Ballkani Perëndimor në 2018, mjafton të bëhen gjërat e duhura që nga fillimi

Ballkani Perëndimor në 2018, mjafton të bëhen gjërat e duhura që nga fillimi

Pothuaj gjithë vendet e Ballkanit kanë mbështetur stabilizimin ekonomik dhe kanë vazhduar në rrugën e filluar më herët për të përfunduar modernizimin, që nxit rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia tani janë në pikën ku ata kanë një shans për të ndjekur këtë rrugë më shumë se vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Kjo do të kërkojë zgjerimin dhe thellimin e axhendës së reformës.

Të gjithë e dimë se përgjigja për dilemat që përmbledh ky proces përfshin fuqizimin e aktivitetit ekonomik të udhëhequr nga sektori privat dhe rritjen e hapjes ekonomike për të qenë në gjendje të investojnë më shumë, të eksportojnë më shumë dhe të krijojnë më shumë punë për qytetarët.

Ekonomia evropiane po përmirësohet, ndërsa tregtia dhe investimet tregojnë forcim të mëtejshëm. Këto pjesë përbërëse të ekonomisë janë me përfitim në shumicën e vendeve, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Mjedisi i favorshëm i jashtëm ofron një mundësi të mirë për të gjitha vendet e rajonit për të ndërmarrë reforma, për të fuqizuar ekonomitë ende të dobëta dhe të paafta për të shfrytëzuar plotësisht kapacitetet dhe burimet.

Në vitin 2017, ekonomia ballkanike u ndikua nga produktiviteti i ulët, investimet e pamjaftueshme, inflacioni i paqëndrueshëm dhe në përgjithësi rritja e borxhit publik, e gjithë kjo përbën një rrezik për stabilitetin ekonomik rajonal. Megjithatë, rritja ekonomike dhe vendeve të punës, si dhe inflacioni relativisht i ulët ndihmuan në reduktimin e varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrja e fuqisë punëtore u rrit në shumicën e vendeve, pasi shumë qytetarë hynë në tregun e punës dhe gjetën ofertë pune të përshtatshme për kapacitetin e tyre. Mbi 80 për qind e vendeve të reja të punës ishin në shërbime, kryesisht tregti me pakicë dhe shumicë, mbështetur nga rritja në konsum.

Edhe pse papunësia ra në shumicën e vendeve në 2017, ajo ende varion nga 13.4 përqind në Shqipëri në 30.4 përqind në Kosovë. Varfëria vazhdoi të binte pavarësisht rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.

Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina regjistruan teprica buxhetore në vitin 2017, por në pjesën tjetër të rajonit vazhduan deficitet buxhetore, të nxitura nga vlera e lartë e shpenzimeve korrente, shpesh për përfitime sociale dhe subvencione. Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova tani po punojnë për të ringjallur investimet kapitale për rritjen e ekonomisë. Investimet e kujdesshme financiare, publike dhe menaxhimi i buxhetit do të ndihmojnë në sigurimin e minimizimit të rreziqeve fiskale që lidhen me investimet, të cilat duhet të lehtësojnë presionet në periudhën afatmesme.

Shumë ekonomi kanë përjetuar një rënie të dukshme në investimet private dhe publike në vitet e fundit. Përvojat e vendeve të tjera tregojnë se nuk është e lehtë të mbahen standartet e arritura të stabilizimit, nëse një vend nuk vë theksin në rolin e rritjes produktive dhe të përfitimeve për të gjithë qytetarët. Në shumë vende, stabilizimi pa reforma më të thella çon në lodhjen e qytetarëve nga politika, vetëkënaqësi dhe kundërshtim nga grupime me interesa të caktuara që dëmtojnë momentin.

Në Shqipëri, ka disa arsye imediate për të ecur përpara me reformën. Financat publike sigurisht janë në një udhë që tregojnë për konsolidim të tyre, por borxhi publik mbetet shumë i lartë. Nevojitet një përpjekje e fortë për të krijuar një hapësirë të nevojshme ​​për shpenzimet në fusha kyçe, si infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi. Vonesat në ndjekjen e reformës së energjisë mund të vendosin përsëri stabilitetin e buxhetit në rrezik.

