Amnistia fiskale: Çfarë qasje synon qeveria?

amnistia fiskale

Amnistia fiskale: Çfarë qasje synon qeveria?

Amnistia fiskale zakonisht ndodh për një arsye që vetëm qeveria që e miraton mund të japë përgjigjen e saktë. Zakonisht ajo ndodh për arsye të mbushjes së buxhetit me të ardhura në kohë të shpejtë. Duke qenë se qeveria është ngushtë me të ardhura, atëherë amnistia fiskale mundet të kënaqë nevojën e menjëhershme për të ardhura fiskale, duke treguar indirekt siptomat e një rënie ekonomike, apo një performance fiskale jo të kënaqshme dhe në përmbushje të objektivave buxhetore.

Por, përveç nevojës për të ardhura në tërësinë e politikës fiskale të qeverisë mundet të egzistojë edhe kërkesa për të përmirësuar pajtueshmërinë tatimore ashtu si edhe mundet të jetë edhe ambicja për të përmirësuar të ardhurat për një periudhë afatmesme.

Nëse do të ishim në fillimin e qeverisjes, amnistia fiskale është një qasje që shkon me synimet e një qeverie të re, e cila dëshiron të japë imazhin e një modeli ndryshe dhe të distancuar nga politika fiskale e qeverisjeve të mëparshme, duke dhënë edhe mesazhin për taksapaguesit se tashmë pas amnistisë do të ndodhë ndryshimi i modelit të administrimit fiskal. Në fakt, ligji i fundit i faljes fiskale të vitit 2017 ishte një vijimësi e ligjeve të qeverive të mëparshme dhe për gjithë taksapaguesit nuk pruri ndonjë qasje që të justifikonte arsyet që përmenden më lart.

Ndërkohë, një arsye e fundit për të miratuar një amnisti fiskale, e cila në fakt ishte edhe pika kryesore e njoftimit për amnisti fiskale në 2020 është riatdhesimi i kapitaleve nga shqiptarët jashtë Shqipërisë, me qëllimin e deklaruar hapur për të nxitur investimet dhe rritjen e brendshme të ekonomisë.

Por, përpara se të na vihet për të zbatuar amnistia tatimore, e cila pa dyshim është një opsion i mirë për të shtuar të ardhurat tatimore, qeveria duhet të sqarojë disa momente paraprake.

Në terma afatshkurtër, duhet përgatitur analiza e performancës së mbledhjes së detyrimeve dhe sa është ezauruar zbatimi i ligjit në tërësinë e tij. Në të njëjtën kohë, duhet analizuar dhe prezantuar edhe si ka rezultuar performanca e programeve anti evazion të zbatuara në funksion të luftës ndaj evazionit fiskal dhe informalitetit. Por edhe përpjekjet e derisotshme të përqendruara në forcimin e kornizës ligjore për administratën tatimore duhet të jenë një tjetër analizë, që në thelb të vet duhet të na tregojë se sa e vështirë dhe e kushtueshme është sot të qëndruarit si evazionist fiskal (pa leje, pa paguar tatimet, pa zbatuar detyrimet e tjera fiskale) dhe në kundërshtim me ligjin. Nga politika tatimore, nevojitet që të shikojmë të analizuara se sa është thjeshtuar regjimi i taksave, si dhe sa janë zgjeruar bazat tatimore të secilit tatim.

Nëse do të ishin të disponueshme këto analiza dhe konkluzionet e tyre do të ishin prej kohesh objekt diskutimi midis qeverisë dhe publikut per adresim te problemeve dhe ngecjeve, atëherë sot mund të ishim në një ambjent ekonomik me një evazion fiskal më të ulët se më përpara dhe ndoshta amnistia nuk do te ishte version i përsëritur i çdo qeverisje.

Në fund të fundit, amnistia fiskale nuk duhet të jetë kura e vetme, nëse pretendojmë se jemi në një ekonomi që është drejt forcimit të kapaciteteve të saj, si dhe të një administrimi që prej më shumë se një dekade ka si vizion të tij pajtueshmërinë e taksapaguesve me zbatimin vullnetar të ligjit prej tyre. Për të zbatuar këtë vizion janë konsumuar prej një dekade mijëra orë pune me burime njerëzore, energji pozitive dhe miliona euro burime financiare për të ndërtuar sisteme rrisku dhe modele kontrolli bazuar te menaxhimi i rriskut dhe adresimi i presionit fiskal te evazionistët dhe ata që nuk zbatojnë ligjin në mënyrë vullnetare.

Miratimi i amnistisë fiskale në këtë kontekst politikëbërje dhe administrimi është më së shumti një tundim për ti bërë disa “modifikime të vogla” modelit të pajtueshmërisë duke përfituar disa të ardhura buxhetore afatshkurtra. Efekti që prodhon kjo qasje, në kushtet në të cilat operon aktualisht sistemi fiskal është në kurriz të përpjekjeve afatgjata për të reformuar politikën tatimore dhe për të modernizuar administratën tatimore.

Në të njëjtën kohë, duhet bërë çdo përpjekje për të analizuar politikën fiskale dhe problemet e administrimit, për të kuptuar edhe ku është gabuar dhe cila është arsyeja që bëhet propozimi për një amnisti fiskale. Përpara se të diskutohet amnistia fiskale, nevojitet që nga analiza e politikave të rishikohen strategjia dhe plani i veprimit aktual që të synohet adresimi i këtyre problemeve thelbësore.

Me fillimin e instrumentit të fiskalizimit, pikërisht në funksion edhe të formalizimit të deklarimeve të biznesit, por edhe disiplinimit të proceseve të brendshme të qarkullimit të parasë në biznese është e nevojshme që të shikohet së pari se cilat janë alternativat dhe politikat që mund të çojnë në përmirësime të qëndrueshme në pajtueshmërinë e tatimpaguesve dhe si do të ndikojë ky digjitalizim i dokumentimit të llogarive të bizneseve në performancën e të ardhurave tatimore.

Ndërsa analizojmë situatën që kalon administrimi, sipas këndvështrimit të një këshilltari fiskal, programi i amnistisë fiskale nuk duhet të përfshijë masa që do të shkonin kundër objektivave që adresojnë drejtpërdrejt problemin e mosrespektimit të ligjit. Për shembull, dhënia e statusit anonim për tatimpaguesit që marrin pjesë në amnisti minon pikërisht qasjen e pajtueshmërisë vullnetare, pasi identifikimi i tatimpaguesve mosbashkëpunuesë dhe që kanë sjellje jo korrekte me detyrimet e tyre ligjore do të jenë përsëri të paidentifikuar, duke prishur edhe balancën e nevojshme të barazisë tatimore. Ftesa për tu bërë pjesë e amnistisë nuk duhet tu shkojë edhe evazionistëve dhe taksapaguesve me sjellje fiskale jo të pajtueshme me ligjin.

Së fundmi, nëse një qeveri është e angazhuar për të miratuar një amnisti fiskale duhet që të kenë prezantuar për publikun shqiptar nëse të ardhurat e pambledhura nga evazioni dhe shmangiet tatimore vijnë për arsye të një administrate joefektive, apo nga hartimi i një politike tatimore të papërshtatshme me kushtet e ekonomisë dhe ambjentin e biznesit.  Nëse këto veprime nuk ndërmerren, apo bëhen me nxitim dhe pa nxjerrë mësime për ti përfshirë në draftet ligjore të amnistisë, problemi që parashikohet ta luftojë amnistia krijon mosbesim dhe ndoshta mund të humbasë mbështetjen e publikut për të shërbyer si një pikënisje efektive për të ardhmen.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: