Analizë e kushteve të kreditimit dhe depozitave
Në mesin e vitit 2025, tregu financiar shqiptar po funksionon në një mjedis që vazhdon të jetë i favorshëm për marrjen e kredisë, kryesisht falë politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë dhe kostos ende të ulët të depozitave. Këto kushte kanë nxitur investimet dhe konsumin, megjithëse përfitimi nuk është i shpërndarë njësoj në të gjitha segmentet e tregut, çka e bën të domosdoshme një qasje të kujdesshme në vendimmarrjet financiare.
Sipas informacionit nga banka e Shqipërisë për periudhën 6 mujori parë 2025:
Për bizneset, kredia në lekë aktualisht jepet me një normë mesatare prej 6.7 për qind, pak më e lartë se në fillim të vitit. Kreditë e vogla mbeten më të lira, ndërsa ato të mëdha janë shtrenjtuar, duke e bërë momentin relativisht të favorshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të financojnë zgjerimin ose kapitalin qarkullues. Nga ana tjetër, kredia në euro, me një normë mesatare prej 5.8 për qind, ka ruajtur stabilitet, por me një shtrenjtim të kredive të mëdha dhe ulje të atyre më të vogla. Për kompanitë eksportuese që gjenerojnë të ardhura në valutë, kjo mbetet një mundësi e vlefshme, për sa kohë që zbatohet një menaxhim aktiv i rrezikut valutor.
Për individët, situata është edhe më e qartë.
Kreditë hipotekore në lekë kanë arritur në një nivel historikisht të ulët prej 3.8 për qind, duke i bërë ato opsionin më të leverdishëm jo vetëm për shkak të kostos më të ulët, por edhe për uljen e rrezikut nga luhatjet e kursit të këmbimit. Në të kundërt, kreditë hipotekare në euro janë rritur në 5.1 për qind, duke i bërë më pak tërheqëse për ata që të ardhurat i kanë në monedhën vendase.
Sa u përket kredive konsumatore, paqëndrueshmëria e normave të interesit dhe mundësia e mbajtjes së një kostoje të lartë për periudha të gjata nënkuptojnë se ato duhet të merren vetëm kur arsyeja ekonomike është e fortë dhe e justifikuar.
Në anën e kursimeve, depozitat në lekë po japin një kthim mesatar prej 1.7 për qind, në rënie krahasuar me vitin e kaluar. Për shkak se inflacioni tejkalon këtë nivel, kursimtarët që mbajnë shumicën e fondeve në depozita afatgjata po humbasin gradualisht fuqi blerëse. Depozitat në euro qëndrojnë në një nivel mesatar prej 1.2 për qind, relativisht të qëndrueshme, por me një diferencë gjithnjë e më të vogël krahasuar me lekët, çka tregon se kthimi financiar mbetet i ulët edhe këtu, pavarësisht avantazhit të ruajtjes së vlerës për ata që operojnë në valutë.
Në këtë kontekst, bizneset që planifikojnë investime afatgjata duhet të favorizojnë huamarrjen në lekë, sidomos nëse aktiviteti i tyre nuk varet nga importet në valutë. Eksportuesit dhe importuesit duhet të mendojnë seriozisht për përdorimin e instrumenteve të sigurimit (hedging) për të mbrojtur marzhet nga luhatjet valutore, ndërsa diversifikimi i burimeve të financimit përtej bankave tradicionale mund të ulë varësinë nga një treg i vetëm kredie.
Për individët, hipotekat në lekë janë zgjedhja më e sigurt, ndërsa kursimet duhet të orientohen drejt instrumenteve që ofrojnë mbrojtje ndaj inflacionit, duke shmangur depozitat afatgjata me norma të ulëta interesi. Kreditë konsumatore mbeten një mjet që duhet përdorur me maturi dhe vetëm kur është e domosdoshme financiarisht.
Megjithëse kushtet aktuale favorizojnë ende huamarrjen, ekzistojnë disa rreziqe për muajt e ardhshëm.
Një rritje më e shpejtë e normave të interesit në euro nga sa pritet, ngushtimi i diferencës mes lekut dhe euros, apo presionet inflacioniste që dëmtojnë kthimin real nga depozitat, mund të ndryshojnë shpejt ekuilibrin aktual dhe të kërkojnë përshtatje të strategjive financiare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.