Sfida më e madhe, përfshirja e të rinjve është gjithashtu dhe mundësia më e madhe. Nëse vendi mund të prekë potencialin e të rinjve, duke sjellë papunësinë dhe pjesëmarrjen e fuqisë punëtore në nivelin e shumë vendeve të tjera të zhvilluara, atëherë absorbimi i tyre në ekonomi mund të nxisë rritjen në nivelet 5 deri në 6 përqind. Kjo status quo e re do të ishte vërtetë një transformim. Kjo do të thotë përmirësim i standardeve të jetesës për segmente më të mëdha të popullsisë.

A është e mundur kjo?

Ne duhet të dimë më shumë nga përvojat e mira të disa vendeve ballkanike që të japim përgjigje më të plota.

Së pari, disa zhvillime pozitive kanë ndodhur në disa vende ballkanike. Historitë e tyre mund të jenë mësime me vlerë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit që nuk kanë këto zhvillime. Le të shikojmë Serbinë, një vend kufitar me Shqipërinë. Serbia doli nga një krizë e thellë politike, sociale dhe ekonomike në 1999 që duhej të çlirohej nga mënyra e modës së vjetër të kontrollit të qeverisë qendrore ndaj ekonomisë së saj në zvarritje të plotë pas politikës së dështuar dhe të vjetër. Reformat që bënë serbët përfunduan me çmontimin e monopoleve qeveritare dhe fuqizuan sektorin privat, zhvendosën burimet dhe vendimmarrjen në funksion të qeverisjes lokale dhe promovuan dhe mbështetën politika në funksion të konkurencës së produkteve kombëtare në tregun global. Në të vërtetë, tashmë ekonomia është bërë gjithnjë e më dinamike dhe është rritur në mënyrë të qëndrueshme.

Përvoja e dytë i takon Maqedonisë. Në vitet e fundit Maqedonia mori një sërë veprimesh vendimtare që synonin rritjen e produktivitetit. Sektori i energjisë u hap ndaj tregut privat dhe kontrolli i oligopolit në telekomunikacion dhe financa u zëvendësua me konkurrencë më të lirë. Diversifikimi i energjisë është duke u zhvilluar dhe kostot e telekomunikacionit kanë rënë, me përfitime për konsumatorin e gjerë. Ata gjithashtu synojnë t’i tërheqnin njerëzit nga informaliteti drejt ekonomisë formale, nëpërmjet reformave të punës që e lejojnë më shumë marrëveshje elastike për punëmarrësit. Rezultati prej kësaj politike është rkijimi i mbi 200 mijë vendeve të punës në 4 vitet e fundit. Punësimi në sektorin informal ka rënë si rrjedhojë e rritjes së punësimit formal.

E treta në rradhë është Kosova. Karakteristika kryesore e Kosovës lidhet me faktin se po redukton burokracinë joefikase dhe korrupsionin në shërbimet që mendohet se sjellin përfitime të paligjshme. Kosova tani po punon për të ringjallur investimet kapitale për rritjen e rritjes. Investime të kujdesshme financiare, publike, dhe menaxhim të buxhetit po ndihmojnë vendin që të sigurojë minimizimin e rreziqeve fiskale që lidhen me investimet, të cilat duhet të lehtësojnë presionet mbi qëndrueshmërinë afatmesme të borxhit.

Çfarë duhet të vlerësojmë nga kjo panoramë ballkanike?

Së pari, një klimë biznesi në të cilën rregullat e lojës janë të thjeshta, transparente dhe të respektuara, nga qytetarët, në të cilat bizneset e vogla mund të rriten në kompani të mesme dhe madje edhe në të mëdha.

Së dyti, siguria më e madhe rregullatore për të inkurajuar investimet dhe konkurrencën.

Së treti, ekonomia zhvillohet më tej pa praninë me tepri të sektorit publik në ekonomi, veçanërisht në biznes dhe tregti, me qëllimin për të zgjeruar hapësirën për rritjen e sektorit privat dhe për të lehtësuar sipërmarrësit nga konkurimi që nuk mund ta fitojnë dot me sektorin publik.

Së katërti, nevojitet mjaft fleksibilitet në tregun e punës për të lejuar të rinjtë të gjejnë punë.

Së pesti, vlen zvogëlimi i barrierave dhe mbrojtjeve jo-tarifore për industritë vendase në mënyrë që kompanitë të mund të bëhen pjesë e zinxhirit të furnizimit global dhe mund të zgjerohen për të kapur një pjesë më të madhe të tregut rajonal .

Së fundmi, një sistem ekonomik i ndërtuar mbi drejtësinë dhe pa korrupsion.

Është e thjeshtë.

Mjafton të bëhen gjërat e duhura që nga fillimi i reformave.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: