7 mujori 2026, numrat mbahen, por deficiti dhe investimet japin alarmin

7 mujori 2026, numrat mbahen, por deficiti dhe investimet japin alarmin

Performanca fiskale janar–korrik 2026 tregon se të ardhurat mbajnë planin, por cilësia fiskale dhe ekzekutimi i shpenzimeve mbeten problematikë.
Performanca fiskale e konsoliduar për periudhën janar–korrik 2026 paraqet një situatë që, në pamje të parë, mund të interpretohet si e qëndrueshme.

Të ardhurat janë realizuar praktikisht sipas planit, ndërsa shpenzimet rezultojnë më të ulëta se parashikimi. Megjithatë, një lexim më i thelluar i strukturës së të ardhurave, përbërjes së shpenzimeve dhe mënyrës së financimit tregon një tablo më komplekse. Buxheti arrin të “mbajë numrat” në nivel agregat, por pas kësaj performance qëndrojnë dobësi në disa burime themelore të të ardhurave, nën-ekzekutim i investimeve dhe shpenzimeve të planifikuara, si dhe një deficit dukshëm më i lartë se objektivi.
Në këtë kuptim, çështja kryesore nuk është vetëm nëse buxheti ka realizuar planin në total, por çfarë lloj rritjeje të të ardhurave po e mbështet këtë rezultat, cilat shpenzime po frenohen dhe çfarë efekti kanë këto zhvendosje mbi cilësinë e rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Të ardhurat janë me realizim pranë planit, por me një përbërje që kërkon vëmendje.
Të ardhurat totale për janar–korrik 2026 arrijnë në rreth 484.6 miliardë lekë, duke qenë praktikisht në nivelin e planit, me një tejkalim minimal prej rreth 146 milionë lekësh, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 rritja është 11.8%.

Në një lexim të parë, kjo është një performancë pozitive. Megjithatë, struktura e rritjes tregon se burimet e të ardhurave nuk po kontribuojnë në mënyrë të njëtrajtshme dhe se disa prej tyre kanë karakter më pak të qëndrueshëm.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë rritur me 7.3% ndaj vitit të kaluar, por mbeten 0.1% nën plan. TVSH-ja paraqitet relativisht e qëndrueshme, me rritje 10.1% ndaj vitit 2025, ndërsa akcizat dhe taksat doganore kanë një ecuri më të moderuar. Problemi më i rëndësishëm shfaqet te tatimi mbi fitimin, i cili është 6.6% më i ulët se një vit më parë dhe 1.7% nën plan.
Ky është një sinjal i rëndësishëm për cilësinë e bazës tatimore.

