Analizë e thelluar mbi projektligjin dhe marrëveshjen e huasë për sistemin e monitorimit të sigurisë publike në Shqipëri
Nga qeveria e Republikës së Shqipërisë është miratuar në parim një Marrëveshje për të marrë hua 118.5 milion US.D nga Fondi për zhvillim i AbuDhabi-t, me një normë interesi prej 4%, për një afat 15 vite (përfshirë 3 vjet pa pagesë të principalit), si një document që përputhet me kornizën ligjore të vendit (Kushtetuta, PBA 2025-2027 dhe programet e investimit të Ministrisë së Brendshme), por pa ndonjë përafrim të drejtpërdrejtë me acquis communautaire të BE-së
Rrisqet e mundshme të evidentuara nga relacioni i projekt ligjit për Marrëveshjen e huasë janë si më poshtë:
Ndikimi te borxhi publik. Marrja e një huaje të tillë rrit ngarkesën e borxhit publik, e cila mund të jetë problematike në rast se nuk ka kthim të mjaftueshëm të investimit në përmirësim të ndjeshëm të sigurisë dhe efikasitetit policor.
Efikasiteti i teknologjisë. Investimi në sisteme të avancuara teknologjike kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe aftësi teknike për t’u operuar, që mund të rezultojë sfidues në kontekstin shqiptar.
Privatësia dhe të drejtat e qytetarëve. Përdorimi i kamerave inteligjente dhe inteligjencës artificiale mund të ngrejë shqetësime mbi privatësinë dhe mbikëqyrjen e qytetarëve, duke kërkuar korniza të qarta ligjore për përdorimin e këtyre të dhënave.
Marrëveshja e huasë për sistemin e monitorimit të sigurisë publike është një angazhim madhor financiar dhe teknologjik, që shtron disa shqetësime të rëndësishme në lidhje me transparencën, menaxhimin e fondeve, përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe efektet afatgjata mbi financat publike dhe të drejtat e qytetarëve.
Këto janë në mënyrë të përmbledhur të draft-marrëveshjes për huanë prej 118.5 milionë US.D dhe që është dyfishuar në raport me vlerësimin fillestar (60 milion US.D) të këtij projekti, që vë në dyshim saktësinë në parashikimin në dokumentat e PBA 2025-2027 dhe dokumentat e tjera të lidhura me të 9Strategji, politika, rregullore).
Analiza jonë fokusohet në disa dimensione kyçe të çështjes, duke përfshirë justifikimin e kostos, procedurat e ndjekura, rreziqet financiare dhe ligjore si dhe efektet në sigurinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Më poshtë i kemi renditur sipas pikave kryesore që mendojmë se udhte të shërbejnë për konsultimin dhe debatin publik lidhur me prioritetet dhe përdorimin e parave të buxhetit në këto nivele kaq të larta.
Së pari është diskutimi mbi dyfishimin e kostos dhe mungesa e justifikimit ekonomik. Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj marrëveshjeje është rritja e papritur e kostos nga 60 milionë euro në 118.5 milionë dollarë. Kjo rritje prej gati 100% nuk ka një shpjegim të argumentuar publikisht. Nuk është paraqitur një analizë e detajuar e faktorëve që kanë ndikuar në këtë shtim të kostove, duke krijuar hapësira të mëdha për dyshime mbi fryrjen artificiale të vlerës së kontratës.
Një projekt i këtij lloji duhet të bazohet në një analizë të thellë të kostove dhe përfitimeve (cost-benefit analysis), duke justifikuar çdo shpenzim shtesë në krahasim me parashikimin fillestar. Në këtë rast, nuk ka të dhëna publike mbi një raport të tillë, gjë që tregon mungesë transparence në arsyetimin e rritjes së buxhetit. Kjo e bën marrëveshjen të pambështetur në parimet bazë të menaxhimit të shëndoshë të financave publike.
Në analizën tonë, faktorët e mundshëm të rritjes së kostos duhet të qartësojnë:
- Nëse rritja e kostos është për shkak të përfshirjes së teknologjive më të avancuara, atëherë duhet të kishte një dokumentim të qartë mbi cilat janë këto përmirësime dhe si ndikojnë në sigurinë publike.
