Analiza gjithëpërfshirëse ekonomike e Shqipërisë, 2021-2028
Sipas Kuadrit Makroekonomik 2026 – 2028, te miratuar nga qeveria ne fillim te shkurtit 2025 duket se tendencat ekonomike, financiare dhe fiskale janë pozitive dhe me një ritëmn të dukshë optimist.
Duke ju referuar dokumentit të Ministrisë së Financave, duket se politikat fiskale dhe makroekonomike janë orientuar drejt stabilizimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, me një ritëm optimist që synon mbështetje për bizneset dhe qytetarët. Ky kuadër mund të reflektojë një vlerësim të mirë për të ardhmen e shpejtë ekonomike, por është e rëndësishme të merren parasysh disa aspekte, si:
- Rritja Ekonomike. Nëse ky optimizëm është i mbështetur në rritjen e prodhimit dhe investimeve të brendshme, mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e PBB-së dhe uljen e papunësisë. Por, duhet pasur parasysh se faktorë të tillë si investimet e huaja dhe sektori privat mund të ndikojnë në realizimin e këtyre pritshmërive.
- Politikat Fiskale. Suksesi i kuadrit makroekonomik do të varet edhe nga menaxhimi i borxhit publik, dhe implementimi i politikave që mbështesin rritjen e të ardhurave nga taksat, ndërkohë që synohet kontrolli i shpenzimeve qeveritare. Mund të ketë mundësi për reduktimin e deficitit fiskal dhe rritjen e besueshmërisë tek investitorët dhe institucionet ndërkombëtare.
- Inflacioni dhe Paga. Stabiliteti i çmimeve dhe fuqia blerëse e qytetarëve do të ndikojnë shumë në efektivitetin e politikave makroekonomike. Nëse qeveria ka në plan masa për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për të rritur pagat, kjo mund të ndikojë pozitivisht në cilësinë e jetesës.
- Të ardhurat dhe shpenzimet publike. Planifikimi i duhur i të ardhurave dhe shpenzimeve është thelbësor për të mbajtur ekuilibrin buxhetor. Kjo do të ndihmojë në rritjen e besimit tek politika fiskale dhe përmirësimin e kushteve për bizneset dhe qytetarët.
Megjithë ritmin optimist që ofron ky kuadër, mbetet e rëndësishme të monitorohen dhe analizohen më tej rezultatet konkrete dhe implementimi i masave specifike që mund të ndikojnë në suksesin e tij afatgjatë, të cilat ne i kemi vendosur përmbledhtazi më poshtë.
1. Tendencat e rritjes dhe implikimet e politikës fiskale
Trajektorja e Rritjes
Rritja reale e PBB-së zbutet nga 9.0% (2021) në ~4% (2024-2028).
PBB për frymë (PPP) rritet nga 17,667 dollarë në 31,142 dollarë.
Ekonomia po zhvendoset drejt shërbimeve dhe ndërtimit, duke anashkaluar sektorët prodhues dhe ata agrobujqësorë, që janë jetikë për diversifikimin ekonomik.
Implikimet e Politikës Fiskale
Elasticiteti i të ardhurave fiskale ka shënuar përmirësime të ngadalta, me të ardhurat ndaj PBB-së që arrijnë 29.1% në 2028, ende në nivel të ulët krahasuar me standardet e BE-së (mbi 35%).
Deficiti fiskal është ulur nga -4.6% (2021) në -1.0% (2028), duke treguar një qasje konsoliduese që kufizon hapësirën për investime publike strategjike.
Borxhi publik bruto ka rënë nga 74.1% (2021) në 52.1% (2028), por niveli i lartë i borxhit ndaj PBB-së mbetet pengesë për arritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë fiskale dhe ekonomike.
Nga sa shihet si koment, mendojmë se për të arritur treguesit më lart nevojiten:
- reforma strukturore dhe diversifikimi ekonomik, duke adresuar dobësitë strukturore në sektorët prodhues dhe bujqësorë është kyç për rritjen ekonomike.