Nëse ekonomia nominale dhe të ardhurat e punës po rriten, por tatimi mbi fitimin nuk ndjek të njëjtën dinamikë, atëherë lind pyetja nëse fitimet e deklaruara të biznesit po rriten në përputhje me aktivitetin ekonomik, nëse struktura e fitimeve po ndryshon, apo nëse administrimi fiskal ende nuk po arrin të zgjerojë në mënyrë efektive bazën e tatueshme. Kjo merr rëndësi të veçantë në një periudhë kur politika fiskale synon formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve.
Në të kundërt, tatimi mbi të ardhurat personale është një nga performuesit më të fortë të periudhës, me rritje 17.3% ndaj vitit 2025 dhe 0.8% mbi planin. Kjo lidhet me rritjen e pagave, formalizimin e punësimit dhe zgjerimin e bazës së të ardhurave të deklaruara. Por edhe këtu duhet bërë një dallim analitik, se rritja e këtij zëri nuk përfaqëson domosdoshmërisht një zgjerim të gjerë dhe organik të të ardhurave reale të familjeve. Një pjesë e konsiderueshme e saj lidhet me rritjet e pagave dhe me formalizimin, përfshirë efektin e sektorit publik dhe të ndryshimeve në pagën minimale e mesatare. Për këtë arsye, qëndrueshmëria e këtij burimi duhet vlerësuar përtej performancës së tij nominale.
Një tjetër element i rëndësishëm është pushteti vendor, ku të ardhurat janë rritur me 75.3% ndaj vitit 2025 dhe 3% mbi planin. Pjesa kryesore e kësaj rritjeje vjen nga taksat lokale, të cilat janë rritur me rreth 91%, me një rol të rëndësishëm të të ardhurave të lidhura me procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ky rezultat është pozitiv në aspektin e të ardhurave vendore dhe të decentralizimit fiskal, por nuk duhet interpretuar automatikisht si zgjerim i qëndrueshëm i bazës ekonomike vendore.
Nëse rritja vjen kryesisht nga efekte të karakterit administrativ ose nga procese të njëhershme, ajo mund të mos përsëritet në të njëjtin nivel në vitet pasuese. Për më tepër, në perspektivën e riformatimit territorial dhe të financave vendore, sfida reale mbetet zgjerimi i bazës së taksapaguesve, mbledhja e detyrimeve të prapambetura dhe reduktimi i informalitetit në ekonomitë lokale. Kjo është e vetmja mënyrë që rritja e të ardhurave vendore mund të shndërrohet në një burim të qëndrueshëm të autonomisë financiare të bashkive.
Fondet speciale, kryesisht kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, gjithashtu paraqiten të forta, me rritje 13.4%. Ecuria është në përputhje me rritjen e pagave dhe zgjerimin e bazës së kontribuuesve, por mbetet e lidhur ngushtë me tregun formal të punës.
Në anën tjetër, të ardhurat jotatimore paraqiten dukshëm më të dobëta: ato janë 4.2% nën plan dhe 7.5% më të ulëta se në vitin 2025. Dobësia e këtij zëri, sidomos nga institucionet buxhetore, tregon se rritja e përgjithshme e të ardhurave nuk është mbështetur në mënyrë të balancuar nga të gjitha burimet.
Në përmbledhje, buxheti ka arritur të ruajë objektivin e të ardhurave kryesisht përmes kombinimit të tatimit mbi të ardhurat personale, të ardhurave nga pasuria në nivel vendor dhe kontributeve sociale, ndërsa tatimi mbi fitimin mbetet një pikë e dobët. Kjo krijon një kontrast të rëndësishëm: formalizimi i punës dhe rritja e pagave po gjenerojnë më shumë të ardhura, ndërsa formalizimi dhe zgjerimi i bazës së fitimit të biznesit nuk po japin të njëjtin rezultat.
Edhe rritja prej 11.8% e të ardhurave ndaj vitit të kaluar duhet lexuar në terma realë dhe jo vetëm nominalë. Nëse krahasohet me inflacionin dhe rritjen nominale të PBB-së, një pjesë e kësaj rritjeje duket se është thjesht pasqyrim i rritjes së çmimeve dhe të aktivitetit nominal. Për rrjedhojë, performanca fiskale është më pak e fortë në terma realë sesa sugjeron shifra nominale.
Shpenzimet 7 mujore janë nën plan, por jo domosdoshmërisht për shkak të eficiencës.
Shpenzimet totale për periudhën arrijnë në rreth 433.2 miliardë lekë, duke qenë 1.8% nën plan, por 7.8% më të larta se në vitin 2025. Në vetvete, nën-ekzekutimi i shpenzimeve mund të interpretohet si disiplinë buxhetore. Por struktura e këtij “kursimi” tregon se një pjesë e rëndësishme e tij vjen nga mosrealizimi i shpenzimeve të planifikuara, veçanërisht në investime dhe në disa zëra të shërbimeve publike.
Shpenzimet për personelin janë 1.8% nën plan. Shpenzimet për paga mbeten nën parashikim, ndërsa fondi i veçantë i pagave rezulton zero. Kjo sugjeron se një pjesë e politikave të reja të pagave nuk është materializuar ende në nivelin e planifikuar ose është shtyrë në kohë. Nëse kjo tendencë vazhdon, efekti i politikave të pagave mbi konsumin, të ardhurat personale dhe formalizimin do të jetë më i ulët se ai i parashikuar në buxhet.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes janë 5.8% nën plan dhe 3.1% më të ulëta se një vit më parë. Në afat të shkurtër, kjo mund të prodhojë një efekt pozitiv në kontrollin e shpenzimeve. Por nëse nën-ekzekutimi bëhet sistematik, ai mund të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë dhe mirëmbajtjen e shërbimeve publike, duke shtyrë kostot për periudhat e ardhshme. Kursimi buxhetor është pozitiv vetëm kur vjen nga rritja e eficiencës; kur vjen nga mosrealizimi i shërbimit të planifikuar, ai nuk duhet interpretuar si eficiencë fiskale.
Një dinamikë tjetër e rëndësishme lidhet me fondet speciale, kryesisht pensionet. Shpenzimet janë 0.9% mbi plan dhe 9.3% më të larta se në vitin 2025, ndërsa politikat e reja të pensioneve të planifikuara rezultojnë ende pa ekzekutim. Kjo tregon se presioni mbi buxhetin nga skema ekzistuese e pensioneve vazhdon të rritet, ndërkohë që politikat e reja nuk kanë dhënë ende efektin e tyre të plotë.
Kjo është një çështje strukturore dhe jo thjesht një devijim i përkohshëm. Rritja e shpenzimeve për pensionet, në kushtet e plakjes graduale të popullsisë, krijon një presion që do të kërkojë burime të qëndrueshme financimi edhe në vitet e ardhshme.
Njëkohësisht, buxheti vendor është 5.8% nën plan, pavarësisht se të ardhurat vendore janë mbi plan. Ky kombinim është veçanërisht domethënës. Ai tregon se rritja e burimeve vendore nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm në realizimin e shpenzimeve. Shkaku mund të lidhet me vonesa administrative, kapacitete të kufizuara zbatuese, koordinim të pamjaftueshëm ndërmjet dy niveleve të qeverisjes ose vështirësi në projektet e investimeve. Në çdo rast, diferenca midis mbledhjes së të ardhurave dhe aftësisë për t’i transformuar ato në shërbime dhe investime kërkon vëmendje.
Investimet kapitale: pika më problematike e ekzekutimit
Dobësia më e dukshme në anën e shpenzimeve lidhet me shpenzimet kapitale, të cilat janë 3.7% nën plan. Më shqetësues është fakti se financimi i huaj rezulton rreth 20.3% nën plan, ndërsa fondi i rindërtimit është rreth 17.9% nën plan.
Kjo tregon një zhvendosje të rëndësishme në mënyrën e financimit të investimeve: financimi i brendshëm po realizohet relativisht më mirë, ndërsa projektet që varen nga financimi i jashtëm po ecin më ngadalë. Nëse kjo është thjesht pasojë e fazave teknike të projekteve, efekti mund të jetë i përkohshëm. Por nëse vijon të përsëritet, do të bëhet problem i kapacitetit të administratës publike për të përgatitur, kontraktuar dhe zbatuar projektet e financuara nga burime të huaja.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një qeveri që e ka vendosur përshpejtimin e investimeve publike dhe zhvillimin e infrastrukturës në qendër të strategjisë së saj të rritjes.