- Nëse kostoja është rritur për shkak të nevojës për mirëmbajtje afatgjatë, atëherë duhet të ishte përfshirë një plan i qartë për mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit në vitet në vijim.
- Nëse ka pasur negocime të dobëta me palën financuese ose kontraktorin, atëherë kjo përbën një problem serioz në menaxhimin e fondeve publike.
Në mungesë të një justifikimi të qartë dhe dokumentacionit të nevojshëm, kjo rritje e kostos ngre dyshime për fryrjen e buxhetit për interesa të palëve të treta ose për kontrata të lidhura në mënyrë klienteliste.
Një rritje e tillë e kostos, nga 60 milionë euro në 118.5 milionë dollarë është jo vetëm e pazakontë, por edhe e dyshimtë duke mos patur përgjigje për disa momente kryesore të kontraktimit, të tilla si:
- A janë shtuar module të reja teknologjike? Nëse po, cilat janë ato dhe pse nuk ishin përfshirë në vlerësimin fillestar?
- A ka ndryshuar përmasat e projektit? Nëse po, për çfarë arsye dhe pse nuk u bë një rishikim i planifikimit më parë?
- A janë përfshirë kostot e mirëmbajtjes në këtë shumë? Nëse po, për sa vite dhe cili është modeli financiar për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit?
Në shumë raste kontratat publike në Shqipëri janë akuzuar për fryrje të qëllimshme të kostove për të përfituar kompani të lidhura me interesa politike. Rritja e papritur e buxhetit të këtij projekti pa asnjë arsyetim të qartë lë hapësirë për dyshime të forta mbi mundësinë e një skeme të tillë.
Së dyti është procedura e kontraktimit dhe rrjedhimisht edhe dyshimet për klientelizëm. Një tjetër aspekt thelbësor është mënyra sesi kjo kontratë është dhënë. Në vend që të hapte një garë të hapur për ofertues të ndryshëm, qeveria ka zgjedhur të miratojë projektin përmes një ligji të posaçëm. Kjo shmangje e procesit të prokurimit publik eliminon konkurrencën dhe rrit ndjeshëm mundësinë e favorizimit të një kompanie të caktuar, duke krijuar një terren të përshtatshëm për klientelizëm dhe korrupsion.
Në këtë rast, marrëveshja është lidhur përmes një ligji të posaçëm që bypass-on procedurat e zakonshme të prokurimit publik. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm, pasi:
- Heq konkurrencën mes operatorëve ekonomikë dhe favorizon një kompani specifike, gjë që rrit rrezikun e korrupsionit.
- Shmang garën ndërkombëtare, duke mos lejuar oferta më të mira dhe më të lira nga kompani të tjera që mund të kishin ofruar teknologji të njëjtë ose më të avancuar me një kosto më të ulët.
- Cënon besimin në menaxhimin e fondeve publike dhe krijon hapësirë për abuzime financiare.
Në përputhje me standardet e BE-së, çdo kontratë e këtij lloji duhet të kalojë përmes një procesi të hapur dhe transparent tenderimi. Anashkalimi i këtij procesi bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Shqipërisë dhe BE-së dhe mund të shërbejë si argument për ndërprerjen e fondeve të ardhshme nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Kur një projekt madhor realizohet pa një procedurë të hapur tenderimi, ai automatikisht krijon rreziqe të larta për korrupsion dhe klientelizëm. Kompania që ka përfituar këtë kontratë nuk është përzgjedhur mbi bazën e konkurrencës, por përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë.
Në kushtet kur një projekt i tillë i jepet pa garë një kompanie të zgjedhur në mënyrë preferenciale, lindin pyetje të rëndësishme:
- A ka qenë kjo kompani më e mira në treg për të ofruar shërbimin e kërkuar?
- Pse nuk u krijua një procedurë transparente e përzgjedhjes?
- Cilat janë garancitë që çmimi i kontratës është i drejtë dhe jo i fryrë artificialisht?
Mungesa e një tenderi të hapur rrit dyshimet për kapjen e kontratës nga interesa të lidhura me pushtetin.