- menaxhim më efektiv i investimeve publike, me rritje të eficiencës në alokimin e fondeve drejt projekteve me ndikim të lartë afatgjatë. Fokusimi duhet të jetë tek shpenzimet kapitale dhe projektet që nxisin produktivitetin.
- politika fiskale fleksibile për të përballuar goditjet e jashtme dhe të nxisë rritjen afatgjatë.
- përmirësim i mobilizimit fiskal me zhvillim të mekanizmave për të luftuar evazionin fiskal dhe dixhitalizimi i administratës tatimore.
Për ta mundësuar arritjen kërkohet:
- zbatimi i një strategjie afatmesme për rritje që adreson pengesat strukturore.
- identifikimi i faktorëve që kufizojnë rritjen dhe eliminimi i tyre.
- forcimi i menaxhimit të investimeve publike, duke përfshirë vlerësimin efektiv të projekteve.
- fokusimi në reformat që rrisin produktivitetin dhe fuqinë konkurruese të ekonomisë.
2. Qëndrueshmëria dhe Menaxhimi i Borxhit.
Trajektorja Aktuale
Borxhi publik bruto ka rënë ndjeshëm nga 74.1% (2021) në 52.1% (2028), duke ofruar hapësirë për shpenzime kapitale dhe reduktuar rreziqet fiskale.
Barra e interesit në borxhin publik po zvogëlohet, duke liruar fonde të nevojshme për investime
Vlerësimi i rriskut duket se shihet te:
Ekspozimi ndaj rrezikut të monedhës. Borxhi i jashtëm përfaqëson një rrezik, sidomos nga kursi i këmbimit.
Rreziku i rifinancimit. Profil i maturitetit ende relativisht i shkurtër.
Kushtet e hyrjes në treg. Stabiliteti makroekonomik e lehtëson qasjen, por mbeten problem dobësitë strukturore.
Detyrimet kontingjente. Angazhimet jashtëbuxhetore (PPP-të dhe garancitë) rrisin rrezikun fiskal.
Një adresim më i mirë mundet te jetë:
- zgjatja e maturimit mesatar të borxhit për të ulur rrezikun e rifinancimit.
- zhvillimi i tregut të borxhit të brendshëm, duke rritur pjesën e financimit vendas.
- zbatimi i menaxhimit aktiv të borxhit, duke përfshirë blerjet dhe rifinancimet.
- nxitja e investitorëve institucionalë dhe zgjerimi i bazës së investitorëve.
3. Inflacioni dhe stabiliteti monetar.
Tendencat e Inflacionit
Inflacioni ka rënë nga kulmi prej 6.7% (2022) deri nën 3.0% (2024-2028), duke sinjalizuar një stabilitet në politikat monetare.
Deflatori i PBB (0.8% në 2028) tregon presione të ulëta inflacioniste në ekonomi, por gjithashtu reflektim të ngadalësisë në rritjen ekonomike.
Nga situatat e krijuara gjatë viteve 2023 – 2024, mendojmë se:
- politikat monetare duhet të jenë të përputhshme me objektivat e rritjes ekonomike.
- ngritja e mekanizmave mbrojtës ndaj goditjeve të mundshme në tregjet energjetike dhe ushqimore, por jo në faormatin e bordeve të çmimeve si në vitin 2022.
4. Analiza e tregut të punës.
Tendencat dhe problematikat
Shkalla e papunësisë pritet të bjerë nga 12% (2021) në 9.0% (2028), por përballja me emigracionin dhe pjesëmarrja e ulët në fuqinë punëtore pengojnë rritjen afatgjatë.
Mospërputhja mes aftësive dhe nevojave të tregut të punës përfaqëson një pengesë strukturore të vështirë për tu adresuar.
Gjithsesi, ne mendojmë se duhet që të avancohet me ritme më të larta në:
- politikat aktive të punësimit, duke alokuar fonde më të mëdha për subvencionimin e trajnimeve profesionale për të rinjtë dhe grupet vulnerabël.
- reformën në arsim me përafrimin e kurrikulave me sektorët strategjikë ekonomikë dhe teknologjikë.
