhe investime infrastrukturore Sfidat politike, si dhe ngërçet e brendshme politike po e ngadalësojnë procesin e integrimit dhe përfitimet nga Plani i Rritjes.
Përfitimet nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor varen kryesisht nga gatishmëria dhe kapaciteti i secilit vend për të zbatuar reforma të thella institucionale, për të luftuar korrupsionin dhe për të krijuar një klimë më të favorshme për biznesin. Shqipëria dhe Serbia janë aktualisht më përpara në fazën e implementimit, duke përfituar tashmë fonde paraprake për reforma dhe investime. Ndërkaq, Mali i Zi ka nisur marrjen e fondeve, por përballet ende me sfida, ndërsa Kosova, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve ligjore dhe institucionale, nuk ka arritur të përfitojë ende nga këto mbështetje financiare.
Koha është faktor kyç në këtë proces, pasi Komisioni Europian monitoron progresin dhe lëshon pagesat dy herë në vit, duke mbështetur vetëm vendet që tregojnë rezultate konkrete në zbatimin e reformave. Kjo nënvizon nevojën e vazhdueshme për vendet e rajonit që të përshpejtojnë përpjekjet për të mos humbur mundësitë për zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkimin Europian.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.