Së treti janë rreziqet financiare dhe implikimet mbi borxhin publik. Marrëveshja e huasë parashikon një financim me një normë interesi prej 4%, një vlerë relativisht e lartë për një hua zhvillimi. Nëse e krahasojmë me huatë e buta që zakonisht sigurohen nga institucionet ndërkombëtare financiare për projekte të infrastrukturës, kjo normë është e shtrenjtë për një shërbim të cilin nuk mund ta quajmë si prioritarë në kushtet e zhvillimit dhe dinamikave të buxhetit dhe presioneve sociale.
Në krahasim me financimet e tjera që Shqipëria ka marrë nga institucionet si BERZH, BEI apo FMN, kjo normë interesi është e lartë dhe nuk ka një justifikim të qartë se përse qeveria ka zgjedhur këtë burim financimi në vend të alternativave më të lira.
Nëse qeveria do të kishte kërkuar fonde nga këto institucione (për aq sa është bërë publike në relacion) do të kishte mundësi për norma interesi shumë më të favorshme. Mungesa e një tenderi të hapur për financim tregon se ka pasur një zgjedhje të qëllimshme për këtë burim financimi, çka mund të sugjerojë ndikime politike apo interesa të fshehura.
Për më tepër, marrëveshja parashikon që kredia të merret në dollarë amerikanë, ndërkohë që të ardhurat e qeverisë shqiptare janë kryesisht në lekë dhe euro. Kjo krijon një rrezik të madh të kursit të këmbimit, që mund të bëjë që borxhi real të rritet nëse dollari forcohet ndaj euros dhe lekut.
Gjithashtu, një aspekt shqetësues është fakti që nëse qeveria nuk përmbush kushtet e kontratës, kreditori ka të drejtën të kërkojë shlyerjen e menjëhershme të principalit, gjë që mund të vendosë një barrë të papërballueshme mbi buxhetin e shtetit.
Së katërti janë implikimet ligjore dhe privatësia e qytetarëve. Kjo problematikë e madhe lidhet me ndikimin e këtij projekti në privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve. Duke qenë se përfshin teknologji monitorimi dhe inteligjencë artificiale, ekziston një rrezik real që ky sistem të përdoret jo vetëm për qëllime sigurie, por edhe për survejimin e qytetarëve në mënyrë të pajustifikuar. Pra, në mungesë të një kuadri ligjor të fortë për mbrojtjen e të dhënave personale, ekziston rreziku që këto sisteme të përdoren për survejim masiv dhe cënim të të drejtave të privatësisë.
Pyetjet që lindin janë:
- Cilat janë mekanizmat e kontrollit për të garantuar që ky sistem nuk do të përdoret për qëllime politike?
- Kush ka akses në të dhënat e mbledhura dhe si do të sigurohet mbrojtja e privatësisë?
- A është respektuar legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale në këtë projekt?
Në Shqipëri, legjislacioni mbi mbrojtjen e të dhënave është ende i pazhvilluar në nivelin e kërkuar nga BE. Zbatimi i këtij sistemi për kontrollin e lëvizjes së qytetarëve pa masa të qarta për mbrojtjen e privatësisë mund të çojë në:
- Përdorimin arbitrar të të dhënave nga autoritetet.
- Përdorimin e sistemit për qëllime politike, duke krijuar një mjedis represiv.
- Hapësirë për abuzime dhe shitje të të dhënave tek kompani private apo aktorë të tretë.
Nëse nuk ka garanci të qarta ligjore për mbrojtjen e të dhënave, ky sistem mund të përdoret për të monitoruar opozitën, aktivistët dhe gazetarët kritikë, duke përbërë një rrezik të madh për demokracinë.
Në mbyllje, ky projekt paraqet një sërë problematikash që prekin thelbin e qeverisjes së mirë dhe menaxhimit të fondeve publike. Duke analizuar elementët kryesorë të tij, bëhet e qartë se kemi të bëjmë me një rast që përmban rreziqe të larta për keqmenaxhim, abuzim me fondet publike dhe cënim të të drejtave të qytetarëve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.