5. Bilanci i Llogarisë korrente dhe Eksportet
Tendencat Kryesore.
Bilanci i llogarisë korrente pritet të përmirësohet nga -7.7% (2021) në -3.2% (2028), duke reflektuar një rritje të eksporteve të shërbimeve, por eksportet më të rëndësishme, ato të mallrave duket se do të mbeten të dobët.
Eksportet e mallrave (7.7% të PBB-së në 2028) tregojnë mungesë të theksuar të diversifikimit dhe ky është problemi i madh pa adresimin e duhur.
Pra, nevoja e madhe është:
- nxitja e prodhimit të mallrave me politika që mbështesin zinxhirët e furnizimit vendorë dhe eksporte të industrializuara.
- përmirësimi i infrastrukturës tregtare, duke lehtësuar aksesin në tregjet europiane dhe globale.
6. Objektivat europiane dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm.
Progresi drejt Integrimit
Shqipëria ka shënuar përparime në disa indikatorë ekonomikë, por mbetet pas në zbatimin e reformave për arritjen e standardeve të BE-së.
Domosdoshmërisht duhet:
- përshpejtimi i reformave institucionale. Duke ngritur një qeverisje transparente dhe rritje të besueshmërisë në tregje.
- fokusimi në investimet në energji të rinovueshme dhe menaxhimin efikas të burimeve natyrore në përputhje me SDG-të.
4. Mobilizimi i të ardhurave tatimore.
Statusi aktual
Raporti të ardhura/PBB rritet nga 26.6% (2022) në 29.1% (2028).
Nga parashikimet pritet të rritet pesha e të ardhurave tatimore falë reformave në sistemin fiskal.
Kapacitetet administrative në mbledhjen e të ardhurave gjithashtu pritet të përmirësohen.
Analiza e boshllëqeve kërkon shumë më tepër adresim te:
- efikasiteti tatimor, i cili mbetet i ulët krahasuar me potencialin ekonomik.
- pajtueshmëria vullnetare, pasi mospërputhjet dhe evazioni fiskal kufizojnë bazën tatimore.
- Politika të mirëstudiuara dhe diskutuara, pasi mungesa e incentivave fiskale për sektorë strategjikë duket se është më shumë një qasje politike elektorale.
- administrimi, i cili ende mbart nevoja për dixhitalizim dhe përmiresim të proceseve.
Strategjia e afatmesme e të ardhurave do të vlerësohet si efektive nëse përmbush:
- transformimin dixhital i administratës tatimore për të rritur efikasitetin dhe transparencën.
- pajtueshmërinë e bazuar në rrisk, duke fokusuar kontrollet aty ku ka evazion të lartë.
- modernizimin e politikës tatimore për të promovuar rritjen dhe konkurrencën.
- Bashkëpunimin efikas me partnerët ndërkombëtar për të forcuar luftën kundër evazionit.
5. Korniza e shpenzimeve buxhetore.
Analiza e përbërjes
Shpenzimet korrente reduktohen gradualisht, duke rritur peshën e shpenzimeve kapitale.
Prioritet do të mbeten infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia.
Efikasiteti i programeve mbetet i kufizuar nga mungesa e monitorimit dhe rishikimit sistematik.
Axhenda e reformës shihet se do të fokusohet te:
- zbatimi i buxhetimit të bazuar në performancë.
- mekanizma rishikimi të shpenzimeve për të eliminuar dublikimet dhe abuzimet.
- reformat në prokurim për të rritur efikasitetin dhe transparencën.
- Racionalizimin e subvencioneve për sektorë të paefektshëm.
Fushat Prioritare dhuet të jenë:
- zhvillimi i infrastrukturës moderne.
- investimi në kapitalin njerëzor (arsim dhe formim profesional).
- forcimi i mbrojtjes sociale për grupet vulnerabël.
- rezistenca ndaj ndryshimeve klimatike dhe investimi në energji të rinovueshme.
Në mbyllje,
Kuadri makroekonomik i përshkruar në dokumentin e qeverisë për periudhën 2026-2028 ofron një vizion pozitiv për rritjen dhe stabilitetin e ekonomisë, por implementimi i tij do të varet nga aftësia për të menaxhuar sfidat strukturore dhe për të arritur ekuilibrin e duhur midis rritjes dhe disiplinës fiskale.
Në prioritetet afatshkurtra, një nga aspektet më të rëndësishme është ruajtja e disiplinës fiskale dhe ulja e borxhit publik. Ky objektiv është kritik për stabilitetin ekonomik, por implementimi mund të përballet me vështirësi, pasi ulja e borxhit kërkon ulje të shpenzimeve dhe rritje të të ardhurave. Kjo mund të sjellë tensione politike, pasi kërkon ndoshta zvogëlim të shërbimeve publike ose rritje të tatimeve, të cilat shpesh janë të papëlqyeshme për qytetarët.
Forcimi i administratës tatimore është po ashtu thelbësor, por ka ndodhur shpesh që pavarësisht përpjekjeve të mëparshme, administrata tatimore nuk ka arritur të luftojë evazionin dhe të rrisë mbledhjen e të ardhurave. Kjo do të kërkojë investime serioze në teknologji dhe një ndryshim kulturor në menaxhimin e tatimeve, që nuk është i lehtë të realizohet.
Në aspektin e menaxhimit të borxhit, qeveria ka përmendur nevojën për strategji të qarta. Ky është një hap i duhur, pasi borxhi i jashtëm dhe brendshëm mund të krijojë probleme serioze për ekonominë nëse nuk menaxhohet në mënyrë efikase. Sidoqoftë, krijimi i një strategjie të tillë mund të shfaqë sfida të mëdha, pasi kërkon planifikim të kujdesshëm dhe qëndrueshmëri në aplikimin e saj.
Në investimet publike, fokusi është në rritjen e efikasitetit të menaxhimit të projekteve, që është gjithashtu një nevojë e theksuar. Shumë herë, investimet publike janë shoqëruar me vonesa dhe korrupsion, dhe ky problem duhet adresuar me masa konkrete për të siguruar që çdo euro të shpenzohet me përgjegjësi dhe të sjellë rritje ekonomike.
Në nivelin afatmesëm, reforma strukturore për diversifikimin ekonomik është një objektiv i rëndësishëm, veçanërisht për Shqipërinë, e cila ka një ekonomi të rënduar nga disa sektore të caktuar, si turizmi. Megjithatë, implementimi i këtyre reformave do të kërkojë jo vetëm vullnet politik, por edhe investime të mëdha në infrastrukturë dhe edukim, si dhe një klimë biznesi që nxit inovacionin dhe zhvillimin e industri të tjera.
Aktivizimi i tregut të punës është i rëndësishëm për të ulur papunësinë dhe për të krijuar mundësi punësimi. Politikat aktive që ndihmojnë individët të kalojnë nga një sektor në tjetrin, si dhe trajnimi për aftësi të reja, mund të sjellin një impakt pozitiv, por do të kërkojnë gjithashtu investime në arsim dhe aftësi profesionale që të jenë të përputhura me kërkesat e tregut të punës.
Në vizionin afatgjatë, rritja e qëndrueshme ekonomike dhe stabiliteti fiskal janë pa dyshim objektiva kryesorë. Por këtu del një çështje tjetër: sa do të jetë i qëndrueshëm ky rritëm nëse ekonomia e vendit mbetet e ndjeshme ndaj ndikimeve të jashtme, si krizat ndërkombëtare apo pasiguria financiare? Kjo do të kërkojë një diversifikim më të madh të burimeve dhe rritjen e fleksibilitetit të ekonomisë për t’u adaptuar me ndryshimet globale. Përfshirja sociale dhe zhvillimi rajonal janë gjithashtu të rëndësishme, por për t’i realizuar këto, duhet një planifikim më i detajuar dhe një angazhim konkret nga ana e qeverisë për të siguruar që asnjë rajon apo grup shoqëror të mos mbetet i margjinalizuar në proceset e zhvillimit ekonomik.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.