Një investim i planifikuar, por i paekzekutuar nuk prodhon efektin ekonomik të parashikuar dhe nuk krijon në kohë kërkesën e pritshme. Ndlekohë po ashtu nuk rrit produktivitetin dhe nuk gjeneron efektet shumëzuese mbi sektorin privat.
Prandaj, nën-ekzekutimi i investimeve nuk duhet parë thjesht si një kursim buxhetor. Nëse vazhdon di vitet e kaluar, ai do të kthehet në kosto të rritjes ekonomike, veçanërisht nëse projektet do të shtyhen drejt muajve të fundit të vitit dhe përpiqen të realizohen në mënyrë të përshpejtuar.
Shpenzimet sociale direkte, si ndihma ekonomike dhe bonuset e lindjeve, janë përgjithësisht pranë planit ose pak nën të, ndërsa kompensimet për ish-të përndjekurit rezultojnë mbi plan. Kjo tregon se, në nivel agregat, komponenti social i buxhetit nuk paraqet devijimin kryesor. Problemi qëndron më shumë në strukturën dhe kohën e ekzekutimit të shpenzimeve.
Deficiti është sinjali më i fortë i dobësisë fiskale.
Pika më kritike e performancës janar–korrik është deficiti prej 51.5 miliardë lekësh, i cili është 18.6% mbi objektivin prej 43.4 miliardë lekësh dhe rreth 63% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ky rezultat kërkon një lexim më të kujdesshëm, sepse ndodh në një situatë ku të ardhurat janë praktikisht sipas planit dhe shpenzimet janë nën plan.

Në kushte normale, kombinimi i të ardhurave sipas planit dhe shpenzimeve nën plan do të duhej të prodhonte një rezultat më të mirë fiskal. Fakti që deficiti është gjithsesi i ndjeshëm mbi objektiv tregon se problemi nuk qëndron vetëm te mbledhja e të ardhurave apo niveli i shpenzimeve, por edhe te dinamika e financimit dhe flukset fiskale.
Financimi i brendshëm rezulton më negativ se plani, ndërsa huamarrja e jashtme afatgjatë për projekte është dukshëm më e ulët si ndaj vitit të kaluar, ashtu edhe ndaj planit.

Mbështetja buxhetore është relativisht e fortë, por nuk është e mjaftueshme për të kompensuar të gjitha devijimet, ndërkohë që ndryshimi i gjendjes së arkës është negativ.
Në terma praktikë, kjo tregon një konfigurim ku qeveria po mbështetet më shumë në burimet e brendshme dhe në financimin e jashtëm jo të lidhur drejtpërdrejt me projektet, ndërsa financimi i investimeve përmes huamarrjes së jashtme po ecën më ngadalë. Kjo krijon një mospërputhje ndërmjet strukturës së financimit dhe objektivave të investimeve publike.
Çfarë tregon kjo për gjysmën e dytë të vitit?
Performanca e shtatë muajve të parë nuk përbën domosdoshmërisht një problematikë të mprehtë fiskale, por është një sinjal paralajmërues për cilësinë e konsolidimit buxhetor.

Në nivel agregat, të ardhurat janë në kontroll dhe shpenzimet nuk kanë dalë jashtë planit. Por pas këtij rezultati qëndrojnë tre dobësi kryesore.
Së pari, baza e të ardhurave nuk po zgjerohet në mënyrë të balancuar. Tatimi mbi fitimin, që duhet të ishte një nga burimet kryesore të një ekonomie më formale dhe më produktive, është nën performancën e vitit të kaluar dhe nën plan.
Së dyti, nën-ekzekutimi i shpenzimeve po prek pikërisht disa prej zërave që lidhen me cilësinë e rritjes, veçanërisht investimet kapitale, financimin e huaj dhe mirëmbajtjen. Një buxhet nuk bëhet më eficient vetëm sepse shpenzon më pak; ai bëhet eficient kur arrin objektivat e shërbimeve dhe investimeve me koston më të ulët të mundshme.
Së treti, deficiti është dukshëm mbi objektiv, çka tregon se performanca e mirë e të ardhurave dhe frenimi i shpenzimeve nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar rezultatin fiskal të planifikuar.
Nëse kjo tendencë vazhdon gjatë pjesës së mbetur të vitit, rreziku kryesor është që të ardhurat të humbasin ritmin e tyre, ndërsa presioni për rritjen e shpenzimeve të shtohet. Në veçanti, ekziston rreziku që investimet kapitale të përpiqen të “kapen” në muajt e fundit të vitit. Një përqendrim i tillë i shpenzimeve në fundvit do të rriste jo vetëm presionin mbi deficitin, por edhe rrezikun e një ekzekutimi më pak cilësor të projekteve.

Në mbyllje, buxheti është në kontroll të numrave, por ende jo të cilësisë fiskale
Në tërësi, performanca fiskale e janar–korrikut 2026 mund të përshkruhet si një stabilitet agregat i shoqëruar me dobësi strukturore.

Të ardhurat kanë arritur planin, por kjo është mundësuar kryesisht nga tatimi mbi të ardhurat personale, kontributet dhe të ardhurat vendore të lidhura me pasurinë, ndërsa tatimi mbi fitimin mbetet një pikë e dobët.

Shpenzimet janë nën plan, por një pjesë e këtij rezultati lidhet me mosrealizimin e investimeve dhe të shpenzimeve operative, jo vetëm me eficiencën. Ndërkohë, pensionet vazhdojnë të krijojnë presion në rritje dhe deficiti rezulton dukshëm mbi objektivin.
Prandaj, për pjesën e dytë të vitit shqetësimi nuk duhet parë nëse qeveria do të arrijë të ruajë shifrat agregate të buxhetit, por nëse do të arrijë të përmirësojë cilësinë e tyre. Kjo nënkupton zgjerim real të bazës tatimore, përmirësim të mbledhjes së tatimit mbi fitimin, reduktim të informalitetit, rritje të kapacitetit për të zbatuar investimet e financuara nga jashtë dhe një menaxhim më të qëndrueshëm të presioneve sociale e demografike.
Nëse këto elemente nuk përmirësohen, atëherë performanca e mirë nominale e të ardhurave dhe shpenzimet nën plan mund të krijojnë një iluzion të konsolidimit fiskal, ndërkohë që dobësitë strukturore transferohen në muajt e fundit të vitit dhe në buxhetet e viteve pasuese.
Në këtë perspektivë, buxheti janar–korrik 2026 nuk është një histori dështimi në mbledhjen e të ardhurave, por as një histori e plotë suksesi fiskal.

Është më saktë një histori e një buxheti që ka arritur të ruajë ekuilibrin e shifrave në sipërfaqe, ndërsa përbërja e të ardhurave, cilësia e shpenzimeve dhe dinamika e deficitit tregojnë se konsolidimi fiskal ende nuk është shndërruar në një përmirësim të plotë të cilësisë së financave publike.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.